Monday, December 29, 2025

Art i brishtë

Duke shfletuar në internet një listë librash të botuar më zuri syri këtë titull: “Arti i brishtë i not giving a f*ck.”

Në tetë fjalë të titullit, katër janë anglisht, origjinal anglisht, jo huazime në shqip nga anglishtja.
Si mund të arrijë përtacia intelektuale deri në atë pikë sa të mos marrësh mundimin të përkthesh titullin? Përse mund t’i shkojë mendja një njeriu të përkthejë dhe të botojë një libër të tërë, kur nuk është në gjendje të kapërcejë pengesën e parë, kapakun?
A është vërtet aq e vështirë? Not giving a f*ck, në përkthimin më të butë mund të ishte: të mos e vrasësh mendjen. Por mund të thuash: të mos e çash kokën. Ose, po të duash të jesh më pranë origjinalit në regjistër: të mos e çash b*thën, të mos e çash tr*apin, të mos e çash…Shqipja ka me bollëk shprehje të mirësjellta dhe të ndyra që mund të përdoren për ta dhënë këtë ide.
A thua përkthyesi e ka zotëruar aq shumë përmbajtjen e librit saqë ka arritur në pikën kur nuk e çan më menderen për të përkthyer si duhet titullin? Po atëherë përse e ka çarë menderen dhe e ka përkthyer të gjithë librin? Dhe, nga ana tjetër, përse duhet të çajë menderen lexuesi ta blejë dhe ta lexojë këtë paçavure?
Mund të mendohet që titulli është lënë qëllimisht gjysmë i papërkthyer ose për të dhënë idenë se përkthyesit nuk i intereson çfarë mendon lexuesi, ose të kundërtën, që përkthyesi e njeh aq mirë lexuesin saqë është i sigurt që ai ose ajo kupton aq anglisht sa ta marrë vesh humorin e shprehjes. Nëse është kjo e dyta, atëherë lexuesi fare mirë mund ta marrë e ta lexojë librin në origjinal.
Nuk e imagjinoj dot se si dikush mund t’i kushtojë orë të tëra përkthimit të një libri, ta bëjë gati atë, ta lexojë dhe rilexojë, ta redaktojë dhe korrektojë, pa mundur të përkthejë si duhet titullin. Pasi ka mbaruar punë, pastaj shkon te botuesi dhe i thotë: Shiko, kam përkthyer një libër të shkëlqyer. Ma boto.
Botuesi, pasi pyet për titullin dhe përmbajtjen e librit dhe merr përgjigjen “Arti i brishtë i not giving a f*uck”, pa i bërë syri tërr, e miraton librin për botim – domethënë e çon në shtypshkronjë dhe i ve në dispozicion bojë dhe letër – pemë të tëra të prera.
Ky është mendimi im, por ndoshta jam i gabuar. Ndoshta kemi të bëjmë me një risi, me një vlerë të re të përkthimit. Mbase vërtet duhet të mos give e f*ck. Në këtë rast duhet t’i kthehemi përkthimeve të disa kryeveprave botërore dhe t’ua redaktojmë titujt. Unë po e nis me disa:
Njëqind vjet de soledad, nga Gabriel Garsia Markez
Njëmijë e nëntëqind e eighty four, nga Xhorxh Oruell
Krim dhe nakazanije, nga Fjodor Dostojevski
Lufta dhe mir, nga Leo Tolstoi
Gjethe of grass, nga Uolt Uitman
80 ditë le tour du monde, nga Zhul Vern
Njeriu që rit, nga Viktor Hugo
Në kërkim të du temps perdu, nga Marsel Prust
Për të perifrazuar Zhvejkun, ç'më duhet mua çfarë shkruaj unë?!

Friday, December 5, 2025

Valët e Llumit

Shikojeni me vëmendje foton.
Unë shoh një grua pa flokë, me njërin gji të hequr, por gjithsesi energjike, luftarake.
Vetëm një mendje e sëmurë mund ta interpretojë këtë si simbol të LGTBQ, ose të përpjekjeve për të na indoktrinuar me agjendat shumë-gjinore soroiste. Vetëm një vështrim i turbullt moral, shoqëror dhe logjik mund ta lidhë këtë imazh me ndonjë ligj apo politikë të qeverisë, BE-së, Iluminatit apo kujtdo tjetër.
Në cilën kulturë të planetit bëhet shoqërizim mendimi midis kokës pa flokë të një gruaje me homoseksualitetin dhe jo me dikë që po kalon përmes procesit torturues të kimo-terapisë? Në çfarë përfytyrimi pervert lidhet heqja e njërit gji jo me kancerin, por me operacionet e ndërrimit të seksit? Vetëm te shqiptarët.
Artistes vizuale Blerta Kambo i ka shkuar në mendje një ide e thjeshtë: të ndjesojë shoqërinë shqiptare për një problem shëndetësor dhe shoqëror. Një në dymbëdhjetë gra preken nga kanceri i gjirit. Që do të thotë se secili nga ne ka të paktën një të afërt, familjare apo të njohur, që vuan, ka vuajtur ose nuk jeton më për shkak të kësaj sëmundjeje.
Ndjesimi i shoqërisë bëhet me qëllim që këtij problemi t'i kushtohet më shumë vëmendje. Domethënë që më shumë gra të testohen më shpesh dhe të diagnostikohen më herët, që shoqëria të jetë më e vetëdijshme, më përkrahëse dhe më dashamirëse ndaj tyre, ndërsa organizmat shtetërore të jenë më zemërgjerë në shpenzimet për parandalimin dhe kurimin e sëmundjes.
Ky është qëllimi i artistes. Por jo ai që sheh injoranca e turmave që mbulojnë me llum moral dhe varfëri intelektuale rrjetet sociale. Jo ai që shohin gardianët e përbetuar komsomolas të gjoja shenjtërisë së vlerave familjare të cilët kërkojnë në çdo vrimë përpjekje konspirative të një entiteti imagjinar botëror i krijuar me synimin e vetëm të shkatërrimit të familjes së veçantë dhe racës së pastër pellazgo-ilire.
Nuk munguan të japin mendim as ata që e shohin të vështirë lidhjen e drejtpërdrejtë të instalimit artistik të Blerta Kambos me LGBTQ. Këta të zgjuar, përfshirë edhe ndonjë piktor apo skenograf me emër, ankohen se po iu përdhoset një vepër e shquar e artit dhe kulturës së kombit, se nuk paska ndodhur kurrë që të kryhen transformime dhe instalime të tilla mbi vepra të tjera. Budallëqe, injorancë dhe/ose përpjekje për mashtrim. Bëni një kërkim në internet dhe shikoni sa mijëra variante të Mona Lizës do të gjeni. Shikoni si transformohet Van Gogu, Pikaso. Gjeni sa variante të bukura dhe domethënëse të Vajzës me Vëthët me Perla të Vermerit janë ekspozuar të paktën vetëm në Muzeun Mauritshuis të Hagës ku ndodhet origjinali. Pastaj derdhni lotë krokodili për mozaikun e fasadës së Muzeut Kombëtar në Tiranë.
Dhe mos harroni: mozaiku i fasadës së Muzeut Kombëtar në Tiranë është vepër e mirëfilltë e realizmit socialist. Le t'i jetë me dekret qeveritar të 1993-shit ylli i kuq dhe libri i historisë së PPSH-së. Ai mbetet realizëm socialist në çdo copëzë të tij, në çdo personazh, në çdo tipar, në të gjitha detajet dhe në tërësinë e kompozimit të tij. Këtë e them jo se jam nga ata që mendojnë se mozaiku duhej hequr nga fasada e Muzeut. Përkundrazi, ai është mirë të rrijë aty për të na kujtuar në jetë të jetëve se çfarë kemi qenë dhe sa hije nga ajo që kemi qenë na ka mbetur në mendjet tona. E them për ata "djathtorët" që u përgjëruan për të dhe po ju therr zemra se u "dëmtua" për nja dy javë e ashtuquajtura vlerë e tyre kombëtare.
Përse e shtrova këtë temë të cilës ndoshta i kaloi piku i eksitimit dy javë të shkuara? Sepse dua të them që ne na e ka marrë në dorë diskutimin publik llumi, injoranca, verbëria, egërsia e turmës. Asaj turme që nuk kupton asgjë nga parimet bazë të shoqërisë, por që ulërin dhe ngre tallaze për një lloj morali të cilin as e ka dhe as do ta ketë ndonjëherë. Dhe që, kur i dalin përpara njerëz në të përparuar se sa mediokriteti i tyre i pështirë, ju lëshohen me lehje dhe ulërima, siç ju lëshuan para disa ditësh asaj vajzës që guxoi ta gërvishte perden e hipokrizisë së tyre.