Arben
Kallamata
(Zyrtarisht, e Hëna e dytë e Tetorit në
SHBA festohet si Dita e Kolombit. Por jo për të gjithë është përkujtim festiv.
Për vendasit ajo është një ditë e tmerrshme. Sa vjen e më shumë njerëzit po bëhen
të vetëdijshëm përse.)
Republika
Domenikane mbahet si një ndër vendet më të bukur, me plazhe të mrekullueshme
dhe bimësi të gjelbëruar gjithë vitin. Vendasit të tregojnë me krenari se ishulli
i tyre, Hispaniola, është nga të parët e zbuluar nga Kristofor Kolombi në 1492.
Kolombi u mahnit aq shumë nga bukuria e atyshme saqë në ditarin e tij e quajti ishullin
‘Parajsë në tokë’.
Shënim
1: Pjesën lindore të ishullit e zë Republika Domenikane që,
sot numëron afro 10 milionë banorë dhe përbëhen etnikisht nga 16 perqind të
bardhë, 11 përqind të zinj, dhe 73 përqind të përzjerë midis tyre. Në perëndim
të Hispanioles shtrihet Haiti, gjithashtu me 10 milionë banorë, krysisht zezakë,
mulatë dhe pakica të ardhura nga Afrika veriore. Në të dy shtetet e Hispaniolës
banojnë vetëm pasardhës të njerëzve që kanë mbërritur në ishull pasi aty shkeli
për herë të parë Kristofor Kolombi. Asnjë shenjë, madje as edhe një gjurmë në AND
nuk gjendet që të tregojë se në atë ishull përpara Kolombit ka jetuar një
popullsi tjetër.
Pakkush në
Republikën Domenikane, në Haiti dhe në botë është i vetëdijshëm ose dëshiron të
flasë për tragjedinë njerëzore të ishullit, për gjenocidin që zhduku nga faqja
e dheut ndoshta 3 milionë banorë që për mijëra vjet e kishin quajtur ishullin
shtëpinë e tyre. Pakkush dëshiron të flasë e të mësojë se ishte pikërisht ai, “zbuluesi
i madh”, admiruesi hyjnësisht i frymëzuar i bukurive të natyrës së këtij vendi i
cili me vetëdije të plotë, me një plan të studiuar mirë, me gjakftohtësi, përllogaritje
dhe mungesë të plotë emocioni, hartoi dhe zbatoi një nga kasaphanat më të mëdha
të historisë.
Shënim
2: Fjalori i Oksfordit jep këtë përkfizim për fjalën gjenocid: vrasja e paramenduar e një grupi të madh
njerëzish, veçanërisht të atyre që i përkasin një grupi etnik apo kombi të
caktuar. Ndërsa Wikipedia e përcakton si eliminimi sistematik i të gjithë ose e një pjese të madhe të
një grupimi racor, etnik, fetar, kulturor apo kombëtar.
Kristofor Kolombi u nis të shkonte në pjesën lindore të Azisë
i mbështetur në një të vërtetë të njohur për kohën dhe një gabim në llogaritje.
E vërteta ishte fakti që Toka është e rrumbullakët, fakt që dihej prej shekujsh
dhe konsiderohej i padiskutueshëm nga ata që merreshin me shkencë, megjithëse
kisha nuk e pranonte. Ndërsa gabimi u bë nga vetë Kolombi kur llogariti
perimetrin e Tokës dhe largësinë që i duhej të përshkronte përmes oqeanit për të
mbërritur në Azi. Ndërthurja e të vërtetës për rrumbullakësinë e Tokë me
gabimin e Kolombit sollën një nga rastësitë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit
– takimin e dy qytetërimeve të zhvilluar për mijëra vjet larg njëri-tjetrit. Duke
menduar gabimisht se kishte mbërritur në pjesën Lindore të Azisë, Kolombi i quajti
vendasit e tokave në perëndim të Atlantikut “indianë“.
Në vend që ta shfrytëzonte këtë takim si një rastësi fatlume
për banorët e të dy anëve të oqeanit Atlantik, si mundësi për të harmonizuar dy
kultura të ndryshme që mund të zhvilloheshin fare mirë përkrah njëra-tjetrës,
Kolombi përdori dinakërinë, forcën, djallëzinë, egërsinë dhe mungesën e plotë të
humanizmit për të shkatërruar e vrarë.
“Nuk kanë as hekur, as
çelik, as armë, dhe nuk janë në gjendje të përdorin armët; ndonëse janë njerëz
me trupa të fortë, të bukur dhe çuditërisht të ndrojtur…Janë aq të padjallëzuar
dhe të lirë në mënyrën si sillen, saqë vështirë ta besosh po s’i pe me sytë e
tu. Kërkoju çfarë të duash dhe nuk të thonë kurrë jo; përkundrazi, të ofrohen
vetë që ta ndajnë gjithçka me ty; dhe të çfaqin aq shumë dashuri sa të duket
sikur ta japin me gjithë zemër; pak rëndësi ka nëse gjërat që të japin kanë
vlerë apo jo.”
Takimi i parë i Kolombit me vendasit e Karaibeve |
Ky është përshkrimi i parë që iu bënte Kristofor Kolombi në
ditarin e vet vendasve të ishujve Bahamas ku shkeli në në 12 Tetor 1492. Brenda
muajit ai udhëtoi në ishujt ku sot janë Kuba dhe Republika Dominikane me Haitin.
Në këto ishuj të lulëzuar ai gjeti popullsi që s’kishin pasur kurrë rastin të
takonin të huaj – njerëz të qeshur, të shëndetshëm që dolën t’i prisnin të
porsaardhurit nga deti me krahë hapur, buzëqeshur dhe të gatshëm për të
ndihmuar.
Për herë të parë takoheshin dy dy kultura që për dhjetra mijëra
vjet ishin zhvilluar të shkëputura nga njëra-tjetra. Në njërën anë vendasit e
qetë dhe paqedashës, që jetonin në një shoqëri pa pronë, të organizuar në mënyrë
të thjeshtë. Në anën tjetër europianët të ardhur me tre anije të mbushura me
ish-kriminelë dhe të drejtuara nga Kristofor Kolombi, një ekspeditë e financuar
nga Mbretëresha Isabelë dhe Mbreti Ferdinand me ambicien për të vënë në zotërim
sa më shumë toka, për të mbushur arkën mbretërore me ar dhe argjend.
Ishin dy shoqëri krejtësisht të ndryshme. A kishte të drejtë
njëra ta quante “të egër”, “të paqytetëruar”, “të pagdhendur” tjetrën? Dhe, nëse
po, kush ishin të egrit e vërtetë? Kush është kriteri i “egërsisë“?
Më poshtë, në të njëjtin ditar Kolombi shkruan : ”Gjëja më e lehtë është t’i nënshtrosh këta
njerëz. Nuk më duhen më shumë se pesëdhjetë vetë për t’i vënë të gjithë poshtë
dhe për të bërë me ta ç’të dua”.
Pak është marrë historia me pyetjen se ku e gjente Kristofor
Kolombi dhe ata që e financonin ndërmarrjen e tij të drejtën morale të nënshtronte
njerëz të pafajshëm, t’iu rrëmbente tokën, t’i kthente në skllevër, e le më
pastaj t’i vriste. E vetmja e drejtë në këtë rast ishte përparësia në armatim –
shpatat e çelikta, kuajt, ushtarët e kriminelët e regjur që kishte me vete. E
drejta e forcës, e dhunës.
Rrugës së kthimit për në Spanjë Kolombi rrëmbeu dhjetra
vendas, burra, gra, fëmijë, të cilët i rrasi në anije si skllevër. Shumë prej
tyre vdiqën pa mbërritur në Europë, ndërsa ata që shpëtuan u brodhën si kafshë nëpër
kafaze lartë e poshtë Spanjës. Ai i tregoi Mbretëreshës Isabelë dhe Mbretit
Ferdinand gënjeshtra me bisht për toka të pasura dhe të begata; për popullsi të
shëndetshme të gatëshme t’iu shërbenin europianëve si skllevër; për lumenj të mbushur
me depozita ari dhe pasuri të pafund që madhëritë e tyre do t’i kishin në
dispozicion. Me përrallat e tij ai arriti ta bindë çiftin mbretëror t’i jepnin
17 anije e 1200 ushtarë si edhe dorë të lirë të bënte çfarë të donte.
Nën presion për të mbajtur fjalën e dhënë familjes mbretërore
dhe i etur për t’u pasuruar, Kolombi tani kishte vetëm dy synime, nënshtrimin e
vendasve dhe grumbullimin e arit, dhe këto mund të arriheshin vetëm me egërsi,
dhunë.
Çdo vendasi iu kërkua të sillte një sasi të caktuar ari. Nëqoftëse
e sillnin, atyre iu jepej një medalion i vogël teneqeje. Meshkujve që kapeshin
pa medaljon iu priteshin duart, vareshin, ekzekutoheshin. Shumë shpejt dhuna u
kthye në qëllim në vetvete.
Ndërsa burrat dërgoheshin larg në miniera ari, gratë
detyroheshin të punonin në
plantacionet e porsakrijuar të rrënjëve të kasavës,
një lloj patateje e ëmbël e vendeve tropikale. Me qindra fëmijë të braktisur
nga prindërit vdisnin urie. Las Casas, prift katolik dhe bashkëudhëtar i Kolombit që i pa
me sytë e tij tmerret e spanjollëve ndaj vendasve shkruan se ”disa nëna ishin aq të dëshpëruara saqë i
mbysnin vetë fëmijët e tyre”.
Dhuna ndaj vendasve u kthye në qëllim në vetvete |
Sipas Las Casas, spanjollët “nuk e
kishin për gjë t’i therrnin indianët nga dhjetë apo njëzet përnjëherësh, madje
edhe t’iu prisnin copa gjymtyrësh vetëm sa për të parë sa të mprehta i kishin
thikat…një ditë, dy nga këta të ashtuquajtur të krishterë hasën dy djem të
vegjël indianë me nga një papagall në
dorë secili. Ata ua morën papagajtë dhe pastaj, për qef, iu prenë kokat
djemve…”
. . .
Llogaritet se që nga viti 1494 (udhëtimi i dytë i Kolombit) e deri në
1508 vetëm në ishillin e Hispanjolës popullsia e vendasve të jetë katandisur
nga 3 Milionë në 60,000. Por edhe po të mos ketë qënë 3 milion, siç pretendon
Las Casas dhe bashkëkohës të tjerë, por thjesht 1 milion, siç pajtohen shumë
historianë, shfarosja e plotë e vendasve të Karaibeve nuk mund të ketë emër tjetër
veçse gjenocid. Ata pak që mbetën, u zhdukën më vonë për t’u zëvendësuar me
skllevër të sjellë nga Afrika, një tjetër shtazëri europiane.
Për të zëvendësuar vendasit e shfarosur, europianët sollën skllevër nga Afrika |
Kolombi i hapi rrugën një gjenocidi më të madh, i ekzekutuar më vonë nga
të tjerë spanjollë si Kortezi dhe Pizzaros në Amerikën Veriore, Qendrore dhe
Jugore, si dhe nga Puritanët në atë që janë sot territoret e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja. Ngritja e tij në statusin e heroit,
zbuluesit më të madh të kohërave, njeriut që i hapi rrugë zhvillimit, etj., është
pjesë e përpjekjeve për të justifikuar dhunën, vrasjet, gjenocidin; për t’i dhënë
legjitimitet banditizmit të monarkëve dhe aristokratëve europianë, pangopësisë
së tyre për pasuri dhe pushtet, paçka se këto vinin në kurriz të miliona
viktimave, skllavërimit të popujve dhe shkatërrimit të kulturave e qytetërimeve
plot vlera. Ideologjikisht masakra u justifikua me luftën kundër paganizmit,
kundër të pafeve, me përpjekjet për të pagëzuar dhe për të kthyer në rrugën e
zotit njerëz që kishin konceptime krejtësisht të tjera për mënyrën se si
funksiononte natyra dhe shoqëria njerëzore.
Për më tepër mund të lexoni në këto adresa:
1 comment:
Post a Comment