Friday, January 16, 2026

Kushdo gabon

Në përgjigje të ftesës së mikut tim Nador Bakalli për diskutim, po postoj tre pjesëza të shkurtra që në fakt i përkasin një shkrimi. Pavarësisht formës debatuese, u vura të shkruaj sepse problemet e trajtuara janë të gjera dhe të rëndësishme.

Më 12 janar, Nadori postoi pjesë nga intervista që ai ka dhënë televizionit Syri, të shoqëruar me një paraqitje të shkurtër të cilit unë i vura këtë koment: “Mbase duhet të marrësh frymë thellë dhe të shkosh edhe mundësinë që je gabim këtë rradhë.”

Nadori u përgjigj duke më ftuar të sqaroja se çfarë mendoj unë se është gabim dhe se është i hapur për debat. Po përgjigjem.  

1.       Gabime dhe kundërthënie në status

Në statusin statusin e shkurtër të Nadorit ka disa thënie që kundërshtojnë njëra tjetrën.

Për shembull, deklarata e tij e prerë “Jam njeri thellësisht tolerant” bije në kundërshtim me titullin e statusit “zero kompromis në caktimin e zotit”. Pa hyrë në diskutim për të gjetur se cilin zot kërkon të caktojë Nadori, në çfarë kapaciteti kërkon ta caktojë dhe përse nuk i lejon të tjerët që të ndërhyjnë në caktim, shprehja “zero kompromis” tregon mungesë të plotë tolerance.

Një tjetër thënie që bije në kundërshtim me deklaratën “Jam njeri thellësisht tolerant” është “Familja dhe shoqëria ndërtohen mbi realitetin e burrit dhe gruas. Nuk ka asgjë të ndërmjetme apo përtej këtij realiteti!” Nëse hiqet në mënyrë absolute mundësia e diskutimit të asaj që thuhet, atëherë nuk bëhet fjalë për tolerancë.

Nga ana tjetër deklarimi “imponimi i ideologjive mbi shoqërinë nuk është diçka që mund ta pranoj”, bije drejtpërdrejt ndesh me thelbin e asaj që Nadori po bën vetë. Si aleat i  Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës[ii], Nadori është pjesë e një fushate për të imponuar ideologjinë fetare mbi legjislacionin e shtetit laik shqiptar. Këtë e shpall qartë në pasazhin e shkurtër të intervistës që ka postuar: Sipas besimit tim, unë besoj se ka burrë dhe ka grua…”Pra, qëndrimi rrjedh nga ideologjia, feja në të cilën ai beson verbërisht. Duket e çuditshme të thuash në këtë rast: “imponimi i ideologjive mbi shoqërinë nuk është diçka që mund ta pranoj”. Është njëlloj si të thuash: Unë nuk mund ta pranoj atë që bëj unë.

2.       Gabimi në konceptimin e familjes ose Për cilën familje e ka fjalën Nadori?!

Nadori flet për familjen e përcaktuar nga Zoti. Edhe pastori ungjillor i koalicionit flet për familjen e përcaktuar nga Zoti. Asnjëri nuk jep hollësi se ku dhe në çformë e kanë gjetur ata përkufizimin e familjes sipas Zotit. Nadori i përkasin dy besimeve të ndryshme, pasuesit e të cilave janë therrur historikisht me njëri-tjetrin, por që, gjithsesi, e kanë një pike takimi. Të dyja janë fe Abrahamike. Pra, me të gjitha gjasat, pika e takimit të modelit të familjes që kërkojnë edhe Nadori edhe Pastori i bije të jetë diku te Abrahami.

Sipas të vetmit burim për ekzistencën e Abrahamit (Dhiatës së Vjetër), themeluesi i feve monoteiste (Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit), u martua me të motrën, Sarën. Hmm, nisje nuk duket shumë tërheqëse për të krijuar modelin e një familje ideale në shekullin 21. Më vonë, kur vajti në Egjipt, Abrahami ia la të shoqen ose të motrën në përdorim (prostituim) Faraonit. Nuk ka rëndësi të përpiqemi të kuptojmë se si ra aq keq në dashuri Faraoni i gjithpushtetshëm Egjiptit me Sarën 69 vjeçare sa ti paguante të shoqit/vëllait të saj si shpërblim bagëti, mall dhe skllevër, ndër të cilën edhe Hagarin. Mjafton të dijmë se sipas librit të shenjtë rreth çerek shekulli më vonë Abrahami (99 vjeç) bëri një fëmijë me skllaven, Ismailin, dhe një tjetër me Sarën (96 vjeç), Isakun. A thua Koalicioni për Familjen po kërkon të ndërhyjë në legjislacionin shqiptar për të na imponuar këtë model familjeje me inceste, prostitucion dhe skllavëri brenda familjes?

Apo duhet të ndjekim modelin e çiftit të parë, Adamit dhe Evës, që linden tre djem? Familja duket shumë e bukur, pavarësisht se njëri vëlla vrau tjetrin. Megjithatë, ka një pyetje të vogël: si u shumuan? Kush u martua me kë që të popullohej planeti? Incesti është e vetmja rrugëdalje.

Joachim Wtewael, Loti dhe të bijat, 1600
Një familje tjetër nga Dhiata e Vjetër, ajo e Lotit me dy vajzat e tij, na jep si shembull të tjera bukurira. Loti ia ofron vajzat e tij të virgjër një turme të etur për të përdhunuar, mjafton që ata të mos prekin miqtë që i kanë ardhur atij për të bujtur në shtëpi. Megjithëse një veprim i lavdërueshëm për të mbrojtur nderin e miqve, lënia e vajzave që ta përdhunojë një turmë e egërsuar duket paksa ekstreme. Më vonë vajzat, nga ana e tyre, e dehin Lotin me alkool dhe bëjnë seks me të.

Nga Dhiata e Vjetër mund të merret si model edhe familja e mbretit të konsideruar të mençur Solomon, që kishte 700 gra dhe 300 konkubina.

Natyrisht, Nadori mund të thotë që e merr frymëzimin nga të tjera burime fetare, pavarësisht se libri që ai e konsideron të shenjtë e pranon edhe Lotin (Lutin) edhe Abrahamin (Ibrahimin). Mbase ai kërkon t’i referohet Profetit të tij, që kishte 13 gra të cilat varionin nga 56 vjeç deri në…9 vjeç. Ose librit të tij të shenjtë sipas të cilit një burrë mund të martohet me katër gra.

Ngado që ta kthesh, librat e shenjtë, fjala e Zotit në caktimin e të cilit Nadori nuk bën kompromis, nuk afrojnë ndonjë model të shëndetshëm në lëmin e familjes. Nëse Nadori nuk bën asnjë kompromis me atë që i meson feja e vet, atëherë ai po i kërkon legjislacionit shqiptar që të pasqyrojë një mendësi shoqërore të cilës i ka kaluar koha të paktën 14 shekuj të shkuara.

I vetmi shembull që mund të përputhet pak a shumë me atë “familjen e shëndoshë” që predikojnë Nadori dhe pastori ungjillor them se gjindet te familja socialiste. Në kohën e diktaturës komuniste familja konceptohej shenjtërisht midis burrit dhe gruas; nuk lejohej incesti; seksi para martese nuk dënohej, por po të të kapnin me presh në dorë, të detyronin të martoheshe; njerëzit banonin në turmë, disa kurorë brenda një banese të vogël; divorci shihej shtrembër dhe këshillat e lagjeve bënin çmos që ta dekurajonin; ndërsa homoseksualizmi dënohej me burg.

Në vija të përgjithshme Familja Socialiste është shumë më pranë asaj që koalicioni për familjen paraqet si ideal të besimit të tyre.

3.       Gabimi mbi gjinitë

“Simbas besimit tim,” thotë Nadori, “unë besoj që ka burrë, ka grua dhe nuk ka asgjë tjetër.” Kur moderator i emisionit i ndërhyn butë dhe me mirësjellje, dhe i thotë: “Prit, çështje besimi është kjo? Unë e dija që është çështje biologjie” (domethënë shkence), Nadori përgjigjet se ai po shpreh mendimin e tij. Të tjerët le ta kenë biologji.

Pikërisht për këtë i kërkoj Nadorit unë të ndalet pak dhe të mendohet se mbase ai besimi i tij i verbër që bije në kundërshtim me mendimin shkencor mund të jetë gabim. Feja i është kundërvënë historikisht shkencës, por edhe është tërhequr vazhdimisht sa herë është provuar katërcipërisht se shkenca ka pasur të drejtë dhe kur feja ka rrezikuar të tingëllojë haptazi qesharake.

“Të gjithë ata që nuk e gjejnë veten mrena binaritetit burrë edhe grua janë absolutisht subjekte të ndihmës së specilizuar për shkak të vështirësive të theksuara që kanë me shëndetin mendor,” deklaron Nadori disa sekonda më vonë në intervistë. Megjithëse prej kohësh i tejkaluar, trajtimi i njerëzve ndryshe si njerëz me të meta mendore është praktikë e përhapur në qarqet ultrakonservatore fetare. Edhe homoseksualizmi është trajtuar si sëmundje mendore nga shumë shoqëri, megjithëse të paktën 4% e popullsisë janë homoseksualë dhe parapëlqimi i tyre për seksin nuk ka të bëjë fare me shëndetin mendor.

Gjinia ka lidhje por nuk është identike me seksin. Gjinia nuk është klasifikim biologjik, si seksi, por identitet shoqëror dhe vetjak. Shoqëri të ndryshme në të katër anët e botës njohin role gjinorë që kalojnë përtej përcaktimit të thjeshtë burrë-grua. Vendasit e Amerikës së Veriut përdornin termin Dy-Shpirtra për individët që mishëronin tiparet e të dy gjinive dhe që luanin rolin e udhëheqësve shpirtërorë, kurues dhe ndërmjetës në zgjidhjen e konflikteve. Në Azinë e Jugut (Indi, Pakistan e Bangladesh), Hixhrat janë njerëz që kryejnë ritual të shenjta në dasma dhe lindje. Ndër vendasit e Meksikës, Mukset janë individë që ndonëse të përcaktuar si meshkuj në lindje, përqafojnë identitetin femëror dhe role krejt të veçanta, si kujdesi për të tjerët apo krijimtari artistike. Në Tailandë gjuhët vendase njohin të paktën 18 role të ndryshme gjinore, të cilat përshkruajnë marrëdhënie të ndërlikuara midis shprehjeve gjinore dhe orientimit seksual. Në Shqipëri, Burrneshat njihen edhe me kanun, por pranohen edhe nga shoqëria si gra të cilat marrin përsipër kryerjen e rolit të burrit në familje.

Shembujt janë të shumtë, nga historia dhe aktualë. Hedhja poshtë e tyre duke thënë “Unë them kështu sepse kështu më thotë besimi im,” nuk përbën argument. Ndërsa përpjekja për t’ia imponuar bindjen pa asnjë bazë shkencore legjislacionit të një vendi është e rrezikshme.

Përcaktimi i individëve me identitet gjinor të ndryshëm si me të meta mendore është cinike dhe fyes. Është fyes për një numër të madh njerëzish, midis të cilëve edhe figura të shquara të artit, politikës, sportit. Këngëtari Sem Smith, aktorja Ema D’Arsi, politikania Uzoma Asagware që shërben si Zëvendës Kryeministre e Manitobës në Kanada janë njerëz të suksesshëm në fushat e tyre që dëshmojnë jo vetëm shkallë të lartë talenti, por edhe urtësi, mençuri dhe nivel intelektual.

4.       Gabimi thelbësor

Së fundi le të vijmë në thelbin e gabimit të Nadorit dhe përse unë i bëra thirrje që ai të mendohej mirë mbasi edhe mund ta kishte gabim. Nadori (dhe Patori i koaliciont për familjen) kanë ndërmarrë një fushatë për t’i imponuar shtetit laik shqiptar një mendim ligjor të bazuar te besimi i tyre fetar. Që në lindje të tij, në 28 Nëntor 1912 e deri sot, në të gjitha format e tij, shteti shqiptar ka qenë vendosmërisht laik – që do të thotë se punët e shtetit, legjislacioni dhe gjithçka e lidhur me të kanë qënë të ndara nga fetë. Jo vetëm sepse është një vend shumë-besimësh – me që beson të paktën në katër fe, plus popullsinë që nuk beson fare dhe popullsinë që beson në fe të tjera, duke përfshirë edhe ungjilloren që po përpiqet të përhapë pastori – por edhe sepse është projektuar me shpresën që të jetë një shtet modern, Republika e Shqipërisë



[i] Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës drejtohet nga një pastor ungjillor. Ungjillorët janë pjesë e lëvizjes të krishterë Protestante që e venë theksin te autoriteti i Biblës, konvertimit në besim (të rilindurit) dhe nevojën për të përhapur fenë protestante. Aktualisht koalicioni ka marrë përsipër të ndërhyjë në procesin ligjvënës shqiptar për të ndryshuar përcaktimin e ligjit mbi barazitë gjinore. Ligji për barazinë gjinore është pjesë e një debati të nxehtë politik dhe shoqëror. Ndërsa politika e ndryshon qëndrimin sipas interesave të pushtetit, në këtë pikë unë kam mendimin tim të cilin mund ta ndryshoj vetëm nëse bindem që e kam gabim. E jap këtë sqarim për të saktësuar se nuk anoj as nga politikat e Ramës as nga ato të Berishës.

 


No comments: