Në luftën e
Parë Botërore Kanadaja, e rreshtuar me forcat aleate, luftonte ndër të tjera
edhe kundër Perandorisë Austro-Hungareze, ku përfshihej një pjesë e Ukrainës së
sotme. Nga 1914 deri në 1920 qeveria kanadeze internoi dhe izoloi në 24 kampe
pune me mijëra familje ukrainase. Në 25 Nëntor, 2005 Senati Kanadez miratoi një
ligj që pranonte përgjegjësinë e qeverisë kanadeze për këtë veprim të shëmtuar,
duke i hapur rrugën bisedimeve me komunitetin ukrainas për mënyrën e dëmshpërblimit,
kryesisht përmes projekteve edukues dhe përkujtues për këtë ngjarje.
Në Luftën e
Dytë Botërore qeveria kanadeze kreu një veprim të ngjashëm, kësaj rradhe ndaj
qytetarëve me prejardhje japoneze. Pavarësisht se shërbimet informative në vend jepnin garanci se qytetarët
kanadezë me prejardhje japoneze nuk përbënin
rrezik për vendin, politikanët ndërmorën hapin e turpshëm të shpërnguljes me
forcë të mijëra familjeve dhe izolimit të tyre në kampe pune. Në 1988,
Kryeministri Brian Mulroney iu kërkoi publikisht ndjesë personave dhe familjeve
që ishin prekur drejtpërdrejt nga internimet. Qeveria akordoi një paketë
simbolike kompensimi prej 300 milion dollarësh.
Në 11
Qershor 2008 Kryeministri Stephen Harper bëri një deklaratë ku iu kërkonte
ndjesë mijëra nxënësve aborigjinalë që ishin detyruar me forcë të ndiqnin Shkollat
Residenciale. Shkollat Residenciale ishin një sistem asimilimi i hartuar nga
Qeveria Kanadeze në bashkëpunim me Kishën e Krishterë për t’i detyruar fëmijët
e banorëve aborigjinalë të hiqnin dorë nga identiteti i tyre etnik, kulturor
dhe fetar, për t’u konvertuar në të krishterë, për të harruar gjuhën e të parëve.
Sipas një programi familjeve aborigjinale iu merreshin fëmijët që në moshën 5
ose 6 vjeç për t’i dërguar të ndiqnin shkollën në konvikte të posaçme. Që
në vitin 1880 e deri në 1996 mbi 150,000
fëmijë vuajtën poshtërimin, dhunën fizike, seksuale dhe mendore, proces që
solli si rezultat humbje jete, trauma psikologjike dhe rrënim shpirtëror për
breza të tërë vendasish. Pasojat e kësaj politike ndihen edhe sot në shumë
komunitete të Kombësive të Para, Inuite dhe Meti.
Qeveritë
dhe politikanët gabojnë. Edhe shoqërit ë gabojnë. Ata pasqyrojnë mendësinë e
kohës me të mirat dhe të metat e veta. Dallimi midis shoqërive dhe kombeve të përparuar
nga ato të prapambetur është padyshim dëshira, vullneti për t’i parë dhe
pranuar gabimet, për të kërkuar ndjesë, dhe për të korriguar vetveten. Pa një proces të tillë nuk
mund të ketë përparim.
Muajin e
kaluar Presidenti Bujar Nishani dekoroi 82 viktima të një krimi të pashembullt
të kryer nga komunistët shqiptarë, një pushkatim masiv krejtësisht i panevojshëm.
Krimi nuk mbaroi aty. Ai vazhdoi me persekutimin e vazhdueshëm të familjeve dhe
të afërme të 82 viktimave gjatë gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, njerëz
të cilët me anë të një logjike krejtësisht të mbrapshtë që vetëm perversiteti i
regjimit komunist mund ta shpikte, u konsideruan armiq – u burgosën, u dërguan
në kampe pune e internime, iu mohua e drejta për të studiuar në universitet, iu
mohuan vende pune, iu mohuan e drejta për të qënë anëtarë të barabartë të shoqërisë.
Viktima të drejtpërdrejta të këtij krimi nuk janë vetëm 82 të pushkatuarit, por
edhe me qindra familjarë të tyre.
Shtatëdhjetë
e dy vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë
e njëjta mendësi. Një pjesë e madhe popullsisë vazhdon të mbetet e ndarë në të
nëjtat kampe – komunistët dhe ballistët, komunistët dhe anti-komunistët. Dy
partitë kryesore të vendit janë pozicionuar de-juro pak a shumë në të njëjtat pozicione
antagoniste – pro komunistëve, pro anti-komunistëve. Vendi s’ka bërë as hapin më
të vogël për t’i dhënë fund këtij antagonizmi pa kuptim.
Dekreti nuk
kërkonte as identifikimin e vrasësve dhe persekutorëve, as hakmarrje, as
shpagim. Kërkonte vetëm njohje institucionale të një krimi të kryer. Sipas të
gjitha standarteve bashkëkohore, vrasja masive e njerëzve, ekzekutimi në grup,
pa gjyq të rregullt, me urdhër nga lart, përbën krim. Mbas dekretit të
Presidentit Nishani (që i përket kampit anti-komunist) vërshuan komentet
komuniste, duke bartur të njëjtin mentalitet sikur të ishte 1943, 1973 apo
1983. “Po na dekorojnë ballistët; po na dekorojnë armiqtë dhe tradhëtarët; po
dekorohen ata që u lidhën me fashistët, me nazistët.” Në ndihmë, si gjithmonë,
erdhi nje grupim i pështirë propagandistësh amatorë partiakë që gëlon në të
gjithë mediat dhe që nuk mënguan të sjellin ofshamat e Vito Kapos e rënkimet e
kufomave të tjera të komunizmit që s’merret vesh përse vazhdojnë të trembin
kalamajtë në mes të ditës.
Dekreti i
Nishanit ishte veprimi më minimal që mund të bëhej për ato 82 viktimave dhe
qindrave të tjerëve rreth tyre. Mënyra e reagimit ndaj tij tregoi se
institucionet e tjera të shtetit dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë nuk
e përkrahën atë. Turp!
E vetmja rezervë
që kam kundër atij dekreti është që atë duhet ta kishte inicuar krahu tjetër
politik, ai që është de-facto pro-komunist, megjithëse botës i hiqet sikur i ka
prerë lidhjet me komunizmin. Dekretin duhet ta kishte propozuar Edi Rama, duhet
ta kishte shkruar Gramoz Ruci, ta kishte financuar Koço Kokëdhima, ta kishin
firmosur gjithë kasketat dhe kostumet e dokut që janë ende gjallë por që s’shprehin
asnjë pendim, asnjë shenjë turpi për atë që është bërë dhe asnjë shenjë
keqardhje për viktimat e shkaktuara. Vetëm nëse do ta kishin nisur ata vetë
debatin shqiptarët do të mund të mendonin seriozisht për pajtimin.
Në çdo vend
të botës shoqëritë janë të detyruara të merren me plagët e të kaluarës. Ato kanë
dy rrugë – ose të kapërcejnë vetveten, t’i pranojnë ato dhe të ripërtërihen për
të ecur më tej, ose t’iu shmangen, t’i injorojnë apo, edhe më keq ende, të
vazhdojnë t’i majisin. Shumë vende, duke përfshirë edhe Kanadanë, kanë përfituar
nga shembulli Afrikës së Jugut në mënyrën se si ata vepruan në fillim të viteve
1990të kur hoqën qafe aparteidin. Fatmirësisht jetën politike të Afrikës së
Jugut të asaj kohe e dominonin dy politikanë, dy njerëz me të vërtetë të mençur
dhe me vizion për të ardhmen, Nelson Mandela dhe F.W. de Klerk – jo rastësisht
ndarës të çmimit Nobel për paqe. Këta kërkuan dhe gjetën një precedent të
ngjashëm me Afrikën e Jugut – atë që kishte ndodhur në Kili pas rënies së
Pinoçetit. Ata i kërkuan takim presidentit të atëhershëm të Kilit dhe
biseduan gjatë me të. Rezultati ishte Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit
(Truth and Reconciliation Commission).
Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit ishte një institucion
pak a shumë gjyqësore i ngritur për të rivendosur drejtësinë në Afrikën e
Jugut. Ai organizonte në të katër anët e vendit seanca publike, më së shumti të
transmetuara edhe në TV, ku njerëzit dëshmonin për përndjekjet politike që iu
ishte bërë në kohën e aparteidit. Në to dëshmonin viktimat, dhe ftoheshin që të
flisnin edhe ata që kishin kryer krime me motiv politik. Atyre që flisnin
publikisht për krimet e tyre nuk iu kërkohej asgjë tjetër, vetëm të dëshmonin
me hollësi ç’kishte ndodhur. Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit kishte të
drejtën që atyre që dëshmonin t’iu jepte amnisti.
Nuk bëhej fjalë për fitues të rinj të arenës politike që
donin të hakmerreshin ndaj torturuesve të tyre të hershëm. Nuk bëhej fjalë për
hakmarrje. Bëhej fjalë për pajtim. Bëhej fjalë për pranim haptazi të një armiku
të përbashkët të kombit afrikan – racizmi dhe aparteidi – dhe për demaskim të
tij. Bëhej fjalë për gjetjen e rrugës më efikase për ta shpëtuar kombin nga një
e keqe e madhe.
Gjatë luftës së Dytë Botërore për shqiptarët armik i përbashkët
ishin ata që na pushtuan. Ne gjetëm mënyrën të vrasim më shumë njeri-tjetrin se
sa armikun e përbashkët. Pastaj, për pesëdhjetë vjet armiku i përbashkët u bë varjanti
enverist i komunizmit. Kjo formë perverte, dështake e diktaturës që e ktheu vendin
në një burg gjigand me disa shtresa burgimi ishte armiku i të gjithëve
shqiptarëve, me përjashtim të një grushti të vogël njerëzish të afërm të Enver
Hoxhës. Ky armik mbetet ende i pacënuar. Jo vetëm kaq, por ka ende parti
politike, duke përfshirë edhe partinë në pushtet, që nuk pranojnë dhe nuk dëshirojnë
të dalin dhe të dënojnë komunizmin enverist. Ne kemi ende forca politike dhe
shoqërore që mbështesin krimet e përbindshme të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut,
duke përfshirë edhe pushkatimin e 82 shqiptarëve të pafajshëm dhe persekutimin
për pesëdhjetë vjet të familjeve të tyre. Për aq kohë sa kjo pjesë e popullsisë
nuk do të gjejë mënyrën të pranojë krimet e kryera, qoftë edhe 72 vjet më parë
vendi nuk mund të ketë asnjë mënyrë pajtimi dhe zhvillimi normal. Në këtë rast
fajin, topin në dorë, e kanë jo vetëm politikanët, por edhe zgjedhësit e tyre,
jo vetëm aktivistë e partisë, por edhe gazetarët, edhe gjithë media që i fryn
urrejtjes dhe përçarjes.
Nuk është e nevojshme që Shqipëria të ndjekë hap pas hapi të
njëjtin proces që u praktikua në Kili dhe në Afrikën e Jugut. Por diçka duhet bërë
sepse Lufta e Dytë Botërore ka 73 vjet që ka mbaruar, Komunizmi ka 25 vjet që
ka rënë dhe ne vazhdojmë, për turp të botës, me të njëjtën mendësi t’i hakërrehemi
njeri-tjetrit, pa pasur kurajon për t’u qytetëruar.
No comments:
Post a Comment