Fjalori i Oksfordit ka përcaktuar fjalën “post-truth”
(pas-të-vërtetës) si fjalën më të rëndësishme të vitit 2016. Fjala ‘post-truth’
përcakufizohet nga fjalori si mbiemër ‘që ka lidhje me ose që përcakton
rrethana në të cilat faktet, të vërtetat objektive ndikojnë shumë më pak në formimin
e opinionit publik se sa ndjellja që iu bëhet emocioneve apo besimeve personale
të paracaktuara. Redaktorët e fjalorit vunë në dukje se përdorimi i termit ‘post-truth’
në vitin 2016 ishte rritur gati 2000 % në krahasim me vitin e kaluar. Kjo
rritje e jashtëzakonshme ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me referendumin për BE-në
në Mbretërinë e Bashkuar dhe fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e
Bashkuara.
Edhe në shqip ne përdorim togfjalësha si ‘pas-luftës’,
‘pas-dasmës’ ose edhe shprehjen popullore ‘si kofini pas-të-vjeli’, për të përshkruar
një periudhë në të cilën diçka ka mbaruar dhe një situatë krejt tjetër mbizotëron.
‘Post-truth’ pra përdoret për të treguar se të vërtetës i ka ikur koha, me
faktet s’merret më njeri, dhe njerëzit orientohen nga emocionet, nga ndjenjat
dhe paragjykimet. Pikërisht këtyre dijnë t’iu drejtohen më së mirë politikanët,
duke i shfrytëzuar ato për përfitimet e tyre. Faktet janë kthyer në diçka të
bezdishme, të neveritshme, që ua ngrenë nervat njerëzve. Nuk është çudi që
urrejtja, racizmi, nacionalizmi ekstrem, e kanë mbytur logjikën dhe faktet. Prandaj
sheh njerëz jeta e të cilëve varet nga programet sociale të votojnë në masë për
partinë që premton shkurtimin e programeve sociale; punëtorë të varfër që
ankohen se nuk iu dalin paratë, të votojnë për kandidatin që iu premton se do t’i
pakësojë taksat e të pasurve; imigrantë që votojnë për masa të rrepta kundër
imigrantëve; njerëz që dëshirojnë të lutfojnë korrupsionin dhe votojnë për
kandidatët më të korruptuar; konservatorë që duan familje të rregullta e të
pastra, që votojnë për manjakë seksualë të deklaruar. Rëndësi ka kush të prek
telat e zemrës, jo kush të jep fakte me të cilat duhet të lodhësh kokën. Eshtë
epoka e pas-të-vërtetës.
No comments:
Post a Comment