Në bazë të cilit ligj do të dënohet ajo gruaja që iu fliste fëmijëve
me simpati për terroristët e ISIS-it dhe Bin Ladenin? Policia e ka arrestuar
për «Nxitje të urrejtjes ose grindjeve» por në asnjë fjalë të saj nuk duket se
ajo ka nxitur ndonjë urrejtje apo grindje. Ajo thjesht mundohet të nxisë
dashurinë për dy organizata terroriste islamike. A s’është kjo njëlloj si gjithë
ata që shprehin lart e poshtë ditën me djell admirimin për Hitlerin, ose për
Enver Hoxhën? Përse dënohet ajo dhe nuk dënohen Pëllumb Xhufi, Muharrem Xhafa, Nexhmije
Hoxha, Vito Kapo, Idajet Beqiri, Sabit Brokaj apo qoftë edhe Alfred Mojsiu që dalin
hapur në shtyp në përkrahje të kriminelëve si enver hoxha dhe mehmet shehu? E vetmja mënyrë se si mund të dënohen me burg
për gjërat që thonë këta dhe ajo gruaja është duke ri-kthyer ligjin e
“Agjitacionit dhe Propagandës” të komunizmit.
Mund të arrestosh një njeri dhe ta dënosh atë sepse shprehu
mendimin e saj, por kjo, përveç dhunimit të lirisë së shprehjes dhe të
mendimit, nuk zgjidh gjë. Opinionin e shprehur prej saj e ka formuar një
ideologji e caktuar. Atë e mbështet një aparat i tërë propagandistik dhe
ideologjik, i cili lejohet të veprojë lirisht në Shqipëri dhe, ajo që është më
alarmante, të hyjë edhe në institucione që quhen shkolla. Madje përhapësit e këtyre
ideve të mbrapshta quhen “mësues”, megjithëse ato nuk iu mësojnë nxënësve asgjë
tjetër veç bazës ideologjike të ISIS dhe Al Kaidës. Ka shumë të ngjarë që edhe
financimi i shkollës së saj të jetë nga i njëjti burim që financon ISIS dhe Al
Kaidën.
Dënimi me burg i kësaj gruaje nuk do të sjellë asgjë.
Nxënësit e asaj shkolle do të vazhdojnë të indoktrinohen sistematikisht nga
dikush tjetër. Atyre do të vazhdohet t’iu shplahen trutë me të njëjtat përralla.
Përderisa vazhdojnë të lejohen shkollat fetare s’kemi përse çuditemi që në to
fëmijëve t’u mësohen gjëra të tilla. Të lejosh shkolla që kanë për synim përhapjen
e një ideologjije të caktuar, është njëlloj si të lejosh shkolla që përhapin
marksizmin. Nëse do të kishim shkolla marksiste-leniniste, komuniste, s’do të
kishim asnjë arsye për t’u çuditur që në to të flitej me simpati për enver hoxhën,
stalinin, maon e këdo tjetër dhe arrestimi i mësuesve të tyre do të ishte krejtësisht
i pakuptimtë.
Shikoni
ujkun, mos u hutoni pas gjurmëve.
No comments:
Post a Comment