Wednesday, January 25, 2017

Kush shkon e çfarë mbetet



Kujtdo që e ka jetuar kohën e komunizmit i kujtohet stigma e pushtetit ndaj artit dhe muzikës së degjeneruar borgjezo-revizioniste. Aq i rrezikshëm ishte ai për komunistët saqë njerëzit përfundonin edhe burgjeve e internimeve të akuzuar si simpatizantë të këtij apo atij artisti. Megjithatë, rinia, të paktën ajo pjesë e rinisë që shihte përtej kornizës së ngushtë të komunizmit, i ndiqte me adhurim artistët më të mirë të viteve 1960të, 1970të dhe 1980të.
Interesante ishte që shumë nga artistët që konsideroheshin të rrezikshëm nga strukturat partiake të kohës së enverit, nuk shiheshin me sy të mirë as nga qeveritë dhe shtresat konservatore të vendeve perëndimore. Kjo ndodhte sepse këngëtarët dhe artistët më të mirë ishin njëkohësisht edhe aktivistë për të drejta shoqërore. Ata që sjellin risi në muzikë dhe art, sjellin një frymë të re edhe në marrëdhëniet e shoqërisë, duke shkatërruar dogmat, duke mospërfillur pushtetin e çfarëdo forme, duke sfiduar autoritetin, dhe duke i dhënë krah lëvizjeve për emancipim. Pavarësisht nga ngjyrat e pushtetit, shumica e artistëve janë konsideruar gjithmonë rrezik për establishmentin.
Por ndërsa komunizmi i luftonte haptazi dhe me dhunë, në rrethanat e lirisë së vendeve demokratike kapitaliste ata nuk hiqeshin qafe kollaj. Sulmet ndaj tyre kanë qënë gjithmonë të kujdesshme dhe të maskuara mirë. Heminguein e ndiqte FBI i Huverit, Trumbon dhe skenaristë të tjerë i sulmoi dhe madje burgosi makartizmi, siç detyroi e njëjta periudhë histerie Çarli Çaplin që të mos kthehej në SHBA për një kohë të gjatë, Xhon Lenonin e kishte halë në sy dhe nuk i jepte qytetarinë Niksoni. Një gjë ka mbetur e pandryshueshme – pushteti, çfarëdolloj pushteti, nuk ka qënë dhe nuk ka se si të ketë qënë në të njëjtën pozicionim me artistët, sepse artistët janë zakonisht një hap përpara.
Artistët më të shquar kanë qënë edhe veprimtarë shoqërorë tepër aktivë - Xhon Lennon dhe Beatles, Mick Jagger dhe Rolling Stones, Xhoan Baez, Bob Dylan, Paul Simon dhe Art Garfunkel, Xhimi Hendrix, Bob Marley, Neil Young, Bono, Eric Clapton, Phil Collins, Madonna, Xhenis Xhoplin, Elton Xhon, Fredi Mercury, Harry Belafonte – lista mund të shkojë pa fund. Këta janë idhujt e rinisë së viteve 1960 – 1990 dhe të rinisë së sotme. Ata këndonin dhe frymëzonin për barazi shoqërore, për liri të individit, për paqen dhe dhënien fund të luftës në Vietnam e kudo, për të drejtat e grave e të pakicave me ngjyrë, për të drejtat e homoseksualëve dhe për liri seksuale, për shembje të tabuve dhe rregullave konservatore. Ata kanë frymëzuar breza të tërë të rinjsh dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në shndërrime tepër të rëndësishme të shoqërisë.
S’ka se si të mos të të pështjellohen zorrët e barkut kur lexon sot komsomolas shqiptarë të ekzaltuar të cilët, në emër të luftës kundër “majtizmit” ose “komunizmit” (!!??) përdorin të njëjtën terminologji që përdornin sekretarët e dikurshëm të partive për t’u hakërryer kundër artistëve më të mirë -- njerëz të degjeneruar, plehëra të shoqërisë, dekadentë, të çthurrur moralisht, drogaxhinj. Ngelesh pa frymë nga urrejtja me të cilën i janë vërsulur fletërrufeistët e rrjeteve sociale Madonës dhe Meryl Streep sepse kanë guxuar të flasin kundër udhëheqësit të dashur dhe të pagabueshëm Donald Trump. Nuk është aspak çudi që shumë prej tyre të jenë të njëjtët njerëz që i përdornin të njëjtat fjalë për të shprehur përkrahjen ndaj atij udhëheqësit tjetër të dashur dhe të pagabueshëm.
Politikanët dhe kryetarët e shteteve shkojnë e vijnë. Jo vetëm në demokraci, ku për fat të mirë sistemi i ndërron si plaçka të vjetra çdo katër apo tetë vjet, por edhe në diktatura, ku sado që zgjasin, vjen një ditë dhe i kosit vdekja. Artistët e mëdhenj mbeten të pavdekshëm. Zërat e Bob Marlit dhe Xhon Lenon, Xhenis Xhoplin dhe Fredi Mërkuri vazhdojnë dhe kumbojnë jo vetëm me ritmet dhe meloditë e tyre, por edhe me mesazhet e fuqishme të lirisë dhe barazisë shoqërore. Nuk ka dyshim që në rradhët e tyre do të hyjë edhe Madona, si këngëtare, koreografe dhe artiste gjigande, pavarësisht çakejve që çirren sot.

2 comments:

reso said...

Eshte jo vetem kenaqesi kur lexon nje shkrim ne shqip plot kulture, stiil, vertetesi, humor nga nje gazetar 'shqiptar, por ndjehesh dhe krenare qe u perkthen miqve amerikane nje artikull qe ata e duartrokasin : great ! So true ! Love it!
Faleminderit Arben Kallamata!!

Anonymous said...

Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
*Spell për të mbetur shtatzënë.
*Magji për t'u ribashkuar.
*Shëroni çdo sëmundje.
* magji për fat të mirë.
*Magji për pasuri.
Dhe të tjerët.
Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159