Saturday, February 11, 2017

Popull monumental



Bashkia e Sarandës ka vendosur të heqë nga lulishtja kryesore e qytetit bustin e Hillary Clintonit. Mësohet se këshilli bashkiak i qytetit ka shpallur konkursin dhe po kërkon mjetet financiare për të ngritur bustin e Betsy DeVos. “Me këtë zëvendësim, këshilli bashkiak i qytetit do të shprehë përkrahjen ndaj zhvillimit të arsimit, shkencës
dhe përparimit shoqëror. Profesoresha Betsy DeVos njihet si reformatore e shquar e sitemit arsimor,” tha për shtypin zëdhënësi i Bashkisë.
Ndërkohë, për të kursyer fondet, Kryeministria po diskuton nxjerrjen e një urdhëresë që bustet e personaliteteve botërore në qendër të qyteteve shqiptare të bëhen prej plasteline. Në këtë mënyrë, materjali i përdorur nuk shkon dëm. Me plastelinën e bustit të Betsy DeVos në të ardhmen mund të bëhet busti i George Sorosit, mjafton që t’i ntrashet ca koka dhe t’i shkurtohen pak flokët. E njëjta sasi plasteline mund të përdoret për bustin e Erdoganit, Mugabes dhe personaliteteve të tjerë botërorë, sipas rastit.
Një debat i ngjashëm është hapur edhe në Prishtinë, veçanërisht në lidhje me të ardhmen e statujës gjigande të Presidentit Clinton. Për këtë është ngritur një grup studimor nga qeveria e Kosovës, i cili ka arritur në përfundimin se në rastin e një vizite iminente nga Presidenti Trump nuk është fare e nevojshme që të zhvendoset statuja. Mjafton t’i mbulohet koka me ndonjë qese plastmasi dhe të zëvendësohet emri poshtë.
Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë po diskutojnë edhe për hapjen e një varreze të përbashkët bustesh e monumentesh diku në rrethinat e Kukësit.

No comments: