Saturday, October 15, 2016

Braktisja e Letërsisë


Është më se e natyrshme që dhënia e Nobelit në Letërsi të pritet me më shumë interes se sa çmimet në Fizikë, në Ekonomi, apo në Mjekësi. Shumë më tepër njerëz lexojnë dhe janë në gjendje të japin mendim për librat, se sa mund të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse kjo teori ekonomike është më e saktë se sa ajo tjetra, ose kjo arritje në mjekësi është më e vlefshme se tjetra..
Nobeli në Letërsi shumë herë i ka befasuar lexuesit me shkrimtarë të panjohur, nga vende dhe letërsi jo tepër të promovuara dhe të përkthyer. Në këto raste, ata që dijnë të lexojnë, në vend që të reagojnë, kanë pritur me durim derisa të kenë rastin të njihen me autorin në fjalë, dhe pastaj ta japin mendimin e tyre. Kur shkrimtari kinez Mo Yan mori Nobelin në 2012, unë u çudita, pasi nuk e kisha dëgjuar kurrë.  Madje mendova se çmimi do t’i ishte dhënë për motive jashtë letrare. Por kur më ranë në dorë libra të tij, u binda që Nobeli i ishte dhënë me të drejtë.
Dy vjet më parë Nobeli iu dha tregimtares kanadeze Alice Munro. Unë kisha lexuar tregime të Munrose më parë dhe nuk më kishin tërhequr shumë. Për mua ka shkrimtarë të tjerë kanadezë, veçanërisht Margaret Atwood, që do ta kishin merituar më tepër Nobelin. Megjithatë, kjo është punë shijesh dhe unë nuk  mund ta hedh poshtë Alice Munro.
Sivjet punët rrodhën ndryshe. Komisioni i Nobelit vendosi t’ia kalojë çmimin një autori këngësh dhe këngëtari. Natyrisht që këtë rradhë do të kishte shumë më tepër, jashtëzakonisht shumë më tepër njerëz që kanë dëgjuar dhe shijuar këngët e Bob Dylan-it. Unë jam i bindur që ka shumë më tepër njerëz sot që kanë dëgjuar këngët dhe vargjet e Bob Dylan-it se sa njerëz që kanë lexuar Tolstoin, Hygonë, Markezin, Heminguein, e këdo shkrimtar tjetër.
E kam pëlqyer dhe vazhdoj ta pëlqej Bob Dylan si këngëtar, si autor këngësh. Ai ka tekste këngësh të mrekullueshme, me nënkuptime të holla dhe mesazhe të fuqishme. Është autor intelektual, që i jep tjetër përmasë këngës. Është muzikant me vizion. Rradhën e fundit kur erdhi në Toronto unë bleva një biletë jo të lirë për ta parë drejtpërdrejt në koncerti. E, megjthatë, nuk jam i bindur që dhënia e Nobelit një këngëtari apo autori këngësh, qoftë ky edhe Bob Dylan është zgjidhja më e mirë.
Mund të thuhet që Bob Dylan ka arritur të përcjellë një poezie të mirë te sa më shumë njerëz. Por mund të thuhet edhe që ai është bërë i njohur si poet vetëm pasi ka pasur sukses në një fushë tjetër, në muzikë. Kënga është një formë artistike shumëplanëshe, ku ndërthuren një larmi elementësh - melodia, interpretimet instrumentale, vokali, arranxhimet, teksti, momenti i lançimit, komunikimi me audiencën, etj. Teksti, ose poezia, është vetëm një element dhe, në shumë raste, siç mund ta dëshmojnë edhe ata që shkruajnë poezi për muzikë, shpesh suksesi i këngës varet jo aq te vlerat poetike se sa te fjalët kyçe.
Bob Dylan ka botuar një libër autobiografik dhe një vëllim me poezi. Kjo është letërsia e tij. Nëse i janë shitur libra, kjo ka ndodhur sepse kanë emrin e këngëtarit Bob Dylan, dhe jo për vlerat poetike (të cilat nuk po i diskutoj). Ai nuk ka shkuar te masa e njerëzve me vlerat e poezisë, por me vlerat e këngëve. Atë nuk e ka bërë të njohur poezia, letërsia. E ka bërë të njohur një zhanër tjetër.
T’i japësh Nobelin një autori për vargjet e këngëve, sado të suksesshme ato, sado të fuqishme si mesazhe, është njëlloj si të thuash: “Tani po e shohim që shumë njerëz nuk lexojnë më libra, prandaj po heqim dorë nga dhënia e çmimit atyre që bëjnë letërsi. Po ia japim një forme arti që ka më shumë pasues.’ Kjo tërheqje e komisioni i Nobelit, kjo braktisje e letërisë, mua nuk më pëlqen. Ky është mendimi im, dhe unë do të kisha qef ta debatoja këtë mendim në këtë plan me këdo që do të ishte i interesuar. Mbase edhe jam gabim dhe ka argumenta që e hedhin poshtë atë. Këtë mendim e kam parë të shprehur në forma të ndryshme, madje edhe më mirë të organizuara nga shumë të tjerë.
Çuditërisht (ose jo) kundërshtimi ndaj një mendimi të tillë këto ditë po shprehet me…një batare fyerjesh e sharjesh për Ismail Kadarenë. Çdo rezervë e shprehur për dhënien e Nobelit kantautorit Bob Dylan është marrë si shenjë zhgënjimi që Nobelin nuk e ka marrë Kadare.
Po, unë do të desha që Nobelin ta marrë Kadare, sepse është shkrimtar i shkëlqyer shqiptar dhe unë mendoj se e meriton. Do të desha, kam pritur dhe do të pres çdo vit që ai ta marrë. Por kur Nobeli i është dhënë dikujt tjetër nuk kam pasur asnjë lloj inati me atë që e ka marrë. Kjo do të ishte marrëzi. Letërsia është art, nuk është stadium futbolli. Edhe në stadium, kur kundërshtari luan më mirë, s’ke përse e merr inat.
Nuk kuptoj se përse për të kundërshtuar idenë që Nobeli nuk i duhej dhënë një kantautori ngrihen njerëz dhe gërmojnë në vargjet e fëmijërisë të Kadares, fusin kokat thellë në kazanet e plehërave të kohës së komunizmit për të gjetur pisllëqe që t’ia hedhin përsipër shkrimtarit. Nëse unë kam mendimin që Nobeli nuk duhet dhënë për vargje këngësh, atëherë këtë mendim e kam edhe për vargjet e këngëve që ka shkruar Kadare. Për mua Kadare nuk duhet ta marrë çmimin as për vargjet e këngëve, as për poezitë, as për fjalimet, as për mendimet e shprehura nëpër gazeta. Ai duhet të vlerësohet për romanet e tij më të mirë, për Pallatin e Endrrave, për Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, për Dosja H, për Viti i Mbrapshtë, për Darka e Gabuar…
Fajin në këtë mes e ka padyshim komisioni i çmimit Nobel që e ka ulur nivelin e diskutimit letrar në nivelin e teksteve të këngëve, ose më saktë, në nivelin e atyre që nuk lexojnë kurrë letërsi dhe që letërsinë e njohin vetëm përmes teksteve të këngëve. Një njeri që nuk lexon një libër, edhe po ta lexonte Kadarenë nuk do ta kuptonte. Por këngët e Bob Dylan di t’i dëgjojë kushdo. Kushdo di të postojë në Facebook ‘Knocking on Heaven’s Door’, që është nga tekstet më të pa vlerë të Bob Dylan, për të provuar se çfarë poeti i fuqishëm është Dylan. Ja, këtë bëri Komisioni i Nobelit. E uli diskutimin letrar nga niveli i librave te niveli i këngëve. Pikërisht për këtë unë isha kundër zgjedhjes së sivjetme, jo sepse kam ndonjë gjë kundër Bob Dylan, të cilin vazhdoj ta dua si këngëtar dhe autor vargjesh.  

1 comment:

Anonymous said...

Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
*Spell për të mbetur shtatzënë.
*Magji për t'u ribashkuar.
*Shëroni çdo sëmundje.
* magji për fat të mirë.
*Magji për pasuri.
Dhe të tjerët.
Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159