10 Porosite nga George Carlin
Friday, December 30, 2011
Christopher Hitchens - Citime
Perkthyer nga Arben Kallamata
"Gjithçka e pohuar pa prova, mund të hidhet poshtë pa prova."
“Të gjithë i jemi borxhli Galileos që na çliroji nga ideja idiote e një sistemi me Tokën në Qendër, ose me njeriun në qendër (për të mos thënë me Zotin në qendër). Ai na tregoi vendin në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe na krijoji mundësi të vazhdojmë e të bëjmë përpara në dije.”
"Sot, shumë nga fetë na vijnë rrotull me atë buzëqeshjen e ëmbël dhe krahët e hapur të atij tregëtarit të lëtyrshëm në pazar. Na ofrojnë ngushëllim dhe solidaritet, duan të na ngrenë peshë, teksa konkurojnë me njëra-tjetrën në treg. Megjithatë, ne kemi të drejtë të kujtojmë se sa barbarisht janë sjellë dikur, atëherë kur ishin të plotfuqishëm dhe kur bënin nga ato oferta që njerëzit s'i hidhnin dot poshtë."
"Dinjiteti njerëzor nuk rrjedh nga feja. Ai i paraprin asaj."
"Kur e pyetën governatorin e Teksasit nëse duhej lejuar që Bibla të jepej mësim edhe në spanjisht, ky u përgjegj: 'Përderisa Jezusit i mjaftonte Anglishtja, përse të mos më mjaftojë edhe mua?'"
”Bibla mund ta lejojë, dhe në fakt e lejon trafikimin e njerëzve, spastrimin etnik, skllavërinë, shitblerjen e grave, dhe masakrat masive, po ne s'na detyron njeri t'i shkojmë nga pas, sepse ajo është një përmbledhje e realizuar nga një grup i ashpër dhe i pakulturuar mamalësh njerëzorë."
"Të trembësh fëmijët me imazhin e ferrit, t'i shohësh gratë si krijesa interiore - a mund të jenë të mira këto për njerëzimin?"
"Kështu, megjithëse nuk më pëlqen të kundërshtoj një njeri të madh, Volteri tingëllon thjesht qesharak kur thotë se edhe po të mos ekzistonte zoti do të ishte e nevojshme ta shpikje atë. Pikërisht këtu nis problemi, te shpikja e zotit nga njeriu."
"Titulli finik i 'disidentit' duhet fituar, dhe jo pretenduar; ai nënkupton sakrificë dhe rrezik, jo thjesht mospajtim."
"I vetmi qëndrim që nuk me lë asnjë kundërshtim njohës është ateizmi. Ai nuk është besim. Vdekja është e sigurt; ajo zëvendëson edhe ninullën e ëmbël të Parajsës edhe tmerrin e Ferrit. Prandaj jeta në këtë botë, me gjithë misteret, bukurinë dhe dhimbjen që mbart, duhet jetuar sa më fort: pengohemi dhe ngrihemi, trishtohemi, mbushemi me besim, ndihemi të pasigurt, të vetmuar, të gëzuar dhe të dashuruar. Përtej kësaj s'ka asgjë tjetër; dhe unë s'kërkoj gjë tjetër."
"Thellë në brendësi të vetes çdo njeri e ka një libër, megjithatë në shumicën e rasteve është mirë që ta mbajnë pikërisht aty."
"Ruajuni të palogjikshmes, sado tërheqëse të duket. Shmangiuni "frymëzuesve" dhe kujtdo që iu bën thirrje të nënshtroni dhe shkatërroni veten. Mos i zini besë dhembshurisë; parapëlqeni më tepër dinjitetin tuaj dhe të atyre rreth jush. Mos u trembni nëse iu quajnë arrogantë apo egoistë. Ekspertët përfytyrojini të gjithë si mamalë. Mos rrini duarkryq përpara padrejtësisë dhe budallallëkut. Kërkoni argumente dhe vini në dyshim për hir të argumentit dhe venies në dyshim; do të keni kohë me bollëk për të heshtur në varr. Vini në dyshim edhe vetë motivet e justifikimet tuaja. Mos jetoni për të tjerët më shumë se ç'mund të prisni të tjerët që të jetojnë për ju."
"(Nënë Tereza) nuk ishte mikesha e të varfërve. Ajo ishte mikesha e varfërisë. Ajo ka thënë që vuajtja është dhuratë nga Zoti. Ajo ia kushtoi gjithë jetën luftës kundër të vetmes kurë kundër varfërisë, që është emancipimi i grave dhe lartësimi i tyre përmbi nivelin kafshëror të riprodhimit të detyruar."
"Pretendimet e jashtëzakonshme duan dëshmi të jashtëzakonshme."
"Çfarë vlerësojmë më shumë te miqtë? Që vazhdojnë të ekzistojnë."
“Ma do mendja që një nga arsyet përse e përbuz fenë është prirja e saj dinake për të dhënë idenë se universi është ndërtuar për të të shërbyer ‘ty’, ose, më keq akoma, se ekzistoka një plan hyjnor në të cilin njeriu ka pjesën e vet, me apo pa dijeninë e tij. Kjo lloj modestije mua më duket shumë arrogante.”
“T”iu them diçka që s’e pëlqej fare? Kokëtrashësia, veçanërisht në format më të ndyra të saj, racizmin dhe supersticionin.”
“Liria për të zgjedhur -- që nga homoseksualiteti, deri te seksi jashtë martesës – nuk mund të kthehet në akt të dënueshëm nëse ata që e ndalojnë aktin (dhe që caktojnë dënimin e ashpër) nuk kanë edhe vetë dëshira të ndrydhura për ta kryer atë vetë. Siç e thotë Shekspiri te “Mbreti Lir”, ai polici që ndëshkon kurvën me kamzhik ka një dëshirë të zjarrtë për ta përdorur atë për të njëjtën shkelje për të cilën po i jep ndëshkimin.”
“Feja e organizuar është e dhunshme, e palogjikshme, jo-tolerante, aleate e racizmit, tribalizmit, verbërisë, mbështetet te padija dhe armiqsore ndaj mendimit të lirë, përbuzëse ndaj grave dhe shtypëse ndaj fëmijëve.”
“Vazhdimisht përsëritet se feja, megjithëse jo e përsosur, të paktën të mëson gjëra të moralshme. Megjithatë, nga çdo anë që ta marrësh do të gjesh fakte bindëse që provojnë të kundërtën, që besimi i bën njerëzit më mizorë, më egoistë dhe, ndoshta më e rëndësishmja, më kokëtrashë.”
“Thelbi i një mendjeje të pavarur nuk është ç’farë mendon, por si mendon.”
“Mos ngurro ta mendosh me kokën tënde; në këtë mënyrë do të ndjesh shumë më tepër gëzim, vërtetësi, bukuri dhe zgjuarsi.”
“Përpjekja për inteligjencë të lirë ka qënë gjithmonë luftë midis mendjes ironike dhe asaj të drejtpërdrejtë.”
“Përpiqem të mos i lejoj vetes as iluzione dhe as deluzione, dhe them se ndoshta kjo më jep të drejtën të përpiqem t’ua mohoj edhe të tjerëve të njëjtën gjë, të paktën në ato raste kur ata nuk pranojnë t’i ruajnë për vete fantazitë që iu vijnë në kokë.”
“Cilat janë heroinat e vërteta në jetën tuaj? Gratë e Afganistanit, Irakut dhe Iranit që venë në rrezik jetën dhe bukurinë për t’i kundërshtuar të keqes së teokracisë. Ato që kanë Ayaan Hirsi Ali dhe Azar Nafisi si model ideal femëror.”
“Nuk është fare tërheqëse si njeri publik, megjithëse nuk e kam të vështirë ta përfytyroj të se si mund ta vërë në përdorim ndonjë regjisor i rëndomtë filmash porno.” (për Sarah Palin)
“Gjithçka e Krishterimit përmblidhet në përfytyrimin e pështirë të “tufës”.
“Alkooli i bën njerëzit më pak të mërzitshëm dhe ushqimin më pak të rëndë, ndërkohë që ndihmon në krijimin e asaj që Grekët e quanin entheos, ose atë bulëzën e lehtë të frymëzimit kur lexon apo shkruan. E vetmja mrekulli me vlerë e Testamentit të Ri – shndërrimi i ujit në verë te dasma në Cana – është lavd për Helenizmin në Xhudean e rreptë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rregullin e Sejderit që bazohet qartë te modeli i simpoziumit të Platonit: bëhen pyetje (veçanërisht drejtuar të rinjve) ndërkohë që vazhdohet të pihet verë. Vështirë të gjesh formë më të mirë vëllazërimi: në Oksford, gjatë seminareve, gjëja më normale ishte të pije verë. Duhet zgjidhur gjuha. Nuk është fare rastësi që Omar Khajami, duke kundërshtuar dhe duke u tallur me hoxhallarët e ngurtë Iranianë të kohës, theksonte vlerën e rrushit si përqeshje ndaj regjimit të tyre të ashpër dhe pa asnjë gëzim. Gjatë vizitës sime në Iranin e sotëm, vura re me kënaqësi se qytetarët aty e theksonin kundërshtimin ndaj ndalimit që klerikët i bënin pijes duke e mbajtur atë për miqtë në shtëpi (edhe nëse nuk e pinin vetë), dhe duke e futur kontrabandë me zgjuarsi dhe kënaqësi të vaçantë. Këto revolucione të vogla vërtetojnë njerëzoren.”
“Virtuti juaj i preferuar? Vlerësimi i ironisë.”
“Virtuti juaj më pak i preferuar, ose kandidati për virtutin më të mbivlerësuar? Besimi. I ndjekur nga pranë -- duke pasur parasysh mungesën në përgjithësi të kohës – prej durimit.”
“Ne që shkruajmë dhe studiojmë histori jemi mësuar me hamendësimin dhe dykuptimshmëritë e tij. Për këtë arsye ne nuk i pranojmë dot si të vërteta rrëfimet gojë pas goje të fshatarëve të trembur injorantë që pretendojnë se kanë parë mrekullira, ose që kanë takuar mesi, profetë apo shpëtimtarë që dukeshin si ata, thjesht si njerëz. Dhe pikërisht për këtë nuk do t’i nënshtrohemi kurrë diktimit të atyre që shfaqin besim prej fanatiku te disa gjëra të sigurta dhe të padiskutueshme.
Subscribe to:
Posts (Atom)