Saturday, May 4, 2024

Kapsulë kohe

Shënime për librin “Çizme lëkure në kohë lufte” të Ajkuna Daklit

“Nuk e vras mendjen shumë se kush do ta lexojë,” iu përgjegj Ajkuna Dakli pyetjes sa e interesuar ishte që libri i saj të pëlqehej nga brezi i ri. “Unë e kam bërë timen. Libri do të rrijë diku, në ndonjë raft. Mendimi se dikur, në të ardhmen, do t’i bjerë dikujt në dorë, do ta hapë dhe do ta pëlqejë, më jep kënaqësi.”

“Time capsule,” mendova unë në anglisht. Pastaj u kujtova dhe guglova shpejt, për të gjetur se shprehja ishte përkthyer edhe në shqip – kapsulë kohore, ose kapsulë kohe.

Sapo kisha hyrë disi me vonesë në një sallë në qendër të Torontos ku shkrimtarët Ajkuna Dakli dhe Flurans Ilia paraqisnin librat e tyre. Përgjigja e drejtpërdrejtë, pa kurrfarë pompoziteti, thjesht e sinqertë më pëlqeu. Më bëri edhe kurreshtar edhe për librin me tregime “Çizme lëkure në kohë lufte” (Onufri, 2020), të cilin sapo e mbarova së lexuari.

Çuditërisht, gjatë gjithë kohës që lexoja nuk më ndahej nga mendja ideja e “kapsulës kohore” që ndoshta është shprehja më e saktë për ta përcaktuar atë libër. Në përputhje me mënyrën se si u përgjigj dhe si foli atë ditë në sallë, Ajkuna ka edhe stilin e të shkruarit – të drejtpërdrejtë, pa pompozitet, të efektshëm, pa kurrfarë sforcimi. “Çizme…” është një vëllim tregimesh që ngjajnë shumë me kujtime, kujtime fëmijërie, por që në fakt përbëjnë një mozaik artistik i një jete të jetuar në Shqipërinë e viteve 70-80të. Them “mozaik” sepse rrëfimet kanë një lidhje organike me njëra-tjetrës, aq sa po të imagjinosh një lëndë ngjitëse për to, i gjithë libri mund të perceptohet edhe si roman. Por më mirë që s’është roman. Shumë më mirë që është ashtu siç është. Sepse çdo tregim ka një pikë kyçe, ka një çast “aha”-je, një gjetje që është pika më e forte e librit sepse shkrimtarja thuajse nuk merr asnjëherë mundimin ta shtjellojë me fjalë dhe ia le në dorë lexuesit ta perceptojë. “Po të duash kape, po të duash lere të të kalojë, të vazhdojë të rrijë aty në raft,” duket sikur thotë ajo. “Mua nuk më intereson shumë.” Pak a shumë si ai qëndrimi me lexuesin e të ardhmes – po të t’iu bjerë në dorë dhe ta lexojnë, le ta pëlqejnë. Ajkuna Dakli di ta lerë këtë pikë me shumë mençuri në ajër, pa e ndërlikuar më tepër se ç’duhet, pa e thjeshtuar aq sa të të fyejë inteligjencën. Aq sa duket sikur këtë e bën pa u menduar, megjithëse jam më se i sigurt që duhet të jetë rezultat i një llogaritje mjaft të kujdesshme. Në art kjo quhet ‘ndiesi e masës”, dhe Ajkuna Dakli e zotëron plotësisht.

Ndiesia e masës ndihet edhe në stil, në gjuhë, në gjithë mënyrën se si shtjellohen tregimet – thjesht, pa të bërtitura, pa dramacitete të tepërta e, megjithatë, kurrsesi nuk mund të thuhet pa emocion e pa mendim. Sepse të gjithë tregimet e kanë të shprehur edhe revoltën, edhe kundërshtinë e prerë për padrejtësitë e kohës, edhe keqardhjen për jetët e ndrydhura dhe, shpesh herë, edhe të shkuara dëm. Por me masë, me qetësi, pa klithur.

Duke mos e njohur autoren (e takoja për herë të parë pikërisht në atë sallë) marr guximin të hamendësoj që kjo ndjenjë mase dhe vetë përmbajtje, kjo qetësi në të shprehur, është rezultat edhe i përvojës së jetës së saj këtu, në Kanada. Në faqen e fundit libri ka të shënuar vendin dhe datën – Toronto, 2019, dhe unë do të thosha që Ajkuna, pavarësisht se ka shkruar shqip dhe për një përmbajtje tërësisht shqiptare, pavarësisht se nuk merr asnjë pozicion artificial për t’u hequr si “e huaj”, shkruan si shkrimtare shqiptaro-kanadeze.

Mua libri më pëlqeu. E lexova me dy frymë – gjysmën një ditë dhe deri në fund ditën tjetër. Do ta rekomandoja pa frikë dhe do të më vinte keq që ai të priste fatin e tij në ndonjë raft si kapsulë kohe që pret të rizbulohet rastësisht. 

Saturday, January 20, 2024

Ç’të mbjellësh do të korrësh


Në verën e vitit 1993 pata rast të bëj një bisedë me ish-sekretarin e ambasadës amerikane në Tiranë, Kris Hill. Takimin e kisha kërkuar unë, me rekomandimin e Bill Kovaç, gazetarit të shquar amerikan i cili ishte edhe kuratori i programit Nieman që unë porsa kisha kryer në SHBA. Kris Hill duhej të njihej me Bill, sepse më ftoi menjëherë në zyrë.

Nëntëdhjetetre ishte ende kohë e shpresave të mëdha. Të porsa dalë nga mizerja e diktaturës, ne jetonim ende në standarte ekonomike dhe marrëdhënie shoqërore jo shumë të ndryshme prej saj. Megjithatë, gjërat po ndryshonin shpejt dhe unë, si shumë të tjerë përreth, kishim të ngulitur në kokë idenë se përpara veç të mira na prisnin. Çdo pengesë, çdo vëshirësi, çdo hendek apo devijim e shihnim si të përkohshëm, madje edhe të natyrshëm, të nevojshëm në rrugën drejt asaj që ne e përfytyronim si shoqëri demokratike.

Në SHBA kisha parë zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, kalimin e butë dhe pa asnjë incident të pushtetit nga duart e Bushit (të madh) të cilin ne shqiptarët që në atë kohë mbështesnim demokracinë e adhuronim, te Bill Klinton, që shkëlqente me energjitë, forcën intelektuale dhe zhdërvjelltësinë e të shprehurit. Kisha mësuar shumë gjëra për mënyrën se si funksiononte një sistem demokratik (të paktën teorikisht, megjithëse edhe praktikisht Amerika e fillimit të viteve 1990-të ishte shumë më pranë demokracisë se sa sot) dhe kisha vërejtur te shumica e njerëzve që kisha njohur atje interesin dhe dashamirësinë ndaj një vendi që porsa dilte nga diktatura, si Shqipëria.

Nuk kishte asnjë arsye që të mos prisja vetvetiu të njëjtin këndvështrim edhe nga bashkëbiseduesi. Për më tepër, në 1993 ne e shihnim ambasadën amerikane, si edhe përfaqësitë e tjera të vendeve perëndimore në Tiranë, si zyra të hapura me qëllimin e vetëm që të na ndihmonin ne shqiptarëve për të arritur atë që donim, ngritjen e një sistemi demokratik politiko-shoqëror, përparimin e shpejtë ekonomik dhe, ndoshta brenda një periudhe sa më të shkurtër, renditjen e vendit si të barabartë me shtetet e tjera të Europës.

Nuk e di sa naiv duhet t’i jem dukur Kris Hillit, që vështronte ftohtë me dy sy në ngjyrën e një qielli të pastër, por të akullt. Diku në bisedë, ai më pyeti drejtpërdrejt, krejt papritur dhe pa asnjë lidhje me bisedën:

“Çfarë mendon për arrestimin e Fatos Nanos?”

Ishte korrik 1993 dhe arrestimi i Nanos (çështje ditësh) qe padyshim tema kryesore e të gjitha bisedave politike. Në atë kohë unë për Nanon nuk kisha asnjë mendim pozitiv. E shihja, bashkë me të gjithë ata që ngulmonin të mbanin në këmbë strukturat e kalbura të PPSH-së, si simbol të regresit, të përpjekjeve për të frenuar çdo mundësi përparimi për shoqërinë shqiptare, si një karrierist të paskrupull, që shfrytëzonte çdo rast për të qëndruar në majë të pushtetit. E urreja për përkrahjen që i jepte atyre që ne i quanim “kasketa”, një përzjerje ish punonjësish të sigurimit të shtetit me sekretarë partije e veteranë të luftës, që vazhdonin t’i qëndronin besnik Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. E përbuzja veçanërisht për atë intervistën ku me cinizëm ishte shprehur: “Të mirë, të keq, të gjithë e kemi nga një babë…” duke na veshur si “babë“ dhe duke dashur të na bindë të mos hedhim poshtë monstrën më të fëlliqur që kishte parë ai vend.

Megjithatë, unë isha kategorikisht kundër arrestimit të Fatos Nanos. Jo sepse kisha ndonjë mendim të palëkundur në lidhje me akuzat për korrupsion që i bëheshin, por sepse kisha (dhe kam) bindjen që arrestimi i tij do të ishte një goditje për demokracinë shqiptare. Arrestimi i Fatos Nanos do të krijonte parangjarjen e dënimit me burg të kryetarit të qeverisë pasi ishte larguar nga pushteti, do të ligjëronte praktikën e arrestimit të liderit të opozitës, të kundërshtarit politik. Kjo do të ishte goditje fatale për demokracinë.

Demokracinë e bën të qëndrueshme qarkullimi i pushtetit, kalimi i butë dhe me mirëkuptim i qeverisjes nga një dorë në tjetrën, nga një alternativë në të kundërtën e saj. Por ky kalim nuk mund të realizohet kurrsesi nëse kundërshtarin politik e sheh si armik për vdekje, si një rrezik që duhet asgjësuar dhe që, kur ke mundësi ta heqësh qafe, mund ta bësh duke e burgosur, duke e shpallur armik, duke e vrarë.

Isha 33 vjeç, por këto i dija sepse sapo i kisha studiuar në shkollë dhe sepse në atë kohë ne i mbanim veshët dhe sytë katër për të mësuar sa më shumë për rendin e ri shoqëror që ëndërronim të krijonim. Unë e mendoja se edhe Kris Hill, diplomat amerikan, i ri në moshë, do të pajtohej plotësisht me këto ide. Prandaj ia shpreha mendimin tim pa pikë hezitimi, i bindur se do të dinte ta vlerësonte. Imagjinoni habinë dhe hutimin tim kur pashë që iu nxi në fytyrë. Pa u përpjekur të tregonte ndonjë vetëpërmbajtje, qoftë edhe diplomatike, ai u lëshua në një shfryrje të lirë inati kundër Nanos, nga e cila më ka mbetur në mendje përsëritja e frazës “son of a bitch”.

Më pas biseda nuk ngjiti më. Unë kërkova lejë të largohesha duke u ndarë me një njeri që, pa keqardhje, nuk do ta takoja më kurrë.

Disa ditë më pas, Nano u arrestua. Berisha vendosi parangjarjen – kryetari i partisë kundërshtare, ish-kryeministri i vendit mund të futet në burg. Praktikat e Enver Hoxhës që fuste në burg, eliminonte, vriste, internonte ata që ai mendonte se i shkonin kundër, në një fare mënyre po vazhdonin.

Një parantezë të shkurtër: Dikush mund të thotë që nuk ishte Berisha ai që e futi Nanon në burg por ishte drejtësia, sepse Nano ishte i korruptuar, etj., etj. Kushdo që ka jetuar në Shqipëri e di mirë që kjo s’ka pikë kuptimi. Sistemi shqiptar i drejtësisë, të paktën që nga viti 1944 e këtej, nuk ka qenë asnjë sekondë i pavarur nga politika dhe, rrjedhimisht, nga numri një i pushtetit.

Duke burgosur Nanon, Berisha u kthye automatikisht në njeriun më të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri. Çfarëdo reformash dhe arritjesh të sillte ai, përsëri, fakti që kishte dënuar me burg kundërshtarin politik e bënte atë vetë prè të hakmarrjes politike. Me t’u ndërruar pushtetet, ata që do të hipnin në fuqi, do të kishin dorën e lirë për të bërë të njëjtën gjë edhe me të. E vetmja mënyrë që Berisha ta shmangte këtë fund për veten ishte ndejtja në pushtet pakufizim, në përjetësi.

Të gjitha veprimet kryesore politike të Berishës mbas këtij hapi fatal – referendumi i vitit 1994, zgjedhjet famëkeqe të vitit 1996, ngulmimi për të mbajtur pushtetin deri sa vendi u përfshi nga flakët në 1997, në një farë mënyre ishin rrjedhojë e këtij hapi dhe mund të shihen si reagim ndaj këtij realiteti.

Është meritë e padiskutueshme e Fatos Nanos që kur erdhi në pushtet në 1997, megjithëse i porsa dalë nga burgu, nuk iu kthyer hakmarrjes por toleroi. Është meritë e kryeministrave që pasuan, Majko dhe Meta, që nuk menduan për asnjë çast t’i riktheheshin asaj rruge. Është meritë e vetë Berishës, që pasi erdhi përsëri në pushtet për tetë vjet rresht tregoi pjekuri politike duke mos iu rikthyer asaj praktike.

Dhe ja ku jemi tani, tridhjetë vjet më vonë, me Ramën që zgjon nga gjumi përbindëshin. Retorika e sulmeve dhe kundërsulmeve me sharje dhe kërcënime, akuzat ekstreme reciproke për veprimtari kriminale dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, kanë kulmuar me heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Berishës. Përsëri, nuk ka pikë rëndësie nëse akuzat janë të vërteta apo fallco. Ato askush nuk ka autoritetin t’i vërtetojë, aq më pak sistemi gjyqësor shqiptar. Edhe vetë përkrahësit e Ramës nuk besoj se janë të bindur që Berisha është i korruptuar.

Rëndësi ka vetëm fakti që Berisha është në arrest shtëpie dhe rezikon të shkojë në burg. Nëse kjo ndodh, atëherë Ramën nga pushteti do ta heqë vetëm dhuna, ose vdekja, kushdo që të ndodhë e para. Pra një përsëritje e 1997-ës, ose e 1985-ës. Të dy skenaret janë të dhimbshme për Shqipërinë dhe varrmihëse për demokracinë shqiptare. Nëse Rama e do pak Shqipërinë dhe shumë veten, do të bënte mirë t’i kërkonte urgjentisht presidentit Begaj (që është praktikisht kukulla e tij) që ta shpallte faljen e Berishës. Është e vetmja rrugëzgjidhje e logjikshme. Përndryshe: ç’të mbjellësh do të korrësh.

Që shprehjen e barazvlefshme në anglisht e ka:

What goes around, comes around

E solla në anglisht për të shtuar edhe dy fjalë për atdheun e personazhit në hyrje të këtij shkrimi, diplomatit Kris Hill. What goes around, comes around. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një vit zgjdhjesh presidenciale, ndërkohë që njëri prej dy kandidatëve të mundshëm për president po e kalon kohën sa në fushatë, e sa në sallat e gjyqeve. Nuk kam qenë asnjë sekondë përkrahës i Donald Trampit. Përkundrazi, e shikoj si rrezikun më të madh për të ardhmen e Amerikës. Megjithatë, precedent i burgosjes së tij më duket i frikshëm. Për mendimin tim, ligjërisht Trampi e meriton të kalbet në klub për tradhëtinë e madhe ndaj demokracisë amerikane në 6 Janar 2021, por edhe për një mori shkeljesh financiare dhe maskarallëqesh e shkeljesh të tjera të ligjit. E, përsëri, them që i duhet shmangur dënimi me burg. Amerikanët duhet të gjejnë me forma demokratike, me forcën e votës mënyrën se si ta hedhin në koshin e plehrave të historisë dhe t’ia mbyllin gojën një herë e përgjithmonë.

Pse e lidha me Amerikën? A mos dua të them se amerikanët, Kris Hill me shokë, e nxitën Berishën që të burgoste Nanon dhe të krijonte precedentin dhe tani po e provojnë në kurrizin e tyre? Nuk e di. Në atë kohë, kur flisja drejtpërdrejt me Kris Hill, as që më shkonte mendja ta mendoja. Tani nuk jam shumë i sigurt. Nuk jam edhe aq i sigurt se kush dhe pse i fryn në vesh Ramës që të bëjë të njëjtën gjë me Berishën. Nuk jam në gjendje të gjykoj as për motivet, nëse kjo është e vërtetë. Ndoshta amerikanët nuk janë edhe aq të interesuar për një zhvillim të rregullt demokratik të Shqipërisë. Koha do ta tregojë.

Pavarësisht se çfarë duan ose kërkojnë amerikanët, shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të përpiqen të ndërtojnë një sistem qarkullimi të butë, tolerant dhe demokratik të pushtetit.