E ndërroni rrugën
kur atë ua pret ndonjë mace e zezë? Është një veprim që e bëjnë ndoshta nëntë
nga dhjetë vetë, shumë prej të cilëve duke sharë e mallkuar krijesën e pafajshme.
Pak vetë e dinë nga buron kjo armiqësi kolektive ndaj një qenieje që, përveç
ngjyrës së qimes, nuk e dallon asgjë nga i gjithë trungu familjar i felinëve,
duke filluar nga macet e vogla e deri te tigrat e luanët.
I njëqind-e-shtatëdhjetë-e-teti Papë i Kishës Katolike, Gregori IX ka sunduar në fronin më të rëndësishëm të Evropës nga 1227 në 1241. Ai njihet për anti-semitizmin, për institucionalizimin e gjyqeve të inkuizicionit dhe, mbi të gjitha, për urrejtjen ndaj maceve në përgjithësi dhe atyre të zeza në veçanti.
Bëhet fjalë për fazën
e dytë të Mesjetës Evropiane, një periudhë historike e përcaktuar si Kohërat e
Errësirës, kur mbi kontinent padiskutuar autoriteti i fesë, kur dija, kultura,
artet, letërsia, filozofia, shkenca, kishin shekuj që mbaheshin të burgosura në
bodrumet e katedralave, manastireve dhe arkivave të Kishës Katolike. Megjithatë,
në shekullin e 13të autoriteti i Kishës Katolike si “kisha universale” kishte
nisur të lëkundej disi. Priftërinj dhe mendimtarë po dilnin me ide të
rrezikshme, ndër të cilat edhe propozimi që njerëzit mund të lidheshin
drejtpërdrejt me Zotin, pa ndërmjetësimin e Kishës. Institucioni i Papës
rrezikonte të humbiste autoritetin e padiskutueshëm dhe i duhej të vepronte. Një
shekull para Gregorit IX, Papa Lucius III kishte nisur fushatën famëkeqe të
inkuizicionit, luftës së egër kundër heretikëve, kundërshtarëve të besimit, e
cila menjëherë mori përmasat e një histerie kolektive të pakontrolluar kundër
kujtdo që nuk shihej me sy të mirë nga pushteti i fesë. Viktimat përndiqeshin
nga turma të ndërsyera dhe përfundonin në tortura dhe ekzekutime publike nga më
të egrat.
Në 13 qershor 1233,
Gregori IX nxorri dekretin e titulluar Vox in Rama me anë të cilit i shpallte
luftë maceve, veçanërisht atyre të zeza. Shkak për këtë u bë thashethemi për
një kult satanik në Gjermani, në ceremonitë e të cilit thuhej se, si shenjë
adhurimi për Luciferin, anëtarët i puthnin të prapmen e një maceje të zezë, ritual
që i hapte rrugën orgjive të papërmbajtura seksuale. Kisha nuk mund ta lejonte
kurrsesi herezi të tilla. Macja e zezë u shpall simbol i Djallit. Dekreti i Papës
iu bënte thirrje besimtarëve: Catum vivere non patieris – mos lini mace gjallë.
Dekreti i Papës ishte fjala e Zotit.
Në të katër anët e Evropës turmat u lëshuan të shfarosnin macet, të bindur se
po luftonin djallin. Dhe, teksa njerëzve iu ngulitej në vetëdijë frika nga
macet e zeza, me qindra-mijëra qenie të shkreta janë sakrifikoheshin për një
përrallë që s’dihej se ku e kishte burimin.
Që supersticioni
për macet e zeza e ka burimin te Dekreti i Papës Gregori IX nuk vihet në
dyshim. Ajo që vihet në dyshim është: Sa ka ndikuar shfarosja e maceve e nxitur
nga Kisha Katolike në Murtajën e Zezë që përfshiu Evropën një shekull më vonë?
Është vërtetuar se Murtaja e Zezë (Bubonike) vjen nga një bakterie e quajtur Yersinia
pestis, e cila u përhap në Evropë kryesisht përmes pleshtave të mbartur nga
minjtë. Ajo që nuk dihet me siguri është sa lidhet numri i madh i minjve
përhapës të sëmundjes me mungesën e maceve që të shfarosura nga Dekreti famëkeq
i Papës? Ajo që dihet është se Mortaja e Zezë (përkatësisht Vdekja e Zezë)
shfarosi gati 2 të tretat e popullsisë së Evropës (rreth 100 milion njerëz),
ndërsa në Kinë dhe Azi rreth 5 milion.
Thuhet se sot
bota udhëhiqet nga njerëz me aftësi morale dhe intelektuale të dyshimta. Ngado
që të hedhësh sytë do të gjesh drejtuesh shtetesh të vegjël e të mëdhenj që
ngjajnë më tepër si dordolecë. Njerëzit sikur po i merr malli për ata të
mençurit e dikurshëm, që udhëhiqnin plot urtësi, zgjuarsi dhe largpamësi. Unë u
vura të kërkoj më të ndriturit prej tyre dhe ja, në thellësitë e historisë,
gjeta Gregorin IX.
No comments:
Post a Comment