Saturday, June 9, 2012

Konsensusi te Qebaptorja e Dylit

Bisedë në Studio No. 9 Drejtuesi i emisionit: Të nderuar teleshikues, tema e ditës sot është zgjedhja e presidentit. Për këtë kemi ftuar në studio tre analistë mediatikë, zonjën Ana Kumbari, zotin Adrian Adriatiku dhe zotin Ardian Joni. Të nderuar analistë, mirëserdhët në Bisedë në Studio. Analistët mediatikë: Mirëse ju gjetëm! Drejtuesi i emisionit: Bisedën e sotme do ta zhvillojmë me një format të veçantë. Ndërsa flasim, te Qebaptorja e Dylit janë mbledhur krerët e dy partive më të mëdha për të përcaktuar zgjedhjen e presidentit. Ne kemi dërguar atje një ekip televiziv me në krye korrespondentin politik Bledi Bala. Le të lidhemi fillimisht me të për të parë si po zhvillohen ngjarjet në terren. Bledi, si më dëgjon? Bledi Bala (nga ekrani duket se ka zënë vend diku pranë hyrjes së Qebaptores së Dylit dhe mban në një dorë ombrellën dhe në tjetrën mikrofonin) - Ju dëgjoj perfekt. Siç e shihni, këtu kanë inicuar precipitacionet. Drejtuesi i emisionit: Interesant. Bledi, na trego se ç'po ndodh atje në planin politik. Bledi Bala: Liderët e të dy partive kryesore, Kryeministri Berisha dhe Kryetari Socialist Rama, të akompanjuar respektivisht nga Astrit Patozi dhe Gramoz Ruci sapo kanë entruar dhe janë akomoduar në interiorin e qebaptores. Fatkeqsisht, as mua dhe as kameramanin nuk na lejuan entrancën. Janë të autorizuar të participojnë në event vetëm reprezentativët e Radio Televizionit Shtetëror. Nga sekuencat e filmuara prej tyre konstatuam se të kuarteti lideror është ulur në të njëjtën tryezë, në distancë jo të largët nga njeri-tjetri. Drejtuesi i Emisionit: Çfarë porositën liderat? Bledi Bala: Pyetje ekselente. Gazetarëve prezent këtu (duhet thënë se janë rreth 140-150 vetë) iu ra në sy se liderat nuk porositën asgjë për të ngrënë. Madje, për të pirë, iu është servirur vetëm ujë. Drejtuesi i Emisionit: Ujë me gotë apo ujë me shishe? I gazuar apo natural? Bledi Bala: Ujë me botilje, natural. Uji nuk është i karbonuar dhe asnjë nga reprezentativët nuk e bëri "gëzuar!" Aktualisht informohemi se vetëm Kryeministri Berisha dhe Astrit Patozi i kanë hapur botiljet. Drejtuesi i Emisionit: Ju falemnderit, Bledi. Do të lidhemi përsëri me ju për të parë vazhdimin e këtij takimi të rëndësishëm dhe domethënës për fatet e vendit. (Duke iu drejtuar të ftuarve) Pra, siç e patë edhe e dëgjuat edhe vetë, të katër liderat janë sistemuar te Qebaptorja e Dylit dhe pritet të fillojnë negociatat. Ç’mund të na thoni paraprakisht me këto të dhëna që kemi deri tani? Si i prognostikoni negociatat? Adrian Adriatiku: Ahem! Fakti që njëra palë i ka hapur shishet e ujit, ndërsa pala tjetër jo, tregon se ekziston një hendek i gjerë mosbesimi midis dy partive.... Ardian Joni: Më falni për ndërhyrjen, por unë këtë e shoh thjesht si shprehje e palës socialiste për të diskutuar për thelbin, për substancën e çështjes, duke e lënë mënjanë ujin. Qëndrimi i socialistëve është pa ekujvok kundra ujit të tepërt. Ana Kumbari: S’ka mbetur hendeku për shishet e ujit. Ne duhet të diskutojmë fillimisht përse është zgjedhur pikërisht Qebaptorja e Dylit për të zhvilluar takimin. Nuk mund të takoheshin liderët në ndonjë zyrë? Ose në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve? Në një institucion të caktuar? Përse në qebaptore? Ardian Joni: Në zyrat e qeverisë nuk mund të takohen, sepse kjo do të ishte përulje nga ana e Ramës. Por as në zyra partije s’takohen dot. As qebaptorja s'ka ndonjë rëndësi. Në Shqipëri të gjitha punët e rëndësishme përcaktohen në kafane dhe qebaptore. Për mua rëndëri ka uji. Rëndësi ka që ata kanë porositur ujë dhe jo ndonjë pije tjetër. Po të porosisnin pije alkoolike, do të ishin të detyruar t'ia bënin njëri-tjetrit "Gëzuar!" përpara se të fillonin të pinin. Por unë e di që Sala s'ka ndërmend t'ia bëjë njdonjëherë "Gëzuar!" Edi Ramës, prandaj ka porositur ujë. Shqiptari s'e ka zakon t'ia bëjë gëzuar me ujë. Adrian Adriatiku: Ndoshta mund të kishin porositur kafe. Ana Kumbari: Kafet janë për mort. Më mirë që s'kanë porositur kafe. Adrian Adriatiku: Kafet pihen për ditë, në çdo orë të ditës. Por liderët nuk duan të merren nëpër gojë sikur pijnë kafe me njëri-tjetrin Drejtuesi i emisionit: Interesante. Do të doja të shtroja për diskutim këtu rolin që mund të ketë në negociatat presidenciale Faktori Ndërkombëtar. Adrian Adriatiku: Pikërisht. I gjithë takimi bëhet për t'i bërë qefin Faktorit. Po të ishte për liderat vetë, ata s'kishin për t'u takuar kurrë. Ndoshta edhe ujin qe po pijnë liderët te Qebaptorja e Dylit e ka sugjeruar Faktori. Ana Kumbari: S'e besoj! Adrian Adriatiku: Po qe Faktori ka vënë si kusht konsensusin, e beson? Ardian Joni: Atë e dijnë të gjithë. E gjithë bota kështu i bën gjërat, me konsensus. Për shembull, Presidenti Xhorxh W. Bush u zgjodh me konsensusin historik të Floridës. Edhe Obama reformën e tij të famshme në fushën e shëndetsisë me konsensus e arriti. Në Itali Berluskonin me konsensus e hoqën. Edhe Greqia, djepi i demokracisë, po i zgjidh punët me konsensus. Në Rusi, presidenti dhe kryeministri ndërrojnë karriget me konsensus të plotë. Mos themi për në Angli, ku mbretëreshën e mban në fuqi konsensusi brez mbas brezi. Po kështu, edhe në Kinë... Drejtuesi i Emisionit: Po vota, përse duhet? Adrian Adriatiku: Vota duhet për raste të ekstreme. Është si puna e Ligjit të Jashtëzakonshëm. Kur nuk vepron konsensusi, ia kërcet me votë. Ana Kumbari: Unë e shoh kështu: për postet e rëndësishme, si për shembull atë të Kryeministrit, apo të Kryetarëve të Bashkive dhe komunave, duhet vota. Për postet pa pikë rëndësie, për vende pune ku njeriu që zgjidhet s'bën asnjë kokërr pune, ose që bën punë të cilat t'i bëj kushdo, si për presidentin, përdoret konsensusi. Dëgjohet një kërcitje ritmike, e mbytur po e fortë: bum, bum, bum. Të tre të ftuarit në studio kthejnë kokën dhe kamera fiksohet te Drejtuesi i Emisionit që po i bije kokës fort me mikrofon. Heshtje dhe vështrime pyetëse. Drejtuesi i Emisionit, sheh për një çast rrotull i habitur, kujtohet ku është, dhe vazhdon: Drejtuesi i Emisionit: Në rregull. Le të lidhemi tani me gazetarin tonë të posaçëm Bledi Bala të dërguar në terren. Bledi, ç'kemi ndonjë të re andej nga Qebaptorja e Dylit? Është dukur gjë Faktori Ndërkombëtar? Bledi Bala (i çuditur paksa nga pyetja e fundit): Faktori Ndërkombëtar nuk performon kurrë në publik. Edhe po te jetë dukur, asnjeri nuk ia identifikon lukun. Këtu pëshpëritet që secili nga të katër liderët në takim mban në xhep fotografi të Faktorit Ndërkombëtar. Po nuk është e sigurt që dhe nuk thuhet pse. Pronari i Qebaptores, Dyl Qebapi betohet se Faktori Ndërkombëtar është klient i rregullt i lokalit të tij, por gazetarët nuk besojnë. Sugjerohet se ai e pretendon këtë për reklamë, sepse nuk është në gjendje ta deskriptojë fizikisht Faktorin Ndërkombëtar... (Ndërkohë, nga hyrja e Qebaptores së Dylit del dikush me vrull dhe iu thotë diçka gazetarëve përreth, të cilët fillojnë të shtyhen dhe mundohen të hyjnë brenda. Asnjeri nuk arrin, sepse te dera qëndrojnë dy bodyguardë të fuqishëm. Nga e shtyra, kameramanit i bije kamera, fokusi i të cilës ngulitet te një qoshe rruge të mbushur me plehra dhe bishta cigaresh.) Adrian Adriatiku: Me siguri diçka po ndodh. Drejtuesi i Emisionit: Bledi, Bledi, a me dëgjon? Çfarë po ndodh aty? Na sqaro, se fatet e kombit varen nga ajo Qebaptore. Ndërpritet lidhja. Drejtuesi i Emisionit: Na falni për ndërprerjen e lidhjes. Me siguri diçka ka ngjarë. Por, përderisa të rivendosim lidhjen, çfarë mendoni se mund të jetë? Ana Kumbari: Unë them se do ta kenë arritur konsensusin. Dukej ngjarje e jashtëzakonshme. Ardian Joni: E pamundur. Më shumë mundësi ka të jetë çfaqur në person Faktori Ndërkombëtar, dhe të ketë shkaktuar panik. Adrian Adriatiku: Ia kam frikën atij ujit me shishe. Nuk i zë besë. Më mirë të kishin porositur raki. Ose verë. Ose ndonjë birrë, të paktën. Po ujë... Bledi Bala: Studioja, si më dëgjoni. Më duket se jemi në gjendje ta kontinuojmë raportimin e direkt nga Qebaptorja e Dylit. Drejtuesi i Emisionit: Më në fund. Hë Bledi, çfarë po ndodh atje? Bledi Bala: Oh, asgjë importante dhe ekstraordinare. Liderët filluan të zihen me grushta. Drejtuesi i Emisionit: Ah, në rregull. Për pak na ngriu gjaku. Thamë se ç'po ndodhte. Po përse u zunë, për Presidentin? Bledi Bala: Jo, or' jo. Për presidentin thjesht nuk arritën konsensusin, siç pritej, dhe me kaq po mbaronte ajo punë. Por sa po bëheshin gati të ngriheshin dhe të iknin secili në punë të vet, filluan të zihen se kush do të paguante për ujin. I pari e hapi sherrin Sala, që futi dorën në xhep. Edi iu hodh përsipër, duke thënë: "Në asnjë mënyrë. Ujin do ta paguaj unë." Pastaj u hodhën në sherr edhe Astrit Patozi me Gramoz Ruci. Vazhdoi sherri keq, me grushta dhe shkelma, derisa erdhi Dyl Qebapi që tha se ujrat janë të paguara. Ana Kamberi: Po të jetë për grusht, Edi ua ha arrat të gjithëve. Adrian Adriatiku: Sa për atë punë, edhe Sala është shumë teknik, pavarësisht nga mosha. Mos harroni që ka qënë mjek, dhe ia di pikat e dobta trupit të kundërshtarit. Pastaj, ai s'e ka marrë kot Astrit Patozin me vete. Në fakt, të katër liderat duken fizikisht të fuqishëm. Ardian Joni: Gramoz Ruci ka punuar në Ministrinë e Brendshme. Di ca teknika grushti ai që, o lele, o lele. Drejtuesi i Emisionit: Të nderuar teleshikues, siç e ndoqët edhe nga transmetimi ynë i drejtpërdrejt, dhe nga komentet profesionale të analistëve këtu në studio, edhe sot nuk u arrit konsensusi. Ndoshta do të arrihet ndonjë ditë tjetër. Deri atëherë, bëfshi qef!