Sunday, June 2, 2013

Çfarë i kanoset sistemit laik të Turqisë?



Nga Arash Dabestani, Pinar Sevinclidir dhe Ertugrul Ero për BBC Monitoring

Nuk është fare çudi që themeluesit e Republikës në vitin 1923 të jenë kthyer përmbys në varre këto ditë: imazhi i një Turqie si shtet thjesht laik dhe kombëtar që ata kishin – jo vetëm ndarje e fesë nga shteti, por edhe heqje e saj nga çdo aspekt i jetës publike – tani po vihet në dyshim.
Vlerat politike nuk janë diskutuar kurrë me kaq forcë sa gjatë kësaj periudhe para 89 vjetorit të Republikës Turke  që është në 29 Tetor. Dhe kjo për shkak të një procesi këshillimor të nisur nga parlamenti turk për t’i paraprirë kushtetutës së re.
Në përgjithësi shoqëria e mirëpriti nismën duke e parë atë si një bazë të re politike që do të zëvendësonte atë të vendosur nga grushti i shtetit i vitit 1980.
Mirëpo procesi ka hapur plagë të vjetra, veçanërisht me debatin e nxehtë mbi rolin e fesë në politikë dhe me natyrën gjithmonë e më konservative të jetës publike në vend.
Sipas Fadi Hakuras, një specialist në institucionin studimor Chatham House në Londër, laicizmi në Turqi është vështirë të përcaktohet. Sipas kushtetutës Turqia është shtet laik, por me një lloj laicizmi që duket se ka marrë një formë të caktuar për shkak të “rrethanave historike dhe gjeografike të vendit.”
Për shembull, pavarësisht nga rastet e dukshme të zbatimit simbolik të laicizmit në jetën e përitshme, si ndalimi i ferexheve në institucione publike, ka shumë anë të tjera të shtetit turk që nuk përputhen me laicizmin.
Disa kritikë veçojnë Drejtorinë e Marrëdhënieve Fetare dhe vënë në dyshim vetë qënien e një të ashtuquajturi shtet laik. Drejtoria në fjalë administrohet nga nëpunës shtetërorë dhe financohet nga burime shtetërore; megjithatë ajo iu ofron shërbime vetëm muslimanëve Suni – që përbëjnë shumicën në Turqi.
Ndërkohë Kryeministri Rexhep Taip Erdogan akuzohet se në mënyra të tërthorta nxit konservatorizmin fetar.
Pakicat e Krishtere dhe Çifute, Muslimanët jo-ortodoksë Alevi, dhe ata që nuk besojnë, nuk marrin asnjë shërbim nga Drejtoria.
Procesi i këshillimit publik ka nxitur diskutime mbi pyetjen nëse forma e tanishme e laicizmit në Turqi duhet të reformohet apo të ripërcaktohet. Ky debat është shumë i rëndësishëm, pasi do të vendosë se në çfarë niveli do të jetë feja në gjendje të ndikojë mbi jetën publike dhe politike të vendit.
Shumë organizata jo-qeveritare kanë shprehur hapur mendimin për këtë çështje.
Shoqata e Industrisë dhe Biznesit Turk (Tusiad), një nga OJQ-të më në zë, mendon se “laicizmi në Turqi është ndryshe nga varjanti i tij në Perëndim, pasi shteti nuk e ka shkëputur veten në mënyrë të barabartë nga të gjithë fetë, besimet, dhe mos-besimet.”
“Statusi i tanishëm i Drejtorisë së Marrëdhënieve Fetare është edhe kundër laicizmit, edhe kundër lirisë së fesë dhe ndërgjegjes.”
Kryeministri Rexhep Taip Erdogan nuk iu shmanget diskutimeve. Bashkë me partinë e tij Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që i ka rrënjët në Islam, gjatë një dhjetëvjeçari të tërë në pushtet ai ka bërë ç’është e mundur që të ri-interpretojë laicizmin.
Për shembull, Zoti Erdogan dhe partia a tij nuk kanë pranuar të vazhdojnë ta zbatojnë ndalimin e rreptë që i bëhet fesë në të gjitha apektet e jetës publike dhe kufizimit të saj në jetën private. Jo vetëm kaq, por kryeministri nuk rresht së përsërituri se “laikë mund të jenë vetëm shtetet, jo individët.”
Në fillim të këtij viti Z. Erdogan ngjalli reagim kur deklaroi se ëndërronte të shihte një “brez besimtarësh të përkushtuar.” Për më tepër parlamenti miratoi edhe një ligj që i lejonte shkollat fetare të njohura me emrin imam hatip që të pranonin edhe fëmijë të moshës 11 vjeç.
Kryeministri gjeti rastin ta përhapte arsyetimin e tij të ri gjatë vizitës në Egjipt në Shtator 2011. Ai e përcaktoi veten si kryeministri musliman i një shteti laik, përqasje e cila u komentua nga analistët turkë si revizionim i “laicizmit”.
Janë pikërisht lëvizje si kjo që kanë provokuar kritikat ndaj Z. Erdogan. Ai akuzohet se ka pikësynime islamike dhe se vjedhurazi po nxit konservatizmin fetar.
Forma e ardhme e laicizmit në Turqi varet shumë nga ndryshimet që priten të ndodhin në sistemin politik.
Shumë njerëz janë të bindur se kryeministri mbështet një system presidencial me fuqi kushtetuese të përforcuara.
Mendohet se ai mund kërkojë edhe një ndryshim në kushtetutë që të paraqesë sistemin presidencial. Kundërshtarët e tij druhen se ndryshimi nga sistemi i tanishëm parlamentar do t’i japë pushtet të tepruar një njeriu që qysh tani akuzohet për autoritarianizm. 
Erdogan Toprak, zëvendës kryetar i Partisë Popullore Republikane në opozitë thotë se kryeministri “dëshiron të kthejë në pushtet sulltanin” – duke iu referuar kohëve të shkuara të Perandorisë Otomane, përpara se Turqia të bëhej Republikë.
“AKP synonë që ta kthejë shoqërinë pas dhe ta shndërrojë atë në një ummah (komunitet islamik). Ajo dë të kthejë së mbrapsh konceptin e individit, të krijuar nga republika, dhe t’i shndërrojë qytetarët në subjekte,” thotë ai.
Por Z. Erdogan mendon se besimi islamik i vendit nuk duhet mbajtur fshehur. Muajin e shkuar, në një fjalim ai tha se ekujlibri midis vlerave demokratike dhe besimit fetar që ka krijuar Turqia duhet të jetë frymëzues për të tjerët.
“Në një vend ku shumica e njerëzve janë muslimanë, ne e lemë demokracinë të sundojë në formën e saj më të përparuar, duke u kthyer në shembull për të gjithë vendet muslimane,” tha ai.