Friday, March 12, 2021

Humor mbretëror

 A janë racistë mbretërorët?! Hahaha!


Humori më i bukur i javës vjen nga ose në lidhje me familjen mbretërore britanike, një humor i hollë, i thellë, dhe në disa përmasa. Nusja e nipçes së vogël të Mbretëreshës, Meghan Markle deklaron në një intervistë me Oprah Winfreyn se dikush nga mbretërorët ka bërë komente raciste në lidhje me fëmijët e saj të ardhshëm. Oprah duket e shokuar. Media amerikane dhe ajo britanike gjithashtu. Rrjetet sociale zjejnë. Në dy orë orë intervistë mbushur me kotësira, ky qe kumti që i ka tronditur më shumë edhe përkrahësit e Meganit (frymës së re), edhe ata të Mbretërisë (traditës).

Nuk e mbaj dot të qeshurin kur mendoj se si mund të jetë pritur kjo në Buckingham Palace. Dua të them, me çfarë lloj habije. A janë habitur që Markle nuk e ka ditur që ata janë racista që para se të lidhej me Harryn? Janë habitur që Oprah nuk e di që ata janë racista? Janë habitur që paska njerëz diku atje tutje, diku poshtë këmbëve të tyre, që vërtet mendojnë se ata nuk janë racista? Apo thjesht janë habitur që dikush guxoka që racizmin e tyre ta quajë racizëm të zakonshëm, njerëzor, vdekëtar, dhe në bazë të kësaj logjike ta shohin atë si të papranueshëm?

Familja Mbretërore nuk janë thjesht racista: Ata janë personifikimi i racizmit. Vetë qënia e tyre mbështetet te racizmi. I gjithë institucioni i monarkisë është koncept racist. Në themel të monarkive, të paktën atyre europiane, qëndron ideja e të drejtës hyjnore. Mbretëritë e sotme europiane nisën të gëlojnë në mesjetën e hershme si forma bazë e sundimit dhe, që në fillesat e tyre u mbështetën nga Kisha. Ideja se Zoti i ka dhënë pushtet tokësor monarkut njëlloj siç i ka dhënë pushtet shpirtëror Kishës, veçanërisht Papës ka qënë mbizotëruese në shoqëritë mesjetare europiane shumë kohë përpara se sa shkenca politike të krijonte termin ‘e drejta hyjnore e mbretërve’. Mbreti Rikard I i Anglisë në 1193 deklaronte: “Unë kam lindur në një sërë që nuk njeh asgjë më lart se vetja veç Zotit, dhe vetëm atij i përgjigjem për veprimet e mia.” Ai ishte i pari që përdori moton: Dieu at mon droit (Zoti dhe e drejta ime), që edhe sot e kësaj dite qëndron në themel të monarkisë në Mbretërinë e Bashkuar. Me daljen e shteteve-kombe dhe pas periudhës së Reformacionit Protestant në shekullin e 16të, teoria e të drejtës hyjnore u përdor për të justifikuar autoritetin e mbretit si në çështjet politike ashtu edhe në ato shtetërore. Henriku i VIII i Anglisë e shpalli veten Kreu Supreme i Kishës së Anglisë, ndësa Xhejms VI i Skocisë, që më vonë u bë edhe Xhejms I i Anglisë e zhvilloi idenë si teori politike: Sundimi i Monarkisë është gjëja më supreme në botë, sepse mbretërit janë jo vetëm zëvendësuesit e Zotit në tokë dhe ata që qëndrojnë në fronin e Zotit, por edhe Zoti vetë, dhe quhen zot…Në librat e shenjtë mbretërit thirren Zot, ndërsa pushteti i tyre krahasohet me pushtetin hyjnor…

Vështirë të gjendet përcaktim më racist. Në fund të fundit, racizmi nuk është gjë tjetër veçse vlerësimi i një lidhjeje gjaku si më superiore ose më inferiore se sa tjetra. 

Gjithçka në ekzistencën e mbretërive buron nga ky koncept. Shtresimet dhe nënshtresimet e rangjeve aristokratike bazohen të gjitha në shkallën e pastërtisë të gjakut mbretëror, në afërsinë apo largësinë e lidhjeve me familjen mbretërore. Familjet mbretërore janë përzjerë tradicionalisht me njëra-tjetrën, duke u munduar të ruajnë të pacënuar pastërtinë e ‘gjakut hyjnor’. Prandaj kemi edhe lidhjet në pellgun e përbashkët të gjakut të të gjitha familjeve mbretërore europane – të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin.

Nuk besoj se ka njeri në planet që të mos e ketë parasysh fytyrën e ngrirë, pa shprehje, pa buzëqeshje, pa asnjë lloj emocioni të Mbretëreshës Elizabetë II. Ajo është maska e monarkut, e supozuar që të jetë e çliruar nga ndjenjat njerëzore, është pamja e racës më superiore të mundshme, racës mbretërore. Është shprehja më e qartë dhe më e dukshme e racizmit.

Prej kohësh monarkitë janë vënë në siklet sepse u është dashur të përballen me zhvillime të reja politike, shoqërore, ekonomike që e kanë nxjerrë institucionin e tyre jashtë loje. Monarkia është një anakronizëm mesjetar që nuk përputhet në asnjë pikë me demokracinë, me të drejtat universale të njeriut, me gjithçka që mban erë zhvillim, ose të paktën që është pranuar gjerësisht si zhvillim nga pjesa dërrmuese e njerëzve pas fillimit të shekullit të njëzetë dhe këtej. Prandaj monarkitë, dhe posaçërisht familja mbretërore britanike ka mëse një shekull që i janë futur punës për të marrë pamje tjetër, më të afërt, më njerëzore, më moderne, më të pranueshme. Në fillim bënë një hap të vockël duke lejuar Dianën, një rang më i ulët të martohej me princin trashëgimtar. Diana ishte gjithsesi aristokrate, por përsëri iu solli probleme. Pastaj bënë hapin tjetër, dhe lejuan William të martohej me një ‘commoner’ (vetë përdorimi i termit është tejet racist), që të paktën ishte shumë e pasur. Së fundi, lejuan Harryn të merrte një aktore gjysmë afro-amerikane, ndërkohë që një hap i ngjashëm në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë i kushtoi fronin Xhorxh VI.

Për ata, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e zotit në tokë, të gjithë të tjerët janë inferiorë, krijesa të dorës së dyte në kuptimin racist të fjalës – domethënë për arsye sepse kanë lindur në rangje më të ulët. Ata qëndrojnë atje lart, raca gjysmë-zot – Mbretëresha, Duka, Princi i Wellsit, kalamajtë e tyre, soj e sorollopi duke mbajtur rreth vetes një grupim më i ulët në rang, më të pranueshëm për ta që quhen aristokratë, njerëz me tituj. Pastaj vijnë ‘commoners’, qeniet më të ulta, ne të tjerët, që kemi lindur për t’u sunduar prej tyre.

A e bëjnë dallimin racor ata midis ‘commoners’ që e kanë lëkurën më të bardhë dhe atyre që e kanë më të errët? Ndoshta e bëjnë, ndoshta nuk e bëjnë. Ka shumë të ngjarë që për ta të mos ketë pikë rëndësie. Por nëse nuk e bëjnë nuk do të thotë që nuk janë racista. Ata mbeten racista në thelb. E bëjnë apo nuk e bëjnë dallimin, kjo nuk ndryshon gjë. Ata mbeten racista, vetëm se në mbretëror.

A i dinte Meghan Markle këto para se të pranonte të hynte nuse në familjen mbretërore? Logjikisht duhet t’i dinte. Turp për të nëse nuk i dinte. Por është turp për të edhe nëse i ka ditur dhe përsëri ka pranuar, sepse kjo tregon që ka pranuar të martohet krejtësisht e vetëdijshme për atë që e pret. Turp për të edhe nëse ndihet e skandalizuar nga komentet raciste të dikujt në familjen mbretërore, sepse prej tyre nuk ke ç’pret tjetër. Edhe sikur mos ta shprehin, ata e mendojnë, sepse kështu janë lindur, rritur dhe edukuar. Ngado që ta kthesh, Markle tregon mungesë karakteri dhe integriteti, ndërsa përpjekja e saj për t’u hequr si e persekutuar është qesharake.

Qesharak është edhe qëndrimi i Harryt, që mundohet të paraqitet si jo-racist, ndërkohë që vazhdon të ngulë këmbë që një pjesë e pasurisë së familjes raciste prej nga ai rrjedh vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut i takojnë atij dhe të shoqes.

Qesharak është edhe reagimi i Oprahs dhe i medias në tërësi. Vërtet duhet një deklaratë e Meghan Markle për t’iu kujtuar atyre që pjestarët e familjes mbretërore janë racistë?! Qesharak është qëndrimi i të gjithë atyre amerikanëve që prishin gjumin për fatet e monarkisë britanike, ndërprerja e lidhjeve me të cilën janë arsyeja dhe thelbi i ekzistencës së tyre si komb. Dhe këtu futen të gjithë, edhe ata që mbajnë anën e Meghanit, duke indinjuar që tani po e markan vesh që familja mbretërore janë racistë, edhe të tjerët, që për arsye krejt të pashpjegueshme, mbajnë anën e mbretërisë.

Sidoqoftë unë për vete zbavitem kur përpiqem të përfytyroj reagimin e pjestarëve të familjes mbretërore. Nuk di si ndihen ata - të fyer, të çuditur, të hutuar, të indinjuar, apo thjesht iu vjen për të qeshur me gjithë këtë histori pa kuptim.