10 Porosite nga George Carlin
Friday, October 30, 2026
Problemi me Al Kaponet
Problemi me kryegangsterrë si Al Kapone është se ata kryejnë aq shumë krime saqë, për çfarëdo që t’i dënosh duket sikur i je shmangur drejtësisë. Ndërkohë, është thuajse e pamundur t’ua provosh të gjitha krimet. Në vitet 30të, të gjithë e dinin se njeriu që terrorizoi Çikagon dhe gjithë Amerikën në kohën e ndalimit të alkoolit ishte kriminel. Por nuk e arrestonin dhe nuk e dënonin dot se s’kishte prova. Më në fund, arritën ta dënonin me burg me akuza për parregullsi në lidhje në pagimin e taksave. Provat dhe faktet u gjetën vetëm për shkeljet fiskale.
Ndoshta drejtësia do t’i provojë një ditë akuzat për vjedhje dhe për korrupsion që i drejtohen Edi Ramës. Ndoshta edhe mund të mos i provojë dot. Ata që i dalin në mbrojtje mundohen të të bindin me argumentin se Edi Ramën nuk mund të akuzohet gjëra që nuk i janë provuar ligjërisht.
Por ka edhe gjëra që janë të provuara dhe të pohuara nga ai vetë dhe për të cilat politika dhe ligji duhet të veprojë për ta hequr atë nga karrigia. Ndoshta ato nuk përbëjnë thelbin e korrupsionit dhe shkatërrimit që i ka sjellë Edi Rama strukturës së shtetit shqiptar, por mbeten shkelje të rënda, të hapura dhe lehtësisht të provueshme.
Ndër to është edhe projekti për krijimin e një shteti bektashi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama e shpalli zyrtarisht idenë për krijimin e një mikro-shteti sovran të Urdhrit Bektashi në shtator të vitit 2024 gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. “… Rama tha se enklava sovrane, që do t'i ngjasojë Vatikanit…Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur "Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij.” (DW 25/09/2024).
Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë nuk lejon krijimin e një shteti tjetër sovran brenda territorit të saj. Neni 1 / 2. përcakton se Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm. Pra, sipas Kushtetutës Shqipëria është një shtet i vetëm dhe i pandashëm. Falja ose kalimi i një pjese të territorit nën një sovranitet tjetër të pavarur (me pasaporta, kufij apo monedhë më vete) bie ndesh drejtpërdrejt me këtë nen. Nuk ka rëndësi nëse janë 27 hektarë, 27 cm katrorë apo 27 mijë kilometra katrorë.
Nga ana tjetër, Neni 3 sanksionon se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij … janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Kjo do të thotë se “Kushtetuta e ngarkon shtetin me detyrën e prerë për të respektuar dhe mbrojtur tërësinë territoriale dhe pavarësinë si baza të ekzistencës së tij.” (Gazeta Panorama, 30 shtator 2024, Kushtrim Istrefi: “Krijimi dhe njohja e shtetit bektashi, sipas së drejtës ndërkombëtare kushtetuese.”) Kushtetuta nuk e ngarkon shtetin me detyrën për ta zhbërë tërësinë territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Neni 2/1 përcakton: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Askush nuk mund t’ia ofrojë sovranitetin një entiteti tjetër jashtë sistemit juridik të përcaktuar nga populli shqiptar nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Duke i ofruar sovranitetin e një pjese të Republikës së Shqipërisë shtetit Bektashi, Edi Rama merr përsipër të bëjë një gjë për të cilën nuk është i autorizuar apo i lejuar ta bëjë. Ai shkel Kushtetutën.
Në lidhje me komunitetet fetare, Paragrafi 1 i Nenit 10 thotë: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” ndërsa paragrafi 3: “Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare”. Krijimi i një shteti bektashi është në kundërsthim me të dy këto paragrafë. Ai lejon një shtet fetar brenda Republikës së Shqipërisë dhe i jep përparësi një feje kundrejt të tjerave.
Nuk ka nevojë të jesh jurist dhe mjafton leximi i dy faqeve të para të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për të kuptuar që Kryeministri Edi Rama me përpjekjet për krijimin e një shteti Bektashi në territorin e Shqipërisë shkel në katër nene ligjin themelor të Republikës së Shqipërisë, ligjin për të cilin ai është zgjedhur që ta mbrojë. Nëse kryeministri bën hapur shkelje ligjore atij duhe t’i hiqet imuniteti dhe të ndiqet penalisht. Nëse ai shkel kushtetutën dhe kjo provohet katërcipërisht, siç mund të provohet fare lehtë në rastin e deklarimit të projektit për krijimin e një shteti bektashi në territorin e Republikës së Shqipërisë, atëherë është absurde që ai të vazhdojë të jetë kryeministër dhe të mos përgjigjet përpara ligjeve të vendit për këtë shkelje.
Rama vazhdon t’i mëshojë karriges së kryeministrit me pretendimin se atë e kanë votuar 800 mijë shqiptarë dhe ai do të mbajë mandatin që i kanë dhënë ata. Por ai duhet ta dijë se asnjë numër apo përqindje votash nuk të jep imunitet për të shkelur kushtetutën. Duke shkelur kushtetutën, ai ka grisur mandatin që i kanë dhënë votuesit. Në këtë rast, kërkesa për dorëheqjen e tij është thjesht kërkesë për zbatimin e ligjit, kërkesa më e ligjshme dhe më e ndershme që mund dhe duhet të bëjë çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë. Përpjekjet për ta mbrojtur atë janë përpjekjet për të mbrojtur dikë që ka shkelur ligjin, janë përpjekje të paligjshme.
Friday, October 23, 2026
Kryemiu
Një fermer therri një gic dhe e hodhi, ashtu siç ishte, në një pus të thellë të
thatë që kishte në oborrin e shtëpisë. Kur gici filloi të qelbte erë u lëshuan
minjtë nga të katër anët, u hodhën brenda në pus dhe filluan ta hanin si të
babëzitur. Nuk kaloi shumë kohë dhe gici u mbarua. Në fund të pusit mbetën vetëm
minjtë që nuk dilnin dot. Ushqim nuk kishte. Minjtë filluan të hanin
njëri-tjetrin. Derisa një ditë mbeti vetëm njëri prej tyre. Më i forti. Fermeri
zbriti në fund të pusit, e mori miun dhe e ngjiti lart. Atje e lëshoi të lirë.
Miu i gëzuar vrapoi të bashkohej me minjtë e tjerë. Mirëpo ky mi kishte mësuar
një avaz të ri – hante minj. Shumë shpejt ai i eliminoi të gjithë minjtë e
fermës. Kush përfitoi në këtë rast? Fermeri, natyrisht. Me cinizmin që e
karakterizon Edi Rama iu ngre nervat qytetarëve shqiptarë me hesape policësh dhe
protestusish të plagosur. Ai e injoron faktin që edhe policët edhe protestuesit
janë shtetas të shtetit që ai drejton, shqiptarë. Për të ata janë thjesht minj
që përleshen me njëri-tjetrin në mënyrë që ai të vazhdojë të rrijë në pushtet.
Kjo është logjika e Edi Ramës – të gjejë minj që të luftojnë me njëri-tjetrin.
Nga Budva ai lëshon urdhërin tjetër – sakrifikoni drejtorët e drejtorive nëpër
ministri. Llogarit se do të jetë në gjendje t’i largojë njerëzit që kërkojnë
dorëheqjen e tij duke iu dhënë “për të ngrënë” drejtorët e drejtorive që po
sakrifikon. Fermeri Edi Rama harron se s’ka të bëjë me minj por me njerëz të
ndërgjegjshëm që e dinë mirë çfarë kërkojnë. Ata nuk kërkojnë dorëheqje
drejtorash. Nuk kërkojnë as dorëheqje ministrash. Ata kërkojnë dorëheqjen e Edi
Ramës, futjen e tij në të njëjtin kafaz me derrat që ka sakrifikuar vetë. Pastaj
kërkojnë ndërrimin e sistemit. Që të mos dalë më fermer tjetër që të përpiqet
t’i verë njerëzit të luftojnë kundër njeri-tjetrit në mënyrë që ai të jetë në
gjendje të mbushë xhepat i qetë.
Saturday, October 10, 2026
Udhëkryqe fjalësh
Dilema e përkthyesit
“Humans are storytelling animals” është fraza në anglisht. Vras mendjen për ta
përkthyer. Fjala kyç është “storytelling”. AI më thotë se origjinali i frazës i
takon shkrimtarit Klaiv Barkër, nga romani “Sakrament”: “I am a man, and men are
animals who tell stories.” Për herë të parë unë e kam lexuar te “Sapiens” e
Juval Noa Hararit. Mbrëmë e hasa në një film.(1) Problemi është se unë nuk di si
ta përkthej fjalën “story”. Zgjedhjet janë: histori, tregim, përrallë, rrëfim,
fabul. 1. Njerëzit janë kafshë që tregojnë histori; 2. Njerëzit janë kafshë që
tregojnë tregime; 3. Njerëzit janë kafshë që tregojnë përralla; 4. Njerëzit janë
kafshë që rrëfejnë; 5. Njerëzit janë kafshë që tegojnë fabula. Pa u menduar fare
eliminoj 2 dhe 5, sepse nuk i përqasen fare kuptimit në origjinal. Më e afërt
është 3 – Njerëzit janë kafshë që tregojnë përralla. Por në shqip përrallë, veç
kuptimit krijim artistik, imagjinatë, rrëfim, ka pak si tepër të theksuar
nënkuptimin e diçkaje të pavërtetë. Kush tregon përralla tregon gënjeshtra.
Gënjeshtra që janë të pranueshme kur iu tregohen fëmijëve, por jo të rriturve.
Dhe ky nuk është kuptimi i fjalës “story” në “animals who tell stories”. Sepse
“story” përmban në vetvete edhe kuptimin histori (ngjarje e vërtetë), edhe
përrallë (krijim artistik) edhe rrëfim (rikrijim i diçkaje të dëgjuar apo të
përjetuar). Rrëfim më duket më e saktë, më pranë origjinalit në anglisht. A mund
të them: “Njerëzit janë kafshë që tregojnë rrëfime”? Jo. “Njerëzit janë kafshë
rrëfyese.”? Askush nuk do ta kuptonte. “Njerëzit janë kafshë që rrëfejnë.”?
Paksa më e saktë, por përsëri mendoj që kuptimi humbet shumë, madje mbetet e
pambyllur si shprehje. Çfarë rrëfejnë? “Njerëzit janë kafshë rrëfyese.”? Jo, as
kjo. Kjo është një nga dilemat e shumta që ka përkthyesi. Në fakt është vetëm
një përmbledhje e shkurtër e thuajse dy orësh bluajtje që i bëja në kokë këtij
problemi sot në mëngjes. Dilema tjetër është: A ja vlen të merresh aq gjatë me
të? Varet nga situata. Nëse do të isha duke përkthyer atë filmin që pashë mbrëmë
për një pagesë minimale nga kanalet televizive që do ta transmetojnë, nuk do të
isha menduar më shumë se 10 sekonda. Do të kisha zgjedhur cilëndo fjalë që të më
vinte më parë në kokë, siç bëjnë rëndom ata që përkthejnë titrat e ekranit.
Prandaj përkthimet në television dalin ashtu si dalin. Po të isha duke përkthyer
për të botuar një libër, ta zemë Sapiens të Juval Noa Hararit, apo Sakrament të
Klaiv Barkërit, do të isha menduar më gjatë. Por edhe kjo varet nga situata.
Nëse librin do të ma kishte kërkuar një botues me të cilin do të kisha arritur
një marrëveshje paraprake – afatin e përfundimit të përkthimit, pagesën për
faqe, etj. – do mjaftoja me atë arsyetimin që bëra më sipër dhe do kisha
zgjedhur më të mirën e mundshme, duke bërë një kompromis të madh me vetveten.
Ndërsa po të isha duke e përkthyer një libër për qefin tim, për kënaqësinë time,
sinqerisht nuk di se çfarë do të kisha bërë. Kur përkthen për kënaqësinë tënde,
ose edhe kur shkruan për kënaqësinë tënde, ti përpiqesh të arrish të përsosurën,
atë për të cilën je i bindur se është dhjeta absolute. Në këtë rast ndoshta do
të kisha hequr dorë krejtësisht nga përkthimi. Siç hoqa dorë nga përkthimi i një
prej kryeveprave të letërsisë amerikane “Catch 22”. Romanin e Xhozef Hellerit e
kam shumë për zemër dhe dikur desha ta përktheja për qefin tim. Por ngeca që në
titull. E kisha të pamundur ta përktheja dhe titulli nuk është diçka që mund ta
anashkalosh, të paktën titulli i këtij romani. Ai përbën thelbin e gjithë
librit. Po nuk përktheve dot si duhet “Catch 22”, lëre fare gjithë librin. Dhe e
lashë, hoqa dorë. E di, ndihem keq, më ka mbetur peng, por s’kam ç’bëj. Kaq i
kam mundësitë. Meqë ra fjala, duhet ta tregoj këtë: Kur u botua “Catch 22” pati
shumë sukses në Shtetet e Bashkuara dhe e bëri Xhozef Hellerin të famshëm. Pas
tij ai shkruajti edhe libra të tjerë, por asnjë me suksesin e “Catch 22”.
Gazetarët dhe lexuesit i binin vazhdimisht në qafë me pyetjen: A do jesh
ndonjëherë në gjendje të shkruash një libër si “Catch 22”? Aq shpesh e pyesnin,
saqë pyetja u kthye në pohim të cilin ja thoshin në sy plot bindje: Ti nuk do
jesh kurrë në gjendje të shkruash një libër si “Catch 22”. Në një intervistë
Hellerit i erdhi në majë të hundës dhe u përgjigj: “E di, por jo vetëm unë.
Askush nuk është në gjendje të shkruajë një libër si “Catch 22”. Kishte të
drejtë.
Dilema e Kritikut
Më sipër vura shënimin (1) kur përmenda që frazën “Humans are storytelling
animals” e hasa në një film që po shihja mbrëmë. Ishte filmi i sapo dalë në
Netflix këtu në Kanada, “Animals”, të cilin duhet ta pranoj se e pashë nga
fillimi deri në fund. Film i dobët, që më bëri të vrisja mendjen për të zgjidhur
dilemën, ose trilemën: Në cilën nga tre funksionet që kishte Ben Aflek në film
ishte më dobët – si skenarist, si regjisor, apo si aktor? Nuk e kam zgjidhur
ende, por nuk besoj se do të merrem gjatë me këtë pyetje. Megjithatë, ajo që më
çuditi më shumë ishte se si arriti një shprehje aq e mençur si “Humans are
storytelling animals” të hynte në një skenar aq të dobët. As që e përfytyroj dot
se si Ben Aflek mund ta ketë lexuar diku dhe ta ketë vlerësuar një shprehje të
tillë. E ngushëlloj veten vetëm duke menduar që do të jetë dikush tjetër që ia
ka sugjeruar.
Dilema e autorit
U vura t’i shkruaja këto mendime thjesht sepse desha t’i shkruaj. E keqja është
që disa si puna ime duam t’i ndajmë me të tjerët ato që shkruajmë. Dilema kur
përfundova shënimet ishte: ku t’i ndaj dhe me kë? Mua më duken mendime të
mençura dhe gënjej mendjen se duhet ta kenë vendin në ndonjë libër me ese, apo
përsiatje të ngjashme, që me shpresë do të shkruhet dikur, pas nja dhjetë
vjetësh, po të jem shëndoshë dhe do të lexohet nga 30-40 vetë e do zerë pluhur
në ndonjë raft. Për t’u botuar në ndonë gazetë apo revistë as që bëhet fjalë.
Ato janë të mbushura me gjëra shumë më të vlefshme. Mbetet fejsbuku, si zgjidhja
më e thjeshtë. Po e postoj këtu. E di që nga rreth njëmijë “friends” që kam,
nëntëqind edhe po ta shohin nuk do t’i shkojnë dot as deri në rreshtin e dytë.
Pesëdhjetë të tjerë mund të lexojnë vetëm paragrafin e parë, jo më tepër. Disa
prej tyre do të venë “like” pa e lexuar fare për të më bërë qefin, ose për të më
thënë: Beno, të kam mik dhe të përshëndes. Gëzohem që je gjallë. Me shpresë, do
ketë një dorë që të vijnë deri te kjo fjali. Po edhe po s’pati, nuk prish punë.
Unë këto rradhë i shkruajta për qefin tim.
Subscribe to:
Posts (Atom)


