Saturday, October 10, 2026

Udhëkryqe fjalësh

Dilema e përkthyesit “Humans are storytelling animals” është fraza në anglisht. Vras mendjen për ta përkthyer. Fjala kyç është “storytelling”. AI më thotë se origjinali i frazës i takon shkrimtarit Klaiv Barkër, nga romani “Sakrament”: “I am a man, and men are animals who tell stories.” Për herë të parë unë e kam lexuar te “Sapiens” e Juval Noa Hararit. Mbrëmë e hasa në një film.(1) Problemi është se unë nuk di si ta përkthej fjalën “story”. Zgjedhjet janë: histori, tregim, përrallë, rrëfim, fabul. 1. Njerëzit janë kafshë që tregojnë histori; 2. Njerëzit janë kafshë që tregojnë tregime; 3. Njerëzit janë kafshë që tregojnë përralla; 4. Njerëzit janë kafshë që rrëfejnë; 5. Njerëzit janë kafshë që tegojnë fabula. Pa u menduar fare eliminoj 2 dhe 5, sepse nuk i përqasen fare kuptimit në origjinal. Më e afërt është 3 – Njerëzit janë kafshë që tregojnë përralla. Por në shqip përrallë, veç kuptimit krijim artistik, imagjinatë, rrëfim, ka pak si tepër të theksuar nënkuptimin e diçkaje të pavërtetë. Kush tregon përralla tregon gënjeshtra. Gënjeshtra që janë të pranueshme kur iu tregohen fëmijëve, por jo të rriturve. Dhe ky nuk është kuptimi i fjalës “story” në “animals who tell stories”. Sepse “story” përmban në vetvete edhe kuptimin histori (ngjarje e vërtetë), edhe përrallë (krijim artistik) edhe rrëfim (rikrijim i diçkaje të dëgjuar apo të përjetuar). Rrëfim më duket më e saktë, më pranë origjinalit në anglisht. A mund të them: “Njerëzit janë kafshë që tregojnë rrëfime”? Jo. “Njerëzit janë kafshë rrëfyese.”? Askush nuk do ta kuptonte. “Njerëzit janë kafshë që rrëfejnë.”? Paksa më e saktë, por përsëri mendoj që kuptimi humbet shumë, madje mbetet e pambyllur si shprehje. Çfarë rrëfejnë? “Njerëzit janë kafshë rrëfyese.”? Jo, as kjo. Kjo është një nga dilemat e shumta që ka përkthyesi. Në fakt është vetëm një përmbledhje e shkurtër e thuajse dy orësh bluajtje që i bëja në kokë këtij problemi sot në mëngjes. Dilema tjetër është: A ja vlen të merresh aq gjatë me të? Varet nga situata. Nëse do të isha duke përkthyer atë filmin që pashë mbrëmë për një pagesë minimale nga kanalet televizive që do ta transmetojnë, nuk do të isha menduar më shumë se 10 sekonda. Do të kisha zgjedhur cilëndo fjalë që të më vinte më parë në kokë, siç bëjnë rëndom ata që përkthejnë titrat e ekranit. Prandaj përkthimet në television dalin ashtu si dalin. Po të isha duke përkthyer për të botuar një libër, ta zemë Sapiens të Juval Noa Hararit, apo Sakrament të Klaiv Barkërit, do të isha menduar më gjatë. Por edhe kjo varet nga situata. Nëse librin do të ma kishte kërkuar një botues me të cilin do të kisha arritur një marrëveshje paraprake – afatin e përfundimit të përkthimit, pagesën për faqe, etj. – do mjaftoja me atë arsyetimin që bëra më sipër dhe do kisha zgjedhur më të mirën e mundshme, duke bërë një kompromis të madh me vetveten. Ndërsa po të isha duke e përkthyer një libër për qefin tim, për kënaqësinë time, sinqerisht nuk di se çfarë do të kisha bërë. Kur përkthen për kënaqësinë tënde, ose edhe kur shkruan për kënaqësinë tënde, ti përpiqesh të arrish të përsosurën, atë për të cilën je i bindur se është dhjeta absolute. Në këtë rast ndoshta do të kisha hequr dorë krejtësisht nga përkthimi. Siç hoqa dorë nga përkthimi i një prej kryeveprave të letërsisë amerikane “Catch 22”. Romanin e Xhozef Hellerit e kam shumë për zemër dhe dikur desha ta përktheja për qefin tim. Por ngeca që në titull. E kisha të pamundur ta përktheja dhe titulli nuk është diçka që mund ta anashkalosh, të paktën titulli i këtij romani. Ai përbën thelbin e gjithë librit. Po nuk përktheve dot si duhet “Catch 22”, lëre fare gjithë librin. Dhe e lashë, hoqa dorë. E di, ndihem keq, më ka mbetur peng, por s’kam ç’bëj. Kaq i kam mundësitë. Meqë ra fjala, duhet ta tregoj këtë: Kur u botua “Catch 22” pati shumë sukses në Shtetet e Bashkuara dhe e bëri Xhozef Hellerin të famshëm. Pas tij ai shkruajti edhe libra të tjerë, por asnjë me suksesin e “Catch 22”. Gazetarët dhe lexuesit i binin vazhdimisht në qafë me pyetjen: A do jesh ndonjëherë në gjendje të shkruash një libër si “Catch 22”? Aq shpesh e pyesnin, saqë pyetja u kthye në pohim të cilin ja thoshin në sy plot bindje: Ti nuk do jesh kurrë në gjendje të shkruash një libër si “Catch 22”. Në një intervistë Hellerit i erdhi në majë të hundës dhe u përgjigj: “E di, por jo vetëm unë. Askush nuk është në gjendje të shkruajë një libër si “Catch 22”. Kishte të drejtë. Dilema e Kritikut Më sipër vura shënimin (1) kur përmenda që frazën “Humans are storytelling animals” e hasa në një film që po shihja mbrëmë. Ishte filmi i sapo dalë në Netflix këtu në Kanada, “Animals”, të cilin duhet ta pranoj se e pashë nga fillimi deri në fund. Film i dobët, që më bëri të vrisja mendjen për të zgjidhur dilemën, ose trilemën: Në cilën nga tre funksionet që kishte Ben Aflek në film ishte më dobët – si skenarist, si regjisor, apo si aktor? Nuk e kam zgjidhur ende, por nuk besoj se do të merrem gjatë me këtë pyetje. Megjithatë, ajo që më çuditi më shumë ishte se si arriti një shprehje aq e mençur si “Humans are storytelling animals” të hynte në një skenar aq të dobët. As që e përfytyroj dot se si Ben Aflek mund ta ketë lexuar diku dhe ta ketë vlerësuar një shprehje të tillë. E ngushëlloj veten vetëm duke menduar që do të jetë dikush tjetër që ia ka sugjeruar. Dilema e autorit U vura t’i shkruaja këto mendime thjesht sepse desha t’i shkruaj. E keqja është që disa si puna ime duam t’i ndajmë me të tjerët ato që shkruajmë. Dilema kur përfundova shënimet ishte: ku t’i ndaj dhe me kë? Mua më duken mendime të mençura dhe gënjej mendjen se duhet ta kenë vendin në ndonjë libër me ese, apo përsiatje të ngjashme, që me shpresë do të shkruhet dikur, pas nja dhjetë vjetësh, po të jem shëndoshë dhe do të lexohet nga 30-40 vetë e do zerë pluhur në ndonjë raft. Për t’u botuar në ndonë gazetë apo revistë as që bëhet fjalë. Ato janë të mbushura me gjëra shumë më të vlefshme. Mbetet fejsbuku, si zgjidhja më e thjeshtë. Po e postoj këtu. E di që nga rreth njëmijë “friends” që kam, nëntëqind edhe po ta shohin nuk do t’i shkojnë dot as deri në rreshtin e dytë. Pesëdhjetë të tjerë mund të lexojnë vetëm paragrafin e parë, jo më tepër. Disa prej tyre do të venë “like” pa e lexuar fare për të më bërë qefin, ose për të më thënë: Beno, të kam mik dhe të përshëndes. Gëzohem që je gjallë. Me shpresë, do ketë një dorë që të vijnë deri te kjo fjali. Po edhe po s’pati, nuk prish punë. Unë këto rradhë i shkruajta për qefin tim.

No comments: