10 Porosite nga George Carlin
Wednesday, September 30, 2026
Shqetësime Arjano-Pellazgjike
(për rënien e futbollit gjerman si rezultat i ndërrimit të ngjyrës së lëkurës)
Pa mbaruar ende mirë ndeshja Gjermani-Greqi në qarqet arjano-pellazge plasi shqetësimi për mungesën e pastërtisë racore të ekipit gjerman. Përfaqësuesit më të shquar të racës së pastër arjane shprehën revoltën që pikërisht Gjermania, simboli i dikurshëm i luftës për pastërti racore, ka braktisur idetë e Adolfit dhe lejon tani t’ia pushtojnë lëkurëzinjtë ekipin kombëtar të futbollit. Padyshim, sipas tyre, ngjyra e lëkurës dhe prejardhja jo-arjane janë shkaku për rezultatet e dobëta të Gjermanisë në futboll.
Ka tre gjëra që racistët shqiptarë dë të bënin mirë t’i kishin parasysh:
1. Nuk ka raca disa njerëzish. Ka vetëm një racë, raca njerëzore. Ndryshojnë tiparet, ngjyra e lëkurës, ngjyra dhe forma e syve, flokët, lartësia e shtatit, por raca mbetet e njëjtë. Njerëzit mund t’i përkasin etnive të ndryshme, por ndarja e tyre në raca thjesht nuk ka kuptim.
2. Koha kur vendet të ndryshme të botës ishin, ose të paktën dukeshin si etnikisht të pastër ka kaluar. Praktikisht, ajo nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe është thjesht iluzion, ose prodhim propagandistik. Ka pasur periudha izolimi dhe ngrirjeje të lëvizjes së popullsive në zona të caktuara të globit, si për shembull në Shqipërinë komuniste, ky as hynte e as dilte këmbë njeriu, por këto janë fare të parëndësishme në krahasim me zhvillimin e gjatë historik të njerëzimt. Për arsye të ngjashme, edhe vende të tjera e ruajtën të palëvizur përbërjen e popullsisë gjatë luftës së ftohtë.
Sot njerëzimi është në një faze të re përzjerje masive sepse për arsye politike kufijtë janë bërë më fleksibël, ndërsa lëvizja më e shpejtë, më e lehtë, dhe ekonomikisht më e përballueshme. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Në forma dhe mënyra të ndryshme zhvendosjet dhe përzjerjet e popullsive kanë ndodhur që prej dhjetra-mijëra vjetësh, që kur homo sapienët e parë vendosën të lenë vendlindjen e tyre, Afrikën për t’u shpërndarë vale-valë në të katër anët e planetit. Çdo qytetërim i madh ka qenë përzjerje etnish dhe njerëzish që vinin nga anë të ndryshme të botës – Egjipti i lashtë, qytetërimi grek, ai kinez, Roma, Bizanti, Perandoria Otomane, të gjitha ishin pellgje të mëdhej ku përziheshin kulturat, gjuhët, etnitë.
Sot, shumë venede ekonomikisht të zhvilluara, për shkak të plakjes së popullsisë, për të ruajtur ritmet e zhvillimit dhe mirëqenien, kanë nevojë për imigrantë. Për këtë arsye, jo vetëm iu hapin derën, por edhe nxisin njerëzit nga vende të tjera që të lëvizin drejt tyre. Kërkesa për imigrantë nuk është kapriço e ndonjë ekstemisti Woke, nuk është zbatim i planeve djallëzore të Xhorxh Sorosit, nuk ka të bëjë fare me ideologjinë dhe nuk është pjesë e ndonjë teorie konspirative me Iluminat, Deep State, Rothçaild apo çfarëdo tjetër urdhër satanik. Nuk është as bamirësi. Është thjesht kërkesë ekonomike, mirëfilli kapitaliste. Në këtë proces popullsia e vendeve të zhvilluara, e kanë kuptuar se ndarjet racore janë budallallëk dhe kanë hequr dorë nga idetë raciste. Të paktën shumica e popullsisë së këtyre vendeve, kryesisht njerëzit e shkolluar dhe mendjehapur, sepse njerëz të pagdhendur dhe lehtësisht të manipulueshëm gjen kudo.
3. Imigrantët janë shtresa më e varfër e popullsisë. Ky është fakt. Në vendet e zhvilluara kjo nuk i pengon ata të aspirojnë dhe të përpiqen për një jetë më të mirë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët e mundshme. Një nga këto mundësi është ëndrra e madhe e futbollit profesionist.
Futbolli është biznes, është ekonomi. Së pari, është sporti më i lirë për t’u ushtruar nga fëmijët, pra mund të ushtrohet edhe nga ata që vijnë nga familje të varfëra. Së syti, kërkon përkushtim dhe kohë. Vetëm një përqindje shumë e vogël e atyre që merren me stërvitje futbolli kur janë fëmijë përfundojnë futbollistë profesionistë. Familjet e shtresave të mesme nuk kanë shumë dëshirë t’i lenë fëmijët e tyre të stërviten nga 5-6 orë në ditë dhe të lenë pas dore mësimet. Ata pëlqejnë që fëmijët të shkollohen ose të marrin një zanat normal dhe të kenë një jetë normale, si prindërit e tyre. Ndjekja e karrierës futbollistike është me shumë rreziqe.
Familjet e varfëra nuk kanë shumë aspirata për shkollimin e fëmijëve. Shumë prej tyre kërkojnë të luajnë llotarinë e karrierës futbollistike. Prandaj në vende të ndryshme të Europës Perëndimore gjithmonë e më tepër futbollistët më të suksesshëm vijnë nga familje imigrantësh. Madje edhe ata që nuk vijnë nga familje imigrantësh, janë kryesisht nga familje të varfëra. Futbolli është loja e fëmijëve të shtresës më të varfër të popullsisë. Futbollistë që vijnë nga shtresa e mesme ka pak. Futbollistë që vijnë nga familje shumë të pasura, edhe më pak.
Kur Jurgen Klop nis punën për të mbledhur ekipin përfaqësues të Gjermanisë ai nuk përdor kriterin e ngjyrës së lëkurës. Klop e do Gjermaninë dhe futbollin gjerman shumë më tepër se sa racisti shqiptar që i ndjek ndeshjet në televizor dhe lëshon broçkulla në fejsbuk. Ai do që ekipi i tij të fitojë njëqind herë më shumë se sa arjani i kulluar pellazg i rrjeteve sociale. Prandaj ai përpiqet të zgjedhë nga të gjithë futbollistët që janë shtetas gjermanë ata që mendon ai se janë më të mirët, më të shpejtët, më të fortët, më teknikët – ata futbollistë që ai shpreson se do t’i nxjerrin atij lojën që dëshiron.
Kujtdo mund të mos të pëlqejë përzgjedhja e këtij apo atij futbollisti në një ekip përfaqësues duke u nisur nga loja që bën. Nga kjo pikpamje kushdo ka të drejtë të kritijosh këdo. Por gjykimi i futbollistëve duke u nisur nga ngjyra e lëkurës është thjesht i dërdëllitje pa kuptim, racizëm i pështirë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment