Monday, August 9, 2021

Popujt bëjnë paqe

Popujt luftojnë. Pastaj bëjnë paqe. Paqja është mjeti më i mirë për të kundërshtuar luftën. Për të bërë paqen popujt harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, ose mundohen ta shtyjnë luftën sa më thellë në kujtesë. Dhe falin. Mbi të gjitha, falin. Edhe nëse nuk harrojnë, popujt falin.

Lufta është çfaqja më e ndyrë, më e egër, më e shëmtuar e natyrës njerëzore. Vrasjet, përdhunimet, varret massive, torturat, uria, shkatërrimi pa fund janë shprehje e instikteve të pakontrolluara të trashëguara nga hallka të hershme më të pazhvilluara në zinxhirin e evolucionit të species.

Popujt luftojnë, por nuk janë popujt që i hapin luftrat. Përkundrazi, janë elementët më të egër, më të papërgjegjshëm, më të pangopur të popujve ata që i çojnë njerëzit në luftë. Popujt gënjehen, mashtrohen, ose detyrohen të luftojnë.

Paqja është shprehja më e bukur dhe më fisnike e fytyrës njerëzore. Kufijtë e hapur, komunikimi i lirshëm, shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, plazhet e mbushura, turizmi i ndërsjelltë, njerëz që pijnë birrë së bashku, konkurrenca e bukur sportive, qetësia dhe siguria që po i rrit fëmijtë në një mjedis të sigurt. Paqja zgjat më shumë se lufta. Gjithmonë ka zgjatur më shumë se lufta, pavarësisht se historia shkruan vetëm për luftrat.

Popujt duan paqen, prandaj edhe vendoset paqja. Njerëzit duan të jenë të qetë, të shkëmbejnë mallra me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë muzikë dhe sporte, të lëvizin lirisht, të bashkëpunojnë, të dashurohen.

Natyrisht, në materien përbërëse të popujve ka edhe elementë që nuk përshtaten me paqen, që duan të ruajnë të ndezur thëngjijtë e agresivitetit. Ka edhe politikanë që duan të mbajnë të ndezur flakët e urrejtjes. Ka edhe nacionalistë, shovinistë, arrivistë, provokatorë. Ka edhe facebookistë që gjejnë sport me se të merren.

Tetëdhjetë vjet më parë populli polak u masakrua nga gjermanët dhe nga rusët. Sot polakët livizin lirisht në Gjermani dhe në Rusi. Francezët u pushtuan nga gjermanët. Tani janë gati një shtet. Vietnamezët u dogjën  me napalm amerikan. Tani amerikanët shkojnë lirisht si turistë në vendin që i mundi në luftë dhe vietnamezët emigrojnë në Amerikë për një jetë më të mirë. Këta popuj kanë zgjedhur rrugën e paqes.

Plagët e luftrave mund të shërohen dhe duhet të shërohen. Eshtë më e vështirë t’i mjekosh dhe t’i shërosh se sa t’i acarosh. Për të acaruar një plagë nuk kërkohet shumë mend – mjafton ta kruash, ta gërvishtësh. Për ta shëruar duhet mençuri, durim, zemërgjerësi. A e kemi?!