Wednesday, September 30, 2026

Shqetësime Arjano-Pellazgjike

(për rënien e futbollit gjerman si rezultat i ndërrimit të ngjyrës së lëkurës) Pa mbaruar ende mirë ndeshja Gjermani-Greqi në qarqet arjano-pellazge plasi shqetësimi për mungesën e pastërtisë racore të ekipit gjerman. Përfaqësuesit më të shquar të racës së pastër arjane shprehën revoltën që pikërisht Gjermania, simboli i dikurshëm i luftës për pastërti racore, ka braktisur idetë e Adolfit dhe lejon tani t’ia pushtojnë lëkurëzinjtë ekipin kombëtar të futbollit. Padyshim, sipas tyre, ngjyra e lëkurës dhe prejardhja jo-arjane janë shkaku për rezultatet e dobëta të Gjermanisë në futboll. Ka tre gjëra që racistët shqiptarë dë të bënin mirë t’i kishin parasysh: 1. Nuk ka raca disa njerëzish. Ka vetëm një racë, raca njerëzore. Ndryshojnë tiparet, ngjyra e lëkurës, ngjyra dhe forma e syve, flokët, lartësia e shtatit, por raca mbetet e njëjtë. Njerëzit mund t’i përkasin etnive të ndryshme, por ndarja e tyre në raca thjesht nuk ka kuptim. 2. Koha kur vendet të ndryshme të botës ishin, ose të paktën dukeshin si etnikisht të pastër ka kaluar. Praktikisht, ajo nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe është thjesht iluzion, ose prodhim propagandistik. Ka pasur periudha izolimi dhe ngrirjeje të lëvizjes së popullsive në zona të caktuara të globit, si për shembull në Shqipërinë komuniste, ky as hynte e as dilte këmbë njeriu, por këto janë fare të parëndësishme në krahasim me zhvillimin e gjatë historik të njerëzimt. Për arsye të ngjashme, edhe vende të tjera e ruajtën të palëvizur përbërjen e popullsisë gjatë luftës së ftohtë. Sot njerëzimi është në një faze të re përzjerje masive sepse për arsye politike kufijtë janë bërë më fleksibël, ndërsa lëvizja më e shpejtë, më e lehtë, dhe ekonomikisht më e përballueshme. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Në forma dhe mënyra të ndryshme zhvendosjet dhe përzjerjet e popullsive kanë ndodhur që prej dhjetra-mijëra vjetësh, që kur homo sapienët e parë vendosën të lenë vendlindjen e tyre, Afrikën për t’u shpërndarë vale-valë në të katër anët e planetit. Çdo qytetërim i madh ka qenë përzjerje etnish dhe njerëzish që vinin nga anë të ndryshme të botës – Egjipti i lashtë, qytetërimi grek, ai kinez, Roma, Bizanti, Perandoria Otomane, të gjitha ishin pellgje të mëdhej ku përziheshin kulturat, gjuhët, etnitë. Sot, shumë venede ekonomikisht të zhvilluara, për shkak të plakjes së popullsisë, për të ruajtur ritmet e zhvillimit dhe mirëqenien, kanë nevojë për imigrantë. Për këtë arsye, jo vetëm iu hapin derën, por edhe nxisin njerëzit nga vende të tjera që të lëvizin drejt tyre. Kërkesa për imigrantë nuk është kapriço e ndonjë ekstemisti Woke, nuk është zbatim i planeve djallëzore të Xhorxh Sorosit, nuk ka të bëjë fare me ideologjinë dhe nuk është pjesë e ndonjë teorie konspirative me Iluminat, Deep State, Rothçaild apo çfarëdo tjetër urdhër satanik. Nuk është as bamirësi. Është thjesht kërkesë ekonomike, mirëfilli kapitaliste. Në këtë proces popullsia e vendeve të zhvilluara, e kanë kuptuar se ndarjet racore janë budallallëk dhe kanë hequr dorë nga idetë raciste. Të paktën shumica e popullsisë së këtyre vendeve, kryesisht njerëzit e shkolluar dhe mendjehapur, sepse njerëz të pagdhendur dhe lehtësisht të manipulueshëm gjen kudo. 3. Imigrantët janë shtresa më e varfër e popullsisë. Ky është fakt. Në vendet e zhvilluara kjo nuk i pengon ata të aspirojnë dhe të përpiqen për një jetë më të mirë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët e mundshme. Një nga këto mundësi është ëndrra e madhe e futbollit profesionist. Futbolli është biznes, është ekonomi. Së pari, është sporti më i lirë për t’u ushtruar nga fëmijët, pra mund të ushtrohet edhe nga ata që vijnë nga familje të varfëra. Së syti, kërkon përkushtim dhe kohë. Vetëm një përqindje shumë e vogël e atyre që merren me stërvitje futbolli kur janë fëmijë përfundojnë futbollistë profesionistë. Familjet e shtresave të mesme nuk kanë shumë dëshirë t’i lenë fëmijët e tyre të stërviten nga 5-6 orë në ditë dhe të lenë pas dore mësimet. Ata pëlqejnë që fëmijët të shkollohen ose të marrin një zanat normal dhe të kenë një jetë normale, si prindërit e tyre. Ndjekja e karrierës futbollistike është me shumë rreziqe. Familjet e varfëra nuk kanë shumë aspirata për shkollimin e fëmijëve. Shumë prej tyre kërkojnë të luajnë llotarinë e karrierës futbollistike. Prandaj në vende të ndryshme të Europës Perëndimore gjithmonë e më tepër futbollistët më të suksesshëm vijnë nga familje imigrantësh. Madje edhe ata që nuk vijnë nga familje imigrantësh, janë kryesisht nga familje të varfëra. Futbolli është loja e fëmijëve të shtresës më të varfër të popullsisë. Futbollistë që vijnë nga shtresa e mesme ka pak. Futbollistë që vijnë nga familje shumë të pasura, edhe më pak. Kur Jurgen Klop nis punën për të mbledhur ekipin përfaqësues të Gjermanisë ai nuk përdor kriterin e ngjyrës së lëkurës. Klop e do Gjermaninë dhe futbollin gjerman shumë më tepër se sa racisti shqiptar që i ndjek ndeshjet në televizor dhe lëshon broçkulla në fejsbuk. Ai do që ekipi i tij të fitojë njëqind herë më shumë se sa arjani i kulluar pellazg i rrjeteve sociale. Prandaj ai përpiqet të zgjedhë nga të gjithë futbollistët që janë shtetas gjermanë ata që mendon ai se janë më të mirët, më të shpejtët, më të fortët, më teknikët – ata futbollistë që ai shpreson se do t’i nxjerrin atij lojën që dëshiron. Kujtdo mund të mos të pëlqejë përzgjedhja e këtij apo atij futbollisti në një ekip përfaqësues duke u nisur nga loja që bën. Nga kjo pikpamje kushdo ka të drejtë të kritijosh këdo. Por gjykimi i futbollistëve duke u nisur nga ngjyra e lëkurës është thjesht i dërdëllitje pa kuptim, racizëm i pështirë.

Sunday, September 13, 2026

Nacionalizmi kanadez

Deri përpara disa kohësh shprehja nacionalizëm kanadez mund të tingëllonte në kufijtë e të pakuptimtës. Nëse do ta dëgjoje apo lexoje, me siguri do të buzëqeshje, si me një shaka të lehtë. Ndërsa tani atë e sheh të gjallëruar kudo. E sheh në shitore, te fytyrat e njerëzve që kontrollojnë etiketat e mallrave për t’u siguruar se nuk janë prodhuar në trampland; e lexon çdo ditë në komentet e gazetave, radios dhe televizionit; e has në median sociale dhe, padyshim, te politikanët e çdo niveli dhe çdo orientimi. Puna ka arritur der në atë pikë se nuk çuditesh kur sheh në një sallë koncerti të Brajën Adams pesëdhjetë mijë vetë të ngritur në këmbë që shoqërojnë me sa zë kanë vargjet “Nuk bëhemi kurrë shteti pesëdhjetëenjë.” Pavarësisht vrullit, nacionalizmi kanadez nuk çfaqet kurrësesi me atë formën e shëmtuar shoviniste që ul të tjerët përreth për të ngritur veten, nuk ka të bëjë fare me synime territoriale apo dominuese dhe nuk pretendon kurrsesi superioritetit apo supremacy të një kombi ndaj një tjetri. Nacionalizmi kanadez është forma më logjike e nacionalizmit, nëse mund të ekzistojë diçka e tillë. Është thjesht shprehja me mirësjellje por shumë qartë dhe prerë e vendosmërisë së një grupi njerëzish për të ruajtur të paprekur vlerat e tyre të përbashkëta dhe për të mbrojtur ekonominë e shtëpisë së tyre të përbashkët. Nëse ka ndonjë kuptim që një grup i caktuar njerëzish t’a quajnë veten komb, apo shtet, apo bashkësi, ky kuptim do të ishte vetëm brenda kornizës së përpjekjeve për të ruajtur një paketë vlerash kulturore, shoqërore, morale për të cilat kanë rënë dakord që t’i pranojnë si të tyret, dhe për të siguruar nivelin më të mirë ekonomik të mundshëm si bashkësi. Prej kohësh kanadezët janë bërë të vetëdijshëm për këtë funksion të kombit (nacionit) të tyre dhe përpiqen që brenda këtij funksioni të ruajnë dhe përmirësojnë shtetin dhe qeverisjen. Deri para shumë pak kohësh kjo përpjekje ishte thjesht pjesë organike e jetës normale të çdo qytetari të Kanadasë. Askush nuk ndjente nevojën të tundte flamurin, të këndonte në kupë të qiellit himnin kombëtar, të hidhte e të priste parrulla e përbetime patriotike, apo t’i tregonte dhëmbët ndokujt tjetër. Me të vetmin fqinj tokësor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata kanë vendosur një kufi të caktuar me vizore që në vitin 1814, duke shmangur krejtësisht mundësinë e cicmiceve territoriale. Prej dy shekujsh e ca ata shkëmbenin me ta në mënyrën më paqësore dhe të mirëkuptueshme të mundshme gjithçka që mund të shkëmbenin – mallra, kulturë, njerëz, teknologji, shkencë. Për kanadezët Amerika shihej fqinji i vetëm, i pasur, i zhurmshëm, por shumë i afërt – pak a shumë si të kesh ngjitur me shtëpinë kushëririn e parë. Për amerikanët, ose atë pjesë të tyre që e kishin idenë se ekzistonte Kanadaja, kjo ishte vendi i njerëzve të ngjashëm me ta, që flisnin të njëjtën gjuhë, vetëm se më të sjellshëm dhe më fjalëpakë. Fqinjët shkonin shumë mirë me njeri-tjetrit, aq sa “acarimet” më të mëdha, ato “historike” përbëheshin nga ndonjë president që e quante kryeministrin kanadez “asshole” (trap), dhe me këtë të fundit që përgjigjej duke thënë: “më kanë sharë shumë më keq burra më të mirë.” Ose me kërkesën, pas 11 shtatorit 2001 të administratës amerikane për të vendosur kalimin e kufirit me pasaporta, sepse deri përpara asaj date mund të kaloje edhe duke treguar thjesht patentën e makinës. Deri ditën që në Shtëpinë e Bardhë hyri një njeri i ç’ekujlibruar që filloi të përrallisë për aneksim të Kanadasë, të ndërrojë emra detesh e liqenesh dhe të luajë bursën e tarifave për të mbushur xhepat e veta dhe për të larguar vëmendje nga skandalet e veseve të tij. Kam një ndjenjë trishtimi për kanadezët që janë të detyruar të çfaqin një anë të tyre që në rrethana të tjera do të kishin parapëlqyer ta mbanin të fshehur – nacionalizmin, patriotizmin. Por ç’të bësh – njerëzit duan të mbijetojnë. Të paktën në Kanada nacionalizmi ka pamje dinjitoze.