Friday, May 7, 2021

Përpara vdekjes barazia është absolute.

Shpesh herë, bashkë me lajmin për ndarjen nga jeta të ndonjë figure të njohur të jetës kulturore, artistike, shoqërore, apo edhe politike, do të gjesh edhe thirrjen: Si nuk u gjet mundësia të dërgohet jashtë shtetit për kurim? Ai/Ajo i ka dhënë kaq shumë vendit. Dhe pas saj, një mori kokash që tunden në shenjë miratimi dhe, jo rrallë, edhe indinjate që nuk është realizuar një gjë e tillë.

Aq e logjikshme dhe njerëzore sa duket kjo kërkesë, aq e palogjikshme dhe çnjerëzore është. Në rastet kur realizohet, dërgimi jashtë shtetit me fonde publike i cilitdo personaliteti është i padrejtë, i pa justifikuar dhe i paligjshëm.

Unë nuk e kuptoj se si mund ketë përparësi për t’u kuruar jashtë vendit një qenie njerëzore bazuar në statusin që gëzon në shoqëri. Përse do t’i jepnim përparësi një aktori, shkrimtari, sportisti të njohur, krahasuar me një fshatar apo qytetar  të thjeshtë, krejtësisht të panjohur? Jeta është njëlloj e dhimbshme dhe e rëndësishme për të gjithë. Përse një shtatëdhjetë-e-ca vjeçare e njohur famshme e meritoka të ketë shanse më shumë për të jetuar se sa një vajzë shtatë vjeç të cilën e njohin vetëm prindërit e saj dhe rrethi familiar? Ose edhe një shtatëdhjetë-e-ca vjeçare tjetër, por që nuk është e famshme? Me çfarë kriteri përcaktohet shkalla e të qënit i njohur, ose i famshëm, ose i rëndësishëm për ta merituar trajtimin e veçantë dhe kush do të guxonte t’i sanksiononte këto kritere? Nuk mund të ketë asnjë arsyetim logjik dhe, aq më pak, asnjë matës njerëzor për ta bërë një përcaktim të tillë.

Në bazë të ligjit taksa shtetit i paguajnë njëlloj të gjithë. Në bazë të ligjit, të gjithë janë të barabartë edhe në trajtimin shëndetësor i cili supozohet të jetë falas në të gjithë sistemin shtetëror. Nuk mjafton që ekziston një padrejtësi e madhe, e bazuar te pasuria, ku ata që kanë para kanë edhe mundësi të kurohen në spitalet private të vendit, ose jashtë, ndërsa ata që s’kanë janë në mëshirë të sistemit të dyshimtë shëndetsor shtetëror, por duhet të sajojmë edhe pa-barazi të tjera duke u mbështetur në kritere krejtësisht të papërcaktuara – ose të papërcaktueshme?

Buxheti i shtetit është pronë e përbashkët e të gjithë shtetësave të republikës dhe nuk ekziston asnjë ligj që individë të caktuar të kenë përparësi për të përfituar prej tij duke u bazuar në kontributin që i kanë dhënë apo jo shoqërisë, apo duke u bazuar në kritere si fama, publiciteti, talenti, apo gjithçka tjetër. Në këtë vështrim, dërgimi i dikujt, i kujtdo për t’u kuruar me shpenzimet e shtetit del se është jo vetëm i papranueshëm nga ana etike dhe njerëzore, por edhe i paligjshëm.

Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë.
Përpara vdekjes barazia është absolute.