Thursday, October 29, 2015

Ej, unë jam me Tironën



Para disa kohësh Ilir Seci me bëri “tag” në një urim per ekipin e futbollit të Skëndërbeut me një shënim të shkurtër ku thuhej se ia drejtonte atë të gjithë miqvet të tij korçarë në fb. Padyshim Iliri do të jetë çuditur kur unë i shkruajta menjëherë për t’i thënë se nuk isha korçar dhe nuk kisha lidhje me urimin per ekipin e Skënderbeut. Ai u tregua zemërgjerë dhe e tërhoqi komentin pa e zgjatur, ndërsa unë që në atë çast e ndjeva të nevojshme të sqaroj se përse u tregova aq i paduruar dhe intolerant ndaj një urimi të thjeshtë e dashamirës.
Puna është se unë jam tifoz i Tiranës, jo i Skënderbeut. Jo vetëm kaq, por tifozlleku im me Tiranën është zhvilluar kryesisht me shokët e mij tifozë të Skënderbeut.
Njeriu bëhet tifoz me një ekip për arsye nga më të ndryshmet, por kryesisht për arsye të vendit ku ka filluar të shohë futboll për herë të parë. Si të gjithë fëmijët e lindur në Tiranë unë kam pasur zgjedhjen midis Tiranës, Partizanit, ose Dinamos. U bëra me Tiranën për faktin e thjeshtë që shtëpia ku u rrita ndahej vetëm nga një mur me shtëpinë e një futbollisti të shquar të Tiranës, Arben Çelës. Beni ishte më i madh se unë në moshë - unë shkoja në fillore kur ai filloi luante me Tiranën. Por unë kaloja shumë kohë në shtëpinë e tij. Shpesh, kur kthehesha shpejt nga shkolla dhe s’kisha njeri në shtëpi, më mbante në shtëpinë e tyre gjyshja e Benit. Të gjithë ne banorët që ndanim një kompleks prej katër shtëpish në Rrugën Mihal Grameno ishim si një familje e madhe. Të bëhesha tifoz me Tiranën për mua ishte jo vetëm zgjedhje, por edhe detyrim rrethanash, megjithëse jo më larg se njëqind metra nga shtëpia jonë banonte në tjetër futbollist i shkëlqyer, Ilir Përnaska dhe zgjedhja për Dinamon ishte përsëri në lagje. Megjithatë, njëqind metra nuk krahasohen me murin ngjitur.
Nga fëmijëria unë mbaj mend ndeshjet me lagje që organizoheshin te fusha e Mihal Gramenos. Në ekpin e lagjes sonë ishin Ben Çela, Ilir Përnaska, dhe një futbollist i Partizanit që më duket se e kishte mbiemrin Ahmetaj, por s’jam i sigurt. Bëheshin ndeshje shumë të forta dhe ne kalamajtë që rrinin prapa portës i ndiqnim gjithë qef. Duke i menduar tani, them që ata që luanin futboll me ekipet e para të kryeqytetit duhet ta kenë pasur me shumë pasion sportin, sepse edhe ato ditë që kishin pushim i shfrytëzonin për të luajtur me lagjet.  
Fati e deshte (ose më saktë Partia urdhëroi) që familja ime të linte Tiranën dhe të shkonte në Korçë kur unë po mbaroja klasën e dytë. Por e shkuara në Korçë nuk mund të më detyronte mua të linja ekipin e Tiranës dhe të kthehesha me Skënderbeun.  Aq më tepër që gjithë shokët e mij të rinj tani ishin me Skënderbeun dhe unë kisha një rast të mirë për t’u gërricur. Në fund të fundit tifozllëku i futbollit ka kuptim vetëm kur gërricesh ose zihesh me dikë. Mjafton të them që kam duruar gjithë ato tallje e ironi për tifozllekun tim, të cilat vetëm më bënin më të vendosur për të vazhduar të isha tifoz i Tiranës.  
Kur vinte Tirana të luante në Korçë, pas ndeshjeve unë prisja jashtë stadiumit dhe takoja Benin – jo vetëm si njeriun e afërt, por edhe si «celebrity». Për një 11 – 12 vjeçar kjo ishte gjë e madhe dhe mua më bënte të ndjehesha mirë.
Dhe, për të thënë të vërtetën deri në fund, në atë kohë Tirana ishte ekip shumë më i mire se sa Skënderbeu (Flas për vitet 1970-1980). Ajo kishte lojtarë si Mema, Dhales, Rizvanolli, Baçi (që krosonte shumë bukur) dhe i madhi Tit Dibra. Ndërsa më vonë erdhi brezi i Agustin Kolës, Mirel Josës, Ben Mingës e, për mua, futbollisti më elegant shqiptar, Çim Muça. Ndërkohë që Skëndërbeu, për kënaqësinë time dhe inatin e shokëve të mi, lundronte vazhdimisht nga fundi i tabelës.
Në fakt po e ekzagjëroj pak pasi, kur nuk luante kundër Tiranës, unë bëhesha me gjithë shpirt me Skënderbeun, që ka pasur disa futbollistë të shkëlqyer (që nga Aleko Pilika, të cilin e kam arritur vetëm ne pak ndeshje) te Koço Dinella, Jani Kaçi, Teodor Vaso, etj.
Kam kohë që s’e ndjek kampjonatin në Shqipëri, megjithëse e di që prej disa vitesh kampjon është Skëndërbeu. Kur e gjykoj me gjakftohtësi, më bëhet qefi. Megjithatë, kur dikush më ngatërron dhe më uron si tifoz të Skënderbeut, te unë nxjerr krye menjëherë ai instikti i vjetër për të kundërshtuar dhe për të bërtitur : Ej, unë jam me Tiranën.

Sunday, October 11, 2015

Është e mundur

Çmimi Nobel për Paqen këtë  vit iu dha Katërshes së Dialogut Kombëtar Tunizian për rolin thelbësor në ndërtimin e demokracisë pluraliste pas Revloucionit të Jasemintë të vitit 2011.
Katërshja është në fakt një bashkim organizatash të shoqërisë civile tuniziane, përkatësisht të Lidhjes së të Drejtave të Njeriut, Sindikatës së Punëtorëve të Përgjithshëm, Urdhërit të Juristëve dhe Konfederatës së Industrisë, Tregëtisë dhe Artizanatit. Lidhja midis tyre u krijua para dy vjetësh dhe ka pasur rol tepër të rëndësishëm në jetën politike dhe shoqërore të Tunizise, duke i dhënë asaj “mundësinë  që të ndërtojë një sistem qeverisës kushtetues i cili garanton të drejtat themelore të të gjithë popullsisë, pavarësisht nga feja, bindjet politike dhe besimi fetar,” sipas përcaktimit që i është bërë nga komitetit për dhënien e Çmimit Nobel.
Komiteti Norvegjez i Nobelit këtë vit befasoi shumë njerëz me vendimin e tij, duke pasur parasysh që në rradhën e pretendentëve për çmimin e paqes mendohej të kishin qënë Kancelarja Gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Keri, dhe Papa Francis. Sidoqoftë, vendimi për të lauruar katërshen tuniziane duket vërtet i studiuar mirë dhe krejtësisht i justifikuar. Në një situateë ndërkombëtare kur në botë mbizotëron mosbesimi, zhgënjimi dhe fatalizmi për të ashtuquajturën Pranvera Arabe, ai tërheq vëmendjen ndaj një rasti të padiskutueshëm suksesi.
Pranvera Arabe nisi me një seri lëvizjesh proteste kundër regjimeve totalitare në të gjithë botën arabe. Fatkeqsisht, në shumë vende, veçanërisht në Egjipt, Siri, Jemen, e Libi, lëvizja për demokratizim u vu nën kontrollin e grupimeve ekstremiste fetare, duke u kthyer në luftë civile për të marrë pushtetin, ose në përpjekje sektesh fetare dhe klanesh për të kontrolluar shtetet,dhe burimet e naftës. Ato që nisën si demonstrime paqësore dhe kërkesa për ndryshime në mënyrën e qeverisjes, u shndërruan në përgjakje të popullsive, në shkatërrime massive të industrisë, në një kthim të llahtarshëm te praktikat ligjore dhe shoqërore primitive të para-mesjetës. Popuj dhe shoqëri që kishin vuajtur nga diktatura, janë vënë nën thundrën e ekstremistëve fetarë dhe zjarrin e armëve, duke humbur edhe ato pak liri e mirëqënie që kishin pasur. Pasojë e drejtpërdrejtë janë lëvizjee masive të popullsisë dhe dramae e panumërta njerëzore.
Kjo situate nuk kishte si të mos iu linte shumë njerëzve shijen e pakëndëshme të dështimit dhe idenë se popujt arabë nuk janë në gjendje të krijojnë forma qeverisëse demokratike. Por rasti i Tunizisë është një dëshmi e qartë për të kundërtën. Ai tregon më së miri se popujt arabë janë po aq të qytetëruar dhe të aftë sa edhe çdo popull tjetër, nëqoftëse iu jepet shansi të marrin në duar fatet e veta. Por qytetërimi arrihet duke vënë në plan të parë interesat dhe të drejtat themelore të njerëzve, të të gjithë njerëzve, pa dallim gjinije, feje, apo bindjeje politike. Nëqoftëse arrohet ose nënvleftësohet qoftë edhe njëri nga këto elementë, është e vështirë të krijosh demokraci.
Katërshja e Dialogut Kombëtar ishte organizmi që mundësoi kompromiset midis grupimeve të ndryshme politike, fetare dhe ekonomike në Tunizi, duke dëshmuar më së miri që dialogu i qytetëruar, mirëkuptimi, organizmi qytetar dhe bashkëpunimi mund të funksionojnë fare mirë.

Mendoj që Komiteti për Çmimi Nobel të Paqes këtë vit ka bërë një zgjedhje të shkëlqyer. Shpresoj dhe uroj që edhe vendet e tjerë në atë zonë të botës të ndjekin shembullin e Tunizisë dhe të arrijnë të ndërtojnë shoqëri të përparuara që respektojnë njeriun, njeriun e vërtetë, të prekshëm, dhe jo ide apo interesa të mbrapshta. 

Saturday, October 3, 2015

Bashkimi kushtetues i dy Gjermanive
Procesi i zgjedhur per bashkimin e te dy Gjermanive ishte njëri nga dy të mundshmit që parashikonte kushtetuta e Gjermanisë Perëndimore (Ligji Bazë) e vitit 1949 për të lehtësuar një bashkim të mundshëm. Ligji Bazë përcaktohej si një masë e përkohëshme derisa të miratohej një kushtetutë e përhershme e popullit gjerman në tërësi. Sipas Nenit 23 të dokumentit që ishte në fuqi në atë kohë, një Land i ri mund t’i shtohej Ligjit Bazë përmes një votimi të thjeshtë mazhoritar. Të njëmbëdhjetë shtetet që kishin qënë fillimisht pjesë e Gjermanisë Perëndimore në 1949 përbënin Trizonën. Berlini Perëndimor kishte qënë propozuar si shteti i 12të, por nuk ishte lejuar nga forcat aleate me arsyetimin se Berlini, si i tërë, përbënte një zonë të pushtuar nga katër fuqi të ndryshme. Pavarësisht nga kjo, Berlini Perëndimor kishte lidhje politike me Gjermaninë Perëndimore dhe, në shumë drejtime funksiononte de facto si një shtet përbërës i saj. Në 1957, në bazë të Nenit 23 Gjermanisë Perëndimore i ishte shtuar Protektorati Saar që u quajt Saarland.
Varjant tjetër ishte Neni 146 i cili jepte mekanizmat për një kushtetutë të përhershme të një Gjermanie të bashkuar. Kjo rrugë nënkuptonte një bashkim formal midis dy shteteve gjermane që pastaj do të duhej, mes shumë të tjerave, të krijonte një kushtetutë të re për vendin e ri të porsakrijuar. Megjithatë, në pranverën e vitit 1990 u pa qartë se projektimi i një kushtetute të re do të kërkonte bisedime të pafund dhe do të hapte shumë probleme në Gjermaninë Perëndimore. Ndërkohë, edhe pa këto probleme, në fillim të vitit 1990 shteti i Gjermanisë Lindore ishte në gjendje kolapsi të plotë. Nga ana tjetër, dihej se bashkimi sipas Nenit 23 do të realizohej brenda gjashtë muajsh.
Përfundimisht, me t’u nënshkruar traktati i bashkimit monetar, ekonomik dhe shoqëror, u vendos të vihej në përdorim procesi i shpejtë i Nenit 23. Sipas këtij procesi, Gjermania Lindore votoi që të shpërbënte vetveten si shtet dhe t’i bashkohej Gjermanisë Perëndimore si pesë shtete të rinj, si edhe që territori ku ishte ushtruar deri atëherë Ligji Bazë të shtrihej duke i përfshirë edhe ata. Kështu, nga ana ligjore, Republikës Federale iu shtuan pesë shtete, dhe jo Gjermania Lindore. Këto pesë shtete organizuan zgjedhjet e para në 14 Tetor.
Ribashkimi nuk ishte një shkrirje që krijoji një shtet të tretë nga dy të parat. Përkundrazi, ishte një process në të cilin Gjermania Perëndimore thjesht e përfshiu brenda vetvetes Gjermaninë Lindore. Sipas kësaj, në Ditën e Bashkimit, në 3 Tetor 1990 Republika Demokratike e Gjermanisë rreshti së qëni dhe pesë Shtete të rinj Federalë brenda territorit të saj iu bashkuan Republikës Federale të Gjermanisë. Berlini Perëndimor dhe ai Lindor u bashkuan dhe iu shtuan Republikës Federale si një Qytet-Shtet Federal me të drejta të plota. Sipas këtij modeli, Republika Federale e Gjermanisë, e zgjeruar tashmë me përfshirjen e pesë shteteve të Republikës Demokratike Gjermane si edhe me Berlinin e bashkuar, ligjërisht vazhdonte të ekzistonte me të njëjtin personalitet ligjor me të cilin ishte krijuar në Maj të vitit 1949.
(Marrë nga Wikipedia)

Një frazë doja të veçoja nga ky pasazh: Sipas këtij procesi, Gjermania Lindore votoi që të shpërbënte vetveten si shtet dhe t’i bashkohej Gjermanisë Perëndimore. Politikanët e Gjermanisë Lindore hoqën dorë vullnetarisht nga çdo mundësi për pushtet në emër të bashkimit, në emër të diçkaje më të madhe për kombin e tyre. A janë politikanët shqiptarë në të dy anët e kufirit të gatshëm ta bëjnë një sakrificë të tillë?