Çmimi Nobel për Paqen këtë
vit iu dha Katërshes së Dialogut Kombëtar Tunizian për rolin thelbësor në
ndërtimin e demokracisë pluraliste pas Revloucionit të Jasemintë të vitit 2011.
Katërshja është në fakt një bashkim organizatash të shoqërisë
civile tuniziane, përkatësisht të Lidhjes së të Drejtave të Njeriut, Sindikatës
së Punëtorëve të Përgjithshëm, Urdhërit të Juristëve dhe Konfederatës së
Industrisë, Tregëtisë dhe Artizanatit. Lidhja midis tyre u krijua para dy vjetësh
dhe ka pasur rol tepër të rëndësishëm në jetën politike dhe shoqërore të
Tunizise, duke i dhënë asaj “mundësinë që
të ndërtojë një sistem qeverisës kushtetues i cili garanton të drejtat
themelore të të gjithë popullsisë, pavarësisht nga feja, bindjet politike dhe
besimi fetar,” sipas përcaktimit që i është bërë nga komitetit për dhënien e Çmimit
Nobel.
Komiteti Norvegjez i Nobelit këtë vit befasoi shumë njerëz
me vendimin e tij, duke pasur parasysh që në rradhën e pretendentëve për çmimin
e paqes mendohej të kishin qënë Kancelarja Gjermane Angela Merkel, Sekretari
Amerikan i Shtetit Xhon Keri, dhe Papa Francis. Sidoqoftë, vendimi për të
lauruar katërshen tuniziane duket vërtet i studiuar mirë dhe krejtësisht i
justifikuar. Në një situateë ndërkombëtare kur në botë mbizotëron mosbesimi,
zhgënjimi dhe fatalizmi për të ashtuquajturën Pranvera Arabe, ai tërheq vëmendjen
ndaj një rasti të padiskutueshëm suksesi.
Pranvera Arabe nisi me një seri lëvizjesh proteste kundër
regjimeve totalitare në të gjithë botën arabe. Fatkeqsisht, në shumë vende,
veçanërisht në Egjipt, Siri, Jemen, e Libi, lëvizja për demokratizim u vu nën
kontrollin e grupimeve ekstremiste fetare, duke u kthyer në luftë civile për të
marrë pushtetin, ose në përpjekje sektesh fetare dhe klanesh për të kontrolluar
shtetet,dhe burimet e naftës. Ato që nisën si demonstrime paqësore dhe kërkesa
për ndryshime në mënyrën e qeverisjes, u shndërruan në përgjakje të popullsive,
në shkatërrime massive të industrisë, në një kthim të llahtarshëm te praktikat
ligjore dhe shoqërore primitive të para-mesjetës. Popuj dhe shoqëri që kishin
vuajtur nga diktatura, janë vënë nën thundrën e ekstremistëve fetarë dhe
zjarrin e armëve, duke humbur edhe ato pak liri e mirëqënie që kishin pasur.
Pasojë e drejtpërdrejtë janë lëvizjee masive të popullsisë dhe dramae e panumërta
njerëzore.
Kjo situate nuk kishte si të mos iu linte shumë njerëzve shijen
e pakëndëshme të dështimit dhe idenë se popujt arabë nuk janë në gjendje të
krijojnë forma qeverisëse demokratike. Por rasti i Tunizisë është një dëshmi e
qartë për të kundërtën. Ai tregon më së miri se popujt arabë janë po aq të
qytetëruar dhe të aftë sa edhe çdo popull tjetër, nëqoftëse iu jepet shansi të
marrin në duar fatet e veta. Por qytetërimi arrihet duke vënë në plan të parë interesat
dhe të drejtat themelore të njerëzve, të të gjithë njerëzve, pa dallim gjinije,
feje, apo bindjeje politike. Nëqoftëse arrohet ose nënvleftësohet qoftë edhe njëri
nga këto elementë, është e vështirë të krijosh demokraci.
Katërshja e Dialogut Kombëtar ishte organizmi që mundësoi
kompromiset midis grupimeve të ndryshme politike, fetare dhe ekonomike në
Tunizi, duke dëshmuar më së miri që dialogu i qytetëruar, mirëkuptimi,
organizmi qytetar dhe bashkëpunimi mund të funksionojnë fare mirë.
Mendoj që Komiteti për Çmimi Nobel të Paqes këtë vit ka bërë
një zgjedhje të shkëlqyer. Shpresoj dhe uroj që edhe vendet e tjerë në atë zonë
të botës të ndjekin shembullin e Tunizisë dhe të arrijnë të ndërtojnë shoqëri të
përparuara që respektojnë njeriun, njeriun e vërtetë, të prekshëm, dhe jo ide apo
interesa të mbrapshta.
No comments:
Post a Comment