Tuesday, November 7, 2017

Lutje dhe Meditim

Debati i ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara është përqëndruar në gjetjen e mënyrës më të efektshme për të kontrolluar dhe ulur e numrin e masakrave masive. Amerika zë vendin e parë në botë për vrasjet publike. Një statistikë e botuar sot vërente se që nga vitet 1970të e deri sot Shtetet e Bashkuara kanë pasur më shumë viktima nga vrasjet masive se sa nga të gjitha luftërat ku ato janë përfshirë gjatë kësaj periudhe (duke përfshirë edhe ato në Irak e Afganistan.)
Por ajo që të le pa mend është çfarë debatohet. 
Nga njëra anë janë ata që shkaktarin kryesor për të gjitha këto tragjedi e kërkojnë te numri alarmues i armëve në qarkullim dhe te ligjet tepër të lira të Shteteve të Bashkuara për mbajtjen e armëve. Ky grupim kërkon kufizimin e lejeve për armët si edhe kufizimin për llojet e armëve që mund të mbajnë qytetarët e thjeshtë, me arsyetimin se sa më pak armë, aq më pak krime do të kryen me to.
Nga ana tjetër është lobi i prodhimit dhe shitjes së armëve, i përkrahur nga e ashtuquajtura “e djathta e krishterë”. Këta ngulin këmbë se zgjidhja e problemit të vrasjeve masive gjendet te “lutjet dhe meditimet për viktimat” (thoughts and prayers).
Praktikisht lobi i prodhimit dhe shtimit të armëve dhe ai i prodhimit dhe shtimit të lutjeve dhe meditimeve në Amerikë është më i fuqishëm. Nga reagimet kundrejt dy masakrave të fundit (në Las Vegas dhe në Teksas) duket qartë se kjo mënyrë për zgjidhjen e problemit ka mbështetjen e politikanëve të fuqishëm si Presidenti Trump dhe Kryetari i Kongresit Paul Ryan. Ky i fundit është vënë dje dhe sot në shënjestër të kritikave dhe akuzave se po përpiqet të mbysë çdo përpjekje për ndryshime ligjore me pasivitetin dhe boshësinë e lutjeve dhe meditimeve. Megjithatë, kryekongresmeni amerikan Paul Ryan ngul këmbë se lutjet dhe meditimet janë mënyra më e efektshme për të luftuar dhunën, duke anashkaluar, për shembull, faktin që ata të shkretët që u masakruan në Teksas ishin brenda një kishe duke u lutur.

Për shumë njerëz që jetojnë larg realitetit amerikan ky debat mund të tingëllojë si një parodi cinike, gati-gati e pabesueshme. Është vërtet jashtë çdo përfytyrimi të mendosh që njerëzit më të fuqishëm të shtetit më të fuqishëm të botës arrijnë ta ulin kaq poshtë nivelin e diskutimit intelektual. Megjithatë, ky është realiteti. Paul Ryan është i bindur se lutjet dhe meditimet janë më të fuqishme se çdo lloj ligji dhe se Zoti i tij do t’i dëgjojë lutjet dhe do t’i ndalojë vrasjet. Ndërkohë, fëmijë, gra, burra, pleq të pafajshëm vazhdojnë të kërdisen thuajse dita ditës duke vërtetuar edhe një herë se ata që predikojnë zgjidhje përmes lutjeve janë në të njëjtën llogore me ata që përfitojnë miliarda dollarë nga shitjet e armëve. 

Thursday, November 2, 2017

Sindroma e Monstrës

(Lexojeni, se mbyllet me një këngë)
Para disa ditësh postova në fb një parodi të shkurtër të bazuar në vargjet hapëse të poemës së Naimit “Bagëti e Bujqësi”. Nuk ishte as përpjekje për t’u shquar si poet (pasi nuk jam) dhe as ngasje për t’u dukur origjinal, pasi parodi të tilla kanë bërë të tjerë me më shumë sukses përpara meje. Ishte thjesht një impuls për të bërë pak humor dhe për të lehtësuar pak ngarkesën e ditës, që u mirëkuptua nga shumë miq të mij.
Por, për çudi (ose aspak për çudi) u gjend dhe dikush që u nervozua dhe me dergoi këtë koment : ‘Pasi i late penden Shqiperise prisni te behet me e nderuar !!!’ Po, me tre pika çuditëse.
Si rregull unë nuk ia përtoj debateve në fb, por këtij komenti iu përgjigja me adresimin te një shkrim i imi i mëparshëm i titulluar ‘Llum’, ideja kryesore e të cilit është që askush nuk ka të drejtë të më diktojë mua se çfarë të them duke u bazuar te vendi ku jetoj.
Do ta kisha harruar fare këtë shkëmbim sikur të mos më kishte rënë në sy gjatë kësaj jave që edhe në shtyp edhe në rrjetet sociale vazhdon të mbizotërojë përçmimi ndaj emigrantëve dhe dëshira për të na e mbyllur gojën ne që jetojmë përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Gjë që më bëri të mendoj :
A mund t’i thuhet ‘i le pendët Shqipërisë‘ Naimit, Samiut, Abdylit? A mund t’i thuhet i le pendët Shqipërisë Asdrenit, Pashko Vasës, Konicës, Nolit, Eqerem Vlorës, Martin Camajt, Arshi Pipës, Sami Repishtit, Sejfi Protopapës, Isabela Çoçolit? A mund t’iu thuhet ‘i latë pendët Shqipërisë‘ të gjithë atyre që çanë muret e ambasadave dhe mbushën anijet në 1990, pa të cilët s’do të kishim sot as grafikat e mrekullueshme të Avni Delvinës dhe as rrëfimet njerëzore të Arben Imerit?
Pastaj, a mund t’i thuhet ‘i latë pendët Anglisë‘ çiftit Persi dhe Meri Shelli dhe mikut të tyre të afërt Xhorxh Gordon Bajron? A mund t’i thuhet ‘i latë pendët Gjermanisë‘ Mozartit dhe Ajnshtainit? ‘I latë pendët Polonisë Marie Kurisë dhe Shopenit? Austrisë - Frojdit dhe Shvarcenegerit? Rumanisë - Joneskos dhe Nadia Komaneshit; Serbise – Nikolla Teslës; Greqisë - Demis Rusos; Italisë - Toskaninit apo Al Pacinos, Rusisë - Solzenisinit, Egjiptit – Omar Sharifit? Kolumbisë - Markezit?...I vura tre pikat jo për të neutralizuar ato tre pikë çuditëset, por për të thënë që kjo listë mund të shkojë pa fund.
Ka qënë një kohë kur nga Shqipëria nuk lejohej të largohej asnjeri. Kjo kohë ishte nga viti 1945 në vitin 1990. A ju kujtohet si quhej? Koha e komunizmit, koha e diktaturës, koha e enverit. Për 45 vjet monstra që drejtonte vendin shpenzonte një pjesë të madhe të buxhetit për të ruajtur kufirin. Jo që të mos i hynte kush brenda, por që të mos i dilte njeri jashtë. Monstra shkonte dëm burime të panumërta materjale dhe njerëzore, rrezikonte kapital politik të pallogaritshëm për të vrarë, torturuar e burgosur ata që donin të largoheshin dhe për të syrgjynosur e keqtrajtuar gjithë familjet e tyre. Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë arsyen përse e bënte monstra këtë marrëzi. Disa mendojnë se ai kishte frikë se mos i iknin të gjithë. Disa të tjerë arsyetojnë se e bënte ngaqë ishte xheloz dhe nuk donte që skllevërit e tij të siguronin diku gjetkë një jetë më të mirë. Të tjerë i bijen shkurt duke thënë se ishte paranoik. Pa hedhur poshtë asnjë prej tyre, unë them që arsyeja kryesore përse monstra nuk i linte njerëzit të iknin ishte se nuk duronte dot që dikush, kushdo që kishte jetuar ferrin e tij, të dilte jashtë dhe të fliste hapur, serbes, pa i bërë syri tërr për ato që kishte parë. Nuk duronte dot që njerëz që e njihnin nga pranë realitetin e tij të ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre për atë realitet.
Sindroma e monstrës vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme te shumë njerëz në atë vend edhe sot e kësaj dite. Ajo shfaqet me bezdinë e madhe dhe nervozitetin e hapur ndaj çdo shprehje kritike që vjen nga përtej kufirit. Ashtu si monstra, këta njerës nervozë dhe të bezdisur nuk e kuptojnë që kushdo që merr mundimin dhe ndjek lajmet nga Shqipëria; kushdo që merr mundimin dhe shpreh një mendim për Shqipërinë - të saktë apo të gabuar – niset thjesht nga dashuria dhe nga dëshira për ta parë atë vend sa më mirë.
Sindroma e monstrës i ka rrënjët e thella dhe do të duhet kohë që t’i gjendet ilaçi. Përderisa të gjendet, ne që jemi përjashta do të vazhdojmë të mbetemi në shënjestër. Po ç’faj kemi ne? Fajin e kanë ata që na lanë të dalim jashtë. Kush na la ne të dilnim jashtë?! Kjo, sipas të famshmëve Baha Men, është nga ato pyetjet 1 milion dollarëshe. Meqë interneti na i jep mundësitë, mund ta dëgjoni. Titullohet ‘Who let the dogs out?’Baha Men - Who Let the Dogs Out?