Friday, April 17, 2026

Atdheu nuk je ti


Në vend që të organizojë mbledhje me emra bombastikë në Pallatin e Kongreseve, qeveria shqiptare do të bënte mirë të tregonte një minimum përgjegjësie për shtetasit e vet që jetojnë jashtë kufirit të Republikës së Shqipërisë. Sepse, para të gjithash, ne nuk jemi lopë, aq më pak lopa juaj.

Ajo që quhet diasporë është parë tradicionalisht nga ata që qeverisin Shqipërinë si lopë që duhet mjelë sa herë kujtohen ose kanë nevojë për të mjelë financiarisht dhe politikisht. Për krerët egocentrikë dhe të papërgjegjshëm që kanë drejtuar atë vend ndoshta që prej krijimit të tij, diaspora është një tufë mjeranësh që hyjnë në punë vetëm për të pompuar euro dhe dollarë drejt vendit duke lehtësuar disi nivelin e varfërisë, për ndonjë investim kur ua mban xhepi ose kur kanë ndonjë pare të pisët për të pastruar dhe, nëse është e mundur, për të “lobuar” imazhin dhe politikat idiote të diktatorucëve që si qëllim të vetëm kanë pasur zgjatjen e kohë-mbajtjes së prapanicave të tyre ngjitur pas karriges.

Ata që drejtojnë në Shqipëri duhet ta kenë të qartë që të gjithë shtetasit shqiptarë që janë larguar nga vendi e kanë bërë këtë jo për të kërkuar mundësi më të mëdha për t’iu shërbyer atyre apo kujtdo tjetër, por për një jetë më të mirë. Sakrifica e paimagjinueshme e zhvendosjes nga vendlindja kryhet vetëm si pasojë e një presioni të jashtëzakonshëm. Duke përjashtuar një përqindje të vogël profesionistësh që kanë ikur me oferta pune, pra për interesa karriere, shumica dërrmuese e milionave të larguarve janë nisur drejt të panjohurës dhe pasigurisë, të bindur se ato – e panjohura dhe pasiguria – janë më të mira se ajo që linin pas, mizerja ekonomike, mungesa elementëve më elementarë të jetesës, kufizimi i lirisë, korrupsioni në çdo nivel të shoqërisë dhe veçanërisht në majë të saj, imoraliteti dhe shkelja e normave etike, pra një mjedis fare i papërshtatshëm për të përfytyruar një të ardhme për veten dhe pasardhësit. Dhe përgjegjës për këto – deprivimet ekonomike, mungesën e lirisë, korrupsionin, imoralitetin dhe mjedisin e papërshtatshëm – janë të gjithë ata që kanë drejtuar shtetin shqiptar që nga Ismail Qemal Bej Vlora deri te Ismail Qemal Bej Rama, me një doze më të lartë përgjegjësie, kuptohet, për atë që qëndron kronoligjikisht diku në mes të kësaj arradhe politikanësh të shëmtuar, diktatorin never hoxha.

Ky takëm të paaftësish (them të paaftë sepse nën drejtimin e tyre Shqipëria për mëse një shekull ka mbetur ndër shtetet më të dobët ekonomikisht, më të pambrojtur ushtarakisht, më të pazhvilluar intelektualisht dhe më të korruptuar moralisht në Evropë) nuk bën asnjë përpjekje për të ndihmuar as ata që jetojnë brenda vendit dhe as ata që janë jashtë. Duke shfrytëzuar në mënyrën më hileqare kartën e patriotizmit, ata përpiqen ta identifikojnë veten me atdheun, sundimin e tyre feudal me flamurin, krokëllimat e tyre me himnin kombëtar.

Shiheni skenën që kanë përballë përfaqësuesit e diasporës në Pallatin e Kongreseve. Dy kokët e shqiponjës njësohen me kokën e Edi Ramës e kuruar së të jetë kopje e kokës së Ismail Qemalit. Ngado përflakje e kuqe dhe e zezë. Përflakje patriotike, frymëzim dykrenar, folklorizëm i shëmtuar. Nga podium Rama duket sikur thotë: “Ju, pjesa e Lopës që keni ardhur këtu, të jeni të sigurt se po mileni për atdheun. Dhe Atdheu jam unë: Ismail Qemal Rama me dy krena.”

Nuk jam marrë me gjedh dhe bagëti, por të paktën diçka elementare e di – që të marrësh qumësht nga lopa duhet ta ushqesh. Jepi dreqit ca bar që ta kthejë në qumësht. Këta qelbësira që drejtojnë Shqipërinë as bar nuk duan të japin. Përkundrazi, e trajtojnë emigrantin si plehrë, si diçka pa vlerë, e përdhosin sa herë që iu bije rasti, pastaj lëshohen si të babëzitur për ta mjelë.

Lexoni përmbledhjet e Samitit të Diasporës: nëm, nëm, nëm. Diaspora si potencial strategjik në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, përfshirja e diasporës në vendimarrje, investimet dhe inovacioni, kërkimi shkencor, ndihmesa në arsim, shëndetësi, kulturë dhe roli i saj në procesin e integrimit.

S'është kujtuar njeri t’iu lehtësojë atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, le të themi, kryerjen e veprimeve elementare financiare apo administrative që kanë lidhje me pjesën e vendit që kanë lënë pas. Provo të hapësh dhe të mbash një llogari bankare nga larg. Ta bllokojnë kur të duash dhe duhet të heqësh picirin që ta ri-hapësh. Të kërkojnë vërtetime gjallese dy herë në vit.

Provo ta kalosh pensionin në llogari të përbashkët me bashkëshortin/bashkëshorten. Nuk e pranojnë, sepse presin që njëri të vdesë dhe tjetri të mos ketë mundësi të tërheqë nga banka apo sigurimet shoqërore paratë që kanë mbetur.

Kërko të marrësh pensionin që të takon. Të nxjerrin ujin e zi. Le të tjerat, por kanë kaluar edhe një ligj arbitrar që iu mohon pensionin të gjithë atyre që kanë kontribuar më pak se 15 vjet. Duket si ligj i projektuar posaçërisht për emigrantët, për të mos lejuar me mijëra prej tyre që janë larguar pasi kanë punuar për vite në atdhe të marrin pjesën e parave që e kanë investuar. Ku shkon kontributi i tyre për pensionin gjatë këtyre viteve? Në xhepat e qeverisë hajdute. Përderisa pensioni i punonjësve varet nga kontributi, edhe një muaj të kesh punuar, të takon ta marrësh atë, qoftë edhe dhjetë qindarka në muaj.

Përveç ca veprimeve elementare për nxjerrjen e certifikatave, ajo platforma mizerabël e-Albania e reklamuar me aq fishekziarre si fjala e fundit e teknologjisë elektronike nuk vlen për asgjë. Emigranti shqiptar ka vështirësi për të nxjerrë një kartë identiteti apo një pasaportë.

Asnjë institucion i asnjë qeverie shqiptare nuk ka bërë ndonjë studim të saktë për të përcaktuar se ku i ka shtetasit shqiptarë. Nuk po flas as për folklorizma nacionaliste, etnicitete, plisa e xhubleta dhe hamendësime nacionaliste. Po flas për statistika mbi qytetarët që mbajnë nënshtetësi shqiptare. Ka vende në botë që nuk pranojnë dyshtetësi. Nëse një shqiptar në diasporë për një arsye apo një tjetër e ka lënë nënshtetësinë shqiptare, ai ose ajo nuk është më shtetas shqiptar. Pra, a ka të dhëna shteti shqiptar se ku dhe në çnumër i ka shtetasit e vet në botë? A ka marrë mundimin të studiojë se cilat janë problemet e tyre aty ku janë? A i ka pyetur ndonjëherë se cilat janë nevojat e tyre në lidhje me Shqipërinë?

Zero. Vetëm i numërojnë si bagëtitë kur hyjnë e dalin në Shqipëri për pushime, sa për të fryrë statistikat e turistëve që vizitojnë vendin.

Natyrisht, faj kanë edhe ata shqiptarë emigrantë që bëhen prè e shqiponjës me dy koka Rama-Rama, ata që kujtojnë, ose i mbushin mendjen vetes dhe të tjerëve që po i shërbejnë atdheut, kur në fakt e lejojnë veten të milen si lopë nga diktatoruci i rradhës.

Unë nuk di kush e ka mbushur atë sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, por di të them që s’kam pikën e respektit për ta. Ata nuk më përfaqësojnë mua.

Sa për kokat e diktatorucëve që mbushin ekranet e mëdha, ata nuk e zëvendësojnë kurrë shqiponjën dykrenare. Ata nuk janë as koka e shqiponjës dhe as atdheu. 

Tuesday, April 7, 2026

"Fundi" i Kanadasë


Nuk besoj se ka njeri që ta shoqërizojë një emër si Isa Belshi* me krijimin e Dominionit të Kanadasë. Me përjashtimin tim, kuptohet. Por unë kam arsyet e mia. Historinë e Kanadasë e jap mësim për imigrantët që prej 27 vjetësh dhe Isa Belshi ka qëlluar të jetë një prej nxënësve të mij. Ndër të paktët shqiptarë, në morinë e të porsaardhurve nga të katër anët e botës, ai u ul në klasën time ndoshta 20 vjet të shkuara. Djalë i sjellshëm, krejt normal, të cilin edhe mund ta kisha harruar po të mos më ishte ngulitur në mendje një episod paksa i veçantë.

Një ditë, kur iu kisha dhënë nxënësve një detyrë klase, e dëgjoj që shkëmbente fjalë me një vajzë nga Irani ulur pranë tij.

“Ti e ke emrin Isa?” e pyeti ajo.

“Ajze,” e korrigjoi ai. “Shkruhet Isa, por shqiptohet Ajze.”

“Ti je shqiptar,” nguli këmbë vajza. “Nuk ka asnjë kuptim që shqiptarët ta shqiptojnë Ajze. Ti je shqiptar dhe nga emri duhet të jesh musliman. Nuk ka asgjë të keqe të pranosh që quhesh Isa.”

“E di,” tha Isai. “Por unë quhem Ajze. Nuk jam musliman.”

Kaq. Disa muaj më vonë Isai mbaroi punë me kurset e anglishtes dhe vazhdoi jetën.  M’u kujtua para disa ditësh kur i pashë emrin në një koment në fejsbuk në përkrahje të postimit të një miku të përbashkët. Postimi dhe komentet vërtiteshin rreth një nisme të bashkisë së Torontos për të administruar katër shitore eksperimentale që do të synojnë t’i mbajnë çmimet e ulura për nevojtarët. Si çdo përpjekje në ndihmë të të varfërve dhe pa leverdi për të pasurit, kjo i kishte shqetësuar shumë disa të djathtë shqiptarë, duke përshfirë edhe Isain. Ata kishin gjetur rastin të shprehnin përsëri shqetësimin se Kanadaja “ka marë fund”, “e ka mbytur komunizmi”. Shtetëzimi i shitoreve nga bashkia e Torontos për ta shënon fundin e iniciativës së lirë kapitaliste dhe nuk do të jetë e largët dita kur ushqimi të shpërndahet me tollona.

Si mësues i gjuhës dhe kulturës kanadeze për imigrantët u ndjeva keq. Dukshëm nuk kisha qullosur gjë me edukimin e Isait. Ja çfarë nuk kisha arritur t’i mësoja atij:

Kanadaja u krijua si dominion i pavarur më 1 korrik 1867, por mënyra se si ajo do të qeverisej kishte filluar të praktikohej në kolonitë britanike që në gjysmën e parë të shekullit të 19të dhe, ndoshta edhe më herët. Në Kanadanë e Epërme dhe atë të Ulët (sot Ontario dhe Kebek) që u bënë baza e shtetit të ardhshëm, kishte kohë që funksiononte sistemi i përfaqësimit në qeverisjen e përgjegjëshme (responsible government). Në atë kohë votonin vetëm meshkujt e bardhë dhe do të duheshin përpjekje për ta bërë demokracinë më gjithëpërfshirëse kur të drejtën e votës e fituan edhe “racat” e tjera, aborigjinalët, gratë dhe, së fundi, gjithë qytetarët kanadezë mbi moshën 18 vjeç.

Ligji Britanik për Amerikën e Veriut (British North America Act) parashikonte edhe strukturën e shtetit të sapokrijuar, që fillimisht u quajt Dominion of Canada. Sipas tij, Kanadaja ishte (dhe është) monarki kushtetuese dhe shtet federal, në të cilin përcaktohen qartë të tre nivelet e pushtetit – federal, provincial/territorial dhe bashkiak.

Shtet federal do të thotë që njësitë përbërëse (provincat dhe territoret) kanë pavarësi ligjëvënëse dhe qeverisës. Shteti federal ka përgjegjësi të caktuara, si mbrojtjen, marrëdhëniet me jashtë, tregëtinë ndërkombëtare, qytetarinë, ndërsa pushtetet provinciale/territoriale mbulojnë arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, autostradat. Bashkitë merren me mirëmbajtjen e rrugëve dhe parqeve, urbanistikën, emergjencat, mbledhjen e mbeturinave, zjarrfikësat, etj.

Të tre nivelet kanë organe ligjvënëse dhe qeverisëse në fushat përkatëse. Edhe bashkitë kanë të drejtë të nxjerrin ligjet që në anglisht quhen “by-laws”. Ndërsa zgjedhjet për në parlamentin federal dhe ato provinciale/territoriale bëhen kryesisht në bazë partish, në pushtetin lokal nuk janë të lejuar të kandidojnë partitë. Përkundrazi, kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë bashkie nuk kanë lidhje apo mbështetje partiake.

Partitë që marrin pjesë në zgjedhjet provinciale ndryshojnë nga partitë federale, pavarësisht përkimeve në orjentim dhe emërtim (liberale, konservatore, NDP, të gjelbër) dhe janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kreu i një partie federale nuk ka ndikim mbi partinë e provincës që mund të ketë të njëjtin emërtim apo orjentim. Një shembull konkret është mospërputhja në mendime (deri në përplasje) midis kreut të partisë konservatore në Ontario, njëkohësisht edhe Kryeministër i Ontarios dhe kreut të partisë konservatore të Kanadasë.

Çka shkruajta mund të gjenden të përmbledhura në një tekst që përdoret për marrjen e provimit të qytetarisë kanadeze të titulluar Zbulo Kanadanë (Discover Canada) me të cilin të porsaardhurit në Kanada mësojnë për procedurat e votimit, historinë, simbolet dhe institucionet demokratike të vendit, gjeografinë dhe të drejtat e detyrimet e qytetarëve.  Prej më se 27 vjetësh jap mësim për imigrantët dhe e shoh si të domosdoshme sepse shpjegon pjesë të kulturës që atyre iu nevojiten për t’u integruar.

Ndërsa gjeografia, përbërja e popullsisë, ekonomisë dhe, deri diku, historia e vendit priten me kurreshtje dhe dëshirë për të mësuar, pjesa e kulturës qytatare, mënyra se si funksionon shteti, si zgjidhet qeveria, cilat janë institucionet demokratike etj., është pak më e vështirë për t’u përcjellë. Një pjesë kanë interes të dëgjojnë dhe të mësojnë, ndërsa te të tjerët mbizotëron skepticizmi.

Veçanërisht imigrantë që vijnë nga diktatura të konsoliduara ose ish diktatura të tejzgjatura të ndjekin me një buzëqeshje paksa ironike sikur duan të të thonë: Vërtet i beson ti këto gjëra? Për ta, ideja e qeverisjes vertikale nga lartë poshtë dhe koncentrike (nga qendra në periferi) është e ngulitur aq thellë në vetëdije, saqë e kanë të pamundur të përfytyrojnë apo të pranojnë ekzistencën e mënyrave të tjera të organizimit të pushtetit.

Ky lloj imigranti e ka të vështirë të integrohet sepse nuk arrin ta kuptojë dhe nuk pranon ta kuptojë si funksionon realisht një vend demokratik. Për ta gjithçka duhet të operojë me praktikat e diktaturave ose post-diktaturave, ku ai që është në krye kontrollon të gjitha qelizat e jetës së vendit.

Në Kanada politikat, ligjet dhe masat e bashkisë së Torontos nuk kanë lidhje me çfarë bën provinca e Ontarios dhe, aq më pak, me çfarë bën gjithë vendi. Ato vlejnë vetëm për qytetin e Torontos, asnjë centimetër më tej. Nuk mund të nxjerrësh përfundimin se Kanadanë e ka pushtuar komunizmi ngaqë bashkia e Torontos po merr një nismë të cilën ti nuk e pëlqen.

Pikërisht këtë nuk kam arritur t’i mësoj Isait kur ka qenë nxënësi im. Prandaj ndihem fajtor.

Më duket se nuk i kam shpjeguar si duhet edhe se rivalitetin midis partive politike kanadeze nuk mund të shpjegohet me termat banalë të rivalitetit politik në Shqipëri si luftë midis komunistëve dhe anti-komunistëve. T’i kisha bërë të qartë se kush e sheh Partinë Liberale kanadeze si parti komuniste nuk ka kuptuar asgjë nga politika kanadeze.

Partia Liberale për të cilën “të djathtët” shqiptarë në Kanada janë të bindur se po i sjell komunizmin vendit, ka qenë në pushtet 85 nga 100 vjetët e shekullit të 20të dhe 15 nga 26 vjetët e këtij shekulli. Në të gjithë historinë e saj Kanadaja është drejtuar më tepër nga Liberalët se sa nga Konservatorët duke qenë dhe mbetur vend kapitalist. Programet e saj sociale janë pjesë e funksionimit si shtet kapitalist dhe nuk ia ndërrojnë natyrën sistemit.

Këto janë fakte historike të vendosura dhe të përcaktuara përpara se Isai dhe shokët e tij të djathtë shqiptarë të mbushin formularët për të imigruar në Kanada.

Duke mos njohur traditën e demokracisë kanadeze, disa të djathtë shqiptarë, por edhe të tjerë imigrantë të paintegruar, kanë një përfytyrim shumë të gabuar të rivalitetit politik këtu. Atyre iu duket sikur gjithçka duhet të jetë e acaruar, konfliktuale, sikur palët e urrejnë njëra-tjetrën, sikur njerëzit duhet të rrëmbejnë sa më parë shishet e vajgurit e fishekziarët dhe të dalin shesheve për t’iu vënë zjarrin ndërtesave qeveritare. Të nxitur paksa në imagjinatën e tyre edhe nga zhvillimet e këtyre 15 vjetëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, ata kujtojnë se janë në mes të një lufte politike për jetë a vdekje midis forcave kundërshtare që duan ta zhdukin njëra-tjetrën nga faqja e dheut.

Pavarësisht se çfarë ndodh në nivel federal në Shtetet e Bashkuara, Kanadaja ka ditur të ruajë gjakftohtësinë dhe të mbajë të paprekur institucionet demokratike. Dy forcat politike kryesore në Kanada kanë më shumë gjëra të përbashkëta me njëra-tjetrën, se sa çështje që i ndajnë. Në planin ekonomik, konservatorët janë më të kujdesshëm me shpenzimet dhe dijnë të menaxhojnë më mirë, ndërsa liberalët janë më dorëloshuar. Por të dy partitë janë krejtësisht kapitaliste dhe mbështesin, ose mbështeten nga biznesi i madh, gjë që mund të mos jetë edhe aq e favorshme për vendin. Forca e tretë politike, NDP (Partia e Re Demokratike) është më majtas; i mëshon programeve sociale dhe interesave të shtresave më të varfëra, kryesisht të rinjve, por ata nuk kanë qeverisur ndonjëherë në shkallë federale. Partia e Kebekut ndjek interesat e provincës së vet, ndërsa të tjerët, të gjelbrit apo të pavarurit janë shumë pak në numër dhe nuk kanë ndonjë ndikim.

Me këto nuk dua të them që çdo gjë në Kanada shkon si në vaj. Demokracia është udhëtim, nuk është destinacion. Për mendimin tim, sot vendi vazhdon të ndjejë pasojat e keq-qeverisjes për një kohë të gjatë nga një kryeministër i paaftë si Xhastin Trudo. Këtyre iu janë shtuar edhe politikat e paparashikueshme nga fqinjët jugorë, lufta në Iran dhe kriza energjitike botërore. Kanadezët kanë mendime të ndryshme për një sërë çështjesh ekonomike, politike dhe shoqërore. Por mospajtimet në mendimet për mënyrën e zgjidhjeve të problemeve nuk çojnë në konflikte të ashpra.

Politikanët e partive të ndryshme në parlament kanë marrëdhënie normale dhe mirësillen me njëri-tjetrin. Nuk bëhet fjalë për sulme personale apo për fyerje.**

______________________________________

* Emri është paksa i modifikuar për arsye etike.

** Në videon që kam vënë për të ilustruar shkrimin janë tre figura që përfaqësojnë tre pushtetet në Kanada: Mark Karni, kryeministri liberal i Kanadasë, Dag Ford, kreu konservator i provincës së Ontarios, dhe Olivia Çau, kryetarja e Bashkisë së Torontos. Çau nuk përfaqëson asnjë parti, megjithëse është e veja e ish-kryetarit të partisë NDP dhe ka qenë vetë përfaqësuese në parlamentin federal. Konservatori Dag Ford dhe kryeliberali Mark Karni kanë marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Dag Ford nuk e ka fort për zemër Olivia Çaun. Sidoqoftë, siç duket edhe në video, të tre dijnë të sillen në mënyrë të qytetëruar në publik. Dag Ford i drejtohet Karnit: “Për pak piva nga gota jote.” Ky i përgjigjet: “Nuk e kam prekur”. “Mirë,” thotë Ford. “Po pi një gllënjkë. Shpresoj të mos më kthejë në liberal.” Të tre qeshin.