Friday, April 17, 2026

Atdheu nuk je ti


Në vend që të organizojë mbledhje me emra bombastikë në Pallatin e Kongreseve, qeveria shqiptare do të bënte mirë të tregonte një minimum përgjegjësie për shtetasit e vet që jetojnë jashtë kufirit të Republikës së Shqipërisë. Sepse, para të gjithash, ne nuk jemi lopë, aq më pak lopa juaj.

Ajo që quhet diasporë është parë tradicionalisht nga ata që qeverisin Shqipërinë si lopë që duhet mjelë sa herë kujtohen ose kanë nevojë për të mjelë financiarisht dhe politikisht. Për krerët egocentrikë dhe të papërgjegjshëm që kanë drejtuar atë vend ndoshta që prej krijimit të tij, diaspora është një tufë mjeranësh që hyjnë në punë vetëm për të pompuar euro dhe dollarë drejt vendit duke lehtësuar disi nivelin e varfërisë, për ndonjë investim kur ua mban xhepi ose kur kanë ndonjë pare të pisët për të pastruar dhe, nëse është e mundur, për të “lobuar” imazhin dhe politikat idiote të diktatorucëve që si qëllim të vetëm kanë pasur zgjatjen e kohë-mbajtjes së prapanicave të tyre ngjitur pas karriges.

Ata që drejtojnë në Shqipëri duhet ta kenë të qartë që të gjithë shtetasit shqiptarë që janë larguar nga vendi e kanë bërë këtë jo për të kërkuar mundësi më të mëdha për t’iu shërbyer atyre apo kujtdo tjetër, por për një jetë më të mirë. Sakrifica e paimagjinueshme e zhvendosjes nga vendlindja kryhet vetëm si pasojë e një presioni të jashtëzakonshëm. Duke përjashtuar një përqindje të vogël profesionistësh që kanë ikur me oferta pune, pra për interesa karriere, shumica dërrmuese e milionave të larguarve janë nisur drejt të panjohurës dhe pasigurisë, të bindur se ato – e panjohura dhe pasiguria – janë më të mira se ajo që linin pas, mizerja ekonomike, mungesa elementëve më elementarë të jetesës, kufizimi i lirisë, korrupsioni në çdo nivel të shoqërisë dhe veçanërisht në majë të saj, imoraliteti dhe shkelja e normave etike, pra një mjedis fare i papërshtatshëm për të përfytyruar një të ardhme për veten dhe pasardhësit. Dhe përgjegjës për këto – deprivimet ekonomike, mungesën e lirisë, korrupsionin, imoralitetin dhe mjedisin e papërshtatshëm – janë të gjithë ata që kanë drejtuar shtetin shqiptar që nga Ismail Qemal Bej Vlora deri te Ismail Qemal Bej Rama, me një doze më të lartë përgjegjësie, kuptohet, për atë që qëndron kronoligjikisht diku në mes të kësaj arradhe politikanësh të shëmtuar, diktatorin never hoxha.

Ky takëm të paaftësish (them të paaftë sepse nën drejtimin e tyre Shqipëria për mëse një shekull ka mbetur ndër shtetet më të dobët ekonomikisht, më të pambrojtur ushtarakisht, më të pazhvilluar intelektualisht dhe më të korruptuar moralisht në Evropë) nuk bën asnjë përpjekje për të ndihmuar as ata që jetojnë brenda vendit dhe as ata që janë jashtë. Duke shfrytëzuar në mënyrën më hileqare kartën e patriotizmit, ata përpiqen ta identifikojnë veten me atdheun, sundimin e tyre feudal me flamurin, krokëllimat e tyre me himnin kombëtar.

Shiheni skenën që kanë përballë përfaqësuesit e diasporës në Pallatin e Kongreseve. Dy kokët e shqiponjës njësohen me kokën e Edi Ramës e kuruar së të jetë kopje e kokës së Ismail Qemalit. Ngado përflakje e kuqe dhe e zezë. Përflakje patriotike, frymëzim dykrenar, folklorizëm i shëmtuar. Nga podium Rama duket sikur thotë: “Ju, pjesa e Lopës që keni ardhur këtu, të jeni të sigurt se po mileni për atdheun. Dhe Atdheu jam unë: Ismail Qemal Rama me dy krena.”

Nuk jam marrë me gjedh dhe bagëti, por të paktën diçka elementare e di – që të marrësh qumësht nga lopa duhet ta ushqesh. Jepi dreqit ca bar që ta kthejë në qumësht. Këta qelbësira që drejtojnë Shqipërinë as bar nuk duan të japin. Përkundrazi, e trajtojnë emigrantin si plehrë, si diçka pa vlerë, e përdhosin sa herë që iu bije rasti, pastaj lëshohen si të babëzitur për ta mjelë.

Lexoni përmbledhjet e Samitit të Diasporës: nëm, nëm, nëm. Diaspora si potencial strategjik në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, përfshirja e diasporës në vendimarrje, investimet dhe inovacioni, kërkimi shkencor, ndihmesa në arsim, shëndetësi, kulturë dhe roli i saj në procesin e integrimit.

S'është kujtuar njeri t’iu lehtësojë atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, le të themi, kryerjen e veprimeve elementare financiare apo administrative që kanë lidhje me pjesën e vendit që kanë lënë pas. Provo të hapësh dhe të mbash një llogari bankare nga larg. Ta bllokojnë kur të duash dhe duhet të heqësh picirin që ta ri-hapësh. Të kërkojnë vërtetime gjallese dy herë në vit.

Provo ta kalosh pensionin në llogari të përbashkët me bashkëshortin/bashkëshorten. Nuk e pranojnë, sepse presin që njëri të vdesë dhe tjetri të mos ketë mundësi të tërheqë nga banka apo sigurimet shoqërore paratë që kanë mbetur.

Kërko të marrësh pensionin që të takon. Të nxjerrin ujin e zi. Le të tjerat, por kanë kaluar edhe një ligj arbitrar që iu mohon pensionin të gjithë atyre që kanë kontribuar më pak se 15 vjet. Duket si ligj i projektuar posaçërisht për emigrantët, për të mos lejuar me mijëra prej tyre që janë larguar pasi kanë punuar për vite në atdhe të marrin pjesën e parave që e kanë investuar. Ku shkon kontributi i tyre për pensionin gjatë këtyre viteve? Në xhepat e qeverisë hajdute. Përderisa pensioni i punonjësve varet nga kontributi, edhe një muaj të kesh punuar, të takon ta marrësh atë, qoftë edhe dhjetë qindarka në muaj.

Përveç ca veprimeve elementare për nxjerrjen e certifikatave, ajo platforma mizerabël e-Albania e reklamuar me aq fishekziarre si fjala e fundit e teknologjisë elektronike nuk vlen për asgjë. Emigranti shqiptar ka vështirësi për të nxjerrë një kartë identiteti apo një pasaportë.

Asnjë institucion i asnjë qeverie shqiptare nuk ka bërë ndonjë studim të saktë për të përcaktuar se ku i ka shtetasit shqiptarë. Nuk po flas as për folklorizma nacionaliste, etnicitete, plisa e xhubleta dhe hamendësime nacionaliste. Po flas për statistika mbi qytetarët që mbajnë nënshtetësi shqiptare. Ka vende në botë që nuk pranojnë dyshtetësi. Nëse një shqiptar në diasporë për një arsye apo një tjetër e ka lënë nënshtetësinë shqiptare, ai ose ajo nuk është më shtetas shqiptar. Pra, a ka të dhëna shteti shqiptar se ku dhe në çnumër i ka shtetasit e vet në botë? A ka marrë mundimin të studiojë se cilat janë problemet e tyre aty ku janë? A i ka pyetur ndonjëherë se cilat janë nevojat e tyre në lidhje me Shqipërinë?

Zero. Vetëm i numërojnë si bagëtitë kur hyjnë e dalin në Shqipëri për pushime, sa për të fryrë statistikat e turistëve që vizitojnë vendin.

Natyrisht, faj kanë edhe ata shqiptarë emigrantë që bëhen prè e shqiponjës me dy koka Rama-Rama, ata që kujtojnë, ose i mbushin mendjen vetes dhe të tjerëve që po i shërbejnë atdheut, kur në fakt e lejojnë veten të milen si lopë nga diktatoruci i rradhës.

Unë nuk di kush e ka mbushur atë sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, por di të them që s’kam pikën e respektit për ta. Ata nuk më përfaqësojnë mua.

Sa për kokat e diktatorucëve që mbushin ekranet e mëdha, ata nuk e zëvendësojnë kurrë shqiponjën dykrenare. Ata nuk janë as koka e shqiponjës dhe as atdheu. 

No comments: