Nuk besoj se ka njeri që ta shoqërizojë një emër si
Isa Belshi* me krijimin e Dominionit të Kanadasë. Me përjashtimin tim,
kuptohet. Por unë kam arsyet e mia. Historinë e Kanadasë e jap mësim për
imigrantët që prej 27 vjetësh dhe Isa Belshi ka qëlluar të jetë një prej
nxënësve të mij. Ndër të paktët shqiptarë, në morinë e të porsaardhurve nga të
katër anët e botës, ai u ul në klasën time ndoshta 20 vjet të shkuara. Djalë i sjellshëm,
krejt normal, të cilin edhe mund ta kisha harruar po të mos më ishte ngulitur
në mendje një episod paksa i veçantë.
Një ditë, kur iu kisha dhënë nxënësve një detyrë klase, e dëgjoj që shkëmbente fjalë me një vajzë nga Irani ulur pranë tij.
“Ti e ke emrin Isa?” e pyeti ajo.
“Ajze,” e korrigjoi ai. “Shkruhet Isa, por shqiptohet
Ajze.”
“Ti je shqiptar,” nguli këmbë vajza. “Nuk ka asnjë
kuptim që shqiptarët ta shqiptojnë Ajze. Ti je shqiptar dhe nga emri duhet të
jesh musliman. Nuk ka asgjë të keqe të pranosh që quhesh Isa.”
“E di,” tha Isai. “Por unë quhem Ajze. Nuk jam
musliman.”
Kaq. Disa muaj më vonë Isai mbaroi punë me kurset e
anglishtes dhe vazhdoi jetën. M’u kujtua
para disa ditësh kur i pashë emrin në një koment në fejsbuk në përkrahje të
postimit të një miku të përbashkët. Postimi dhe komentet vërtiteshin rreth një nisme
të bashkisë së Torontos për të administruar katër shitore eksperimentale që do
të synojnë t’i mbajnë çmimet e ulura për nevojtarët. Si çdo përpjekje në ndihmë
të të varfërve dhe pa leverdi për të pasurit, kjo i kishte shqetësuar shumë disa
të djathtë shqiptarë, duke përshfirë edhe Isain. Ata kishin gjetur rastin të shprehnin
përsëri shqetësimin se Kanadaja “ka marë fund”, “e ka mbytur komunizmi”.
Shtetëzimi i shitoreve nga bashkia e Torontos për ta shënon fundin e iniciativës
së lirë kapitaliste dhe nuk do të jetë e largët dita kur ushqimi të shpërndahet
me tollona.
Si mësues i gjuhës dhe kulturës kanadeze për
imigrantët u ndjeva keq. Dukshëm nuk kisha qullosur gjë me edukimin e Isait. Ja
çfarë nuk kisha arritur t’i mësoja atij:
Kanadaja u krijua si dominion i pavarur më 1 korrik
1867, por mënyra se si ajo do të qeverisej kishte filluar të praktikohej në
kolonitë britanike që në gjysmën e parë të shekullit të 19të dhe, ndoshta edhe
më herët. Në Kanadanë e Epërme dhe atë të Ulët (sot Ontario dhe Kebek) që u
bënë baza e shtetit të ardhshëm, kishte kohë që funksiononte sistemi i përfaqësimit
në qeverisjen e përgjegjëshme (responsible government). Në atë kohë votonin
vetëm meshkujt e bardhë dhe do të duheshin përpjekje për ta bërë demokracinë më
gjithëpërfshirëse kur të drejtën e votës e fituan edhe “racat” e tjera,
aborigjinalët, gratë dhe, së fundi, gjithë qytetarët kanadezë mbi moshën 18 vjeç.
Ligji Britanik për Amerikën e Veriut (British North
America Act) parashikonte edhe strukturën e shtetit të sapokrijuar, që fillimisht
u quajt Dominion of Canada. Sipas tij, Kanadaja ishte (dhe është) monarki
kushtetuese dhe shtet federal, në të cilin përcaktohen qartë të tre nivelet e
pushtetit – federal, provincial/territorial dhe bashkiak.
Shtet federal do të thotë që njësitë përbërëse
(provincat dhe territoret) kanë pavarësi ligjëvënëse dhe qeverisës. Shteti
federal ka përgjegjësi të caktuara, si mbrojtjen, marrëdhëniet me jashtë,
tregëtinë ndërkombëtare, qytetarinë, ndërsa pushtetet provinciale/territoriale mbulojnë
arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, autostradat. Bashkitë merren me mirëmbajtjen
e rrugëve dhe parqeve, urbanistikën, emergjencat, mbledhjen e mbeturinave,
zjarrfikësat, etj.
Të tre nivelet kanë organe ligjvënëse dhe qeverisëse
në fushat përkatëse. Edhe bashkitë kanë të drejtë të nxjerrin ligjet që në
anglisht quhen “by-laws”. Ndërsa zgjedhjet për në parlamentin federal dhe ato provinciale/territoriale
bëhen kryesisht në bazë partish, në pushtetin lokal nuk janë të lejuar të
kandidojnë partitë. Përkundrazi, kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë
bashkie nuk kanë lidhje apo mbështetje partiake.
Partitë që marrin pjesë në zgjedhjet provinciale ndryshojnë
nga partitë federale, pavarësisht përkimeve në orjentim dhe emërtim (liberale,
konservatore, NDP, të gjelbër) dhe janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kreu i një
partie federale nuk ka ndikim mbi partinë e provincës që mund të ketë të njëjtin
emërtim apo orjentim. Një shembull konkret është mospërputhja në mendime (deri
në përplasje) midis kreut të partisë konservatore në Ontario, njëkohësisht edhe
Kryeministër i Ontarios dhe kreut të partisë konservatore të Kanadasë.
Çka shkruajta mund të gjenden të përmbledhura në
një tekst që përdoret për marrjen e provimit të qytetarisë kanadeze të
titulluar Zbulo Kanadanë (Discover Canada) me të cilin të porsaardhurit në
Kanada mësojnë për procedurat e votimit, historinë, simbolet dhe institucionet
demokratike të vendit, gjeografinë dhe të drejtat e detyrimet e qytetarëve. Prej më se 27 vjetësh jap mësim për imigrantët
dhe e shoh si të domosdoshme sepse shpjegon pjesë të kulturës që atyre iu nevojiten
për t’u integruar.
Ndërsa gjeografia, përbërja e popullsisë, ekonomisë
dhe, deri diku, historia e vendit priten me kurreshtje dhe dëshirë për të
mësuar, pjesa e kulturës qytatare, mënyra se si funksionon shteti, si zgjidhet
qeveria, cilat janë institucionet demokratike etj., është pak më e vështirë për
t’u përcjellë. Një pjesë kanë interes të dëgjojnë dhe të mësojnë, ndërsa te të
tjerët mbizotëron skepticizmi.
Veçanërisht imigrantë që vijnë nga diktatura të
konsoliduara ose ish diktatura të tejzgjatura të ndjekin me një buzëqeshje paksa
ironike sikur duan të të thonë: Vërtet i beson ti këto gjëra? Për ta, ideja e
qeverisjes vertikale nga lartë poshtë dhe koncentrike (nga qendra në periferi)
është e ngulitur aq thellë në vetëdije, saqë e kanë të pamundur të përfytyrojnë
apo të pranojnë ekzistencën e mënyrave të tjera të organizimit të pushtetit.
Ky lloj imigranti e ka të vështirë të integrohet sepse
nuk arrin ta kuptojë dhe nuk pranon ta kuptojë si funksionon realisht një vend
demokratik. Për ta gjithçka duhet të operojë me praktikat e diktaturave ose
post-diktaturave, ku ai që është në krye kontrollon të gjitha qelizat e jetës
së vendit.
Në Kanada politikat, ligjet dhe masat e bashkisë së
Torontos nuk kanë lidhje me çfarë bën provinca e Ontarios dhe, aq më pak, me
çfarë bën gjithë vendi. Ato vlejnë vetëm për qytetin e Torontos, asnjë centimetër
më tej. Nuk mund të nxjerrësh përfundimin se Kanadanë e ka pushtuar komunizmi ngaqë
bashkia e Torontos po merr një nismë të cilën ti nuk e pëlqen.
Pikërisht këtë nuk kam arritur t’i mësoj Isait kur
ka qenë nxënësi im. Prandaj ndihem fajtor.
Më duket se nuk i kam shpjeguar si duhet edhe se rivalitetin
midis partive politike kanadeze nuk mund të shpjegohet me termat banalë të
rivalitetit politik në Shqipëri si luftë midis komunistëve dhe anti-komunistëve.
T’i kisha bërë të qartë se kush e sheh Partinë Liberale kanadeze si parti
komuniste nuk ka kuptuar asgjë nga politika kanadeze.
Partia Liberale për të cilën “të djathtët”
shqiptarë në Kanada janë të bindur se po i sjell komunizmin vendit, ka qenë në
pushtet 85 nga 100 vjetët e shekullit të 20të dhe 15 nga 26 vjetët e këtij
shekulli. Në të gjithë historinë e saj Kanadaja është drejtuar më tepër nga
Liberalët se sa nga Konservatorët duke qenë dhe mbetur vend kapitalist.
Programet e saj sociale janë pjesë e funksionimit si shtet kapitalist dhe nuk
ia ndërrojnë natyrën sistemit.
Këto janë fakte historike të vendosura dhe të përcaktuara
përpara se Isai dhe shokët e tij të djathtë shqiptarë të mbushin formularët për
të imigruar në Kanada.
Duke mos njohur traditën e demokracisë kanadeze, disa
të djathtë shqiptarë, por edhe të tjerë imigrantë të paintegruar, kanë një
përfytyrim shumë të gabuar të rivalitetit politik këtu. Atyre iu duket sikur
gjithçka duhet të jetë e acaruar, konfliktuale, sikur palët e urrejnë
njëra-tjetrën, sikur njerëzit duhet të rrëmbejnë sa më parë shishet e vajgurit e
fishekziarët dhe të dalin shesheve për t’iu vënë zjarrin ndërtesave qeveritare.
Të nxitur paksa në imagjinatën e tyre edhe nga zhvillimet e këtyre 15 vjetëve
të fundit në Shtetet e Bashkuara, ata kujtojnë se janë në mes të një lufte
politike për jetë a vdekje midis forcave kundërshtare që duan ta zhdukin njëra-tjetrën
nga faqja e dheut.
Pavarësisht se çfarë ndodh në nivel federal në Shtetet
e Bashkuara, Kanadaja ka ditur të ruajë gjakftohtësinë dhe të mbajë të paprekur
institucionet demokratike. Dy forcat politike kryesore në Kanada kanë më shumë
gjëra të përbashkëta me njëra-tjetrën, se sa çështje që i ndajnë. Në planin
ekonomik, konservatorët janë më të kujdesshëm me shpenzimet dhe dijnë të
menaxhojnë më mirë, ndërsa liberalët janë më dorëloshuar. Por të dy partitë
janë krejtësisht kapitaliste dhe mbështesin, ose mbështeten nga biznesi i madh,
gjë që mund të mos jetë edhe aq e favorshme për vendin. Forca e tretë politike,
NDP (Partia e Re Demokratike) është më majtas; i mëshon programeve sociale dhe
interesave të shtresave më të varfëra, kryesisht të rinjve, por ata nuk kanë
qeverisur ndonjëherë në shkallë federale. Partia e Kebekut ndjek interesat e
provincës së vet, ndërsa të tjerët, të gjelbrit apo të pavarurit janë shumë pak
në numër dhe nuk kanë ndonjë ndikim.
Me këto nuk dua të them që çdo gjë në Kanada shkon si
në vaj. Demokracia është udhëtim, nuk është destinacion. Për mendimin tim, sot vendi
vazhdon të ndjejë pasojat e keq-qeverisjes për një kohë të gjatë nga një
kryeministër i paaftë si Xhastin Trudo. Këtyre iu janë shtuar edhe politikat e
paparashikueshme nga fqinjët jugorë, lufta në Iran dhe kriza energjitike botërore.
Kanadezët kanë mendime të ndryshme për një sërë çështjesh ekonomike, politike
dhe shoqërore. Por mospajtimet në mendimet për mënyrën e zgjidhjeve të
problemeve nuk çojnë në konflikte të ashpra.
Politikanët e partive të ndryshme në parlament kanë
marrëdhënie normale dhe mirësillen me njëri-tjetrin. Nuk bëhet fjalë për sulme
personale apo për fyerje.**
______________________________________
* Emri është paksa i modifikuar për arsye etike.
** Në videon që kam vënë për të ilustruar shkrimin
janë tre figura që përfaqësojnë tre pushtetet në Kanada: Mark Karni,
kryeministri liberal i Kanadasë, Dag Ford, kreu konservator i provincës së
Ontarios, dhe Olivia Çau, kryetarja e Bashkisë së Torontos. Çau nuk përfaqëson
asnjë parti, megjithëse është e veja e ish-kryetarit të partisë NDP dhe ka qenë
vetë përfaqësuese në parlamentin federal. Konservatori Dag Ford dhe kryeliberali
Mark Karni kanë marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Dag Ford nuk e ka
fort për zemër Olivia Çaun. Sidoqoftë, siç duket edhe në video, të tre dijnë të
sillen në mënyrë të qytetëruar në publik. Dag Ford i drejtohet Karnit: “Për pak
piva nga gota jote.” Ky i përgjigjet: “Nuk e kam prekur”. “Mirë,” thotë Ford. “Po
pi një gllënjkë. Shpresoj të mos më kthejë në liberal.” Të tre qeshin.
No comments:
Post a Comment