Showing posts with label feja. Show all posts
Showing posts with label feja. Show all posts

Tuesday, April 12, 2016

PO mësimit të fesë në shkollë



A duhet dhënë feja si lëndë mësimore në shkollë? Unë pa hezitim përgjigjem me nje PO të madhe. Është domosdoshmëri, veçanërisht për ne që qarkullojmë një tollovi idesh dhe përfytyrimesh të paqarta për fenë. Dhënia e lëndës së fesë në shkollë është ide e shkëlqyer nëse zbatohet mirë dhe ndershëm.
Nuk e di në detaje kurikulumin e shkollave sot, por ma do mendja se po të kenë vazhduar në traditën e arsimit klasik aty vazhdojnë të jepen njohuri mbi historinë, kulturën dhe mitologjinë e Greqisë dhe Perandorisë Romake. Shpresoj, ndonëse nuk besoj, që të jepen edhe ide për mitologjinë Norse, atë Kineze, apo Indiane, për eposin e kreshnikëve, për legjendat e popujve të ndryshëm.
Në këtë vështrim është jashtë çdo logjike që në shkolla të mos mësohet asgjë për mitologjitë mbizotëruese sot. Dikush që mëson në shkollë për Zeusin e Athinën, Jupiterin, Marsin e Venusin, nuk ka përse të mos dijë edhe për Perëndinë që lindi vetveten duke mbarsur një virgjëreshë dhe që pastaj u sakrifikua dhe u ringjall për të shpëtuar mëkatet e njerëzimit; nuk ka përse të mos mësojë për Perëndinë që i pëshpëriti në majë të malit një libër të tërë një analfabeti dhe që ky e pastaj e mbajti mend fjalë për fjalë për t’ia diktuar atë të tjerëve; nuk ka përse të mos dijë për krijimin e gruas nga brinja e burrit, në mënyrë që në përjetësi të mbetej nën hyqmin e tij; për atë njeriun primitiv që ndërtoi një anije aq të madhe sa të mbartte nga një çift prej të gjitha kafshëve, bimëve, insekteve, dhe organizmave që popullojnë planetin dhe t’i shpëtonte ato nga përmbytja e gjithë planetit; për atë tjetrin që u martua me motrën dhe pastaj ia lëshoi atë me qera Faraonit, për ta marrë prapë dhe për të bërë një fëmijë me shërbëtoren dhe një tjetër me të shoqen kur kjo ishte 90 vjeç, fëmijë të cilin u bë gati ta therrte për ta bindur Zotin se sa i devotshëm ishte. Këto, dhe të tjera si këto është mirë të jepen mësim në shkollë, nga njerëz që i dijnë dhe që dijnë t’i trajtojnë për atë çka janë, sepse janë gjëra me të cilat luhet çdo të premte e çdo të djelë nëpër faltore  e tempuj.
Nxënësit e shkollave do të jenë më të përgatitur për jetën nëse mësojnë si ka lindur feja; përse ka lindur; kush e ka krijuar; për çfarë dhe si e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë. Duhet të dijnë se si që në fillimet e saj, çdo fe, çdo besim, është përpjekur të ushtrojë autoritet dhe të justifikojë autoritetin; se si çdo strukturë fetare i ngjan një piramide, krejtësisht e ngjashme me piramidën e shtetit, dhe se si në krye qëndron ai që e quajnë jo rastësisht Zot, domethënë diçka që zotëron, ose zotëria, të cilit je i detyruar t’i bindesh. Se si nocioni i Zotit ngatërrohet shpesh me atë të Mbretit; se si Zoti është i gjithëpushtetshëm, ka pushtet, lidhet me pushtetin.  
Nxënësit e shkollave duhet të mësojnë për moralin e fesë. Jo të interpretuar sipas konteksteve që i leverdisin këtij apo atij grupi apo individi në një çast të caktuar, por për moralin e vërtetë që mund të nxirret nga tekstet fetare me syrin e paanshëm të një intelektali të shekullit të 21të. Për mësimet e mira të saj – mos vidh, mos fli me gruan e komshiut, mos fyej, por edhe për mësimet e saj jo dhe aq të mira mbi mënyrën se si duhen trajtuar skllevërit; si dhe kur duhen rrahur gratë; me çfarë dhe sa duhen mbuluar ato; ose si duhen vrarë apo masakruar, plaçkitur e përdhunuar popullsitë që i nënshtron me luftë; si të bësh mëkate sa të duash dhe të të falen ato duke u lutur e duke hedhur pare në faltore, etj. Shkolla është për të dhënë dije, jo për të predikuar. Duke dhënë dije, jashtë predikimit, shkolla do të përgatisë njerëz të ndërgjegjshëm, që dijnë të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe t’i marrin vetë vendimet për jetën e tyre.
Shkolla ka mundësinë t’iu mësojë nxënësve të vërtetën se si janë përhapur fetë. Se si dhe kur dolën fetë monoteiste, si u shpikën ato abrahamike nga njerëzit primitivë të Lindjes së Mesme të katërmijë vjetëve të shkuara, si u përhapën ato me shpatë e me kërbaç, me dredhi e sa me mashtrim. Si kanë luftuar me njëra tjetrën për ndarje territoriale – të mësojnë për perandoritë fetare, për fushatat fetare, për kryqëzatat dhe kryqëzimet, turrat e druve dhe gjuetitë e shtrigave, monopolizimin e dijes dhe mostolerimin e të menduarit ndryshe, shkatërrimin e kulturave paraardhëse dhe kontrollin total. T’iu mësojë se si janë futur fetë e ndryshme në popullin tonë dhe çfarë ka qënë roli i tyre i vërtetë në (pengimin e) krijimit të kombit. Të mësojnë edhe ç’mendonin rilindasit, ata që ngritën kombin shqiptar për fetë dhe rolin e tyre.
Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë se si predikohen fetë nga njerëz të ndryshëm. Se si ndryshimet në predikim dhe interpretim kanë sjellë ndarje – ndarje të Krishtërimit në katolikë, ortodoksë, anglikanë, evangjelistë, pentakostianë, presbiterianë, metodistë, të bashkuar, mormonë, koptikë, luterianë, e dhjetra sekte të tjera. Ndarjen e muslimanëve në shia, suni, bektashinj, sufi, bahai, druzë, alevis, etj. Se si të gjitha sektet janë të bashkuara dhe të ndarë nga njeri-tjetri; se si jetojnë në paqe dhe harmoni me njeri-tjetrin, por edhe ia kanë shqyer dhe vazhdojnë t’ia shqyejnë gurmazin njeri-tjetrit sa herë iu jepet rasti.
Vetëm duke mësuar për fenë, nxënësit do të jenë në gjendje të mbajnë qëndrim të vetedijshëm, intelektual, të ndërgjegjshëm dhe bindës në lidhje me to, të vendosin nëse do të duan t’i ndjekin apo t’i braktisin. Normalisht, në nëntëdhjetë përqind të rasteve, dikush që është lindur i krishterë mbetet gjithë jetën i krishterë, siç edhe ata që lindin nga prindër muslimanë mbeten të tillë, budistët mbeten budistë, hindutë mbeten hindu. Por edhe që Shqiptarët përbëjnë përjashtim, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk e ka për gjë ta ndërrojë fenë për arsye strategjike, ekonomike, apo politike, të kthehen në muslimanë kur ua kërkon turku apo arabi me pallë e me para në dorë, në katolikë kur ua kërkon pronari italian, dhe në ortodoksë kur emigrojnë në Greqi. Megjithatë, do të ishte diçka e mrekullueshme sikur t’i lihej shkollës, një shkolle laike dhe të pavarur, roli i informimit të brezit të ri, dhënies së dijeve të nevojshme për të vendosur nëse do të besosh apo jo dhe, nëse po, çfarë feje do të ndjekësh, kujt do t’ia falësh besimit, priftit, paput, hoxhës apo babait të teqesë. Apo që nuk do të ndjekësh asnjë denominim fetar zyrtar por do të besosh në diçka universale që s’ka lidhje me mënyrat e predikimit. Ose që do të arrish në përfundimin që të gjitha këto janë mitologji, dhe nuk do të besosh asnjërën prej tyre, megjithëse, ose më saktë, për shkak të faktit që i njeh kaq mirë ato ngaqë i ke bërë në shkollë.
Në këtë kuptim, shkolla do t’i mësonte nxenësit se si feja nuk ka asnjë lidhje me shkencën, përveç pengesës që i është bërë dhe vazhdohet t’i bëhet asaj. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje me politikën, me mënyrën se si drejtohet shteti, me vendimet që duhet të marrë një shtet, përveç përkrahjes që i bën krahut më anti-shoqëror të politikës, mbështetjes që iu bën atyre që pasurohen dhe duan të përjetësojnë pushtetin. Se si qytetarët e një shteti nuk ka përse, dhe nuk duhet kurrsesi të paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë institucione fetare, të cilat shfrytëzohen vetëm nga një fraksion i popullsisë. Që shteti nuk ka punë të lejojë konkurrencën për ngritjen e objekteve të kultit në mes të kryeqytetit, për t’i bërë qefin Vatikanit, Riadit, Athinës e kujtdo kryeqyteti tjetër fetar të botës.
Nëse vërtet qeveria shqiptare ka synim që ta japë në mënyrë të arsyeshme, të paanshme, jo-partizane, mësimin e fesë në shkollë, unë e përkrah atë me gjithë forcën. Kur them në mënyrë të arsyeshme e të paanshme, nënkuptoj që ai duhet dhënë jo nga njerëz fetarë, që kanë si synim të përhapin këtë apo atë fe, por nga mësues laikë, që kanë synim përhapjen e dijes, përhapjen e të vërtetës, ndriçimin e mendjeve dhe zhvillimin e intelektit të nxënësve të tyre.  

Sunday, June 2, 2013

Çfarë i kanoset sistemit laik të Turqisë?



Nga Arash Dabestani, Pinar Sevinclidir dhe Ertugrul Ero për BBC Monitoring

Nuk është fare çudi që themeluesit e Republikës në vitin 1923 të jenë kthyer përmbys në varre këto ditë: imazhi i një Turqie si shtet thjesht laik dhe kombëtar që ata kishin – jo vetëm ndarje e fesë nga shteti, por edhe heqje e saj nga çdo aspekt i jetës publike – tani po vihet në dyshim.
Vlerat politike nuk janë diskutuar kurrë me kaq forcë sa gjatë kësaj periudhe para 89 vjetorit të Republikës Turke  që është në 29 Tetor. Dhe kjo për shkak të një procesi këshillimor të nisur nga parlamenti turk për t’i paraprirë kushtetutës së re.
Në përgjithësi shoqëria e mirëpriti nismën duke e parë atë si një bazë të re politike që do të zëvendësonte atë të vendosur nga grushti i shtetit i vitit 1980.
Mirëpo procesi ka hapur plagë të vjetra, veçanërisht me debatin e nxehtë mbi rolin e fesë në politikë dhe me natyrën gjithmonë e më konservative të jetës publike në vend.
Sipas Fadi Hakuras, një specialist në institucionin studimor Chatham House në Londër, laicizmi në Turqi është vështirë të përcaktohet. Sipas kushtetutës Turqia është shtet laik, por me një lloj laicizmi që duket se ka marrë një formë të caktuar për shkak të “rrethanave historike dhe gjeografike të vendit.”
Për shembull, pavarësisht nga rastet e dukshme të zbatimit simbolik të laicizmit në jetën e përitshme, si ndalimi i ferexheve në institucione publike, ka shumë anë të tjera të shtetit turk që nuk përputhen me laicizmin.
Disa kritikë veçojnë Drejtorinë e Marrëdhënieve Fetare dhe vënë në dyshim vetë qënien e një të ashtuquajturi shtet laik. Drejtoria në fjalë administrohet nga nëpunës shtetërorë dhe financohet nga burime shtetërore; megjithatë ajo iu ofron shërbime vetëm muslimanëve Suni – që përbëjnë shumicën në Turqi.
Ndërkohë Kryeministri Rexhep Taip Erdogan akuzohet se në mënyra të tërthorta nxit konservatorizmin fetar.
Pakicat e Krishtere dhe Çifute, Muslimanët jo-ortodoksë Alevi, dhe ata që nuk besojnë, nuk marrin asnjë shërbim nga Drejtoria.
Procesi i këshillimit publik ka nxitur diskutime mbi pyetjen nëse forma e tanishme e laicizmit në Turqi duhet të reformohet apo të ripërcaktohet. Ky debat është shumë i rëndësishëm, pasi do të vendosë se në çfarë niveli do të jetë feja në gjendje të ndikojë mbi jetën publike dhe politike të vendit.
Shumë organizata jo-qeveritare kanë shprehur hapur mendimin për këtë çështje.
Shoqata e Industrisë dhe Biznesit Turk (Tusiad), një nga OJQ-të më në zë, mendon se “laicizmi në Turqi është ndryshe nga varjanti i tij në Perëndim, pasi shteti nuk e ka shkëputur veten në mënyrë të barabartë nga të gjithë fetë, besimet, dhe mos-besimet.”
“Statusi i tanishëm i Drejtorisë së Marrëdhënieve Fetare është edhe kundër laicizmit, edhe kundër lirisë së fesë dhe ndërgjegjes.”
Kryeministri Rexhep Taip Erdogan nuk iu shmanget diskutimeve. Bashkë me partinë e tij Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që i ka rrënjët në Islam, gjatë një dhjetëvjeçari të tërë në pushtet ai ka bërë ç’është e mundur që të ri-interpretojë laicizmin.
Për shembull, Zoti Erdogan dhe partia a tij nuk kanë pranuar të vazhdojnë ta zbatojnë ndalimin e rreptë që i bëhet fesë në të gjitha apektet e jetës publike dhe kufizimit të saj në jetën private. Jo vetëm kaq, por kryeministri nuk rresht së përsërituri se “laikë mund të jenë vetëm shtetet, jo individët.”
Në fillim të këtij viti Z. Erdogan ngjalli reagim kur deklaroi se ëndërronte të shihte një “brez besimtarësh të përkushtuar.” Për më tepër parlamenti miratoi edhe një ligj që i lejonte shkollat fetare të njohura me emrin imam hatip që të pranonin edhe fëmijë të moshës 11 vjeç.
Kryeministri gjeti rastin ta përhapte arsyetimin e tij të ri gjatë vizitës në Egjipt në Shtator 2011. Ai e përcaktoi veten si kryeministri musliman i një shteti laik, përqasje e cila u komentua nga analistët turkë si revizionim i “laicizmit”.
Janë pikërisht lëvizje si kjo që kanë provokuar kritikat ndaj Z. Erdogan. Ai akuzohet se ka pikësynime islamike dhe se vjedhurazi po nxit konservatizmin fetar.
Forma e ardhme e laicizmit në Turqi varet shumë nga ndryshimet që priten të ndodhin në sistemin politik.
Shumë njerëz janë të bindur se kryeministri mbështet një system presidencial me fuqi kushtetuese të përforcuara.
Mendohet se ai mund kërkojë edhe një ndryshim në kushtetutë që të paraqesë sistemin presidencial. Kundërshtarët e tij druhen se ndryshimi nga sistemi i tanishëm parlamentar do t’i japë pushtet të tepruar një njeriu që qysh tani akuzohet për autoritarianizm. 
Erdogan Toprak, zëvendës kryetar i Partisë Popullore Republikane në opozitë thotë se kryeministri “dëshiron të kthejë në pushtet sulltanin” – duke iu referuar kohëve të shkuara të Perandorisë Otomane, përpara se Turqia të bëhej Republikë.
“AKP synonë që ta kthejë shoqërinë pas dhe ta shndërrojë atë në një ummah (komunitet islamik). Ajo dë të kthejë së mbrapsh konceptin e individit, të krijuar nga republika, dhe t’i shndërrojë qytetarët në subjekte,” thotë ai.
Por Z. Erdogan mendon se besimi islamik i vendit nuk duhet mbajtur fshehur. Muajin e shkuar, në një fjalim ai tha se ekujlibri midis vlerave demokratike dhe besimit fetar që ka krijuar Turqia duhet të jetë frymëzues për të tjerët.
“Në një vend ku shumica e njerëzve janë muslimanë, ne e lemë demokracinë të sundojë në formën e saj më të përparuar, duke u kthyer në shembull për të gjithë vendet muslimane,” tha ai.



Saturday, March 30, 2013




Çfarë i mban shqiptarët shqiptarë
Arben Kallamata

"Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" (Nga Lahuta e Malcis, Gjergj Fishta)

Ndoqa me vëmendje bisedën e Kim Mehmetit në lidhje me promovimin e librit të tij të ri Shkupi, për të cilën është bërë aq zhurmë kohët e fundit. Biseda është shumë e mirë, shumë e qartë, shumë e argumentuar, deri sa arrin në minutën e 32të të saj, kur shkrimtari lëshon këto fjalë:
“Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjone destruktive por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjonin si …Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thashë më parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht. Mund t’ia u dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i ke, katolikët shqiptarë nuk i ke në Shkup. I ke vetëm shqiptarët muslimanë.” (Transkriptimi im, AK)
Krejtësisht e pavërtetë, krejtësisht e gabuar. Ajo që të çuditi më tepër, ishte që këto fjalë bijen në kundërshtim me gjithçka që vetë Kim Mehmeti ka thënë deri në atë pikë të bisedës. Ai flet për shkrirjen masive të shqiptarëve katolikë (rreth 60 mijë, sipas bisedës), të cilët të detyruar nga shtypja kanë lëvizur për në Kroaci; flet për tretjen e një numri të madh shqiptarësh ortodoksë, të cilët duke u lidhur me kishën greke ishin shndëruar në grekë (gjë që e dimë të gjithë që ka ndodhur jo vetëm në Shkup por edhe gjetkë); flet edhe për firosjen e shqiptarëve muslimanë, sidomos pas ikjeve të shumta në Turqi. Kim Mehmeti duket se ka në kokë një tablo të qartë dhe të mirëinformuar për historinë e shqiptarëve të Shkupit, ose të historisë së Shkupit si qytet shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë informacion, ai lëshoi deklaratën e mësipërme.
Pyetja është: A duhet anatemuar shkrimtari kështu siç po bëjmë këto kohët e fundit në media publike dhe shoqërore, apo duhet pranuar ajo që është e logjikshme dhe bindëse nga biseda e tij – ndoshta 95 përqind e atyre që thotë – duke kërkuar prej tij dhe kujtdo tjetër që ka dëshirë të marrë pjesë në këtë diskutim mundësinë e sqarimit, saktësimit, ose ndoshta ri-pozicionimit.
Mendoj se këtu nuk ka fare vend për urrejtje dhe shfryrje pasionante nacionaliste. Nëse një intelektual hedh një tezë të gabuar, përse të mos e marrim shtruar, ta diskutojmë dhe të shprehim mendimin në lidhje me të, ta analizojmë dhe kundërsthojmë mënyrë qytetare, pa qënë nevoja për etiketime dhe sharje.
Për mendimin tim, as muslimanizmi, as katolicizmi, as ortodoksia, as bektashizmi si fe nuk e kanë ndihmuar ndonjëherë çështjen kombëtare shqiptare. Dhe, meqë ra fjala, as paganizmi. Është më se e vërtetë që ka pasur klerikë patriotë të të katër feve, siç është po aq e vërtetë edhe që ka pasur klerikë anti-shqiptarë të të katër feve. Por s’mund të thuash se fetë në vetvete kanë ndihmuar në mbijetesën e shqiptarëve në komb. Të paktën unë s’di ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, sa herë që kanë futur hundët në punët e politikës, gjë që nuk ka ndodhur rrallë, fetë në Shqipëri kanë përfaqësuar interesat e atyre që i kanë sjellë.
Vetëdijen shqiptare e ka ndihmuar vetëm aftësia e shqiptarëve për ta vënë përkatësinë etnike-kombëtare përmbi çdo vetëdije tjetër – sidomos përmbi vetëdijen fetare. Ose, për t’i parë këto të dyja, ashtu siç duhen parë - krejtësisht të ndara nga njëra tjetra. Këtë element e kanë kapur edhe rilindasit  dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm Pashko Vasa me vargun e tij monumental “feja e shqiptarëve është shqiptaria”, por edhe Naim Frashëri, edhe Konica, edhe Fishta. Vargjet e Fishtës te Lahuta e Malcis e japin në mënyrën më të përmbledhur dhe artistike atë që i ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi:  "Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj".
Jo pa të drejtë në bisedën e tij Kim Mehmeti vë në dukje se vitet më shkatërruese për vetëdijen e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qënë dhjetëvjeçarët e Jugosllavisë komuniste. Ai thekson se është ndjekur një politikë e menduar mirë anti-shqiptare ndërkohë që edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pjesën e tyre të fajit. Kjo është më se e vërtetë. Një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë rënë në grackën jugosllavo-maqedonase të cytjes kah islamizmi, kah identifikimi me muslimanizmin. Për dyzetë vjet të Jugosllavisë, por edhe sot, autoritetet maqedonase i kanë shtyrë shqiptarët larg shkollave shqipe dhe drejt medreseve, larg librave laikë shqip dhe drejt librave fetarë shqip. Fatkeqsisht, shqiptarët atje janë treguar të paaftë për t’iu përgjigjur kësaj politike. Por kjo vërteton të kundërtën e asaj që thotë Kim Mehmeti në deklaratën që citova në krye të këtij shkrimi. Kjo tregon se muslimanizmi nuk ka qënë mburojë, por mbulojë e shqiptarisë. Ka qënë guri i rëndë i varrit që Maqedonasit e kanë ngritur me kujdes për të mbuluar vetëdijen etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Saturday, September 22, 2012

Hë për Hë

Hoxhët për Hollivudin - një nismë e re për në mbrojtje të ndjenjave të muslimanëve dhe për të shmangur zemërimin popullor. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike kanë nisur bisedimet me qeveritë e Libisë, Egjiptit, Jemenit, Iranit, Pakistanit, Somalisë dhe Arabisë Saudite për të emëruar një numër hoxhallarësh si mbikqyrës të industrisë amerikane të filmit. Si rezulatat i protestave të popullsisë muslimane kundër mungesës së kontrollit të qeverisë amerikane mbi prodhimin e filmave që fyejnë Islamin, grupi i 7 vendeve islamike (GI7) ka kërkuar urgjentisht marrjen e masave për të vënë në kontroll industrinë e filmave në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues nga 7 vende islamike, si edhe nga SHBA dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike u takuan në Dubai për të diskutuar kushtet e emërimit të një numri hoxhallarësh që do të "mbikqyrin industrinë filmike." Takimi është koduar si Samiti G17-US-AMPAS. Në Hollivud ka pasur zëra të shkëputur kineastësh të pakënaqur, që kanë shprehur shqetësimin se ky hap do të kufizojë lirinë, duke lënë të kuptohet se kjo mund të kthehet në një formë censure që do të ngjushtojë hapësirën e shprehjes artistike. Megjithatë, përfaqësuesit e G17 ngulin këmbë se në kushtet e sotme masa të tilla janë të domosdoshme dhe se të gjithë duhet të sakrifikojnë nga pak për hir të paqes dhe bashkëpunimit. Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit deklaroi se hapa të tillë janë të nevojshëm për të siguruar jetën e personelit diplomatik amerikan. Sekretari i Shtypit për Shtëpinë e Bardhë Jay Carney u përpoq të shpjegojë se kjo masë nuk ka të bëjë fare me censurën. Hoxhallarët do t'i lejojnë industrisë amerikane të filmit liri të plotë shprehjeje, me përjashtim të temave që mund të jenë fyese për islamin dhe që shkojnë në kundërshtim me ato që i shohin si vlera themelore të fesë së tyre dhe të Kuranit. Një programi i përbashkët qeveritar midis Arabisë Saudite dhe Iranit ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e programit të ri, i cili hë për hë do të quhet "H për H" (Hoxhallarët për Hollivudin). Kjo do të thotë se shpenzimet e jetesës dhe rrogat e personelit fetar që do të emërohet pranë Hollivudit, si edhe shpenzimet për veprimtarinë e të gjithë programit do të mbulohen krejtësisht nga dy vendet islamike, pa i kushtuar asnjë qindarkë taksapaguesve amerikanë. Samiti GI7, me pjesmarrjen e përfaqësuesve nga qeveria amerikane dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike po diskutojnë tani hollësitë e vënies në jetë të procesit të kontrollit. Sipas raporteve, dje u ra dakort që secili nga vendet pjesmarrëse të GI7 do të emëronte nga një hoxhë, me përjashtim të Iranit, i cili do të përfaqësohet me një Ajatullah. Përkohësisht, të 7 klerikët e lartë do të akreditohen me Shoqatën e Shtypit të Huaj në Hollivud.