Showing posts with label historia. Show all posts
Showing posts with label historia. Show all posts

Sunday, March 23, 2014

Gëzuar Novruzin – Ditën e Parë të Verës.



Festimi i Ditës së Verës – Novruzit në Shqipëri me vuri paksa në lëvizje për t’i hulumtuar prejardhjen si festë dhe si emërtim.
Së pari bëra një kërkim të shpejtë në shqip, ku kryesisht më rezultoi se Baba Mondi, i referuar nga burimet e lajmeve si Kreu i Bektashinjve, i ka uruar besimtarët e vet për këtë festë. Nuk kanë munguar edhe urimet që kryetarët e të gjitha partive i kanë dërguar Baba Mondit dhe gjithë bektashinjve të Shqipërisë për këtë festë, që mesa duket, në Shqipëri ka filluar të konsiderohet si ekzluzivisht e besimtarëve bektashinj. Në përshëndetjen e tij Baba Mondi thotë:  “Sot në këtë ditë të bukur të pranverës, 22 marsit, festës së Sulltan Nevruzit dhe lindjes së madhit Ali, ju uroj paçi bekim kurdoherë në veprat tuaja të mira, Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqim në udhën tuaj.”
Pastaj iu ktheva kërkimit në anglisht ku më rezulton se Nouruz (nga persishtja: Dita e Re) është emri i festës Iraniane (Persiane) të Vitit të Ri (Kalendari diellor persian) që korrespondon me Ekujnoksin pranveror. Pra, në kalendarin diellor të Persisë së Lashtë, Nouruzi shënonte ditën e parë të vitit të ri që zakonisht bije në 21 Mars. Nouruzi është festë jo-fetare, laike. Për mijëra vjet s’ka pasur lidhje me ndonjë perëndi, por ka lidhje me çastin kur Dielli kalon përmes ekuatorit qiellor dhe kur dita barazohet me natën. Duket më tepër si festë shkencore, astronomike.
Festa ka lindur në Persi (Irani i sotëm) dhe nderohet në vende që kanë qënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Persisë ose kanë pasur popullsi të imigruara prej andej, ku përfshihen Azerbajxhani, Kurdistani, Afganistani, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Kyrgistani, Kazakistani dhe, natyrisht, Shqipëria. Nouruzi është festuar të paktën që para 3000 vjetësh dhe, sipas të dhënave historike në vitet 550 – 330 para erës sonë, në Perandorinë e Persisë ishte traditë që mbretërit e kombeve të vegjël t’i sillnin dhurata Perandorit pikërisht në ditën e Nouruzit.
Baba Mondi, kreu i bektashinjve shqiptarë e lidh Nouruzin me “lindjen e të madhit Ali” duke iu referuar, pa dyshim, Imam Aliut, kushëri dhe dhëndër i Profetit Muhamet, luftëtar arab dhe Kalif i Kalifatit Islamik. Natyrisht, për festat e tre muslimanët përdorin kalendarin hënor (Hixhri), jo kalendarin civil djellor që përdorim ne sot. Prandaj edhe festimi i ditëlindjes së tij bëhet sipas këtij kalendari – domethënë që çdo vit ditëlindja lëviz në muaj të ndryshëm të kalendarit diellor, sipas mospërputhjes midis të dy kalendarëve. Në Iran sivjet ajo festohet në 14 maj; vjet është festuar në 24 Maj, ndërsa në 2012 në 3 Qershor. Vështirë të thuash se kur saktësisht ka lindur Imam Aliu qoftë edhe sipas kalendarit Islamik, pasi ky kalendar e fillon numërimin e viteve me vitin 622 të erës sonë, vit kur Profeti Muhamet lëvizi nga Meka në Medina dhe kur Imam Aliu duhet të ketë qënë 21-22 vjeç. Natyrisht, janë bërë përpjekje për të përcaktuar se në ç’datë me kalendarin civil i bije të ketë lindur Imam Aliu dhe për këtë jepen tre data – 20 Shtator 601; 17 Korrik 607 ose 600.
Nuk ka asnjë të dhënë bindëse që të vërtetojë që Imam Aliu të ketë lindur në ditën e Nouruzit dhe është më e mundur që dita e Novruzit të jetë zgjedhur për t’iu përshtatur ditëlindjes së Imam Aliut se sa që dita e lindjes së Imam Aliut të ketë përkuar me ditën e Nouruzit.
Këtë e përforcon më tepër edhe fakti që një grup muslimanësh e përkon Nouruzin jo me ditën e lindjes së Imam Aliut, por me ditën kur ai erdhi në pushtet si Kalif i Kalifatit Islamik në vitin 656. Muslimanët Suni e konsiderojnë Imam Aliun si një kalif mes shumë të tjerëve, i katërti nga radha, ndërsa muslimanët Shia thonë se ai është Kalifi i parë i vërtetë pas Profetit Muhamet. Për shiat Imam Aliu është figura e dytë e rëndësishme pas Profetit. Mospajtimi në lidhje me Imam Aliun ka krijuar hendekun e madh midis muslimanëve, hendek që edhe sot e kësaj dite merr trajta konfliktesh, vrasjesh e masakrimesh. Por kjo është temë më vete. Hë për hë na intereson vetëm lidhja e Imam Aliut me Novruzin. Për këtë besoj se ka rëndësi fakti që Imam Aliu konsiderohet si tejet i rëndësishëm nga muslimanët Shia – ku përfshihen muslimanët e Iranit, Turqisë, si edhe të gjithë atyre vendeve që përmenda më lart dhe që festojnë Novruzin.
Në parantezë, do të desha të përmend se janë jo të rralla rastet kur fetë monoteiste, sidomos Krishterimi, kanë marrë dhe pranuar rituale dhe tradita të paganizmit, të feve dhe besimeve të cilat ato i zëvendësuan dhe i konsideruan të papranueshme. Kjo është bërë për arsye se popullsitë indigjene të vendeve ku përhapej feja kanë qenë tepër të identifikuara me disa rituale dhe e kanë pasur të vështirë të shkëputen prej tyre. Në disa raste ato kanë mbyllur sytë dhe kanë lejuar vazhdimin e këtyre traditave në format e tyre para-kristiane – për shembull, festimi i Halloween, që është aq i përhapur sot në SHBA, Kanada, Angli etj., dhe që në origjinë është një ritual Kelt. Në raste të tjerë, janë përpjekur t’i përshtasin ritualet pagane dhe t’i përvetësojnë ato – t’i paraqesin si të krishtera që në origjinë. Këtu mund të përmendim Shën Valentinin që s’është gjë tjetër veçse një përshtatje e festivalit pagan romak të Luperkalias. Përgjithësisht, festimet që lidhen me fenomene astronomike janë para-kristiane, para-islamike, i përkasin një periudhe kur njerëzit studionin yjet, Diellin, Hënën dhe Tokën të pavarur nga fetë monoteiste. Një shembull paksa më i fortë se dy të parët është edhe caktimi i ditëlindjes së Krishtit në 25 Dhjetor.
Ka shumë të ngjarë që i njëjti fenomen të ketë ndodhur edhe me Novrizin e Imam Aliun. Muslimanët Shia të ish perandorisë Otomane, të cilët e pranuan Islamin me dëshirë dhe pa ua imponuar kush, madje duke qënë edhe fitues në luftë ndaj arabëve që e kishin nxjerrë islamin, mund të kenë vendosur ta tolerojnë një festë pagane aq të rëndësishme sa Novruzi dhe t’iu bëjnë një lëshim popullsive të ish perandorisë persiane të cilën ata kishin kohë që e kontrollonin. Prandaj edhe Novruzi njihet si festë jo-fetare, laike, në të gjitha ato vende, ndërkohë që shihet si sakreligj, si blasfemi, nga pjesa konservatore e muslimanëve Suni.
Nuk është aspak çudi që shumë më vonë, kur janë shkëputur nga trungu i Shiave, bektashinjtë ta kenë parë të udhës ta lidhin festën pagane me diçka të besimit të tyre, me Imam Aliun, duke i caktuar atij ditëlindjen në këtë date. Me këtë zgjidhje fatlume, edhe festohet ditëlindja, edhe vazhdohet tradita e Nouruzit si Dita e Verës. Gjetje praktike, ndonëse jo origjinale.
Natyrisht, njerëzit kanë të drejtë të festojnë çfarë të duan dhe kur të duan. Por, duke parë historikun e Ditës së Verës, ose Novruzit (jo Sulltan Novruzit) e kupton se atë kanë të drejtë ta festojnë njëlloj të gjithë - muslimanë, bektashinj, ortodoksë, katolikë, ateistë, paganë - kushdo. Mua më pëlqen Dita e Verës. Më pëlqen Novruzi. Është festë që simbolizon ardhjen e një stine të ngrohtë, me ditë të gjata, gjelbërim – për të cilat njeriu ka shumë nevojë, veçanërisht pas një dimri të gjatë e të ftohtë. Nuk ka përse këtë festë ta monopolizojë njeri. Gëzuar Novruzin – Ditën e Parë të Verës. 

Saturday, March 30, 2013




Çfarë i mban shqiptarët shqiptarë
Arben Kallamata

"Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" (Nga Lahuta e Malcis, Gjergj Fishta)

Ndoqa me vëmendje bisedën e Kim Mehmetit në lidhje me promovimin e librit të tij të ri Shkupi, për të cilën është bërë aq zhurmë kohët e fundit. Biseda është shumë e mirë, shumë e qartë, shumë e argumentuar, deri sa arrin në minutën e 32të të saj, kur shkrimtari lëshon këto fjalë:
“Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjone destruktive por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjonin si …Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thashë më parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht. Mund t’ia u dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i ke, katolikët shqiptarë nuk i ke në Shkup. I ke vetëm shqiptarët muslimanë.” (Transkriptimi im, AK)
Krejtësisht e pavërtetë, krejtësisht e gabuar. Ajo që të çuditi më tepër, ishte që këto fjalë bijen në kundërshtim me gjithçka që vetë Kim Mehmeti ka thënë deri në atë pikë të bisedës. Ai flet për shkrirjen masive të shqiptarëve katolikë (rreth 60 mijë, sipas bisedës), të cilët të detyruar nga shtypja kanë lëvizur për në Kroaci; flet për tretjen e një numri të madh shqiptarësh ortodoksë, të cilët duke u lidhur me kishën greke ishin shndëruar në grekë (gjë që e dimë të gjithë që ka ndodhur jo vetëm në Shkup por edhe gjetkë); flet edhe për firosjen e shqiptarëve muslimanë, sidomos pas ikjeve të shumta në Turqi. Kim Mehmeti duket se ka në kokë një tablo të qartë dhe të mirëinformuar për historinë e shqiptarëve të Shkupit, ose të historisë së Shkupit si qytet shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë informacion, ai lëshoi deklaratën e mësipërme.
Pyetja është: A duhet anatemuar shkrimtari kështu siç po bëjmë këto kohët e fundit në media publike dhe shoqërore, apo duhet pranuar ajo që është e logjikshme dhe bindëse nga biseda e tij – ndoshta 95 përqind e atyre që thotë – duke kërkuar prej tij dhe kujtdo tjetër që ka dëshirë të marrë pjesë në këtë diskutim mundësinë e sqarimit, saktësimit, ose ndoshta ri-pozicionimit.
Mendoj se këtu nuk ka fare vend për urrejtje dhe shfryrje pasionante nacionaliste. Nëse një intelektual hedh një tezë të gabuar, përse të mos e marrim shtruar, ta diskutojmë dhe të shprehim mendimin në lidhje me të, ta analizojmë dhe kundërsthojmë mënyrë qytetare, pa qënë nevoja për etiketime dhe sharje.
Për mendimin tim, as muslimanizmi, as katolicizmi, as ortodoksia, as bektashizmi si fe nuk e kanë ndihmuar ndonjëherë çështjen kombëtare shqiptare. Dhe, meqë ra fjala, as paganizmi. Është më se e vërtetë që ka pasur klerikë patriotë të të katër feve, siç është po aq e vërtetë edhe që ka pasur klerikë anti-shqiptarë të të katër feve. Por s’mund të thuash se fetë në vetvete kanë ndihmuar në mbijetesën e shqiptarëve në komb. Të paktën unë s’di ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, sa herë që kanë futur hundët në punët e politikës, gjë që nuk ka ndodhur rrallë, fetë në Shqipëri kanë përfaqësuar interesat e atyre që i kanë sjellë.
Vetëdijen shqiptare e ka ndihmuar vetëm aftësia e shqiptarëve për ta vënë përkatësinë etnike-kombëtare përmbi çdo vetëdije tjetër – sidomos përmbi vetëdijen fetare. Ose, për t’i parë këto të dyja, ashtu siç duhen parë - krejtësisht të ndara nga njëra tjetra. Këtë element e kanë kapur edhe rilindasit  dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm Pashko Vasa me vargun e tij monumental “feja e shqiptarëve është shqiptaria”, por edhe Naim Frashëri, edhe Konica, edhe Fishta. Vargjet e Fishtës te Lahuta e Malcis e japin në mënyrën më të përmbledhur dhe artistike atë që i ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi:  "Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj".
Jo pa të drejtë në bisedën e tij Kim Mehmeti vë në dukje se vitet më shkatërruese për vetëdijen e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qënë dhjetëvjeçarët e Jugosllavisë komuniste. Ai thekson se është ndjekur një politikë e menduar mirë anti-shqiptare ndërkohë që edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pjesën e tyre të fajit. Kjo është më se e vërtetë. Një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë rënë në grackën jugosllavo-maqedonase të cytjes kah islamizmi, kah identifikimi me muslimanizmin. Për dyzetë vjet të Jugosllavisë, por edhe sot, autoritetet maqedonase i kanë shtyrë shqiptarët larg shkollave shqipe dhe drejt medreseve, larg librave laikë shqip dhe drejt librave fetarë shqip. Fatkeqsisht, shqiptarët atje janë treguar të paaftë për t’iu përgjigjur kësaj politike. Por kjo vërteton të kundërtën e asaj që thotë Kim Mehmeti në deklaratën që citova në krye të këtij shkrimi. Kjo tregon se muslimanizmi nuk ka qënë mburojë, por mbulojë e shqiptarisë. Ka qënë guri i rëndë i varrit që Maqedonasit e kanë ngritur me kujdes për të mbuluar vetëdijen etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Saturday, September 22, 2012

Hë për Hë

Hoxhët për Hollivudin - një nismë e re për në mbrojtje të ndjenjave të muslimanëve dhe për të shmangur zemërimin popullor. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike kanë nisur bisedimet me qeveritë e Libisë, Egjiptit, Jemenit, Iranit, Pakistanit, Somalisë dhe Arabisë Saudite për të emëruar një numër hoxhallarësh si mbikqyrës të industrisë amerikane të filmit. Si rezulatat i protestave të popullsisë muslimane kundër mungesës së kontrollit të qeverisë amerikane mbi prodhimin e filmave që fyejnë Islamin, grupi i 7 vendeve islamike (GI7) ka kërkuar urgjentisht marrjen e masave për të vënë në kontroll industrinë e filmave në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues nga 7 vende islamike, si edhe nga SHBA dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike u takuan në Dubai për të diskutuar kushtet e emërimit të një numri hoxhallarësh që do të "mbikqyrin industrinë filmike." Takimi është koduar si Samiti G17-US-AMPAS. Në Hollivud ka pasur zëra të shkëputur kineastësh të pakënaqur, që kanë shprehur shqetësimin se ky hap do të kufizojë lirinë, duke lënë të kuptohet se kjo mund të kthehet në një formë censure që do të ngjushtojë hapësirën e shprehjes artistike. Megjithatë, përfaqësuesit e G17 ngulin këmbë se në kushtet e sotme masa të tilla janë të domosdoshme dhe se të gjithë duhet të sakrifikojnë nga pak për hir të paqes dhe bashkëpunimit. Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit deklaroi se hapa të tillë janë të nevojshëm për të siguruar jetën e personelit diplomatik amerikan. Sekretari i Shtypit për Shtëpinë e Bardhë Jay Carney u përpoq të shpjegojë se kjo masë nuk ka të bëjë fare me censurën. Hoxhallarët do t'i lejojnë industrisë amerikane të filmit liri të plotë shprehjeje, me përjashtim të temave që mund të jenë fyese për islamin dhe që shkojnë në kundërshtim me ato që i shohin si vlera themelore të fesë së tyre dhe të Kuranit. Një programi i përbashkët qeveritar midis Arabisë Saudite dhe Iranit ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e programit të ri, i cili hë për hë do të quhet "H për H" (Hoxhallarët për Hollivudin). Kjo do të thotë se shpenzimet e jetesës dhe rrogat e personelit fetar që do të emërohet pranë Hollivudit, si edhe shpenzimet për veprimtarinë e të gjithë programit do të mbulohen krejtësisht nga dy vendet islamike, pa i kushtuar asnjë qindarkë taksapaguesve amerikanë. Samiti GI7, me pjesmarrjen e përfaqësuesve nga qeveria amerikane dhe Akademia e Arteve dhe Shkencave Filmike po diskutojnë tani hollësitë e vënies në jetë të procesit të kontrollit. Sipas raporteve, dje u ra dakort që secili nga vendet pjesmarrëse të GI7 do të emëronte nga një hoxhë, me përjashtim të Iranit, i cili do të përfaqësohet me një Ajatullah. Përkohësisht, të 7 klerikët e lartë do të akreditohen me Shoqatën e Shtypit të Huaj në Hollivud.