Showing posts with label shqiptaret. Show all posts
Showing posts with label shqiptaret. Show all posts

Tuesday, January 5, 2016

Koha e budallenjve



Historia nuk mund t'iu lihet budallenjve. Në fakt, budallenjve nuk
iu duhet lënë asgjë. Kohët e fundit më ka rënë në sy qarkullimi nëpër fb dhe Internet i shkrimit “Ja tezat që mbrojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve.” Duke e pritur të ishte idiotizëm, i rezistova disa herë tundimit për ta hapur, por kur vura re se e kishin postuar edhe dy-tri miq të mij të cilët i respektoj për gjykimin, thashë t’i hedh një sy. Dhe bëra mirë, sepse pas titullit pakuptim fshiheshin xhevahirë të paçmuara të budallallëkut, kotësisë, mendjengushtësisë dhe ngrefosjes nacionaliste.
Së pari, ai ose ajo anonim që e ka hartuar dhe postuar këtë paçavure (unë e ndoqa deri në një portal të quajtur bota.al, i cili citonte një tjetër koha news) duhet të mësojë kuptimin e fjalës “tezë”, e cila nuk do të thotë as “citim”, as “fjalë të thëna nga”, as “hamendësime të njerëzve me emra të huaj autoritetin shkencor ose logjik të të cilëve nuk mund ta vërtetojë askush” dhe as “grumbull fjalish me saktësi të paverifikueshme, që përndryshe nuk kanë asnjë kuptim.” Me një fjalë, “teza” kurrsesi nuk ka kuptimin e ca paragrafëve të shkurtër që përmbledhin gjithë budallallëkun pseudopatriotik të hartuar për të bërë të ndjehen mirë injorantët dhe entuziastët kokëboshë që fluturojnë me presh sa herë shënon gol kombëtarja e futbollit.
Nëqoftëse përtoni t’i hidhni një sy lidhjes që unë do ta ve në fund të këtij komenti, po iu sjell të përmbledhur disa nga “tezat që mbrojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve”.
-          M. Huancunthe Hecquard: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret dhe disa nëna shqiptare kanë përzënë prej shtëpisë bijtë e vet pasi ata ishin larguar nga front ii luftës. Ato i kishin kthyer në fushën e betejës.”
Se si mund të ndihmojë kjo thënie për të vërtetuar prejardhjen ilire të shqiptarëve vetëm një mendje tepër gjeniale, ose tepër e sëmurë mund ta shpjegojë. Plus, që nuk duket as të jetë e vërtetë. Femrat në kulturën tradicionale shqiptare kanë qënë krejtësisht të shtypura dhe të keqtrajtuara. Nëse ka një tipar dallues të kulturës tradicionale shqiptare ky është patriarkalizmi. Ndërsa jo historia e dëbimit të djemve frikacakë nga shtëpia për t’i dërguar në fushën e betejës duket një sajesë fort qesharake – me fushën e betejës që vazhdon të presë sa të shkojnë djemtë frikacakë nëpër shtëpija dhe sa t’i detyrojnë nënat e tyre trimëresha që të kthehen përsëri.
-          Lord Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizash më të mrekullueshëm në botë…Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre.” Nuk di ku e ka thënë Bajroni një gjë të tillë. Edhe po ta ketë thënë, përkthimi është i tmerrshëm. Sidoqoftë, duhet një përfytyrim i pazakontë për të nxjerrë nga larmija dhe bukuria e kostumeve popullore dhe e vetë shqiptarëve përfundimin se ata vijnë nga ilirët.
-          Henry Noel Brailsford: “…Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është “Mbinjeriu’ për të cilin Nietzche ëndërronte.” Me këtë unë do heq dorë nga kërkimi i lidhjes logjike mes thënieve dhe të qënit të shqiptarëve pasardhës të ilirëve. Por do desha të theksoj që kjo prirja primitive dhe tej mase inferiore për t’i nxjerrë shqiptarët racë superiore, duke kaluar sa nga “raca më e bukur” e Bajronit, te ‘mbinjeriu’ që ëndërronte Nietzche është jo vetëm qesharake, por edhe e rrezikshme. Çdo shqiptar me mend në kokë e ka për detyrë ta ngrerë zërin dhe t’i kundërshtojë me forcë sa herë që shprehen privatisht apo publikisht budallëqe të tilla. Pavarësisht nga kush janë shprehur – nga një i udhëtar i panjohur i shekullit të 19të, apo nga ndonjë mendjendritur i famshëm i shekullit të njëzetë. Sa herë që merren dhe risillen, këto psikopaci nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë psikikën kombëtare.
-          Giusepe Katapangu : “Atllantida e cila është zhdukur para 12,000 vjetësh ishte tokë e ilirëve (pellazgëve), të cilët shpëtuan nga përmbytja e Atlantidës dhe filluan civilizimet e reja në të gjitha kontinentet, sidomos në Evropë, Afrikë dhe Azi të vogël!” Ky gomarllëku i Atllantidës (që në të njëjtën paragraf shkruhet edhe Atlantida – me një ‘l’) është nga ato zbulimet e rralla që vetëm njerëz me sëmundje mendore mund t’i bëjnë. Fatkeqsisht, ai qarkullon sa në një anë në tjetrën, duke frymëzuar një atdhedashuri të paparë, ndjenja boshe të një krenarie prej të menderosuri që të sjell zorrët e barkut te goja.
-          Maks Myle : ‘’Emrat e mjaft popujve të njohur rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘Ar’. Kjo vlen edhe për mjaftë vende të botës.’’ Kjo është padushim perla më e vlefshme e këtij gjerdani broçkullash. Cilët janë emrat e popujve dhe vendeve të njohur të botës që rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘ar’? Argjentinasit, Arubasit, Armenët? Unë vetëm kaq gjeta. Në fakt, Argjentinasit rrjedhin nga fjala Argjend, jo Ar – që ka prejardhje latine – ashtu si edhe edhe vetë fjala ar. Po kush është Maks Myle, meqë ra fjala? Ose kush është Giusepe Katapangu; Agostino Ribeco, Edvin Pears, Edvin Jasques? Po Haki Pasha?
-          Haki Pasha: ‘Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi.” Puna është se Perandorinë Osmane e ka marrë lumi me kohë, ndërsa historia e shqiptarëve s’ka dalë ende sheshit. Dhe s’ka për të dalë kurrë nëqoftëse me këtë punë merren lloj-lloj budallenjsh të pakualifikuar.
E keqja është që interneti i ka dhënë mundësi çdo njeriu me një tastierë dhe një ekran në dorë të bëhet specialist në çdo fushë që të dojë. Janë sheshuar të gjitha vlerat. Dhe, për më tepër, Facebook-ut dhe portaleve iu mungon butoni “unlike”, ose “idiotizëm”.  Prandaj dhe budallallëqet qarkullojnë lirisht.  Ato po kthehen në normë. Dhe kur del dikush dhe thotë ndonjë gjë me mend, s’ia vë veshin asnjeri, ose i vërsulen duke e akuzuar si anti-kombëtar, të shitur, tradhëtar.
Dikush ka thënë se sot është koha e maskarenjve. Mendoj se e ka gabim. Sot është koha e budallenjve. 

http://www.bota.al/2016/01/ja-tezat-qe-mbrojne-prejardhjen-ilire-te-shqiptareve


Saturday, March 30, 2013




Çfarë i mban shqiptarët shqiptarë
Arben Kallamata

"Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" (Nga Lahuta e Malcis, Gjergj Fishta)

Ndoqa me vëmendje bisedën e Kim Mehmetit në lidhje me promovimin e librit të tij të ri Shkupi, për të cilën është bërë aq zhurmë kohët e fundit. Biseda është shumë e mirë, shumë e qartë, shumë e argumentuar, deri sa arrin në minutën e 32të të saj, kur shkrimtari lëshon këto fjalë:
“Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjone destruktive por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjonin si …Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thashë më parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht. Mund t’ia u dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i ke, katolikët shqiptarë nuk i ke në Shkup. I ke vetëm shqiptarët muslimanë.” (Transkriptimi im, AK)
Krejtësisht e pavërtetë, krejtësisht e gabuar. Ajo që të çuditi më tepër, ishte që këto fjalë bijen në kundërshtim me gjithçka që vetë Kim Mehmeti ka thënë deri në atë pikë të bisedës. Ai flet për shkrirjen masive të shqiptarëve katolikë (rreth 60 mijë, sipas bisedës), të cilët të detyruar nga shtypja kanë lëvizur për në Kroaci; flet për tretjen e një numri të madh shqiptarësh ortodoksë, të cilët duke u lidhur me kishën greke ishin shndëruar në grekë (gjë që e dimë të gjithë që ka ndodhur jo vetëm në Shkup por edhe gjetkë); flet edhe për firosjen e shqiptarëve muslimanë, sidomos pas ikjeve të shumta në Turqi. Kim Mehmeti duket se ka në kokë një tablo të qartë dhe të mirëinformuar për historinë e shqiptarëve të Shkupit, ose të historisë së Shkupit si qytet shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë informacion, ai lëshoi deklaratën e mësipërme.
Pyetja është: A duhet anatemuar shkrimtari kështu siç po bëjmë këto kohët e fundit në media publike dhe shoqërore, apo duhet pranuar ajo që është e logjikshme dhe bindëse nga biseda e tij – ndoshta 95 përqind e atyre që thotë – duke kërkuar prej tij dhe kujtdo tjetër që ka dëshirë të marrë pjesë në këtë diskutim mundësinë e sqarimit, saktësimit, ose ndoshta ri-pozicionimit.
Mendoj se këtu nuk ka fare vend për urrejtje dhe shfryrje pasionante nacionaliste. Nëse një intelektual hedh një tezë të gabuar, përse të mos e marrim shtruar, ta diskutojmë dhe të shprehim mendimin në lidhje me të, ta analizojmë dhe kundërsthojmë mënyrë qytetare, pa qënë nevoja për etiketime dhe sharje.
Për mendimin tim, as muslimanizmi, as katolicizmi, as ortodoksia, as bektashizmi si fe nuk e kanë ndihmuar ndonjëherë çështjen kombëtare shqiptare. Dhe, meqë ra fjala, as paganizmi. Është më se e vërtetë që ka pasur klerikë patriotë të të katër feve, siç është po aq e vërtetë edhe që ka pasur klerikë anti-shqiptarë të të katër feve. Por s’mund të thuash se fetë në vetvete kanë ndihmuar në mbijetesën e shqiptarëve në komb. Të paktën unë s’di ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, sa herë që kanë futur hundët në punët e politikës, gjë që nuk ka ndodhur rrallë, fetë në Shqipëri kanë përfaqësuar interesat e atyre që i kanë sjellë.
Vetëdijen shqiptare e ka ndihmuar vetëm aftësia e shqiptarëve për ta vënë përkatësinë etnike-kombëtare përmbi çdo vetëdije tjetër – sidomos përmbi vetëdijen fetare. Ose, për t’i parë këto të dyja, ashtu siç duhen parë - krejtësisht të ndara nga njëra tjetra. Këtë element e kanë kapur edhe rilindasit  dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm Pashko Vasa me vargun e tij monumental “feja e shqiptarëve është shqiptaria”, por edhe Naim Frashëri, edhe Konica, edhe Fishta. Vargjet e Fishtës te Lahuta e Malcis e japin në mënyrën më të përmbledhur dhe artistike atë që i ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi:  "Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj".
Jo pa të drejtë në bisedën e tij Kim Mehmeti vë në dukje se vitet më shkatërruese për vetëdijen e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qënë dhjetëvjeçarët e Jugosllavisë komuniste. Ai thekson se është ndjekur një politikë e menduar mirë anti-shqiptare ndërkohë që edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pjesën e tyre të fajit. Kjo është më se e vërtetë. Një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë rënë në grackën jugosllavo-maqedonase të cytjes kah islamizmi, kah identifikimi me muslimanizmin. Për dyzetë vjet të Jugosllavisë, por edhe sot, autoritetet maqedonase i kanë shtyrë shqiptarët larg shkollave shqipe dhe drejt medreseve, larg librave laikë shqip dhe drejt librave fetarë shqip. Fatkeqsisht, shqiptarët atje janë treguar të paaftë për t’iu përgjigjur kësaj politike. Por kjo vërteton të kundërtën e asaj që thotë Kim Mehmeti në deklaratën që citova në krye të këtij shkrimi. Kjo tregon se muslimanizmi nuk ka qënë mburojë, por mbulojë e shqiptarisë. Ka qënë guri i rëndë i varrit që Maqedonasit e kanë ngritur me kujdes për të mbuluar vetëdijen etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.