Çfarë i mban shqiptarët shqiptarë
Arben Kallamata
"Edhe
un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab;
lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" (Nga Lahuta e Malcis,
Gjergj Fishta)
Ndoqa me vëmendje bisedën e Kim Mehmetit në lidhje me
promovimin e librit të tij të ri Shkupi, për të cilën është bërë aq zhurmë kohët
e fundit. Biseda është shumë e mirë, shumë e qartë, shumë e argumentuar, deri
sa arrin në minutën e 32të të saj, kur shkrimtari lëshon këto fjalë:
“Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjone destruktive
por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjonin si …Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e
thashë më parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare,
absolutisht. Mund t’ia u dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i ke,
katolikët shqiptarë nuk i ke në Shkup. I ke vetëm shqiptarët muslimanë.”
(Transkriptimi im, AK)
Krejtësisht e pavërtetë, krejtësisht e gabuar. Ajo që të
çuditi më tepër, ishte që këto fjalë bijen në kundërshtim me gjithçka që vetë
Kim Mehmeti ka thënë deri në atë pikë të bisedës. Ai flet për shkrirjen masive
të shqiptarëve katolikë (rreth 60 mijë, sipas bisedës), të cilët të detyruar nga
shtypja kanë lëvizur për në Kroaci; flet për tretjen e një numri të madh
shqiptarësh ortodoksë, të cilët duke u lidhur me kishën greke ishin shndëruar në
grekë (gjë që e dimë të gjithë që ka ndodhur jo vetëm në Shkup por edhe gjetkë);
flet edhe për firosjen e shqiptarëve muslimanë, sidomos pas ikjeve të shumta në
Turqi. Kim Mehmeti duket se ka në kokë një tablo të qartë dhe të mirëinformuar
për historinë e shqiptarëve të Shkupit, ose të historisë së Shkupit si qytet
shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë informacion, ai lëshoi deklaratën
e mësipërme.
Pyetja është: A duhet anatemuar shkrimtari kështu siç po bëjmë
këto kohët e fundit në media publike dhe shoqërore, apo duhet pranuar ajo që është
e logjikshme dhe bindëse nga biseda e tij – ndoshta 95 përqind e atyre që thotë
– duke kërkuar prej tij dhe kujtdo tjetër që ka dëshirë të marrë pjesë në këtë
diskutim mundësinë e sqarimit, saktësimit, ose ndoshta ri-pozicionimit.
Mendoj se këtu nuk ka fare vend për urrejtje dhe shfryrje
pasionante nacionaliste. Nëse një intelektual hedh një tezë të gabuar, përse të
mos e marrim shtruar, ta diskutojmë dhe të shprehim mendimin në lidhje me të,
ta analizojmë dhe kundërsthojmë mënyrë qytetare, pa qënë nevoja për etiketime
dhe sharje.
Për mendimin tim, as muslimanizmi, as katolicizmi, as ortodoksia,
as bektashizmi si fe nuk e kanë ndihmuar ndonjëherë çështjen kombëtare
shqiptare. Dhe, meqë ra fjala, as paganizmi. Është më se e vërtetë që ka pasur
klerikë patriotë të të katër feve, siç është po aq e vërtetë edhe që ka pasur
klerikë anti-shqiptarë të të katër feve. Por s’mund të thuash se fetë në
vetvete kanë ndihmuar në mbijetesën e shqiptarëve në komb. Të paktën unë s’di
ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, sa herë që kanë futur hundët në punët e
politikës, gjë që nuk ka ndodhur rrallë, fetë në Shqipëri kanë përfaqësuar
interesat e atyre që i kanë sjellë.
Vetëdijen shqiptare e ka ndihmuar vetëm aftësia e shqiptarëve
për ta vënë përkatësinë etnike-kombëtare përmbi çdo vetëdije tjetër – sidomos përmbi
vetëdijen fetare. Ose, për t’i parë këto të dyja, ashtu siç duhen parë - krejtësisht
të ndara nga njëra tjetra. Këtë element e kanë kapur edhe rilindasit dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, jo
vetëm Pashko Vasa me vargun e tij monumental “feja e shqiptarëve është
shqiptaria”, por edhe Naim Frashëri, edhe Konica, edhe Fishta. Vargjet e Fishtës
te Lahuta e Malcis e japin në mënyrën më të përmbledhur dhe artistike atë që i
ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi: "Edhe
un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem
n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj".
Jo pa të drejtë në bisedën e tij Kim Mehmeti vë në dukje se
vitet më shkatërruese për vetëdijen e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qënë dhjetëvjeçarët
e Jugosllavisë komuniste. Ai thekson se është ndjekur një politikë e menduar
mirë anti-shqiptare ndërkohë që edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pjesën e tyre
të fajit. Kjo është më se e vërtetë. Një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë
rënë në grackën jugosllavo-maqedonase të cytjes kah islamizmi, kah identifikimi
me muslimanizmin. Për dyzetë vjet të Jugosllavisë, por edhe sot, autoritetet
maqedonase i kanë shtyrë shqiptarët larg shkollave shqipe dhe drejt medreseve,
larg librave laikë shqip dhe drejt librave fetarë shqip. Fatkeqsisht, shqiptarët
atje janë treguar të paaftë për t’iu përgjigjur kësaj politike. Por kjo vërteton
të kundërtën e asaj që thotë Kim Mehmeti në deklaratën që citova në krye të këtij
shkrimi. Kjo tregon se muslimanizmi nuk ka qënë mburojë, por mbulojë e
shqiptarisë. Ka qënë guri i rëndë i varrit që Maqedonasit e kanë ngritur me
kujdes për të mbuluar vetëdijen etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment