Festimi i Ditës së Verës – Novruzit në Shqipëri me vuri
paksa në lëvizje për t’i hulumtuar prejardhjen si festë dhe si emërtim.
Së pari bëra një kërkim të shpejtë në shqip, ku kryesisht më
rezultoi se Baba Mondi, i referuar nga burimet e lajmeve si Kreu i
Bektashinjve, i ka uruar besimtarët e vet për këtë festë. Nuk kanë munguar edhe
urimet që kryetarët e të gjitha partive i kanë dërguar Baba Mondit dhe gjithë
bektashinjve të Shqipërisë për këtë festë, që mesa duket, në Shqipëri ka
filluar të konsiderohet si ekzluzivisht e besimtarëve bektashinj. Në përshëndetjen
e tij Baba Mondi thotë: “Sot në këtë
ditë të bukur të pranverës, 22 marsit, festës së Sulltan Nevruzit dhe lindjes
së madhit Ali, ju uroj paçi bekim kurdoherë në veprat tuaja të mira, Zoti qoftë
ndihmës drite dhe shkëlqim në udhën tuaj.”
Pastaj iu ktheva kërkimit në anglisht ku më rezulton se
Nouruz (nga persishtja: Dita e Re) është emri i festës Iraniane (Persiane) të
Vitit të Ri (Kalendari diellor persian) që korrespondon me Ekujnoksin
pranveror. Pra, në kalendarin diellor të Persisë së Lashtë, Nouruzi shënonte
ditën e parë të vitit të ri që zakonisht bije në 21 Mars. Nouruzi është festë
jo-fetare, laike. Për mijëra vjet s’ka pasur lidhje me ndonjë perëndi, por ka
lidhje me çastin kur Dielli kalon përmes ekuatorit qiellor dhe kur dita
barazohet me natën. Duket më tepër si festë shkencore, astronomike.
Festa ka lindur në Persi (Irani i sotëm) dhe nderohet në
vende që kanë qënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Persisë ose kanë pasur
popullsi të imigruara prej andej, ku përfshihen Azerbajxhani, Kurdistani,
Afganistani, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Kyrgistani, Kazakistani
dhe, natyrisht, Shqipëria. Nouruzi është festuar të paktën që para 3000 vjetësh
dhe, sipas të dhënave historike në vitet 550 – 330 para erës sonë, në
Perandorinë e Persisë ishte traditë që mbretërit e kombeve të vegjël t’i
sillnin dhurata Perandorit pikërisht në ditën e Nouruzit.
Baba Mondi, kreu i bektashinjve shqiptarë e lidh Nouruzin me
“lindjen e të madhit Ali” duke iu referuar, pa dyshim, Imam Aliut, kushëri dhe
dhëndër i Profetit Muhamet, luftëtar arab dhe Kalif i Kalifatit Islamik.
Natyrisht, për festat e tre muslimanët përdorin kalendarin hënor (Hixhri), jo
kalendarin civil djellor që përdorim ne sot. Prandaj edhe festimi i ditëlindjes
së tij bëhet sipas këtij kalendari – domethënë që çdo vit ditëlindja lëviz në
muaj të ndryshëm të kalendarit diellor, sipas mospërputhjes midis të dy kalendarëve.
Në Iran sivjet ajo festohet në 14 maj; vjet është festuar në 24 Maj, ndërsa në
2012 në 3 Qershor. Vështirë të thuash se kur saktësisht ka lindur Imam Aliu qoftë
edhe sipas kalendarit Islamik, pasi ky kalendar e fillon numërimin e viteve me
vitin 622 të erës sonë, vit kur Profeti Muhamet lëvizi nga Meka në Medina dhe
kur Imam Aliu duhet të ketë qënë 21-22 vjeç. Natyrisht, janë bërë përpjekje për
të përcaktuar se në ç’datë me kalendarin civil i bije të ketë lindur Imam Aliu dhe
për këtë jepen tre data – 20 Shtator 601; 17 Korrik 607 ose 600.
Nuk ka asnjë të dhënë bindëse që të vërtetojë që Imam Aliu të
ketë lindur në ditën e Nouruzit dhe është më e mundur që dita e Novruzit të jetë
zgjedhur për t’iu përshtatur ditëlindjes së Imam Aliut se sa që dita e lindjes
së Imam Aliut të ketë përkuar me ditën e Nouruzit.
Këtë e përforcon më tepër edhe fakti që një grup muslimanësh
e përkon Nouruzin jo me ditën e lindjes së Imam Aliut, por me ditën kur ai
erdhi në pushtet si Kalif i Kalifatit Islamik në vitin 656. Muslimanët Suni e
konsiderojnë Imam Aliun si një kalif mes shumë të tjerëve, i katërti nga radha,
ndërsa muslimanët Shia thonë se ai është Kalifi i parë i vërtetë pas Profetit
Muhamet. Për shiat Imam Aliu është figura e dytë e rëndësishme pas Profetit. Mospajtimi
në lidhje me Imam Aliun ka krijuar hendekun e madh midis muslimanëve, hendek që
edhe sot e kësaj dite merr trajta konfliktesh, vrasjesh e masakrimesh. Por kjo është
temë më vete. Hë për hë na intereson vetëm lidhja e Imam Aliut me Novruzin. Për
këtë besoj se ka rëndësi fakti që Imam Aliu konsiderohet si tejet i rëndësishëm
nga muslimanët Shia – ku përfshihen muslimanët e Iranit, Turqisë, si edhe të
gjithë atyre vendeve që përmenda më lart dhe që festojnë Novruzin.
Në parantezë, do të desha të përmend se janë jo të rralla rastet
kur fetë monoteiste, sidomos Krishterimi, kanë marrë dhe pranuar rituale dhe
tradita të paganizmit, të feve dhe besimeve të cilat ato i zëvendësuan dhe i
konsideruan të papranueshme. Kjo është bërë për arsye se popullsitë indigjene të
vendeve ku përhapej feja kanë qenë tepër të identifikuara me disa rituale dhe e
kanë pasur të vështirë të shkëputen prej tyre. Në disa raste ato kanë mbyllur
sytë dhe kanë lejuar vazhdimin e këtyre traditave në format e tyre
para-kristiane – për shembull, festimi i Halloween, që është aq i përhapur sot
në SHBA, Kanada, Angli etj., dhe që në origjinë është një ritual Kelt. Në raste
të tjerë, janë përpjekur t’i përshtasin ritualet pagane dhe t’i përvetësojnë
ato – t’i paraqesin si të krishtera që në origjinë. Këtu mund të përmendim Shën
Valentinin që s’është gjë tjetër veçse një përshtatje e festivalit pagan romak
të Luperkalias. Përgjithësisht, festimet që lidhen me fenomene astronomike janë
para-kristiane, para-islamike, i përkasin një periudhe kur njerëzit studionin
yjet, Diellin, Hënën dhe Tokën të pavarur nga fetë monoteiste. Një shembull
paksa më i fortë se dy të parët është edhe caktimi i ditëlindjes së Krishtit në
25 Dhjetor.
Ka shumë të ngjarë që i njëjti fenomen të ketë ndodhur edhe
me Novrizin e Imam Aliun. Muslimanët Shia të ish perandorisë Otomane, të cilët
e pranuan Islamin me dëshirë dhe pa ua imponuar kush, madje duke qënë edhe
fitues në luftë ndaj arabëve që e kishin nxjerrë islamin, mund të kenë vendosur
ta tolerojnë një festë pagane aq të rëndësishme sa Novruzi dhe t’iu bëjnë një lëshim
popullsive të ish perandorisë persiane të cilën ata kishin kohë që e
kontrollonin. Prandaj edhe Novruzi njihet si festë jo-fetare, laike, në të
gjitha ato vende, ndërkohë që shihet si sakreligj, si blasfemi, nga pjesa
konservatore e muslimanëve Suni.
Nuk është aspak çudi që shumë më vonë, kur janë shkëputur
nga trungu i Shiave, bektashinjtë ta kenë parë të udhës ta lidhin festën pagane
me diçka të besimit të tyre, me Imam Aliun, duke i caktuar atij ditëlindjen në
këtë date. Me këtë zgjidhje fatlume, edhe festohet ditëlindja, edhe vazhdohet
tradita e Nouruzit si Dita e Verës. Gjetje praktike, ndonëse jo origjinale.
Natyrisht, njerëzit kanë të drejtë të festojnë çfarë të duan
dhe kur të duan. Por, duke parë historikun e Ditës së Verës, ose Novruzit (jo
Sulltan Novruzit) e kupton se atë kanë të drejtë ta festojnë njëlloj të gjithë
- muslimanë, bektashinj, ortodoksë, katolikë, ateistë, paganë - kushdo. Mua më
pëlqen Dita e Verës. Më pëlqen Novruzi. Është festë që simbolizon ardhjen e një
stine të ngrohtë, me ditë të gjata, gjelbërim – për të cilat njeriu ka shumë
nevojë, veçanërisht pas një dimri të gjatë e të ftohtë. Nuk ka përse këtë festë
ta monopolizojë njeri. Gëzuar Novruzin – Ditën e Parë të Verës.
No comments:
Post a Comment