Është dëshpëruese kur sheh sa thellë depërton korrupsioni,
babëzia dhe mungesa e skrupullit në të gjithë strukturat shtetërore. Por është
edhe më dëshpëruese kur sheh se metastazat nuk ndalen te shteti, por shtrihen
edhe ato anë të shoqërisë qytetare që mendohen si shpresa e fundit t’u mbrojtur
nga e keqja.
Rreth një muaj më parë Deklarata për Shtyp e një grupimi
intelektualësh i quajtur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore tërhoqi
vëmendjen jo vetëm të mediave në
Shqipëri dhe jashtë saj, por edhe të UNESCO-s me shqetësimin se qeveria
shqiptare ia kishte dhënë Parkun Kombëtar të Butrintit një personi privat. Akti
i dhënies ishte kryer në ditët e fundit të qeverisë Berisha. Autorët i
drejtoheshin të shqetësuar qeverisë së re me lutjen që të merrte masa për ta
anulluar këtë vendim. UNESCO nga ana e saj, iu përgjegj shqetësimit të
intelektualëve shqiptarë me një letër drejtuar qeverisë shqiptare ku kërkonte hetimin
e gjendjes dhe informacion të mëtejshëm.
Natyrisht, një lexues
i paanshëm i një deklarate të tillë nuk ka se si të mos shqetësohet dhe të mos
e shohë si serioze – një qeveri qe ka humbur zgjedhjet dhe që para se të
dorëzojë pushtetin shpërndan pa përgjegjësi si pronë private një nga pasuritë më
të çmuara të trashëgimisë së vendit; një grup intelektualësh të pavarur, të
ndershëm që ngrenë zërin për një padrejtësi të madhe ndaj diçkaje kaq sublime
sa trashëgimia kulturore; UNESCO e shqetësuar
për çka ndodh në Shqipëri.
E keqja është se lexuesi nuk ka nge dhe mundësi ta ndjekë e
ta gjurmojë gjithmonë të vërtetën. Këtë punë mund dhe duhet ta kryejë shtypi,
por gazetarët merren me gjëra të tjera, tepër të thella. Ndërkohë që, edhe pak
po ta gërvishtësh këtë histori do të çuditesh se sa erë të keqe vjen.
Së pari nuk duhet shumë mund për të parë se intelektualët e
pavarur që përbëjnë forumin e pavarur për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
nuk janë edhe aq të pavarur.
Në faqen e tij të FaceBook Forumi e përshkruan veten si: “…një
grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë, pa bindje politike,
por me dëshirën për të mbrojtur trashëgiminë kulturore…” Nuk është vështirë të
mësosh se ata janë pikërisht e kundërta – një grupim aktivistësh me bindje dhe
lidhje të forta politike. Auron Tare është
ish-Deputet i Parlamentit Shqiptar,
përfaqësues i Partisë Socialiste; Artan Shkreli është Këshilltar aktual
i Kryeministrit Rama; Artan Lame ka qënë Zëvendës Ministër dhe Nënkryetar i
Bashkisë së Tiranës nën Edi Ramën, ndërsa tani është Drejtor i ALUIZNI-t.
Natyrisht, paraqitja e intelektualëve të varur si intelektualë të
pavarur mund të mos jetë mashtrim i patolerueshëm. Mund të pretendohet se në
Shqipëri ka një shkallë të tillë ndërgjegje qytetare sa që nëpunësit e qeverisë
Rama, për shembull, janë nga ata intelektualë që punojnë 8 orë në zyrat e
qeverisë ose në parlament duke e parë veten si pjesë të karrocës së
kryeministrit, por ama, me të dalë nga zyra, e shkëpusin veten nga partia, lënë
mënjanë lidhjet partiake dhe i përkushtohen endrrave të tyre të pavarur
intelektuale. Prandaj ja vlen të lihen mënjanë pretendimet e rreme për pavarësi
intelektuale dhe t’i hidhet një sy vërtetësisë së atyre që thonë.
Thjesht duke lexuar deklaratën për shtyp nuk mund të mos të
të bijen në sy disa kundërthënie – të cilat mund të jenë thjesht gabime njerëzish
jo fort të mprehtë intelektualisht, ose përpjekje për të çoroditur lexuesin. Në
fund të paragrafit të parë të Deklaratës për Mediat (të cilën mund ta gjeni në
“http://www.shekulli.com.al/website/images/images19/1911812_10152305442778394_1275117971_n.jpg”)
shkruhet se Parku i Butrintit “Ju është
kthyer si pronë disa pronarëve privatë muajt e fundit të Qeverisjes
Berisha.” Në fund paragrafit të dytë shkruhet se “…edhe Qyteti Antik 3000
vjeçar i Butrintit tashmë ju është kthyer
Pronarëve fiktivë.” Në fund të paragrafit të tretë i bëhet thirrje Qeverisë
Rama që ta anullojë këtë vendim dhe Prokurorisë së Përgjithshme “të hapë hetime
për këtë çështje, duke nxjerrë përpara drejtësisë ata që kanë falsifikuar dokumentat apo kanë thyer ligjet shqiptare për zonën e mborjtur të Butrintit”. Pra,
në fillim shkruhet për pronarë private, pastaj
kalohet te pronarë fiktivë, dhe në
fund në falsifikues dokumentash që kanë
shkelur ligjin – tre kategori të ndryshme, ku e treta përbën një akuzë
serioze ligjore, e cila ose duhet vërtetuar me dokumenta, ose duhet t’i vërë
para përgjegjësisë ligjore akuzuesit.
Deklarata në fakt tingëllon më shumë si një lojë fjalësh për
të prekur telat e lexuesit në lidhje me një çështje shumë të ndjeshme –
korrupsionin në kthimin e pronave. Me qindra ish-pronarë shqiptarë, pasi janë
shpronësuar në mënyrën më çnjerëzore nga komunizmi, pasi janë syrgjynosur
burgjeve e internimeve, pasi kanë vuajtur për pesëdhjetë vjet luftën e klasave,
kanë mbi njëzet vjet (që nga 1992 e deri sot) që sorrollaten dyerve të
administratave shtetërore (demokrate apo socialiste) në kërkim të pronave të
dikurshme, në kërkim të asaj që iu takon me ligj. Një ushtri fallsifikatorësh e
kriminelësh ordinerë, një arradhe administratorësh e gjykatësish të korruptuar
deri në palcë, një koalicion demokrato-socialist ministrash, zëvendës
ministrash, drejtorësh drejtorish, prokurorësh e juristësh, kanë bërë ç’është e
mundur për të përfituar nga pronat e ish-pronarëve të dikurshëm, për të thithur
rrushfete e shitur privilegje dhe për të mos iu dhënë asnjë centimetër nga
pronat e tyre pronarëve të ligjshëm.
Shumë ish-pronarë tokash e pasurish, si edhe trashëgimtarë të
tyre kanë vdekur me pengun se edhe njëzet vjet pas rrëzimit të komunizmit nuk
kanë mundur të marrin atë që iu takon. Kjo është ndoshta një nga tragjeditë më
të mëdha të shoqërisë shqiptare post-komuniste. Paaftësia e një shoqërie në kushtet e lirisë për t’i dhënë individit
atë që i takon.
Pjesë e këtij kalvari janë edhe 13 pronarë (bashkë me
shtetin shqiptar si bashkëpronar bëhen 14) që kërkojnë tokat e të parëve të
tyre në zonën e Ksamilit. E gjithë zona ka pasur pronarë - pronarë të ligjshëm,
me dokumenta, tapi, shkrime historike, gjithçka të nevojshme për të vërtetuar
pronësinë. Janë njerëz realë ata që i kanë pasur prona ato toka, siç janë edhe
njerëz realë pasardhësit e tyre që jetojnë sot. Akuza që ngrenë intelektualët e
varur (tashmë s’i quajmë dot të pavarur), nëpunësit shtetërorë që kanë formuar
mbi bazën e gënjeshtrave për identitetin e tyre Forumin për Trashëgimisë
Kulturore, sipas të cilave pronarët e tokave në Parkun e Butrintit janë fiktivë,
ose kanë falsifikuar dokumentat, ose kanë shkelur ligjin, janë akuza të pavërteta.
Pronarët nuk janë fiktivë, por realë. Ata nuk kanë falsifikuar dokumenta, por i
kanë këto dokumenta. Tokat rreth Butrintit, hapësira e Ksamilit nuk ka qënë
Wild Wide West – Perëndimi i Egër i Pamatë i Amerikës, me toka që s’i përkisnin
kërkujt, pavarësisht se Auron Tare hiqet sikur s’e ka ditur kurrë këtë fakt.
Kur një grup falsifikatorësh (dhe tani e kam fjalën për anëtarët
e Forumit) mblidhen të ngrenë një akuzë të tillë serioze kushdo do të presë që
ata të jenë tepër të sofistikuar, finokë, të mençur – njerëz që i njohin ligjet
mirë dhe që dijnë se si t’i spërdredhin ato. Por për çudi, as kjo nuk është e vërtetë.
Në faqen e Top Channel mund të ndjekësh një video nga emisioni radiofonik Wake
Up (Pjesa 3) në të cilën njëri prej pronarëve legjitimë të zonës në fjalë,
Agimi Toro debaton me intelektualin e varur, ish-Deputetin Auron Tare në lidhje
me akuzat e Forumit të këtij të fundit (http://www.top-channel.tv/video.php?id=38635).
Që në fillim Tare tërhiqet nga termat pronarë fiktivë, falsifikatorë,
dhe shkelës të ligjit që përbëjnë
thelbin e deklaratës për shtyp të cilën ai ka dalë ta mbrojë në këtë debat. Intelektuali
i varur Tare s’e ka për gjë ta mohojë atë që ka shkruar në deklaratën e grupit
të tij që sensibilizoi UNESCO-n dhe opinionin publik, dhe me paturpësinë më të
madhe deklaron : “Unë nuk do t’iu hyj dokumentave. Nuk jam gjykatës i
dokumentave.”
Megjithatë Tare del ngul këmbë që “Parku nuk mund të jetë
pronë private” – pavarësisht se ai është. Si argument për këtë ai sjell hamendësimin
që Ugolini (arkeologu Italian që bëri kërkime në vitet 20-30të në Butrint)
duhet të ketë bërë marrëveshje me gjyshin e Agim Toros (një nga pronarët e atëhershëm
të tokave) dhe jo me mbretin Zog. Dhe kur merr përgjigjen që po, e ka bërë, atëherë
mbetet i habitur.
Vërtetimi i pronësisë dhe i të drejtës ligjore të pronarëve
të zonës nuk është pjesa më interesante e kësaj videoje. Pjesa më interesante është
kapsllëku intelektual dhe padituria për ligjet e ligjvënësit Auron Tare. Ndërkohë
kur ti pret që ish Deputeti, ish Drejtori i Parkut të Butrintit, Drejtori i
gjithë Bregdetit Shqiptar, anëtari dhe zëdhënësi i Forumit për Mbrojtjen e
Pasurisë Kombëtare, përfaqësuesi i familjes Rothçaild në Shqipëri të të japë
ujë në bisht të lugës me njohuri të thella dhe argumente ligjore, veçanërisht
kur flitet për një zonë në të cilën ai ka punuar disa vjet, përballë të del një
njeri i hutuar, që s’di ç’flet, që vihet me shpatulla për muri që pesë minutat
e para. Aq keq zihet Tare ne argumenta, saqe detyrohet të deklarojë: “Ne s’kemi
të bëjmë me pronarët, ish-pronarët. Ne e kemi problemin me institucionet
shtetërore. Nuk mundet shteti shqiptar t’i njohe këto lloj pronash.”Se ku
shkojnë akuzat për falsifikatorët, për shkelësit e ligjit, për marrjen e
pronave në minutat e fundit, këtë vetëm Tare di ta thotë.
Përfundimi i gjithë kësaj meseleje qesharake është paksa i
frikshëm – njerëzit e korruptuar dhe të babëzitur kërkojnë me çdo mënyrë, qoftë
me anë të forcës së pushtetit, qoftë me grupime “jo-qeveritare”, qoftë me
forume intelektualësh të pavarur, për të arritur synimet e tyre. Shpresa e
vetme në këtë rast është që njerëzit e thjeshtë ta dijnë se këta nuk janë
medoemos njerëz të mençur e finokë, intelektualë të sofistikuar që s’i kap dot
me fjalë. Jo, në shumicën e rasteve janë po aq kokëtrashë sa janë edhe të
korruptuar, prandaj edhe me pak durim e me fakte edhe mund t’iu ndalet
dora.
No comments:
Post a Comment