nga Bertrand Rasëll
Shënim Hyrës: Ky leksion i është mbajtur Rasëll në Bashkinë e Qytetit të Batërsisë, në 6
Mars 1927 dhe i është drejtuar Degës së Shoqatës Kombëtare Laike për Londrën
Jugore. Pasi botimit po atë vit në formë pamfleti ai u bë edhe më i njohur përmes
librit "Përse nuk Jam i Krishterë dhe Ese të Tjera..." të Rasëll, përmbledhur
nga Pol Eduard (1957).
Siç mund t'iu ketë njoftuar edhe Kryetari, tema për të cilën
do t'iu flas sonte është "Përse nuk Jam i Krishterë." Ndoshta nuk do
të ishte keq që fillimisht të përpiqesha të sqaroj se çfarë nënkuptojmë me fjalën
i krishterë. Sot kjo fjalë përdoret nga
njerëz të ndryshëm në mënyrë shumë të papërcaktuar. Ka shumë nga ata që me këtë
nënkuptojnë thjesht njeriun që përpiqet të jetojë një jetë të mirë. Në këtë
kuptim ma do mendja se të krishterë gjenden në të gjitha sektet dhe besimet. Por
unë s'besoj që të jetë ky kuptimi i vëretë i fjalës, sepse për ndryshe ai do të
nënkuptonte që të gjithë ata njerëz që nuk janë të krishterë - të gjithë budistët,
konfuçianët, mohamedanët, etj. - nuk bëjnë asnjë përpjekje për jetë të mirë. Me
emërtimin i krishterë unë për vete nuk nënkuptoj çdo njeri që përpiqet të jetojë
me dinjitet sipas idesë së tij. Unë mendoj se përpara se të kesh të drejtë ta
quash veten të krishterë, duhet të jesh i bindur dhe i qartë për një shkallë të
caktuar besimi. Vetë fjala nuk e ka sot të gjithë ngarkesën e ngjeshur
kuptimore që kishte në kohën e Shën Agustinit dhe Shën Tomas Akuinasit. Në atë
kohë dihej mirë çfarë nënkuptoje kur thoje se ishe i krishterë. Atëherë pranoje
një paketë të plotë elementësh besimi të përvijuara me saktësi, dhe ti besoje
me gjithë forcën e bindjeve të tua në çdo rrokje të këtij besimi.
Ç'do
të thotë të jesh i Krishterë?
Sot gjërat kanë ndryshuar disi. Njerëzit janë paksa më të
turbullt në kuptimin që i japin krishtërimit. Megjithatë, unë mendoj se ka dy
elementë të ndryshëm por tepër thelbësorë që duhen marrë parasysh nga të gjithë
ata që e quajnë veten të krishterë. I pari ka natyrë dogmatike -- domethënë që
duhet të besosh te Zoti dhe te përjetësia. Po nuk i besove këto dy gjëra, nuk
mendoj se mund ta quash veten i krishterë me plot kuptimin e fjalës. Pastaj, për
të shkuar më tutje, siç e thotë edhe vetë emërtimi, duhet edhe të kesh një farë
besimi te Krishti. Për shembull, edhe muhamedanët besojnë te Zoti dhe te përjetësia,
por ata nuk e quajnë veten të krishterë. Pra besoj se në themel duhet të kesh
besimin që Krishti ka qënë, në mos hyjnor, të paktën njeriu më i mirë dhe më i
zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Po nuk besove kaq gjë për Krishtin, nuk mendoj
se ke të drejtë ta quash veten të krishterë. Natyrisht, ka edhe një kuptim tjetër
të cilin mund ta gjeni te Almanaku i Uitekerit dhe në librat e gjeografisë, ku
popullsia e botës ndahet në të krishterë, mohamedanë, budistë, nderues të
fetisheve, e kështu me rradhë; dhe në këtë kuptim ne jemi të gjithë të krishterë.
Librat e gjeografisë na numërojnë të gjithëve, por ky është thjesht nocion
gjeografik, të cilin ma do mendja që kemi të drejtë të mos e marrim parasysh.
Prandaj mendoj që nëse përpiqem t'iu shpjegoj se përse nuk jam i krishterë, më
duhet t'iu flas për dy gjëra: e para, përse nuk besoj te Zoti dhe te përjetësia;
dhe e dyta, përse nuk mendoj që Krishti ka qënë njeriu më i mirë dhe më i
mençur që ka jetuar ndonjëherë, megjithëse unë i jap hakun për një shkallë të
konsiderueshme mirësie morale.
Pa përpjekjet e suksesshme në të kaluarën të laikëve unë do
ta kisha pasur të pamundur të merresha me një përkufizim kaq elastik të krishtërimit.
Siç e thashë më lart, në kohët e shkuara ky nocion kishte kuptim shumë më të përcaktuar.
Për shembull, ai përfshinte besimin te ferri. Deri para disa kohësh besimi te
zjarri i ferrit ka qënë pjesë thelbësore e besimit të krishterë. Në këtë vend,
siç e dini, ai rreshti së qëni pjesë thelbësore për shkak të një vendimi të Këshillit
Privor, si edhe nga vendimi i Kryepeshkopit të Kantërbërit dhe Kryepeshkopit të
Yorkut për të mos e pranuar; te ne feja përcaktohet me Akte të Parlamentit, dhe
prandaj Këshilli Privor ia arriti t'i anashkalonte Hirësitë e tyre dhe vendosi
që ferri nuk ishte më i nevojshëm për të krishterët. Për pasojë, as unë nuk po
këmbëngul që të krishterët duhet të besojnë patjetër edhe te ferri.
Ekzistenca
e Zotit
Tani le të vijmë te pyetja e ekzistencës së Zotit. Kjo është
një pyetje e thellë dhe serioze dhe po të përpiqesha t'i përgjigjesha si duhej,
do t'iu mbaja këtu deri në amëshim, prandaj do t'iu duhet të më ndjeni nëqoftëse
po i përqasem në një formë pak a shumë të përmbledhur. Natyrisht, ju e dini që
Kisha Katolike ngul këmbë në mënyrë thjesht dogmatike që ekzistenca e Zotit
mund të provohet me arsyetim të pastër, pa nevojën e argumentave. Kjo dogmë
duket paksa e çuditshme, por s'ke ç'i bën, është dogma e tyre. Ata u detyruan që
ta nxirrnin këtë dogmë në një çast të caktuar sepse mendimtarët e lirë filluan
të thoshin shpesh e më shpesh se ekzistonin argumenta të tilla e të atilla me të
cilat mund ta provoje se Zoti nuk ekzistonte, ndërkohë që ata e dinin thjesht
me anë të arsyetimit të drejtpërdrejtë që Zoti ekzistonte. Argumentat dhe
arsyetimet vazhdonin pa fund dhe prandaj Kisha Katolike e pa të udhës t'iu
thoshte ndal. Kështuqë e përcaktoi me shkrim që ekzistenca e Zotit mund të
provohet me arsyetim të pastër, pa nevojën e provave, dhe u vunë të formulonin
ato që ata i mendonin si argumenta për ta provuar një gjë të tillë. Natyrisht,
pati shumë të tillë, por unë do të përmend vetëm disa.
Argumenti
i Shkakut të Parë
Argumenti i Shkakut të Parë është ndoshta argumenti më i
thjeshtë dhe më i lehtë për t'u kuptuar. (Sipas tij, çdo gjë që na zë syri në këtë
botë e ka një shkak, dhe duke ndjekur së prapthi hallkë pas hallke gjithë
zinxhirin e shkaqeve, patjetër që do të mbërrish te Shkaku i Parë, dhe këtë Shkak
të Parë e quan Zot.) Ma do mendja që ky argument nuk pi ujë sot, sepse, në
rradhë të parë, nuk është më edhe aq i fortë sa ka qënë dikur. Filosofët dhe
njerëzit e shkencës janë marrë gjerësisht me shkakun e parë, dhe këtij nuk i ka
mbetur më forca e dikurshme. Sidoqoftë, kushdo mund ta kuptojë që argumenti sipas
të cilit patjetër duhet të ketë pasur një Shkak të Parë nuk është nga ata që
kanë shumë vlerë. Mund t'iu them se kur isha i ri dhe i bluaja këto pyetje seriozisht
në mendje, për një kohë goxha të gjatë e kam pranuar argumentin e Shkakut të
Parë, derisa erdhi një ditë, kur isha nja tetëmbëdhjetë vjeç, dhe më ra në dorë
autobiografia e Xhon Stuart Millit, në të cilën gjeta fjalinë: "Im atë më
thoshte gjithmonë se nuk mund të ketë përgjigje për pyetjen 'Kush më ka bërë
mua?' sepse ajo gjithmonë ajo do të të nxjerrë te pyetja 'Kush e ka bërë Zotin?'"
Kjo fjali e thjeshtë më dha në atë kohë përgjigjen për pavlefshmërinë e
argumentit të Shkakut të Parë, të cilën unë e respektoj edhe sot. Nëse çdo gjë
duhet të ketë një shkak, atëherë edhe Zoti duhet të ketë shkak. Nëse mund të
ketë diçka që ekziston pa shkak, atëherë po aq sa Zoti kjo gjë mund të jetë bota,
prandaj ky argument nuk mund të qëndrojë. Është thuajse e të njëjtës natyrë si
edhe pikpamja e atij Hindusë, se bota mbështetet mbi një elefant, ndërsa
elefanti vetë rri mbi një breshkë gjigande; por kur e pyetën, "Po
breshka?" indiani u përgjegj, "Po sikur ta ndërrojmë muhabetin, tani?"
As argumenti në fjalë nuk është më i mirë se ky. Nuk ka asnjë arsye përse bota
të mos ketë filluar të jetë pa asnjë arsye; nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye
që ajo të mos ketë ekzistuar përgjithmonë. Nuk ka asnjë arsye të mendohet përse
i duhet botës fillimi. Idea që gjërat duhet të kenë një fillim varet thjesht
nga forca e përfytyrimit. Ndoshta prandaj nuk duhet të humbas kohë duke u marrë
me argumentin e Shkakut të Parë.
Argumenti sipas Ligjit të Natyrës
Pastaj është edhe argumenti i rëndomtë sipas ligjit të natyrës.
Ky ka qënë argumenti i parapëlqyer në shekullin e tetëmbëdhjetë, veçanërisht nën
ndikimin e Sër Isak Njutonit dhe kosmogonisë së tij. Njerëzit vëzhgonin
planetet që silleshin rreth djellit sipas ligjit të gravitetit dhe mendonin se
Zoti iu kishte dhënë planeteve drejtim që të lëviznin në një mënyrë të caktuar,
prandaj edhe ata vërtiteshin. Natyrisht, ky shpjegim ishte shumë i thjeshtë dhe
i volitshëm, pasi s'kishte nevojë ta vrisje mendjen e të shihje më tutje për
shpjegimin e ligjit të gravitetit. Sot ne e shpjegojmë ligjin e gravitetit në
një mënyrë paksa më të ndërlikuar të cilën na e ka paraqitur Ajnshtajni. Nuk
kam aspak ndërmend t'iu mbaj leksion mbi ligjin e gravitetit sipas
interpretimit të Ajnshtainit, sepse edhe kjo do të merrte kohë; sidoqoftë,
mjaton të thuhet se ne nuk përdorim më të njëjtat ligje të natyrës që kishim në
sistemin e Njutonit ku, për arsye që asnjeri nuk është në gjendje t'i kuptojë,
natyra sillej në mënyrë të njëtrajtshme. Tani kemi zbuluar se shumë gjëra që
dikur i kujtonim si ligje të natyrës, nuk ishin gjë tjetër veçse konvencione
njerëzorë. Të gjithë e dinë se edhe në cepin më të largët të hapësirës yjore një
metër do të ketë njëqind centimetra. Ky fakt është, pa dyshim, shumë
interesant, megjithëse vështirë se mund ta quash ligj të natyrës. Edhe shumë gjëra
të tjera që janë parë si ligje të natyrës ngjajnë me këtë. Nga ana tjetër, sa më
thellë t'iu hysh njohurive për atomet, aq më shumë do të zbulosh se këto iu
binden ligjeve shumë më pak nga ç'e pandehnin njerëzit dhe se ligjet që mund të
gjesh në atë thellësi janë më tepër mesatare statistikore ose nga ato që më së
shumti i binden rastësisë. Siç e dimë të gjithë, ka një ligj sipas të cilit kur
luan me zara, dy gjashtat mund t'i kapësh afërsisht një herë në tridhjetegjashtë
të hedhura, ndërkohë që ne nuk e konsiderojmë këtë si fakt që vërteton se rënia
e zarave rregullohet sipas një plani; përkundrazi, vetëm po të binin dy
gjashtat sa herë që hidheshin zarat, atëherë do ta konsideronim të planifikuar.
Nga të tilla ligje të natyrës rregullohen shumë të tjerë. Ato s'janë tjetër
veçse mesatare statistikore që dalin nga ligjet e rastësisë; dhe kjo e bën
gjithë biznesin e ligjësisë natyrore të duket shumë më pak mbresëlënës nga ç'mendohej
më parë. Por pavarësisht nga ajo çka paraqet në një shkallë të caktuar të
zhvillimit të shkencës që edhe mund të ndryshojë e gjithë ideja se ligjet e
natyrës nënkuptojnë ekzistencën e ligjvënësit rrjedh nga që ligjet e natyrës ngatërrohen
me ligjet e njerëzve. Ligjet e njerëzve janë kufizime që iu detyrojnë të
silleni në një mënyrë të caktuar, të cilave ju mund të vendosni t'iu bindeni
ose të mos iu bindeni; ndërsa ligjet e natyrës janë përshkrim i mënyrës se si vërtiten
gjërat në të vërtetë në natyrë, dhe duke qënë thjesht përkshkrime të asaj që
ato bëjnë në të vërtetë, nuk mund të pretendohet se qënka dikush që i detyron
ato të sillen në atë mënyrë, sepse edhe po të ishte, atëherë do të lindte
pyetja: "Përse Zoti nxorri pikërisht këto ligje të natyrës dhe jo të tjerë?"
Dhe po të thoni që e bëri këtë ngaqë ashtu donte, pa asnjë arsye të veçantë, atëherë
del se zoti është diçka që nuk i bindet ligjeve, prandaj tek ai ndërpritet edhe
zinxhiri i ligjeve të natyrës. Nëqoftëse pretendoni, ashtu siç bën pjesa më e
madhe e teologëve ortodoksë, që Zoti ka pasur arsyet e veta që ka nxjerrë të
gjitha ligjet e natyrës që ekzistojnë, dhe jo të tjerë -- dhe arsyeja,
natyrisht, është që të krijojë universin më të mirë të mundshëm, megjithëse shumë
vetave nuk iu duket aspak si i tillë -- nëqoftëse do të kishte pasur një arsye
për ligjet që ka dhënë Zoti, atëherë del se edhe Zoti vetë ka qënë i detyruar t'i
nënshtrohet një ligji. Në këtë rast Zoti del si ndërmjetës, dhe ju nuk përfitoni
asgjë. Sepse del që ka një ligj që është i pavarur dhe më i hershëm se se
ligjet hyjnore dhe Zoti nuk iu hyn fare në punë, sepse ai nuk është ligjvënësi
parësor. Shkurt, i gjithë argumenti mbi ligjin e natyrës nuk a ka fare forcën që
ka pasur një herë e një kohë. Gjatë shqyrtimit të këtyre argumenteve më duhet të
zhvendosem në kohë. Sepse, me kalimin e kohës, argumentët e përdorur për
ekzistencën e Zotit ndërrojnë vazhdimisht karakter. Në fillim ishin argumenta të
prekshëm intelektualë, që mishëronin disa dobësi të përcaktuara. Por ndërsa zhvendosemi
drejt kohëve moderne, ata bëhen më pak të respektueshme nga ana intelektuale,
dhe gjithmonë e më të ndikuara nga një lloj mjegullsie moralizuese.
Argumenti
i Krijimit
Hapi tjetër në këtë proces na sjell te argumenti i krijimit.
Këtë argument e njihni të gjithë: gjithçka në këtë botë është ndërtuar në mënyrë
të tillë që ne të arrijmë të jetojmë aty, dhe nëqoftëse bota do të ishte disi
ndryshe, ne nuk do të ishim në gjendje të jetonim. Ja, ky është argumenti i krijimit.
Nganjëherë ai merr forma të çuditshme; për shembull, pretendohet se lepujt e
kanë bishtin të bardhë në mënyrë që gjuetari ta ketë më të lehtë t'i marrë në
shënjestër. Nuk e di se si do t'iu dukej lepujve kjo ide. Të gjithë e keni dëgjuar
vërejtjen e Volterit i cili nuk e vinte në dyshim që hunda ishte ndërtuar në mënyrë
të atillë që t'iu përshtatej syzeve. Kjo lloj parodije del se nuk është edhe
aq larg shënjestrës nga ç’ishte në shekullin e tetëmbëdhjetë, sepse që nga koha
e Darvinit ne kemi filluar ta kuptojmë më mirë se si i janë përshtatur krijesat
e gjalla mjedisit përreth. Pra, nuk është mjedisi që është ndërtuar për të qënë
i përshatshëm për ta, por janë qëniet e gjalla që i janë përshtatur mjedisit,
dhe kjo përbën bazën e përshtatjes. Nuk di se ku mund si mund të provohet
teoria e krijimit në këtë rast. Po ta shohësh me kujdes argumentin e krijimit,
gjëja më e çuditshme është që njerëzit besojnë se kjo botë, me gjithçka përmban
në vetvete, me gjithë të këqijat, duhet të jetë megjithatë gjëja më e përsosur
që fuqiplotshmëria dhe gjithëdituria të ketë qënë në gjendje të prodhojë për
miliona e miliona vjet. Unë për vete nuk arrij ta besoj. A thua që po të kishit
pushtet pafund dhe dije të pakufizuara dhe miliona e miliona vjet për ta përsosur
botën, do të katandiseshit të nxirrnit prodhime të tilla si Ku Kluks Klani apo
Fashizmi? Për më tepër, po të pranoni ligjet e zakonshme të shkencës, besoj se do
ta dini që vjen një ditë kur jeta njerëzore dhe jeta në përgjithësi në gjithë
planet do të shuhet; vetë sistemi djellor do të kalojë në një fazë të caktuar shuarje.
Për një kohë të caktuar ka pasur kushte të caktuara temperature e të tjera që kanë
mundësuar protoplazmën, prandaj edhe ka filluar të lindë jeta në sistemin
djellor. Megjithatë, mund ta shihni në Hënë se drejt çfarë gjendjeje po shkon
toka -- drejt diçkaje të vdekur, të ftohtë, pa jetë.
Shpesh herë më thonë se kjo pikpamje është tepër e zymtë,
dhe ka nga ata që thonë se po të besonin se do të ndodhte diçka e tillë, ata do
ta kishin të vështirë të vazhdonin të jetonin. Atëherë mos e besoni; është
thjesht budallëk. Në fakt, asnjeri nuk e vret mendjen çdo të ndodhë pas një
milion vjetësh. Ata që thonë se i shqetëson vërtet kjo, gënjejnë veten. Në të vërtetë
njerëzit shqetësohen për gjëra më të rëndomta; si për shembull kur iu rëndohet
stomaku; nuk besoj se pikëllohet njeri nga mendimi që kësaj bote mund t'i ndodhë
diçka pas miliona e miliona vjetësh. Prandaj, megjithëse është me të vërtetë
pikpamje e zymtë të mendosh që do të vijë një ditë dhe jeta do të shuhet -- të
paktën unë mendoj se mund ta themi një gjë të tillë, megjithëse kur mendoj se
si e shkojnë dëm jetën njerëzit, them se kjo mund të jetë edhe ngushëllim --
nuk është edhe aq e zymtë sa të ta bëjë jetën të vështirë. Thjesht të bën ta çosh
mendjen diku gjetkë.
Argumenti
Moral i Hyjnores
Tani zbresim një hap më poshtë në atë që do ta quaja rënie
intelektuale të Teistëve në argumentimet e tyre, duke mbërritur te të
ashtuquajturat argumente morale për ekzistencën e Zotit. Natyrisht, të gjithë e
dini që në të kaluarën ka pasur tre argumentë intelektualë për ekzistencën e
Zotit, të tre të hedhura poshtë nga Imanuel Kanti te Kritika e Arsyes së Pastër.
Por ai s'i kishte hequr ende mirë qafe këta të tre, kur shpiku një tjetër të
ri, një argument moral, i cili e bindi plotësisht. Ai nuk ndryshonte nga
shumica e njerëzve të tjerë: për çështje intelektuale ishte skeptik, ndërsa për
çështjet morale besonte në mënyrë të pavetëdijshme te maksimat me të cilat
ishte ushqyer në prehërin e nënës. Kjo ilustron edhe një herë atë që theksojnë
gjithmonë psikoanalistët -- ndikimin e veçantë që kanë mbi ne shoqërizimet e
hershme, në krahasim me ato të mëvonshme.
Siç e thashë, Kanti shpiku një argument të ri moral për
ekzistencën e Zotit i cili, në forma të ndryshme, u bë shumë popullor gjatë
shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai mori gjithëfarë lloj formash. Një nga këto
forma është të thuash se po të mos ekzistonte Zoti nuk do të kishte as të mirë
dhe as të keqe. Për momentin unë s'po merrem fare me pyetjen nëse ka ndonjë
ndryshim midis të mirës dhe të keqes: kjo është çështje tjetër. Ajo që më shqetëson
është se, nëse jeni kaq të bindur që ka ndryshim midis të mirës dhe të keqes,
atëherë ndodheni në këtë situatë: A është ky ndryshim me dëshirën e Zotit, apo
jo? Nëse ndodh me dëshirën e Zotit, atëherë, atëherë për Zotin vetë nuk do të
ketë asnjë ndryshim midis të mirës dhe të keqes, prandaj pohimi që Zoti është i
mirë nuk ka pikë rëndësie. Por po qe se thoni, ashtu siç thonë edhe teologët, që
Zoti është i mirë, atëherë duhet të thoni edhe që e mira dhe e keqja kanë
kuptim të pavarur nga dëshira e zotit, sepse dëshirat e Zotit dalin se janë të
mira apo të këqija pavarësisht faktit të thjeshtë që ato i ka shprehur ai. Po
qe se e thoni këtë, atëherë jeni të detyruar të thoni edhe që e mira dhe e keqja ekzistojnë jo vetëm përmes
Zotit, por që ato në thelb logjikisht i paraprijnë Zotit. Natyrisht, po të doni
ju mund të thoni edhe që ekziston një hyjni edhe më e lartë që i ka dhënë urdhëra
Zotit për ta bërë botën, ose mund ta çoni në linjën e mendimit që mbahet pak a
shumë nga disa gnostikë -- linjë që shpesh herë edhe unë vetë e shoh të
pranueshme -- që, në fakt, bota që njohim ne sot është bërë nga djalli në çaste
kur Zoti nuk e kishte mendjen. Në këtë linjë mund të diskutohet gjerë e gjatë,
por hë për hë unë s'kam ndërmend ta kundërshtoj.
Argumenti
për Vënien në Vend të DrejtësisëËshtë edhe një tjetër formë shumë e çuditshme e argumentit
moral, që shkon kështu: thonë që ekzistenca e Zotit është e nevojshme për të
sjellë drejtësi në botë. Në pjesën e gjithësisë që njohim ka padrejtësi të mëdha.
Më së shumti të mirët vuajnë, ndërsa të ligjtë pasurohen, dhe njeriu s'di të
thotë se cila nga këto t'i ngre nervat më shumë; por nëqoftëse do që të ketë
drejtësi në tërësi në gjithësi, atëherë duhet të mendosh për një jetë të ardhme
që ta verë në vend ç'ekujlibrin e jetës këtu në tokë. Prandaj thonë që duhet të
ketë Zot, duhe të ketë Parajsë dhe Ferr në mënyrë që, në fund të fundit, të
arrihet drejtësia. Ky argument është shumë i çuditshëm. Po ta shihnit këtë
problem nga ana shkencore, do të thoshit: "Në fund të fundit, unë vetëm këtë
botë njoh. Unë nuk di gjë për pjesën tjetër të gjithësisë, por me aq sa mund të
argumentojë njeriu për probabilitetet, mund të thuash se ndoshta kjo botë është
një shembull i pranueshëm, dhe meqë këtu nuk ka drejtësi, shanset janë që të
ketë padrejtësi edhe gjetkë." Ta zëmë se blini një arkë me portokaj; e
hapni dhe shihni që shtresa e sipërme e portokajve janë të kalbur. Nuk ma do
mendja se do të thoni: "Ato që janë poshtë duhet të jenë të mira, sepse
vetëm kështu vihet e drejta në vend." Jo, përkundrazi, do thoni: "Ka
shumë të ngjarë që e gjithë arka të jetë e kalbur." Pikërisht ky është
edhe argumenti që do të bënte një mendje shkencore për gjithësinë. Do të
thoshte: "Në këtë botë shohim gjithë këtë padrejtësi, dhe kjo na bind që në
këtë botë nuk sundon drejtësia; dhe e gjitha kjo vetëm sa mbështet argumentin
moral kundër ekzistencës së Zotit dhe jo pro tij. Për mua është e qartë se këto
lloj argumentesh morale që po sjell këtu nuk janë nga ato që i frymëzojnë njerëzit.
Por njerëzit nuk nxiten të besojnë te Zoti me anë të argumentave intelektualë.
Shumica e njerëzve besojnë te Zoti sepse kështu i kanë mësuar që kur kanë qënë
fëmijë të vegjël, dhe kjo mbetet arsyeja kryesore.
Pas kësaj, arsyeja më e fortë është nevoja për siguri, një
lloj ndjesie se duhet të ketë një vëlla të madh që kujdeset për ty. Kjo luan
rol të pallogaritshëm te ndikimi i dëshirës së njerëzve për të besuar te zoti.
Karakteri
i Krishtit
Dhe tani dua të them dy fjalë për një temë që mendoj se nuk është
trajtuar sa duhet nga Racionalistët dhe kjo është pyetja nëse Krishti ka qënë burri
më i mirë dhe më i zgjuar që ka ekzistuar ndonjëherë. Në përgjithësi njerëzit e
marrin si të mirëqënë që duhet pranohet nga të gjithë që ka qënë. Unë për vete
nuk e pranoj. Mua më duket se ka shumë pika të forta te të cilat pajtohem me
Krishtin shumë më tepër se ata që e mbajnë veten për të Krishterë. Por nuk më
duket se arrij të pajtohem me të deri në fund, megjithëse di të them që mund të
pajtohem me të shumë më tepër se një pjesë e mirë e atyre që hiqen si të Krishterë.
Besoj që e mbani mend një thënie të tij: "Mos e kundërshto të keqen: nëse
dikush të bije me shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe të majtën." Ky
nuk është as ndonjë rregull i ri, as ndonjë përkufizim i ri. E kanë përdorur
edhe Lao-tse, edhe Buda, të paktën nja 500 - 600 vjet para Krishtit, ndërkohë që
nuk është as ndonjë parim që të krishterët e pranojnë në jetën e përditshme.
Nuk e ve në dyshim fare që kryeministri i tanishëm (Stanli Bolduin), për
shembull, është i krishterë i përkushtuar. Megjithatë, nuk do t'ia këshilloja
asnjerit nga ju që të shkonit e t'ia vishnit me shpullë surratit. Ma do mendja
se po ta bëni shumë shpejt do të merrni vesh se ai është nga ata që mendojnë se
teksti duhet lexuar në mënyrë figurative.
Pastaj është edhe diçka tjetër që mendoj se ia vlen ta shohësh.
Besoj se e mbani mend që Krishti thotë: "Mos gjykoni, që të mos gjykoheni."
Nuk ma do mendja që ky parim t'iu vijë edhe aq shumë për shtat gjykatave ligjore
të vendeve të krishtera. Në kohë të ndryshme kam pasur rastin të njoh një numër
të madh gjykatësish që kanë qënë njëkohësisht edhe të krishterë të përkushtuar,
por asnjë prej tyre nuk mendonte se po vepronte kundër parimeve të krishterimit
me ato që bënte. Jo vetëm kaq, por Krishti thotë edhe: "Jepi atij që të kërkon,
dhe mos i kthe shpinën atij që po të kërkon borxh." Ky parim është shumë i
mirë. Kryetari juaj iu ka paralajmëuar që të mos diskutoni politikë, megjithatë
unë s'mund të rri pa vënë në dukje se në zgjedhjet e fundit parlamentare u
diskutua gjatë se sa mirë do të ishte sikur t'i qëndroje larg atyre që kërkojnë
borxh, gjë që të le të mendosh se edhe Liberalët, edhe Konservatorët në këtë
vend përbëhen nga njerëz që nuk pajtohen me mësimet e Krishtit.
Është pastaj edhe një thënie tjetër e Krishtit që mendoj se
ka përmbajtje shumë të rëndësishme në vetvete, por që nuk më duket se pëlqehet
shumë nga miqtë tanë të krishterë. Ai thotë: "Nëse do të jesh i përsosur,
shko dhe shit gjithçka ke dhe shpërndaja të varfërve." Kjo është thënie e
shkëlqyer por, siç e thashë, nuk para vihet në jetë. Mua më duken se të gjitha
këto janë thënie të mira, megjithëse paksa të vështira për t'u zbatuar. Unë për
vete nuk marr përsipër t'i ve në jetë; por në fund të fundit, mos më llogarisni
mua, pasi nuk jam i krishterë.
Mangësi
në Mësimet e Krishtit
Pasi i kam dhënë hakun për cilësinë e disa thënieve, unë përsëri
arrij në atë pikë ku besoj se Krishtit, ashtu siç përshkruhet në Ungjill nuk
mund t'i japësh hakun as për mençuri të pakufijshme, as për mirësi të pafund;
dhe me këtë dua të theksoj se as që po merrem fare me të vërteta historike.
Historikisht, vetë ekzistenca e Krishtit është e dyshimtë. Edhe nëse ka
ekzistuar vërtet, ne nuk dijmë asgjë për të. Prandaj nuk po merrem fare me anën
historike, e cila është tepër e vështirë për t'u përcaktuar. Unë po merrem me
Krishtin ashtu si na paraqitet në Ungjill, duke e marrë rrëfimin e Ungjillit
ashtu siç është. Aty njeriu gjen ca gjëra që nuk duken edhe aq të mençura. E
para, ai ishte i bindur se kthimi i tij në tokë do të ndodhte në një kohë të
ndritshme që i binte të ishte përpara se shumë nga bashkëkohësit e tij të
kishin vdekur. Kjo provohet në gjithë ato tekste. Për shembull, ai thotë:
"Ju nuk do të keni arritur të shkoni në qytetet e Izraelit para se Biri i
Njeriut të jetë kthyer." Pastaj thotë: "Ka midis jush nga ata që s'do
ta kenë shijuar vdekjen përpara se Biri i Njeriut të rikthehet në mbretërinë e
Tij"; siç edhe ka shumë vende të tjerë ku bëhet fare e qartë që Ai
mendonte se kthimi i Tij i dytë do të ndodhte brenda jetës së shumë prej atyre
që ishin ende gjallë. Këtë bindje e kishin shumë nga adhuruesit e tij të hershëm,
dhe ajo u bë bazë për një pjesë të mirë të mësimeve të Tij morale. Kur Ai
thoshte: "Mos mendoni për nesër," e gjëra të tjera si kjo, këtë e bëntë
më tepër ngaqë ishte i bindur që kthimi i dytë do të kryhej shumë shpejt dhe se
gjërat e zakonshme, të përditshme, s'kishin pikë rëndësie. Të them të drejtën
unë kam njohur vetë të krishterë që vërtet besonin se kthimi i dytë ishte i përnjëmendtë.
Kam njohur një famulltar që i kallte datën grigjës duke thënë se kthimi i dytë po
trokiste te dera, dhe ata të shkretët sikur ngushëlloheshin vetëm kur e shihnin
që ai mbillte pemë në kopësht. Të krishterët e hershëm e besonin me të vërtetë
kthimin dhe nuk e vrisnin mendjen të mbillnin pemë në kopësht, sepse ata e pranonin
nga Krishti besimin që kthimi i dytë ishte i përnjëmendtë. Në këtë kuptim duket
qartë që ai nuk ishte më i mençur sa disa të tjerë dhe s'ka dyshim që nuk ka qënë
jashtëzakonish i mençur.
Problemi
Moral
Dhe tani mund të dalim te morali. Sipas mendimit tim,
karakteri moral i Krishtit ka një të metë serioze, besimin te ferri. Unë për
vete nuk besoj që një njeri që është thellësisht njerëzor të mund të besojë te
dënimi i përhershëm. Padyshim që Krishti, ashtu siç përshkruhet në Ungjill,
besonte te dënimi i përhershëm, dhe nuk është e vështirë të gjesh të përsëritur
gjithmonë një vrull hakmarrës kundër të gjithë atyre njerëzve që nuk ia vënë
veshin predikimeve të tij -- qëndrim ky jo i panjohur te predikuesit, por që në
një farë mase sikur të shkëput nga përsosmëria e plotë. Për shembull, një qëndrim
të tillë nuk e gjen te Sokrati. Ai është fare i hapur dhe pa doreza kundrejt
njerëzve që nuk ia vënë veshin atyre që thotë ai; dhe mua më duket se një të
urti i shkon shumë më tepër për shtat të ndjekë këtë rrugë, se sa t'i futet qorrsokakëve
të inatit. Ndoshta iu kujtohen ato që thoshte Sokrati në shtratin e vdekjes,
apo gjërat që iu thoshte në përgjithësi njerëzve që nuk pajtoheshin me të.
Ndërsa Krishtin e Ungjillit mund ta kapni duke thënë:
"Ju gjarpërinj, ju pjella nëpërkash, si mund t'i shpëtoni dot mallkimit të Ferrit?"
Kjo i thuhej njerëzve që nuk pëlqenin predikimet e tij. Mua nuk më duket si
toni më i përshtatshëm, ndërkohë që gjen plot gjëra të tjera të ngjashme në
lidhje me Ferrin. Si për shembull ai teksti i njohur për mëkatin kundër
Shpirtit të Shenjtë: "Atij që flet kundër Shpirtit të Shenjtë nuk do t'i
harrohet as në këtë botë, as në botën që vjen." Ky tekst ka shkaktuar
mjerim të papërshkruar në mbarë botën, sepse shumë njerëzish kanë menduar se
kanë mëkatuar keq ndaj Shpirtit të Shenjtë dhe e kanë shkuar gjithë jetën në
frikë se kjo nuk do t'iu falet as në këtë botë, as në botët e përtejme. Mua nuk
më duket aspak bindëse që një njeri me një shkallë të pranueshme mirësie në
vetvete të shkojë deri aty sa t'i trembë dhe terrorizojë kaq keq njerëzit e kësaj
bote.
Krishti pastaj thotë: "Biri i Njeriut do të dërgojë ëngjëjt
të cilët do të mbledhin të gjithë ata që e kanë kaluar cakun në mbretërinë e
tij, dhe të gjithë ata që kanë kryer mëkate, dhe pastaj do t'i hedhin të gjithë
në një furrë zjarri; do të ketë ulërima dhe kërcitje dhëmbësh"; dhe vazhon
të përshkruajë ulërimat dhe kërcitjet e dhëmbëve. Këto vijnë varg pas vargu dhe
për lexuesit është fare e qartë se ai ndjen kënaqësi teksa përfytyron ulërimat
dhe kërcitjet e dhëmbëve, përndryshe nuk do të përsëriteshin kaq shpejt. Pastaj
besoj se e mbani mend atë që thuhet për delet dhe dhitë; se si në kthimin e dytë
Ai do t'i ndajë delet nga dhitë, dhe do t'Iu thotë dhive: "M'u hiqni sysh,
të mallkuara, zhdukuni në zjarrin e përhershëm." Dhe pastaj vazhdon:
"Dhe këto do të shkojnë në zjarrin e përhershëm." Pastaj e përsërit
prapë: "Nëqoftëse është dora ajo që të turpëron, prije; më mirë të hysh në
jetë i gjymtuar, se sa të kesh dy duar për të shkuar drejt zjarrit që nuk
ngopet kurrë, në Ferr, aty ku krimbi nuk vdes dot dhe ku zjarri nuk ngopet kurrë."
Edhe këtë e përsërit disa herë. Mua më duket se doktrina e dënimit me zjarrin e
ferrit është doktrinë e pamëshirshme dhe se Krishti i Ungjillit, nëqoftëse do
ta pranonit ashtu siç e përshkruajnë kronikanët, duhet të jetë të paktën pjesërisht
përgjegjës për këtë.
Ka edhe gjëra të tjera më pak të rëndësishme. Është për
shembull rasti i derrit të Gadarenës, dhe mua nuk më duket aspak dashamirëse
ndaj derrave që t'iu futësh djallin brenda dhe t'i bësh të ngarendin drejt
detit tatëpjetë kodrës. Mos harroni që Ai është i gjithëpushtetshëm dhe po të
donte mund t'i kishte dëbuar djajtë menjëherë; por ai parapëlqeu t'ua fuste
derrave. Pastaj është edhe ajo historia e çuditshme e pemës së fikut, e cila më
le pa mend sa herë e lexoj. A ju kujtohet ç'ndodhi me fikun? "Ai ishte i
uritur; dhe kur pa nga larg një fik me gjethe, Iu afrua gjithë qef se do të gjente
aty diçka për të ngrënë; dhe kur Iu afrua s'gjeti asgjë, vetëm gjethe, sepse
nuk kishte ardhur ende koha e fiqve. Dhe Jezui u përgjegj duke iu drejtuar
asaj: "Që sot e kësaj dite asnjeri s'ka për të ngrënë më fruta nga pema
jote, kurrë"...ndërsa Pjetri I tha: "Zot, shikojeni pemën që mallkuat
se si u tha." Kjo histori është shumë e çuditshme, sepse nuk kishte ardhur
ende koha që të piqeshin fiqtë dhe nuk kishte përse t'i vihej faj pemës. Vërtet
nuk arrij ta bind dot veten që qoftë në planin e mençurisë dhe qoftë në planin
e virtuteve Krishti qëndron aq lart sa disa figura të tjera të njohura të
historisë. Unë them se Buda dhe Sokrati qëndrojnë më lart në këtë drejtim.
Faktori
Emocional
Siç e thashë më parë, nuk mendoj që shkaku i vërtetë përse
njerëzit e pranojnë fenë të ketë ndonjë lidhje me arsyen. Ata e pranojnë fenë për
shkaqe emocionale. Shpesh herë njerëzve iu thuhet se nuk është mirë të sulmohet
feja, pasi ajo i bën njerëzit të virtutshëm. Kështu më kanë thënë edhe mua;
megjithëse vetë nuk kam vënë re gjë. Parodinë e këtij argumenti mund ta gjeni të
përshkruar në librin e Samuel Butlerit, Kthim në Ereuon. Besoj iu kujtohet që në
Ereuon jetonte një i ashtuquajtur Higs që kishte mbërritur nga një vend të largët.
Pasi kalon ca kohë atje ai shpëton duke u larguar me balon. Njëzet vjet më vonë
ai kthehet përsëri aty dhe sheh se njerëzit kanë filluar të besojnë një fe të
re në të cilën adhurojnë atë vetë por me emrin "Fëmija Djell". Të
gjithë besojnë se ai është ngjitur në parajsë. Ai gjithashtu mëson se është
koha kur po bëhen përgatitjet për të festuar Festën e Ngjitjes dhe dëgjon
profesorët Hanki dhe Panki që diskutojnë me njëri-tjetrin dhe thonë se ata nuk
e kanë takuar kurrë njeriun e quajtur Higs dhe janë të bindur që nuk do ta
shohin ndonjëherë; ndërkohë ata janë priftërinjtë e lartë të fesë së Fëmijës
Djell. Atij i ngrihen nervat dhe iu paraqitet e iu thotë: "Do t'ua nxjerr
në shesh të gjitha broçkullat dhe do t'i shpjegoj popullit të Higsit se kam qënë
unë njeriu i quajtur Higs që u ngjita në qiell me balon." Ata i thonë:
"Këtë nuk duhet ta bësh, sepse i gjithë morali i vendit vërtitet rreth këtij
miti. Me ta marrë vesh që ti nuk je ngjitur në qiell, do të bëhen të gjithë të
këqij." Kështu që arrijnë ta bindin dhe ai largohet pa bërë zhurmë.
Ja, kjo është gjithë ideja -- që ne do kthehemi të gjithë në
njerëz të ligj po të mos kapemi pas besimit të krishterë. Ndërsa mua më duket që
pikërisht ata njerëz që kanë qënë kapur pas tij kanë qënë në pjesën më të madhe
shumë të këqij. Është vërtet interesant fakti që sa më e fortë të ketë qënë
feja në një periudhë të caktuar dhe sa më i verbër të ketë qënë besimi
dogmatik, aq më e madhe ka qënë egërsia dhe aq më keq kanë shkuar punët. Në të
ashtuquajtura epoka të besimit, kur njerëzit besonin vërtet te feja e krishterë
dhe tërësia e saj, Inkuizicioni vriste priste me torturat e tij; miliona gra të
pafat digjeshin si shtriga; mbi njerëz të ndryshëm ushtrohej egërsi e pashpirt në
emër të fesë.
Po t'i hedhësh sytë përreth do të kuptosh se çdo hap i vogël
përpara në ndjenjat e njerëzve, çdo përmirësim në kodin penal, çdo hap drejt
shmangies së luftës, çdo hap drejt trajtimit më të mirë të njerëzve me ngjyrë,
çdo demaskim i skllavërisë, çdo përparim moral që është realizuar në botë, është
kundërshtuar me vendosmëri nga kishat e organizuara të botës. Unë e them me
bindje se feja e krishterë, siç është e organizuar në kishat e saj, ka qënë dhe
mbetet armiku kryesor i përparimit moral në botë.
Si
e Kanë Ngadalsuar Përparimin Kishat
Ndoshta mendoni se po e teproj kur them se kjo vazhdon edhe
sot. Mua nuk më duket se po e teproj. Le të marrim një shembull. Do bëni pak
durim e të më dëgjoni deri në fund. Nuk është shembull shumë i këndshëm, por kisha
të detyron të përmendësh edhe shembuj të pakëndshëm. Ta zëmë se në këtë botë që
jetojmë sot një vajzë pa përvojë martohet me një burrë të sëmurë nga sifilizi.
Në këtë rast Kisha Katolike do të thoshte: "Kjo është lidhje e shenjtë, e
pazgjidhshme. Ose duhet të mbetesh e virgjër, ose duhet të jetosh me këtë
njeri. Dhe po ndënjët bashkë, nuk duhet të përdorësh asnjë mjet kontrolli për të
parandaluar lindjen e fëmijëve sifilitikë." Asnjë njeri me mendje të pa
shtrembëruar nga dogma, apo që s'i ka ndjenjat morale krejt të mpira ndaj përjetimit
të vuajtjeve të tjetrit nuk do të pretendonte që kjo është diçka e mirë dhe e
drejtë, dhe që mund të vazhdohet kështu.
Ky ishte vetëm një shembull. Ka edhe shumë mënyra të tjera në
të cilat, me këmbënguljen e vet për atë që ajo ka vendosur ta quajë të moralshme,
kisha iu shkakton njerëzve vuajtje të pamerituara dhe të panevojshme. Dhe
natyrisht, siç e dimë, në përgjithësi ajo mbetet ende kundërshtare e përparimit
dhe përmirësimit të të gjitha mënyrave që ekzistojnë për të ulur vuajtjet në këtë
botë, sepse ajo ka zgjedhur që të quajë si të moralshme një përmbledhje të vogël
rregullash sjellje që s'kanë fare të bëjnë me lumturinë e njeriut; dhe kur thua
se kjo apo ajo duhet bërë sepse do t'i sillnin më tepër lumturi njerëzimit, ata
mendojnë se kjo s'ka fare të bëjë me problemin. "Ç'lidhje ka lumturia e
njeriut me moralin? Morali nuk ka për qëllim që t'i bëjë njerëzit të
lumtur."
Frika,
Baza e Fesë
Unë mendoj se feja bazohet kryesisht dhe më së pari te
frika. Pjesërisht është frika nga e panjohura dhe pjesërisht, siç e kam thënë,
dëshira për të qënë i sigurt se ke një lloj vëllai të madh që do të dë dalë në
mbrojtje sa herë që ke probleme apo telashe. Në bazë të gjithçkaje qëndron
frika -- frika nga e panjohura, frika nga humbja, frika nga vdekja. Frika është
nëna e egërsisë, prandaj nuk është aspak për t'u çuditur që egërsia dhe feja
kanë ecur gjithmonë krah për krah. Kjo ndodh sepse frika qëndron në bazë të të
dyjave. Në këtë botë ne mund të fillojmë t'i kuptojmë nga pak gjërat dhe t'i
zotërojmë ato nga pak me ndihmën e shkencës. Kjo është arritur hap pas hapi
duke kundërshtuar fenë e krishterë, duke kundërshtuar kishat dhe duke kundërshtuar
të gjitha pragjykimet e vjetra. Ajo që mund të na ndihmojë ta kapërcejmë frikën
e tmerrshme që e ka shoqëruar njerëzimin për breza të tërë është shkenca.
Shkenca mund të na mësojë, siç mendoj se mund të na mësojnë edhe ndjenjat, që të
mos kërkojmë rreth e rrotull për ndihmë imagjinare, që të mos shpikim aleatë në
qiell, por të kërkojmë brenda mundësive tona këtu poshtë për ta bërë botën një
vend më të mirë për t'u jetuar, në vend të atyre lloj vendesh që kanë ndërtuar
kishat e ndryshme në vende të ndryshme.
Çfarë
Duhet Bërë
Duhet të ngrihemi në këmbë dhe ta shohim botën drejt e në sy
-- të vërtetat e mira, të vërtetat e këqija, bukuritë dhe shëmtitë; ta shohim
botën siç është dhe të mos trembemi prej saj. Ta pushtojmë botën me
inteligjencë dhe jo thjesht duke qënë të nënshtruar si skllevër ndaj tmerrit që
buron prej saj. E gjithë ideja e Zotit është ide që rrjedh nga despotizmi i
lashtë orjental. Është koncept që nuk i përshtatet njeriut të lirë. Kur dëgjon
se si njerëzit në kisha e ulin veten duke pranuar se janë mëkatarë të mjerë, e gjëra
të tilla, të duket e pështirë dhe e padenjë për qenie njerëzore që duhet të kenë
respekt për veten. Ne duhet të ngrihemi dhe ta vështrojmë botën me në fytyrë me
zemër të hapur. Duhet t'i marrim kësaj botë më të mirën e mundshme dhe, nëse
kjo nuk është e mirë sa duhet, në fund të fundit ka për të qënë gjithmonë më e
mirë se ajo që i kanë marrë të tjerët gjatë gjithë këtyre shekujve. Një botë e
mirë ka nevojë për dituri, zemërgjerësi dhe kurajo; ajo nuk ka nevojë për
pishmanllëqe qaramanësh për të kaluarën apo për mbytjen e inteligjencës së lirë
me fjalë të shqiptuara kohë të shkuara nga njerëz injorantë. Ajo ka nevojë për
këndvështrim të patrembur dhe inteligjencë të lirë. Ajo ka nevojë për shpresën
te e ardhmja, e jo që të rrijmë me kokën pas, drejt një të shkuare të vdekur, e
cila besojmë se do të tejkalohet shpesh nga një e ardhme që ne do ta krijojmë
me inteligjencë.
No comments:
Post a Comment