Të vështrosh nga lartësitë e Kometës
Arben Kallamata
(Këto shënime janë botuar si parathënie për "Viti i Mbrapshtë" në vellimin e 12 te Veprës se Kadaresë)
Hapni Google Earth dhe, në anën e majtë të ekranit, ku
lexon “Fluturo në…” shtoni “Selishtë, Albania”.
Pastaj shtypni butonin “Fillo kërkimin”. Procesi i kërkimit është i
mahnitshëm. Në qendër të ekranit çfaqet Toka që rrotullohet, afrohet, zmadhohet
me shpejtësi në rritje, derisa, brenda sekondave, e gjeni veten të zhvendosur
nga lartësitë e satelitit në një pamjeje thuajse të prekshme e të përqëndruar të
një fshati të Dibrës.
Google Earth është krijuar nga kompania amerikane
Keyhole, Inc. në vitin 2004. Afro njëzet vjet përpara saj, megjithëse në një
medium krejt tjetër, Kadare përdorte të njëjtin efekt për ta futur lexuesin në
brendësi të një prej kryeveprave të tij, “Viti i mbrapshtë“. Në hapje të novelës
e gjen veten në lartësitë kozmike, diku pranë një komete të akullt që pezullon
mbi tokë njëlloj si satelitët e sotëm. Prej aty, Kadare të mbërthen fort dhe të
tërheq me vrull drejt fshatit Selishtë. Ky është vetëm fillimi, vetëm goditja e
parë. Pasi të jep pak çaste të marrësh frymë, “Viti i Mbrapshtë“ të zhyt në një
vorbull marramendëse, në brendësi të një gjendjeje sa fantastike e absurde, aq
edhe të vërtetë e të mundshme. Ndërkohë, ti s’ke fare kohë të mendosh se Selishtën,
pikënisjen e ngjarjeve, Kadare e ka zhvendosur nga Dibra në Mokërr, emri të cilës
s’bën gjë tjetër veçse të përforcon në mënyrë të nënvetëdijshme përshtypjen e
një rrotullimi të pafund, të një bluarje të pamëshirshme, të një vorbulle të
pandalshme. Si lexues ndjehesh krejtësisht i përpirë nga lëvizja e çrregullt që
është realiteti i Shqipërisë në vitin e turbullt pas lindjes së saj si shtet,
ose që fare mirë mund të merret si realiteti i Shqipërisë në të gjithë vitet e
saj të mbrapshtë, qofshin 1913, 1939, 1944, 1967, 1985, 1991, apo 1997.
“Viti i mbrapshtë“ u botua fillimisht në 1986 si pjesë e
vëllimit me tregime e novela “Koha e Shkrimeve”. Në fund të novelës është shënuar
data Nëntor 1985. Pavarësisht faktit të padiskutueshëm që “Viti i Mbrapshtë“ është
nga ato vepra universale përcaktimi i kohës së krijimit të së cilës as ia ul
dhe as ia ngre vlerat, rrethanat në të cilat është shkruar kanë rëndësi për të
kuptuar një anë të debatuar të Kadaresë.
Në vitin 1985 Shqipëria nuk ishte shumë larg botës orwelliane
të vitit “1984”. Diktatori ishte varrosur në Prill, ndërsa pasardhësit e tij
çirreshin e përbetoheshin për “vazhdimësinë“. Ramiz Alia nuk i kishte nisur
ende lojrat mashtruese të lëshim-shtrëngimit dhe ping-pongun politik me damën e
zezë. Kokat e njerëzve mbaheshin si kurrë ndonjëherë nën goditjen ritmike të
propagandës së ditëve të Enverit, javëve të Enverit, muajve të Enverit. Nuk dukej
asnjë shenjë se e ardhmja deri në përjetësi s’do t’i takonte Enverit dhe kreu
eunuk i vendit, që nuk mori dot guximin qoftë edhe të anashkalonte trashëgiminë
kriminale të udhëheqësit të tij shpirtëror, betohej për qiell e për dhe se
Enver Hoxha kishte vetëm ditëlindje dhe
nuk do të vdiste kurrë. Me synime krejtësisht të mbrapshta të një strategjie
oruelliane, ai përpiqej të mbante lart në jetë të jetëve portretin e Vëllait të
Madh dhe të bindte shqiptarët se ai nuk kishte vdekur, nuk mund të vdiste dhe
nuk do të vdiste – pra asgjë nuk kishte ndryshuar dhe nuk do të ndryshonte. Ideatorët
dhe zbatuesit e këtij plani makabër, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe gjithë
aparati i tyre kriminal bënin sytë katër për të shuar që në krijim çdo shenjë
se gjërat mund të ndryshonin, çdo ide që mund të lejonte iluzione në mendjet e
njerëzve. Në 1985 diktatura komuniste shqiptare ruante ende të pandryshuar
vrullin e egërsisë së pashembullt të krijuesit të saj, Enver Hoxhës.
Në këtë situatë të molepsur njerëzit ende përgjonin dhe i
ruheshin përgjimit të njeri-tjetrit. Ende nuk ankoheshe dot se shitoret ishin zbrazur,
apo se supa e mencës së ndërmarrjes nuk kishte shije. Ende nuk e ktheje dot
radion apo televizionin në një stacion të huaj pa pasur frikë se do të të
spiunonte fqinji, ndërsa rradhat për vezë, qumësht e djathë vinin e zgjateshin
dita ditës. Letërsia bashkëkohore botërore në Bibliotekën Kombëtare ruhej me çelës
në fondin rezervat, kurse ata pak libra që përktheheshin duhet të ishin shkruar
përpara fillimit të shekullit të njëzetë. Fjala e shkruar dhe e botuar
kontrollohej nga një mekanizëm i tërë partiak, shtetëror e vullnetar, ndërsa dënimet
me burgime të rënda për agjitacion e propagandë vazhdonin të praktikoheshin si
gjithmonë. Në letërsi dhe arte nuk kishte ndryshuar asgjë. Realizmi Socialist
ishte e vetmja rrugë e mundshme dhe e detyrueshme nëqoftëse doje të shkruaje. Kërkesat
dhe kriteret e tij përpunoheshin dhe shtrëngoheshin në mënyrë “krijuese” nga një
aparat i tërë kritikësh, teoricienësh dhe sahanlëporisish letrarë. Populli
ushqehej me parrulla dhe fraza të gatshme, dhe shprehja “liri e fjalës” as që
ekzistonte në fjalor.
E bëra gjithë këtë përvijim për të theksuar se sa e
rrezikshme, e guximshme dhe delikate ishte në 1985 të shkruaje e botoje diçka që
nuk i përshtatej kallëpeve të kohës. Nuk është fjala thjesht për elementë të
prekshëm – ta zëmë, paraqitjen me vërtetësi të një personazhi të turpshëm
historik si Haxhi Qamili, i cili për shkaqe të çuditshme dhe krejtësisht kundër
logjikës së interesave kombëtare shqiptare kishte gëzuar përkrahjen e hapur të
Enver Hoxhës, pra ishte zyrtarisht i paprekshëm. Pra nuk është fjala thjesht për
guximin e Kadaresë për ta flakur si mbeturinë të panevojshme këtë njollë të
historisë së Shqipërisë që paraqitej si e hero popullor nga propaganda zyrtare.
Fjala është për atë guximin tjetër, më të madh, për guximin artistik dhe krijues
për të shkruar diçka që s’përputhej në asnjë gërmë me normat e realizmit
socialist shqiptar dhe për t’i dhënë lexuesit diçka të bukur.
Sipas shabllonit të përcaktuar nga Gorki, vepra e
realizmit socialist duhet të jetë art proletar i lidhur me klasën punëtore dhe
që kuptohet prej saj; të përmbajë skena tipike nga jeta e përditshme e njerëzve
të thjeshtë; të jetë realiste nga paraqitja dhe të mbështesë parimet e shtetit.
Teoricienët ideologjikë të letërsisë dhe artit komunist shqiptar, duke i
mpleksur këto përkufizime me ide edhe më të skajshme huazuar nga revolucioni
kulturor kinez, krijuan një mishmash kriteresh shtrënguese, si vënia në qendër
e heroit pozitiv, i cili duhet të përçonte vijën e partisë; përshkrimi i çdo
faqeje, paragrafi, fjalie apo fjale nga filli i kuq i ideologjisë komuniste, mohimi
i artit dekadent borgjezo-revizionist, e të tjera si këto. Mund ta lexosh “Viti
i Mbrapshtë“ njëqind herë dhe të mos arrish të dallosh aty asnjë nga këto kërkesa.
Kjo, sepse Kadare, në mënyrë të çuditshme, moskokëcarëse, kryeneçe ose, quajeni
si të doni, tregon një mospërfillje të plotë, një mohim të hapur të parimeve
shtrënguese të realizmit socialist.
“Viti i Mbrapshtë“ nuk ka në qendër asnjë proletar, asnjë
përçues të vijës së Partisë. Në të nuk gjen skena tipike nga jeta e përditshme
e njerëzve të thjeshtë. Nuk ka asnjë pjesë ku të mendohet se Kadare është
ndalur, ka analizuar apo ka vrarë mendjen t’ia përshtasë krijimin e tij nomeve
të realizmit socialist. Nuk ka asnjë rresht për të cilin mund të gjykosh – ky këtu
është vënë për shkak të censurës, ose autocensurës.
Në vend të artit proletar të lidhur me klasën punëtore,
“Viti i Mbrapshtë“ ka në qendër një stuhi të pandalshme ngjarjesh, një mori
njerëzish, ushtrish e formacionesh ushtarake, bandash e çetash pa formë, që në
të shumtën e rasteve shtyhen nga motive të turbullta, të errëta, ogurzeza, ose
të pashpjegueshme. Paralel me “zogorinë e qenve që vraponin me ulërimë nëpër kufirin
shqiptaro-malazes, dilnin nga pjesa e tij lindore, për t’u sulur turravrap
drejt kufirit greko-maqedonas…”, pa asnjë kuptim dhe logjikë vërtiten ushtritë
franceze, greke, italiane, serbe, deri te njerëzit e Uk Bajraktarit, të cilët ndjekin
një hartë austriake të gjetur rastësisht në rrugë, shenjat e të cilës as që
arrinin t’i kuptonin. Kjo mund të jetë gjithçka, por kurrsesi mënyra se si e
paraqet shkrimtari i realizmit socialist gjendjen e vendit një vit pas krijimit
të shtetit shqiptar.
Normalisht, ngjeshja e një morie ngjarjesh e rrethanash
brenda fushës pamore të një novele do t’i kishte kërkuar shkrimtarit të
sakrifikonte në drejtim të personazheve. Por me mjeshtërinë e tij Kadare krijon
jo një por disa personazhe që të mbeten në kujtesë, dhe këtë e realizon pikërisht
ngaqë është i shkëputur nga skema. Shestan Verdha, i vetmi që mund të trajtohet
si “hero”, nuk ka asgjë të përbashkët me heroin pozitiv të realizmit socialist.
Përveç dashurisë për vendin e tyre dhe një drejtpeshimi moral, Shestan Verdha
dhe luftëtarët e çetës së tij janë përgjithësisht po aq të paqartë për atë që bëjnë
sa edhe gjithë personazhet e tjerë që bluhen nga mokra e luftës ballkanike. Novelën
e popullojnë një mori portretesh të tjerë, që nga Sara Stringa e deri te Kus
Babai, që nga Sofi Shënburg e deri te konsulli Italian, që nga pishtarmbajtësi
i Haxhi Qamilit e deri te vjehrra e Alush Tabutgjatit, karaktere të gjallë, të
vërtetë, të prekshëm e, njëkohësisht fantastikë, jashtë kornizave.
Kjo është mënyra se si shkruante Kadare në kontekstin e
Shqipërisë së vitit 1985. Ana tjetër, po aq e rëndësishme, ishte se si lexohej
Kadare në atë kohë ose, më saktë, çdo të thoshte për lexuesin shqiptar të
kishte në dorë një libër si “Viti i Mbrapshtë“.
Më kujtohet që vëllimin “Koha e Shkrimeve” e kam blerë
thuajse nën dorë, nga disa pak kopje që shpërndaheshin “me mik” në Lidhjen e
Shkrimtarëve. Si zakonisht, dhjetëmijë copë të tirazhit nuk arrinin as të vendoseshin
në raftet e librarive. Kjo ndodhte gjithmonë me Kadarenë dhe nuk ndodhte me
asnjë shkrimtar tjetër.
Në këndvështrimin e lexuesit shqiptar të kohës vepra e Kadaresë
paraqet një shkëputje fatlume nga njëtrajtshmëria e letërsisë që prodhohej në
vend dhe asaj që përkthehej. E para mbytej që në krijim nga autocensura dhe përpjekjet
e dhunshme për t’iu nënshtruar kërkesave të realizmit socialist, ndërsa tjetra,
gjithçka e përkthyer nga letërsia botërore përzgjidhej me shumë kujdes, kalonte
përmes një procesi të imët kontrolli e miratimi, pastaj redaktohej, sakatohej
dhe përdhosej pa pikë mëshire, derisa t’i përshtatej kallëpeve zyrtarë. Lexuesit
shqiptar i mungonte plotësisht lidhja me letërsinë e vërtetë bashkokohore dhe ndoshta
e vetmja pikë që e realizonte këtë lidhje ishte Ismail Kadare.
Jo rastësisht në vitet 1970-1980të Kadarenë e akuzonin se i shkruante veprat “për të
huajt” me synimin që t’i botoheshin jashtë vendit, duke shpërfillur lexuesin
shqiptar. E thënë në një vend të mbyllur e të izoluar, me një atmosferë mbytëse
dhe armiqësore për çdo arritje të qytetërimit perëndimor, në kushtet e një
diktature kafshërore, akuza ishte tepër e rrezikshme. Ajo përmbante në vetvete
nënkuptimin se Kadare i drejtohej lexuesit të korruptuar borgjez. Për çudi, kjo
akuzë vazhdon të përsëritet në mënyrë të pakuptimtë edhe sot e kësaj dite. Harrohet
se të shkruaje për shqiptarët” në vitin 1985 do të thoshte t’i përshtateshe
kallëpeve të realizmit socialist.
E vërteta është se Kadare shkruante për një lexues
universal, shumë mirë të edukuar, të aftë për të vlerësuar dhe shijuar si duhet
letërsinë e vërtetë. Këtë lexues ai e gjente në Perëndim, me librat që i
botoheshin fillimisht në Francë e, që atje, në Europë dhe gjithë botën, por e
gjente edhe në Shqipëri. E gjente në atë pjesë të lexuesit shqiptar që dinte ta
lexonte si duhet letërsinë dhe që ishte aq mendjehapur sa ta pranonte vlerën e
penës së Kadarese dhe, veçanërisht, të pranonte të edukohej prej tij.
Duke shkruar për këtë lloj lexuesi, Kadare ka luajtur një
rol ndoshta të pakrahasueshëm si edukues i disa brezave lexuesish shqiptarë.
Nuk besoj që ai ta ketë bërë me qëllim këtë, ose të ketë vrarë mendjen se si do
t’i edukojë ato që shkruan. Megjithatë, arti i tij i madh dhe universal ishte
aq i ndryshëm nga gjithçka tjetër përreth, saqë është e pamundur të nënvleftësosh
rolin edukues dhe emancipues të tij. Duke lexuar Kadarenë njerëzit mësonin se
si të vlerësonin të bukurën dhe intelektualen, mësonin se arti i vërtetë
shkruhej përtej skemave dhe shablloneve, mësonin se ekzistonte një botë dhe,
veçanërisht një botëkuptim, një mënyrë të vështruari e saj që ndryshonte nga
grija mbytëse e peizazhit të jetës së përditshme të shqiptarëve.
I detyruar ndoshta nga rrethanat të shkruante midis
rreshtave, Kadare i mësoi shqiptarët se si lexohej midis rreshtave dhe se si të
kapnin kuptime të padukshme. Ai iu solli atyre parimin e ajsbergut – vetëm një
e shtata qëndron mbi sipërfaqe, pjesën tjetër kërkojeni vetë. Edhe kur nuk
arrinin ta kuptonin, lexuesit shqiptarë u mësuan të gërrmonin për të gjetur
mendimin e fshehtë. Kadare iu jepte dhuratën e imagjinatës. Në një shoqëri ku të
vije pikëpyetje ishte një akt i dënueshëm, Kadare i mësonte lexuesit e tij se
si të pyesnin dhe të kërkonin përgjigje.
Në një farë mënyre librat e Kadaresë ishin si ajo
bakllavaja e mbuluar me cohë jeshile që mbante në kokë portjeri i konsullatës
turke në Durrës duke u kthyer nga furra e Stasit, “i ndjekur pas nga dy nëpunës
të konsullatës, të dy me fytyra tejet serioze.” Në një ndër skenat e
mrekullueshme të “Viti i Mbrapshtë“, bakllavaja, që i dërgohet Konsullit anglez
kthehet në objekt hamendësimesh – sa është diametri, dhe ç’kuptim ka? Me sa petë
është bërë? Ku qëndron mesazhi i fshehtë i saj? Çdo të ndodhë më tutje?
Interpretimet janë nga më të çuditshmet dhe më kundërthënëse. Në mënyrë krejt të
ngjashme, stili shumëkuptimshëm i Kadaresë hapte shtigje të pafund për pyetje
dhe interpretime – përse është thënë kjo frazë, dhe përse është shprehur kështu?
Kujt kërkon t’i bjerë me këtë? Po këtu, ku e ka fjalën? Të rrallë janë ata
shkrimtarë që e shkaktojnë këtë efekt. Kadareja i shtynte njerëzit t’i lëshonin
frè mendimit, në një kohë kur mendimi i lirë nuk ishte aspak i mirëpritur. Ai i
bënte njerëzit të dyshonin, në një kohë kur kërkohej bindja dhe nënshtrimi.
Edhe sot, dhjetëvjeçarë të gjatë më pas, në rrethana
krejtësisht të papërfytyrueshme për atë kohë, “Viti i mbrapshtë“, si shumë
libra të tjerë të Kadaresë, të bën të mendohesh, të përfytyrosh, të ëndërrosh
dhe, mbi të gjitha, të bën të ndihesh mirë intelektualisht. Ai është prodhim i
një pene që shkruante përtej kufizimeve idiote të kohës dhe që dilte dukshëm
mbi çdo meskinitet të rrethanave në të cilat ka qënë e detyruar të shkruajë.
Është art i vërtetë, i gjithëkohshëm, që i shkruar në kushtet e shtypjes më të
madhe të mundshme, përbën revoltë dhe kundërshtim, jo të ndrydhur, por të
shprehur haptaz, publikisht. Kadare nuk ka shkruar duke e parë botën nga
frëngjia e bunkerit shqiptar. Ai vështronte nga lartësitë e kometës dhe që atje
na dërgonte nënqeshjen e tij me shumë kuptime.
No comments:
Post a Comment