“Deri tani, thotë Z. Rama, që vetë është
katolik jo praktikan, vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt kanë dijeni
për planin…” shkuran Endru Higins për Nju Jork Taims, në raportimin e 21
Shtatorit të titulluar “Shqipëria planifikon një shtet të ri musliman brenda kryeqytetit
të saj”.
Plani për krijimin e një shteti fetar brenda
kryeqytetit është paraqitur si ide vetjake e Ramës, e pabazuar në ndonjë
kërkesë të shoqërisë shqiptare, e pa konsultuar me asnjë forcë politike, duke
përfshirë këtu edhe partinë e kukullave që drejton vetë ai, e pa votuar në
asnjë referendurm apo plebishit popullor, e pa mbështetur në asnjë nevojë
ekonomike, politike, apo shpirtërore të ndonjë shtrese, le më pas të shumicës
apo të gjithë popullsisë së Tiranës a Shqipërisë. Është thjeshtë ideja e një
njeriu që e sheh veten si diktator, sundues të vetëm, të madh, të pavdekshëm, të
pagabueshëm, i cili, për çudi, ka arritur në një çast historik kur mendon se
diktatorllëkun e vet mund t’ua shesë pa vështirësi edhe vendeve që mburren me sistemet
e tyre demokratike.
Ideja e krijimit të një mikro-shteti fetar
brenda kufijve të kryeqytetit të një shteti laik nuk është origjinale e
Udhëheqësit të Lavdishëm dhe të Pagabueshëm Edi Rama. Një tjetër “udhëheqës i
madh”, një tjetër diktator i ka paraprirë atij. Në 11 shkurt 1929 Benito
Musolini, Kryeministër i Italisë i hapi rrugën një monstruoziteti të tillë duke
nënshkruar Traktatin Lateran në bazë të të cilit Mbreti Viktor Emanueli III
pranonte themelimin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit nën drejtimin e kryetarit
të tij Papës Piu XI.
Musolini kishte shtatë vjet që kishte hipur në
pushtet dhe gjente një mënyrë për konsolidimin e pushtetit të tij absolut në
një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të kohës dhe për të siguruar përkrahjen e qindra
milionë katolikëve në botë. Edi Rama ka 11 vjet që i ka hipur kalit mbrapsht në
një vend të vockël të Ballkanit dhe duket se ka gjetur një mënyrë për të
shpallur statusin e tij si diktatoruc dhe për t’u marrë si i mirëqënë në këtë
status nga diplomacitë e shteteve të mëdha që mesa duket nuk e vrasin më
mendjen fare se çfarë sistemi politik apo shoqëror, çfarë statusi mendor apo
psikologjik e sundon ai atë një pëllëmb vend me popullsi të përgjysmuar.
Për çfarë i duhet Edi Ramës një shtet bektashi
në mes të Tiranës?
Vështirë të përcaktosh se si veprom mendja
diabolike e një diktatori, qoftë ky i përmasave minimale si Edi Rama.
Sidoqoftë, një nga përfitimet tashmë është shprehur në pasqyrimin që i është
bërë idesë së tij, domethënë që shtypi dhe ndoshta opinion diplomatik në
Perëndim e merr si të mirëqenë statusin e tij si diktatoruc i Shqipërisë dhe
nuk iu bëhet shumë vonë për këtë. Është, si të thuash, një miratim i heshtur
për kalimin e Shqipërisë nga një demokraci me zgjedhje të lira në diktaturë
absolute, ku një dorë e fortë ideon dhe përcakton ecurinë e vendit.
Për çfarë i duhet botës një shtet bektashi në
Tiranë të Shqipërisë?
Për hiç asgjë. Veçse për ndonjë humor të
rastit, për botën nuk ka pikë rëndësie se ç’bën një vend pa pikë rëndësie me
një pjesë të besimetarëve të vet. Për botën nuk ka pikë rëndësie nëse Rama iu jep
besimtarëve të vet statusin e shtetit, mbretërisë apo edhe perandorisë.
Për çfarë iu duhet besimtarëve bektashij të
Shqipërisë një shtet brenda kufijve të Tiranës? Po të nisesh nga lajmet në
përgjithësi, besimtarët bektashinj dhe baballarët e teqeve në Shqipëri as që
duhet të kenë dijeni se çka bluajtur kryegjyshi i tyre Mondi me Kryeministrin
Edi Rama. Ndoshta k-gjysh Mondit mund t’i guduliset sedra personale me një
status të ri. Mbase atij vetë mund t’i shtohen edhe të ardhurat duke qenë edhe
k-gjysh dhe k-ministër i një entiteti sado absurd që të jetë ai. Megjithatë, vështirë
të thuash që ideja e një mikro-shteti bektashi pajtohet me parimet e fesë
bektashjane, pavarësisht se përgjigjen përfundimtare për këtë mund ta japin
vetëm teologët bektashjanë.
Çfarë i duhet shqiptarëve një shtet bektashi
në Tiranë?
Absolutisht për asgjë. Shqiptarët nuk po bëjnë
dot një shtet, le më pastaj të bëjnë edhe një tjetër brenda tij. Sidoqoftë, Edi
Rama mund ta shesë idenë si një marifet interesant për të promovuar turizmin, por
nuk mund të fshehë idenë që në këtë rast ai po vepron si diktator absolut.
Pyetja e vërtetë në këtë rast është: A mund ta
përballojnë shqiptarët “luksin” e lidhjes së fatit të tyre me një diktator të
ri? Nga historia dihet se diktatorët e shfrytëzojnë vendin e tyre ose deri në
vdekje, ose derisa gjindet dikush apo diçka që i heq qafe. Musolini, diktatori
që krijoji Shtetin e Qytetit të Vatikanit brenda kufijve të Romës përfundoi i
varur me kokë poshtë. Sadam Huseni, diktatori i Irakut, përfundoi në një vrimë
nën tokë. Kadafi hëngri plumb pas qafe. Noriega dhe Milosheviçi i kaluan ditët
e fundit të jetës të sëmurë nëpër burgje. Por, që të arrinin deri aty ku
arritën ata i sollën popujve të tyre me qindra-mijëra viktima luftrash idiote, shkatërrim
ekonomik dhe mjerim, i sollën trauma të vërteta shoqërore që nuk harrojnë lehtë.
Lidhjet e forta me diktatorët janë gjithmonë në dëm të popujve që i krijojnë. Edi
Rama mund të arrijë të mbijetojë si diktator për sa kohë të jetë gjallë, por,
ashtu si edhe nga paraardhësi i tij enver hoxha, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk
ka për t’iu ardhur asgjë e mirë. Atij mund të vijë dita edhe të rrëzohet,
ndoshta edhe me dhunë, siç janë rrëzuar shumë të tjerë, pavarësisht përkrahjes
që iu është dukur se kanë pasur nga Perëndimi. Por këtë rrëzim, të dhunshëm apo
jo, është më mirë t’ia sjellin vetë shqiptarët, sepse po iu la në dorë të
huajve, ata e bëjnë pa shumë konsideratë për atë që ata e quajnë “collateral
damage”.
No comments:
Post a Comment