Friday, October 26, 2012

Historia e Kurban Bajramit


Prejardhja (Sipas Wikipedias http://en.wikipedia.org/wiki/Eid_al-Adha )

Sipas traditës islamike, rreth katërmijë vjetë më parë lugina e Makës (ajo që sot përbën Arabinë Saudite) ishte një vend i thatë, shkëmbor dhe i pabanueshëm. Zoti e kishte këshilluar Abrahamin (ose Ibrahimin në Arabisht) të merrte gruan Haxhir (Hagar) dhe djalin e vetëm Ishmael (Ismail) që nga toka e Kanaanit dhe t'i sillte në Arabi
Kur pa se Ibrahimi po bëhej gati për t'u kthyer në Kannaan, Hagar e pyeti: "Po ne, po na le këtu që të vdesim? Zoti të ka dhënë porosi të na lësh këtu?" Ibrahimi iu kthye gruas përballë. Ndihej aq i mjerë sa s'fliste dot një fjalë. Bëri me dorë nga qielli, si për të thënë që këtë ia kishte kërkuar Zoti. Hagar i tha: "Mirë, atëherë, mund të shkosh. Zoti s'ka për të na shkuar dëm." Megjithë sasinë e madhe të ushqimeve dhe ujit që iu kishte lënë Ibrahimi, shumë shpejt Haxhireja dhe Ismaili mbetën pa gjë dhe filluan të ndjejnë shenjat e etjes dhe urisë.
E dëshpëruar për ujë, Hagar iu ngjit dhe zbriti shtatë herë dy kodrinat e quajtura Al-Safa dhe Al Marwah. Më në fund, ajo u plas e rraskapitur në krah të foshnjes Ismail duke iu lutur Zotit për shpëtim. Për çudi, nga toka përpara këmbëve të foshnjes Ismail filloi të burojë një krua uji. Sipas disa rrëfimeve të tjera, uji nuk doli vetë, por e nxorri ëngjëlli Gabriel (Xhibrail) që e goditi tokën fort dhe bëri të dalë ujë me shumicë. Gjithë ai ujë, që njihet si Pusi Zamzam, jo vetëm që ua shuajti etjen, por edhe iu mjaftoi për ta shkëmbyer atë me ushqim me endacakët që kalonin aty pari. 
Disa vjet më vonë Ibrahimi mori udhëzime nga Zoti që të kthehej nga Kanaani dhe të ndërtonte një faltore pranë pusit të Hagar (Pusit Zamzam). Ibrahimi dhe Ismaili ngritën një ndërtesë prej gurësh dhe llaçi - e njohur si Kaaba - që do të bëhej vendi ku mblidheshin të gjithë ata që kërkonin të forconin besimin te Zoti. Me kalimin e viteve, Ismaili mori statusin e profetit (Nubuwwah) dhe ishte ai që do t'i jepte bredharakëve të shkretëtirës mesazhin e nënshtrimit ndaj Zotit. Shumë shekuj më vonë, në sajë të burimit të saj të pashterrshëm të ujit, pusit të Zamzamit, Meka do të kthehej në një qytet shkretëtire të lulëzuar dhe një qendër e rëndësishme tregëtare.
Një nga provat më të forta në jetën e Ibrahimit ishte kur atij iu desh të zbatonte urdhërin e Zotit për t'ia përkushtuar atij pronën e tij më të shtrenjtë, djalin e vetëm. Me ta dëgjuar urdhërin ai u bë gati t'i nënshtrohej vullnetit të Zotit. Në kohën kur po bëhej gati, Satani (Shejtani) u përpoq ta fuste në ngasje Ibrahimin dhe familjen e tij, duke kërkuar t'i bindte që të mos e zbatonin urdhërin e Zotit. Por Ibrahimi e dëboi Shejtanin duke i gjuajtur me plisa. Në kujtim të mohimit të Shejtanit, një nga ritet e Haxhit është që njerëzit iu gjuajnë me plisa disa shtyllave që simbolizojnë Shejtanin.
Kur Ismaili ishte rreth 13 vjeç (dhe Ibrahimi 99), Zoti vendosi që t'ua vinte publikisht në prove besimin. Ibrahimi filloi të shihte herë pas herë të njëjtën ëndërr, në të cilën Zoti e urdhëronte që ky t'ia ofronte djalin e vet si sakrificë - një veprim i papërfytyrueshëm - pra të sakrifikonte djalin e vet të vetëm, që Zoti ia kishte dhënë pas gjithë atyre viteve lutjeje. Abrahami e dinte që ëndrat e profetëve kanë frymëzim hyjnor dhe se ato përbënin një nga mjetet me të cilat Zoti komunikonte me profetët. Kur e kuptoi qartë se çfarë domethënie kishin ëndrrat, Ibrahimi vendosi ta vinte në jetë urdhërin e Zotit dhe ta ofronte Ishmaelin për sakrificë.
Megjithëse ishte gati të sakrifikonte gjënë më të shtrenjtë për hir të Zotit, ai s'mund të shkonte dhe ta tërhiqte të birin zvarrë deri te vendi i sakrificës pa miratimin e tij. Duhej biseduar edhe me vetë Ismailin nëse ky do të ishte i gatshëm që të hiqte dorë nga jeta për t'i plotësuar urdhërin Zotit. Kjo bisedë do të ishte një provë e madhe e pjekurisë së besimit, dashurisë dhe përkushtimit të Ismailit për Zotin, e gatishmërisë për t'i shërbyer të atit dhe për të sakrifikuar jetën e vet për hir të Zotit.
Ibrahimi ia paraqiti çështjen të birit dhe e pyeti se ç'mendonte ai për ëndrrat që ky kishte parë për therrjen e tij. Ismaili nuk tregoi asnjë shenjë ngurrimi apo prapamendimi, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ai tha: "Baba, bëj atë që të kanë urdhëruar të bësh. Mua do të më kesh gjithmonë të qetë dhe të duruar, Inshallah." Përgjigja e tij e pjekur, kuptimi i tij i thellë i brendisë së ëndrrave të të atit, përkushtimi ndaj Zotit, dhe së fundi gatishmëria e tij për të sakrifikuar jetën e tij për hir të Zotit ishin të papara.
Ibrahimi nuk duronte dot ta shihte të birin duke vdekur, prandaj edhe mbuloi sytë. Kur ia preu fytin Ismailit dhe hoqi shaminë me të cilën kishte zënë sytë, ai u habit që pa Ismailin aty pranë të paprekur dhe, në vënd të tij, ishte shtrirë i ngordhur një dash të cilin ai vetë sapo e kishte therrur. Me gatishmërinë për të vënë në jetë urdhërin e Zotit Ismaili e kishte kaluar provën.
Si shpërblim për sakrificën, Zoti i dha Ibrahimit lajmin e gëzuar të lindjes së djalit të tij të dytë, Isakut.
Ibrahimi kishte vërtetuar se dashuria për Zotin i tejkalon të gjitha: se ai ishte i gatshëm të jepte edhe jetën e vet, edhe jetën e njerëzve të tij më të dashur si shenjë nënshtrimi ndaj urdhërit të Zotit. Muslimanët e përkujtojnë çdo vit këtë vepër sakrifice përmes Kurban Bajramit.

Koment (sipas meje):
Çfarë festohet me rastin e Kurban Bajramit? Kujt i gëzohen njerëzit që e përkujtojnë një herë në vit? Sa njerëz e vrasin mendjen për të pyetur se ç'kuptim ka kjo festë dhe përse duhet të gëzohem? A i shkon mendja njeriu të thotë se kjo festë përkujton rastin e një babai që kishte vendosur të therrte në mënyrën më të pashpirt djalin e tij të vetëm? Për t'iu përgjigjur këture pyetjeve le të shohim pak kuptimin e vërtetë të historisë së Ibrahimit dhe Ismailit.
Në lidhje me këtë histori, njerëzit ndahen në pesë kategori:
1. Ata nuk e kanë lexuar dhe nuk e dijnë.
2. Ata që e kanë lexuar dhe besojnë që ka ndodhur.
3. Ata që e kanë lexuar dhe nuk e besojnë që ka ndodhur.
4. Ata për të cilët s'ka rëndësi nëse e besojnë apo jo, ose s'ka rëndësi nëse e kanë lexuar apo jo, por ka rëndësi mesazhi që ajo përcjell.
5. Natyrisht, janë edhe besimtarët e feve të Krishtera dhe Hebraike, të cilët janë të bindur që nuk ishte Ismali, por Isaku ai që do të sakrifikohej (por kjo nuk e ndryshon shumë thelbin e diskutimit).
Unë i përkas grupit të njerëzve që nuk e besojnë. Ose, më saktë mund të them që e besoj po aq sa mund të besoj edhe histori të tjera të të njëjtës kohë, domethënë rreth katërmijë vjet të shkuara - historitë e Zeusit dhe perëndive greke; përrallave me Qiklopin, Sirenat që i këndonin Ulisit, Bëmat e Herkulit, e të tjera rrëfenja simbolike nga antikiteti që janë ndryshuar e përpunuar gojarisht brez pas brezi për mijëra vjet, pastaj janë ngurtësuar në libra të shenjtë e jo të shenjtë.
Ndërkohë ka shumë nga ata që besojnë se kjo histori ka ndodhur vërtet -- ka nga ata që e besojnë me pikë e me presje, ka edhe nga ata që e pranojnë në vija të përgjithshme. Nga përvoja ime, ata që e besojnë, çfarëdo lloj arsyetimi logjik që t'iu japësh për t'iu vërtetuar se kjo histori nuk mund të jetë e vërtetë e hedhin poshtë me këmbëngulje. Mohojnë edhe arsyetimin që Zoti, po të donte, mund të gjente rrugë të tjera veç ëndrrave për të komunikuar me Ibrahimin; mohojnë edhe arsyetimin që katërmijë vjet më parë, kur jeta e njeriut s'i kalonte të pesëdhjetat, do të ketë qënë krejtësisht e pamundur për Ismailin që të kishte fëmijë në moshën 99 vjeç; mohojnë edhe arsyetimin që komunikimet me zotin janë më tepër pjellë e imagjinatës dhe nuk mund të vërtetohen asnjëherë; apo arsyetimin që nuk mund të merret si e mirëqënë dëshmija e një plaku 99 vjeçar që ka dashur të vrasë të birin dhe justifikimi se kështu e urdhëroi zoti në ënërr - se kjo nuk pranohet as sot në asnjë gjykatë të botës, dhe nuk mund ta pranosh nga një gojëdhënë katërmijëvjeçare.
Me një fjalë përpjekja për nxjerrë nëse kjo histori ka qënë apo jo e vërtetë nuk jep frut. Ata që e besojnë, e besojnë. Pikë. Pra unë s'po zgjatem me të dhe po i kthehem mesazhit që mund të nxjerrësh prej saj, pasi ai më duket më i rëndësishëm.
Mesazhi ose ideja e një historie ka të bëjë me kuptimin që nxjerr prej saj. Mesazhin mund ta nxerrësh duke e dëgjuar ose lexuar historinë drejtpërdrejt dhe pastaj duke u menduar dhe duke u përpjekur t'i përgjigjesh pyetjes: Ç'kuptim ka kjo që sapo lexova ose dëgjova? Por, nga ana tjetër, nëqoftëse përton, nëqoftese nuk di të lexosh, nëqoftëse nuk të ka rënë ndonjëherë në dorë historia, nëse nuk merr mundimin të gjykosh dhe arsyetosh, atëherë mund të dëgjosh interpretimin që i bëjnë historisë të tjerët për ty. Kam përshtypjen se shumica e atyre që e mbështesin mesazhin që përcjell këtë histori kanë dëgjuar më parë interpretimin e mesazhit të saj nga dikush tjetër - një i rritur në familje, një njeri i fesë i specializuar për interpretime të tilla - hoxhë, imam, baba teqeje, prift, raba. Ky mesazh, sipas interpretuesve fetarë është: Me veprën e tij Ibrahimi vërtetoi se dashuria për Zotin i tejkalon të gjitha.
Nuk e di sa njerëz që kanë një minimum ndjenje njerëzore dhe që kanë pasur fatin të rrisin fëmijë janë të gatshëm ta pranojnë thellë thellë në vetvete idenë e vërtetë makabre që përcjell kjo histori. Të qënit i gatshëm për të vrarë një qenie të pafajshme njerëzore, aq më tepër birin tënd, vetëm e vetëm se kjo të është kërkuar në ëndërr nga një krijesë imagjinare e mbinatyrshme, është thjesht kriminale. Akti i sakrifikimit të një njeriut është në kundërshtim të plotë me çdo instikt prindor, njerëzor apo shtazarak; në kundërshtim të hapët me të qënit njeri, me thelbin e rikrijimit dhe vazhdimësisë së jetës; me filozofinë e mbijetesës së species njerëzore, të çdo lloj specieje që popullon këtë planet. Sakrifikimi, vrasja, therja në grykë e fëmijës tënd të pafajshëm, pa asnjë arsye logjike (në të vërtetë, asnjë arsye logjike nuk do ta justifikonte një veprim të tillë), është i papërfytyrueshëm.
Mesazhi i kësaj historie përcillet përmes personazheve të saj. Ja ç'na dalin ata po t'i shqyrtojmë me një logjikë të ftohtë:  
Ibrahimi, një plak i çmendur, kriminel, që fillimisht braktis gruan dhe fëmijën në mes të shkretëtirës, pa ujë, pa ushqim, dhe ikën për të shpëtuar prapanicën e vet. Kur e shoqja i kërkon të pohojë nëse këtë ja ka diktuar Zoti apo jo (që duket të ketë qënë justifikimi i tij edhe për veprime të tjerë të mëparshëm), ai shtanget dhe s'di ç'të thotë. Më vonë ky vrasës patologjik del me idenë e therrjes së të birit, dhe përpiqet t'i mbushë mendjen edhe atij se kjo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur, pasi ai e ka parë në ëndërr. Për krimet e tij dekorohet si profet dhe shpërblehet me një djalë të dytë në moshën 99 vjeçare.
Ismaili: Një djalosh i indoktrinuar, pa asnjë mendim të vetin, i gatshëm të sakrifikohet për diçka që ai s'e ka të qartë dhe, ajo që është më e çuditshmja, as që kërkon ta ketë të qartë. Edhe ky merr titullin e profetit dhe fillon të shpërndajë te të tjerët idenë se bindja ndaj një krijese imagjinare është më e rëndësishme se jeta e njeriut, më e rëndësishme se jeta e pjestarëve të familjes.
Hagar: Gruaja e Ibrahimit, paksa dyshuese ndaj tij dhe historive të tij me komunikimet me zotin. Sidoqoftë, e zonja në tregëti ajo arrin të shkëmbejë ujë me ushqime, gjë që është e kuptueshme për kushtet e shkretëtirës. Në këtë histori të librave fetarë ajo trajtohet siç trajtohen të gjithë gratë nga librat e shenjtë -- si qenie e dorës së dytë. Faktikisht, sakrifikimi i Ismailit nuk është vetëm sakrifikim i djalit të Ibrahimit, është edhe sakrifikim i djalit të saj. Por atë nuk e pyet njeri. Ndjenja e saj si nënë, mendimi i saj për sakrifikimin e djalit të vetëm nuk ka pikë rëndësie. Rëndësi ka çfarë thonë burrat.
Shejtani: ky ish-ëngjëll i Zotit, që në raste të tjera është aq i fuqishëm sa të tundojë njerëzit dhe t'i tërheqë ata nga rruga e Zotit, portretizohet si një qen rrugësh i zakonshëm, të cilin mund ta largosh tutje duke i gjuajtur me plisa - jo me gurë, me plisa. Hollë-hollë, Shejtani është i vetmi karakter i arsyeshëm dhe njerëzor këtu. Ai përpiqet t'i mbushë mendjen Ibrahimit të mos therrë të birin. Për këtë, atij i gjuajnë me plisa. Jo vetëm kaq, por edhe simbolit të tij ka njëmijë e ca vjet që i gjuajnë me plisa.
Zoti: S'ka dyshim se personazhi më negativ, më i pashpirt, më aventurier, më i papërgjegshëm, më cinik dhe më i megalloman në historinë e kurban bajramit del Zoti (gjithmonë i përmbahemi idesë që s'ka rëndësi nëse e besojmë apo jo vërtetësinë e historisë në fjalë, dhe po merremi vetëm me mesazhin që ajo përcjell. Në këtë rast, kur unë analizoj Zotin si koncept, analizoj Zotin-personazh te kesaj historie). Zoti i kësaj historie i ngjan më shumë një kryemafjozi, që jep urdhëra për likujdime. Ai i kërkon një babai të provojë besnikërinë e tij duke sakrifikuar të birin - duke ia bërë të birin kurban atij vetë. Jo, asnjë kryetar mafje nuk besoj se ka arritur deri këtu. Zoti është edhe më i pashpirt. Ai është gjithashtu aventurier, i papërgjegjshëm dhe cinik, pasi nuk e vret mendjen fare për ndjenjat e tjetrit. Mbi të gjitha, Zoti paraqitet si megalloman, vanitoz i etur për lavdi, një krijesë që s'jeton dot pa lutjet dhe përuljen njerëzore, një krijues që i kërkon vazhdimisht nënshtrim dhe shprehje besnikërie krijesave që ka krijuar vetë. Në këtë vështrim Zoti del edhe shumë i pasigurt në vetvete. Ai tregon dukshëm se vuan nga kompleksi inferioritetit.
Besimtarët ngulin këmbë se Zoti i di të gjitha. Nëqoftëse kjo është e vërtetë, përse i duhej Zotit ta vinte në provë Ibrahimin, kur ky, si Zot që i di të gjitha, duhet ta ketë ditur fare mirë se sa i bindur dhe i përkushtuar ka qënë ky njeri? Çfarë Zoti është ky që i kërkon tjetrit të braktisë gruan dhe foshnjen midis dy kodrave në mes të shkretëtirës? Çfarë Zoti është ky që zgjedh ëndrrat si mënyrë komunikimi ndërkohë që ka aq fuqi sa t'i ndërrojë vendet djalit që po theret me thikë, me një dash pa këmborë? Çfarë Zoti është ky që urdhëron tjetrin të therë fëmijën e vet?
Ata që e kanë sajuar këtë histori kanë pasur dy difekte të mëdha: Së pari, vlerat e tyre njerëzore, morale, paraqiten si tepër të dyshimta. Ndoshta këto vlera kanë qënë të pranueshme katërmijë vjet më parë. Në ditët e sotme ato tingëllojnë qesharake, kur nuk merren seriozisht, dhe të përbindshme, nëse merren seriozisht. Së dyti, kanë pasur një imagjinatë për të ardhur keq. Sa për mjeshtërinë në përpunimin e detajeve të historisë, për këtë as që mund të bëhet fjalë.
Sidoqoftë, Kurban Bajrami, përkujtimi vjetor i kësaj ndodhie të pështirë dhe të pamoralshme, festohet sot nga rreth një miliard njerëz në botë. Një pjesë e tyre nuk dijnë çfarë festojnë. Të tjerët e dijnë gabim. Fatmirësisht, pjesa më e madhe kujtojnë se festojnë diçka të mirë dhe të moralshme, sepse kështu iu është paraqitur. Por ka edhe nga ata që këtë idenë e sakrifikimit të vetes dhe të të tjerëve e marrin shumë seriozisht. Këta janë ata që iu hipin avjonave dhe iu bijen ndërtesave, duke marrë më qafë me mijëra njerëz të tjerë në emër të një Zoti që, në rastin më të mirë është inekzistent, ndërsa në rastin më të keq, është i pashpirt dhe anti-njerëzor. Sidoqoftë, unë mora mundimin ta përktheja historinë vetëm që të bëhej pak me e lexueshme dhe e kuptueshme për ata që lexojnë dhe kuptojnë shqip.

Emërtimi (Sipas Wikipedias)
Emërtimi arab "Festa e Sakrificës", ‘Eid ul-’Aḍḥā është huazuar edhe në gjuhë të tjera Indo-Ariane si Hindi, Urdu, Gujarati dhe Bengali, apo gjuhët Austroneziane si malai dhe indonezisht (në këtë të fundit shkruhet Idul Adha ose Iduladha).
Për "sakrificën" në arabisht përdoret edhe një fjalë tjetër, Qurbān (Arabic: قربان‎), fjalë e cila është huazuar në Persishten Standarte dhe atë Dari si عید قربان (Eyd-e Ghorbân),  Persishten Taxhike si Иди Қурбон (Idi Qurbon),  gjuhën Kazake si Құрбан айт (Qurban ayt), në Uyghur si Qurban Heyit, si edhe në gjuhë të ndryshme Indo-Ariane si për shembull në Bengali me কোরবানির ঈদ Korbanir Id. Gjuhë të tjera kanë ndërthurur fjalën arabe qurbān me fjalë të tyret për kuptimin e "festës", si për shembull në gjuhën kurde (Cejna Qurbanêë10]), në Pashto (د قربانۍ اختر da Qurbānəi Axtar), në turqisht (Kurban Bayramı), në Turkmenishte (Gurban Baýramy), në Azeri  (Qurban Bayramı), në gjuhën tatare (Qorban Bäyräme), në shqip (Kurban Bajrami), në Serbo-Kroatishten e Bosnjes (Kurban bajramКурбан бајрам), në rusisht (Курбан-байрам), në bullgarisht dhe maqedonisht  (Курбан Бајрам), në gjuhën Mandarin të Kinës (尔邦 Gúěrbāng Jié), dhe në malai dhe indonezisht (Hari Raya KorbanQurbani).
Eid al-Kabir, është një emërtim tjetër që në arabisht ka kuptimin "Eid e Madhe" (ndërkohë që Eid e Vogël është Eid al-Fitr]). Ky emërtim përdoret në Jemen, në Siri dhe në Afrikën e Veriut (Marok, Algjeri, Tunizi, Libi, dhe Egjipt). Ai është huazuar drejtpërdrejt në frëngjisht si Aïd el-Kebir. Përkthimet e "Eid e Madhe" apo  "Bajrami i Madh" përdoren në Pashto (لوی اختر Loy Axtar), Kashmiri (Baed Eid), Hindi dhe Urdu (Baṛī Īd),Tamil (Peru Nāl, "Great Day") dhe Malajalam (Bali Perunnal, "Dita e Madhe e Sakrificës").
Disa emërtime e lidhin festën edhe faktin që ajo përkon me kohën e Haxhillëkut. Emërtime të tilla përdoren në gjuhët malai dhe indoneziane (Hari Raya Haji "Dita e Festimit të Haxhit", Lebaran Haji), dhe Tamil (Hajji Peru Nāl).
Në viset ku flitet Urdu dhe Hindi, festa quhet edhe Bakr Īd, që vjen nga fjala  bakrī, "dhi", për shkak të traditës së sakrifikimit të një dhije në Azinë Jugore. I njëjti emërtim është huazuar edhe nga gjuhë të tjera, si Tamil Bakr Eid Peru Nāl.
Ndër emërtimet e tjera lokale mund të përmenden ato në gjuhën Mandarin të Kinës: 宰牲 Zǎishēng Jié ("Festa e Therrjes së bagëtive") apo Tfaska Tamoqqart në gjuhën Berbere, apo Djerba, Tabaski dhe Tobaski në Wolof, Babbar Sallah në gjuhët nigerishte, Pagdiriwang ng Sakripisyo në gjuhën filipine dhe ciida gawraca në somalisht.
Eid al-Adha ka edhe emra të tjerë jashtë botës islamike. Më së shumti emërtimi i saj vetëm sa është përkthyer, si për shembull në anglisht Feast of the Sacrifice, në gjermanisht Opferfest, në hollandisht Offerfeest, në rumanisht  Sărbătoarea Sacrificiului, në hungarisht Áldozati ünnep. Në spanjisht ajo njihet si  Fiesta del Cordero ("Festa e Qingjit").