Ky postim në faqen fb Faik Konica Public Figure ka marrë
4348 like dhe 573 share.
Nuk është hera e parë që i lexoj këto vargje të Fishtës dhe
sinqerisht, sa herë më dalin para syve më vjen turp ato janë shkruar prej tij.
Unë e pëlqej Fishtën, por këto vargje më duken gjëja më e ndyrë, më e ulët, më
e pavlerë që ka shkruar. Ato janë formuluar me një gjuhë urrejtjeje - “mallkuar
qoftë“, “iu thaftë goja” - krejtësisht të padenja për një klerik, ose për atë që
pretendohet të jetë standarti i një kleriku. Pëlqimi i kësaj gjuhe të ashpër,
intolerante nga 4348 vetë, shpërndarja e saj si diçka me vlerë nga 573 prej
tyre, të ngjeth mishin.
Por edhe po ta pranosh ashpërsinë, egërsinë, brutalitetin e
këtyre vargjeve si diçka normale për kohën kur është shkruar (kurrsesi për
shekullin e 21të), përsëri logjika e “gjuhës së perëndisë“, e “gjuhës hyjnore” mbetet
foshnjore dhe qesharake. Mbase s’kuptoj shumë nga poezia dhe e gjykoj ashpër të
folurën figurative, por këto përrallat e gjuhës hyjnore dhe gjuhës së perëndisë
që folka shqip janë përhapur aq keqazi saqë shpesh herë merren si të mirëqëna,
jashtë figuracionit.
Dhe së fundi diçka më konkrete. Unë e dua gjuhën shqipe dhe
e dua atë të pastër. Që kur jam larguar nga Shqipëria fëmijëve të mij iu kam
folur shqip dhe ata flasin shqip. Por si unë, që na vitet 1990të e këtej janë
larguar me dhjetra mijëra, me qindra mijëra shqiptarë. Shumë fëmijë të tyre e
kanë humbur gjuhën. A s’është e turpshme, e pamoralshme, t’i mallkosh ata dhe fëmijët
e tyre? A s’është çnjerëzore të mallkosh fëmijët e mij, dhe të kujtdo tjetër, nëqoftëse
ata nuk ia lenë gjuhën fëmijëve të tyre? Çfarë kafshërie është kjo?! Çfarë
mungese qytetarie dhe humanizmi është ky? Aq më tepër që midis atyre 4348 vetëve
që e kishin bërë “like” gjen një shumicë që janë vetë, ose kanë njerëz të afërt
në mërgim, fëmijët ose nipërit e tyre mund ta humbin fare mirë gjuhën shqipe.
Ne kemi prirjen të idealizojmë njerëzit – ose për mirë, ose
për keq. Nëse pëlqejmë një poet, ta zemë Fishtën, do të themi që gjithçka që ka
bërë e shkruar ai është e mirë, e “papame”. Por nuk është kështu. Edhe Fishta,
edhe Konica, edhe Noli, edhe Naim Frashëri, edhe kushdo tjetër, kanë kusuret e
tyre. Fishta iu servilos pushtuesve fashistë, ndërsa Noli dhe Konica herë
shanin dhe here i puthnin të prapmen Ahmet Zogut, sipas rastit, duke treguar një
mungesë karakteri të pashembullt. Ata
duhen parë më me gjakftohtësi dhe me sy më kritik e jo të na ekzaltojnë me
çdogjë që kanë shkruar e kanë bërë.
Merrni, citoni gjëra me vlerë, dhe lerini në harresë ose
trajtojini siç duhen trajtuar budallëqet dhe kafshëritë që kanë shkruar –
kushdo që t’i ketë shkruar – pa idealizuar asnjërin.