Kujtdo që e ka jetuar kohën e komunizmit i kujtohet stigma e pushtetit ndaj artit
dhe muzikës së degjeneruar borgjezo-revizioniste. Aq i rrezikshëm ishte ai për
komunistët saqë njerëzit përfundonin edhe burgjeve e internimeve të akuzuar si
simpatizantë të këtij apo atij artisti. Megjithatë, rinia, të paktën ajo pjesë
e rinisë që shihte përtej kornizës së ngushtë të komunizmit, i ndiqte me
adhurim artistët më të mirë të viteve 1960të, 1970të dhe 1980të.
Interesante
ishte që shumë nga artistët që konsideroheshin të rrezikshëm nga strukturat
partiake të kohës së enverit, nuk shiheshin me sy të mirë as nga qeveritë dhe
shtresat konservatore të vendeve perëndimore. Kjo ndodhte sepse këngëtarët dhe
artistët më të mirë ishin njëkohësisht edhe aktivistë për të drejta shoqërore.
Ata që sjellin risi në muzikë dhe art, sjellin një frymë të re edhe në marrëdhëniet
e shoqërisë, duke shkatërruar dogmat, duke mospërfillur pushtetin e çfarëdo
forme, duke sfiduar autoritetin, dhe duke i dhënë krah lëvizjeve për emancipim.
Pavarësisht nga ngjyrat e pushtetit, shumica e artistëve janë konsideruar gjithmonë
rrezik për establishmentin.
Por ndërsa
komunizmi i luftonte haptazi dhe me dhunë, në rrethanat e lirisë së vendeve
demokratike kapitaliste ata nuk hiqeshin qafe kollaj. Sulmet ndaj tyre kanë qënë
gjithmonë të kujdesshme dhe të maskuara mirë. Heminguein e ndiqte FBI i
Huverit, Trumbon dhe skenaristë të tjerë i sulmoi dhe madje burgosi makartizmi,
siç detyroi e njëjta periudhë histerie Çarli Çaplin që të mos kthehej në SHBA për
një kohë të gjatë, Xhon Lenonin e kishte halë në sy dhe nuk i jepte qytetarinë
Niksoni. Një gjë ka mbetur e pandryshueshme – pushteti, çfarëdolloj pushteti,
nuk ka qënë dhe nuk ka se si të ketë qënë në të njëjtën pozicionim me artistët,
sepse artistët janë zakonisht një hap përpara.
Artistët më
të shquar kanë qënë edhe veprimtarë shoqërorë tepër aktivë - Xhon Lennon dhe
Beatles, Mick Jagger dhe Rolling Stones, Xhoan Baez, Bob Dylan, Paul Simon dhe
Art Garfunkel, Xhimi Hendrix, Bob Marley, Neil Young, Bono, Eric Clapton, Phil
Collins, Madonna, Xhenis Xhoplin, Elton Xhon, Fredi Mercury, Harry Belafonte –
lista mund të shkojë pa fund. Këta janë idhujt e rinisë së viteve 1960 – 1990
dhe të rinisë së sotme. Ata këndonin dhe frymëzonin për barazi shoqërore, për
liri të individit, për paqen dhe dhënien fund të luftës në Vietnam e kudo, për
të drejtat e grave e të pakicave me ngjyrë, për të drejtat e homoseksualëve dhe
për liri seksuale, për shembje të tabuve dhe rregullave konservatore. Ata kanë
frymëzuar breza të tërë të rinjsh dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në shndërrime
tepër të rëndësishme të shoqërisë.
S’ka se si
të mos të të pështjellohen zorrët e barkut kur lexon sot komsomolas shqiptarë të
ekzaltuar të cilët, në emër të luftës kundër “majtizmit” ose “komunizmit”
(!!??) përdorin të njëjtën terminologji që përdornin sekretarët e dikurshëm të
partive për t’u hakërryer kundër artistëve më të mirë -- njerëz të degjeneruar,
plehëra të shoqërisë, dekadentë, të çthurrur moralisht, drogaxhinj. Ngelesh pa
frymë nga urrejtja me të cilën i janë vërsulur fletërrufeistët e rrjeteve sociale
Madonës dhe Meryl Streep sepse kanë guxuar të flasin kundër udhëheqësit të
dashur dhe të pagabueshëm Donald Trump. Nuk është aspak çudi që shumë prej tyre
të jenë të njëjtët njerëz që i përdornin të njëjtat fjalë për të shprehur përkrahjen
ndaj atij udhëheqësit tjetër të dashur dhe të pagabueshëm.
Politikanët dhe kryetarët e shteteve shkojnë e
vijnë. Jo vetëm në demokraci, ku për fat të mirë
sistemi i ndërron si plaçka të vjetra çdo katër apo tetë vjet, por edhe në
diktatura, ku sado që zgjasin, vjen një ditë dhe i kosit vdekja. Artistët e mëdhenj
mbeten të pavdekshëm. Zërat e Bob Marlit dhe Xhon Lenon, Xhenis Xhoplin dhe Fredi
Mërkuri vazhdojnë dhe kumbojnë jo vetëm me ritmet dhe meloditë e tyre, por edhe
me mesazhet e fuqishme të lirisë dhe barazisë shoqërore. Nuk ka dyshim që në
rradhët e tyre do të hyjë edhe Madona, si këngëtare, koreografe dhe artiste
gjigande, pavarësisht çakejve që çirren sot.