« Politikanët
dhe pelenat duhen ndërruar sa më shpesh – dhe për të njëjtën arsye. »
Në botë
ekzistojnë shumë sisteme ose metoda drejtimi të shteteve dhe partive, por pa
dashur të hiqem si specialist dhe politolog do të veçoja tre prej tyre:
-
Sistemin
demokratik, atë të zgjedhjeve të lira dhe të shkëmbimit të lirë dhe të qytetëruar
të mendimeve dhe zëvendësimit të shpeshtë të njerëzve në pushtet, që mbizotëron
pak a shumë në Europën Perëndimore, Amerikën Veriore, Japoni, Australi, Korenë
e Jugut, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut, Izrael, Indi, etj.
-
Sistemin
diktatorial – kolegjial që mbizotëron në Kinë, ku një organizatë gangsterësh
mafiozë që e quajnë veten Partia Komuniste e Kinës ruan pushtetin për të gjithë
grupin, por e zgjedh pak a shumë në mënyrë demokratike kreun e vet (brendapërbrenda
llojit, kuptohet). Sistem të ngjashëm ka edhe Irani, veçse mafja aty nuk quhet
parti komuniste por republikë islamike.
-
Sistemi
Putino-Erdoganist, ku organizata mafjoze drejtohet me dorë të hekur nga një
kryegangster i fortë që bën sikur ndjek
një formë karikatureske të demokracisë. Ky system mbizotëron në Rusi, Turqi,
Siri, dhe vende të tjera diktatoriale apo gjysmë-diktatoriale. Sistem të
ngjashëm kishin Libia e Kadafit, Iraku i Sadamit, Egjipti i Mubarakut, etj.
Pyetja ime është kjo: Si shpjegohet që midis nesh
shqiptarëve ka kaq shumë të vetëshpallur nacionalistë dhe demokratë që s’lenë
rast pa shprehur me fjalë urrejtjen për sllavo-komunizmin, apo ndikimin sllav në
përgjithësi, por që mbeten përkrahësit më të thekur të modeleve lindore? Përse
hiqen si demokratë pikërisht ata që e shohin si të pranueshëm dhe madje të
arsyeshëm kalimin e të njëjtit person nga President në Kryeministër në
President në Kryeministër… – bash si Putini dhe Erdogani? A a mund të jenë të democratë
ata që përkrahin pa rezerva idenë e trashëgimit (gjenetik ose jo) të pushtetit
dhe të të drejtës së Udhëheqësit të Madh dhe të Pagabueshëm për t’u marrë me
politikë për aq kohë sa i do qefi, dhe për të përcaktuar vetë se kush do t’i
zërë fronin? Si mund të jesh “i djathtë“ kur je partizan i shtetit të fuqishëm,
i shtetarit që grumbullon aq pushtet sa t’i kontrollojë të gjithë dhe që sundon
me metoda komuniste?
A mund të jesh atdhetar dhe demokrat kur nuk të bën përshtypje
era e keqe e politikanit që është qelbur në pushtet?