Përsiatje
teologjike
Papa
Françesko doli me propozimin për të ndryshuar përkthimin anglisht të Lutjes
Themelore të të Krishterëve (e njohur si Lord’s
Prayer). Përkthimi i deritanishëm është kryer që në shekullin e 4 nga Latin Vulgate, që mendohet të jetë marrë
nga varjante më të vjetra në greqisht, hebraisht ose Aramaikisht dhe ka problem
me frazën “(Zot) mos na ço në tundim” (lead us not into temptation). Papa propozon që të shkohet drejt
një varjanti të ngjashëm me atë francez, që thotë pak a shumë “(Zot) mos na lerë
të bijem në tundim” ("do not let us fall into temptation"). Edhe varjanti shqip është ”E mos na
lër të biem në tundim…”
Papa the
teologët e Vatikanit arsyetojnë se nuk është Zoti që i shtyn njerëzit në
tundim, por janë njerëzit që tundohen në kokë të vet. Pra, nuk mund të akuzohet
Zoti se i shtyn njerëzit në tundim.
Por a nuk është
mëkat që të akuzosh Zotin për diçka që ai nuk e ka bërë? A nuk është mëkat t’i
thuash Zotit se po i shtyn njerëzit në tundim, në një kohë kur ai nuk ka pasur kurrë ndërmend
ta bëjë një gjë të tillë? Kështu duhet të jetë, prandaj edhe Papa po mundohet ta
ndërrojë lutjen. Puna është
se që në shekullin e katërt e deri më sot, pra për nja njëmijë e gjashtëqind e
ca vjet, me miliona njerëz kanë lindur dhe kanë vdekur duke iu lutur Zotit ditë
për ditë, brez pas brezi, që ky të mos i shtyjë në tundim. Në rastin më të mirë,
këto miliona – ose më saktë, miliarda – lutje kanë shkuar dëm. Në rastin më të
keq, ato kanë fyer drejtpërdrejt Zotin, duke e akuzuar për diçka që nuk e ka bërë.
Papa s’mund ta kalojë këtë punë kaq lehtë, domethënë që me një të rënë të lapsit
të ndërrojë lutjen dhe gjithçka të harrohet. Ku shkojnë shpirtrat e gjithë
atyre miliardave njerëzve që kanë shprehur gabim Lutjen Themelore të Krishtërimit?
Kush e mban përgjegjësinë për këtë kasaphanë shpirtrash?
Pavarësisht
se ndihem paksa i ngushëlluar që, të paktën besimtarët shqiptarë janë në
rregull me këtë lutje, mua përsëri nuk me fle karari. Sepse, edhe me varjantin
e ri që propozon Papa dhe që e kanë përdorur shqiptarët Zoti nuk del fare i
shfajësuar. Edhe kur thuhet "E mos na lër të biem në tundim…”, përsëri përgjegjësia
i lihet në derë Zotit. Domethënë atij i thuhet : Ti o Zot, e ke në dorë të
mos më lesh mua dhe të tjerët përreth meje që të bijem në tundim. Nëqoftëse ne
bijem në tundim, atëherë ishe ti që na le të bijem në tundim. Ti e ke në dorë që
të mos i lesh gjithë njerëzit që të bijen në tundim, e përsëri nuk e çan kokën
dhe i le që të bijem në tundim."
Në fakt,
ndryshimi i fjalëve që po përpiqet të bëjë Papa nuk ndryshon asgjë nga përmbajtja
e Lutjes Themelore dhe nga qëndrimi akuzues ndaj zotit i atij që lutet. Përsëri
besimtarët vazhdojnë të thonë që Zoti e ka
në dorë t’i ndalojë tundimet njerëzore, por nuk e bën. Ose e bën ndonjëherë,
kur i dëgjon lutjet. Ose e bën shumë rrallë, se tundimet vazhdojnë në të katër
anët. Përfundimisht, Papa i ka hyrë një rruge pa krye, ose një rruge, kreu
logjik i të cilës është braktisja e një praktike të kotë dhe pa kuptim si
lutja.