Amerikanët i kujtojnë dëshmorët e luftrave të tyre të hënën e fundit të muajit Maj. Tradita ka lidhje me Luftën Civile (1861-1865) dhe i kushtohet të vrarëve në të dy anët, Veri dhe Jugë, fitimtarë e të humbur. Janë të gjithë amerikanë dhe nderohen njëlloj. Data është caktuar paksa arbitrarisht, duke u bazuar në traditën e nderimit të varreve të të rënëve që filloi njëkohësisht me luftën.
Në Britani, Kanada, Australi dhe vendet e tjera të Komonuelthit të vrarët përkujtohen në 11 Nëntor, ditën e mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Atë ditë nderohen të rënët e të gjitha luftërave, përpara dhe pas saj. Tek ne si Ditë e Dëshmorëve përkujtohet Pesë Maji. Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit, zyrtarë të lartë dhe politikanë vazhdojnë traditën e filluar nga Enver Hoxha me vizita e veprimtari të tjera solemne, ndërkohë që shumica jonë e marrim këtë datë si të mirëqënë, pa e vrarë mendjen përse dhe nga kush është zgjedhur ajo, çfarë përfaqëson dhe a është e drejtë të vazhdohet të respektohet. Data u caktua nga Enver Hoxha për të përkujtuar vrasjen e Qemal Stafës, një ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Do të ishte e pafrytshme të debatoje për vërtetësinë e varjanteve të shumtë të vrasjes (ose vetvrasjes) së Qemal Stafës dhe rolin e Enver Hoxhës në të. Prandaj është më mirë të mbështetemi vetëm te ato pika ku pajtohet pjesa dërrmuese. Për shembull, që Qemal Stafa është vrarë mëngjesin e 5 Majit 1942 duke u përpjekur të largohet nga një shtëpi në Tiranë ku kishte qëndruar një natë më parë dhe pasi dikush e kishte spiunuar. Ai ka qënë në ikje dhe, nëse plumbi e ka marrë në trup dhe e ka hedhur poshtë, apo e ka marrë në këmbë dhe ai pastaj ka vrarë veten, s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ai nuk është vrarë duke kryer heroizëm, por duke ikur. Edhe nëse e ka spiunuar Enver Hoxha apo dikush tjetër nuk ka ndonjë rol me peshë në caktimin e tij si kryehero. Nuk kanë peshë (të paktën në mbështetje të kësaj date) as motivet që e shtynë Enver Hoxhën ta caktonte ditën e vrasjes së Stafës si ditën më të rëndësishme për të përkujtuar të dëshmorët dhe heronjtë e kombit në të gjitha kohërat. Enver Hoxha kishte për borxh të mohonte gjithë historinë e Shqipërisë që të nxirrte mbi gjithçka luftën e komunistëve me atë vetë në krye. Por nëse bijen rrethanat e vrasjes dhe motivet për zgjedhjen e kësaj date, atëherë përse vazhdon të nderohet figura e Qemal Stafës? Mos vallë ai, si figurë historike e meriton këtë nder pavarësisht nga rrethanat e vrasjes dhe motivet e njerëzve që e zgjodhën për ta nderuar? Kur u vra, Qemali ishte komunist. Ai ishte anëtar i një partie e cila në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore u gjend në luftë të armatosur jo vetëm me pushtuesin, por (ose veçanërisht) edhe me parti të tjera shqiptare – Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Ishte gjithashtu një ndër themeluesit e një partie e cila dihet mirëfilli se u krijua (të paktën) nën kujdestarinë e dy të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Qemal Stafa nuk përfaqësonte dhe s’kishte se si përfaqësonte të gjithë popullin shqiptar në luftë. Ai përfaqësonte vetëm partinë e tij, vetëm Partinë Komuniste. Në këtë vështrim, pra duke marrë parasysh faktin që ai përfaqëson vetëm një parti politike dhe veprimtaria e tij lidhet ngushtë me këtë parti politike, zgjedhja e tij si figurë për të përfaqësuar të gjithë dëshmorët e kombit është e gabuar. Më e udhës do të ishte të nderohej një simbol që përfaqëson të gjithë dëshmorët, të gjithë heronjtë dhe, natyrisht, të gjithë popullin dhe jo eksponentin e një partie të zgjedhur në mënyrë arbitrare nga kjo parti, ose më saktë nga kreu i kësaj partie. Qemal Stafa mori pjesë në mbledhjen e themelimit të Partisë Komuniste në Nëntor 1941. Përpara kësaj date dhe pas saj, deri ditën kur u vra, nuk dihet të ketë pasur ndonjë veprimtari të veçantë në shërbim të atdheut. Dihet vetëm që është arrestuar dhe gjykuar një herë në Janar të vitit 1939 – një gjyq i propaganduar nga komunistët si diçka e jashtëzakonshme, veçanërisht me klishenë e stërpërsëritur që “ai u kthye nga i akuzuar në akuzues”. As historia e gjyqit dhe as skicat e tij letrare nuk përbëjnë bazë heroizmi dhe arsye për nderim të veçantë. Të kesh qënë kundër Zogut nuk përbën heroizëm kombëtar, siç nuk përbën heroizëm të qënit kundër Edi Ramës, apo Sali Berishës. Padyshim, sistemi i drejtësisë në kohën e Zogut bënte gabim të pafalshëm që burgoste një të ri për veprimtari dhe bindje politike, por kjo nuk e bën Qemal Stafën hero. Qemal Stafa doli nga burgu kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Pak muaj më vonë ai boton në gazetën “Fashizmi” (e Djelë, 1 Tetor 1939) shkrimin me mbresat e veta nga jeta e burgut të titulluar “Rreze Frëngjijash”. Nga shkrimi dhe nga organi që ka zgjedhur për ta botuar atë (gazeta “Fashizmi”) duket qartë se Qemal Stafa i sheh robëruesit e atdheut të tij dhe fashizmin në përgjithësi si shpëtimtarët e vet personalë, qëndrim ky që s’duket as heroik, as atdhetar. Natyrisht, fashizmi ia shperbleu mirënjohjen duke i dhënë të drejtën të studionte në Itali – fakt ky shpeshherë i anashkaluar nga hostorigrafia komuniste. A mund të shpallet Hero i Popullit dhe kryedëshmor pikërisht një njeri që e sheh pushtimin e vendit të vet nga fashistët si diçka pozitive, vetëm e vetëm se ai i shërbeu interesit të tij vetjak? A mund të shpallet hero një njeri që mundohet të përfitojë nga pushtuesit? Fakti që dy vjet më vonë Qemal Stafa filloi veprimtarinë kundër Italianëve i renditur në rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, nuk i jep atij ndonjë meritë të veçantë. Ky fakt i jep më tepër meritë tezës historike që në vitin 1941 Moska (e cila deri Qershorit të atij viti nuk kishte lëvizur as gishtin kundër fashizmit) ndihej nën presionin e agresionit Gjerman kundër saj dhe po përpiqej të organizonte sa më shumë qëndresë kundër koalicionit Berlin-Romë. Në këto përpjekje përfshihet, padyshim, edhe krijimi i PKSHsë në Nëntor 1941, si edhe veprimtaria e Qemal Stafës brenda saj. Pra, me vetëdije apo jo, Qemal Stafa ka kaluar nga miratues i fashizmit, në një veprimtar (aktiv ose jo) i lëvizjes komuniste ndërkombëtare, orkestruar nga Moska nëpërmjet Beogradit. Vështirë të gjesh në veprimtarinë e Qemal Stafës tipare të heroizmit dhe sakrificës për atdheun që ta cilësojnë atë jo vetëm dëshmor, por edhe Dëshmor të Dëshmorëve, në atë shkallë saqë vdekja e tij të përcaktojë datën e përkujtimit të të gjithë të rënëve për atdhe. Caktimi i ditës së vrasjes së Qemal Stafës si Dita e Dëshmorëve tingëllon pavend dhe nënvlerësim edhe ndaj atyre që e meritojnë një nder të tillë. Ata janë të shumtë, por unë do të veçoja Mujo Ulqinakun, i cili bashkë me Abaz Kupin dhe heronjtë e tjerë që luftuan përkrah tij, sakrifikoi dhe u vra heroikisht në 7 Prill 1939 duke i bërë qëndresë pushtimit italian. Mujo Ulqinaku është ndër figurat më pak të vlerësuara në historinë e Shqipërisë - në një kohë kur ai është hero me përmasa të jashtëzakonshme. Nuk besoj se ka heroizëm më të madh, shenjë më të qartë atdhedashurie dhe vetëmohimi se sa të dalësh me një grusht njerëzish dhe të përpiqesh t’i tregosh një prej ushtrive më të mëdha të kohës se je kundër pushtimit. Mujo Ulqinaku ishte oficer i marinës shqiptare dhe e dinte mirë se çfarë fuqie po sfidonte duke u vënë përballë marinës ushtarake italiane. Megjithatë, ai as u tremb dhe as u tërhoq, por qëndroi si burrat. Për orë të tëra një nga fuqitë më të mëdha të kohës mbeti e gozhduar, pa mundur të bënte përpara, aq sa më vonë ushtarakë të lartë Italianë do të deklaronin se, jo e gjithë ushtria shqiptare sikur të kishte rezistuar, por edhe një repart zjarrfikësish të kishin qënë, do ta kishin rrezikuar seriozisht pushtimin. Shembulli heroik i Mujo Ulqinakut i nevojitet popullit dhe, veçanërisht ushtrisë sonë. Që nga krijimi i shtetit shqiptar, forcat e shtetërore ushtarake shqiptare nuk kanë shfrytëzuar edhe aq shumë raste për të justifikuar ekzistencën e tyre dhe pjesën e buxhetit që kanë thithur nga shteti dhe populli në kohë paqe. Përkundrazi, në shumë raste, kur iu është dashur të tregojnë forcë dhe trimëri, ata kanë parapëlqyer të tërhiqen, të dezertojnë. Jo vetëm Prilli i vitit 1939 që e pa ushtrinë shqiptare të shpërndarë, por edhe më vonë, nënshtrimi i plotë i të gjithë klasës së ushtarakëve ndaj klikës së Enver Hoxhës, bindja si delet për të hequr gradat dhe çdo gjë tjetër që iu kërkonte diktatori të hiqnin në vitet 1970të; dezertimi i turpshëm në 1997tën dhe lënia e depove të armëve dhe armatimeve në dorë të banditëve dhe rrugaçëve, të gjithë këto raste flasin për mungesë frymëzimi dhe atdhedashurie në rradhët e ushtrisë shqiptare. Heroizmi i Mujo Ulqinakut do të ishte vërtet një shtytje për moralin e ushtrisë dhe të gjithë shqiptarëve. Ndoshta më mirë se në 5 Maj, do të ishte që Ditën e Dëshmorëve ta përkujtonim në 7 Prill – ditën kur u vra një hero i vërtetë, një dëshmor i vërtetë, një njeri me vlera të veçanta. S’ka dyshim që mund të ketë edhe heronj të tjerë që përfaqësojnë gjithë kombin. Mujo Ulqinaku nuk i përkiste dhe nuk i përket asnjë partie. Ai shërbente në Ushtrinë Shqiptare dhe luftoi edhe pasi mbreti u largua nga vendi. Ai luftoi kundër pushtuesit dhe u sakrifikua për popullin e tij – as për komunizmin, as për Bashkimin Sovjetik, as për Moskën, as për Beogradin, as për Londrën, as për Athinën. Ai është hero i vërtetë, i pastër shqiptar që ra në betejë si hero në një datë historike që është e dhimbshme për të gjithë ne. (Shënim: Shkrimi është botuar fillimisht te Mapo në 5 Maj 2014.) |
10 Porosite nga George Carlin
Saturday, May 5, 2018
Pse Pesë Maji?
Subscribe to:
Posts (Atom)