Saturday, June 23, 2018

Ku vajtën?!


(Mikpritja, zemërgjerësia, besa, njerëzillëku, toleranca e ca cilësi të tjera që ia kemi mbushur mendjen që i kemi me shumicë)
Mes mjegullnajës së përgjithshme informative, ndërthurjes papërgjegjshmërisht të shfrenuar të spekullimeve, hamendësimeve, gënjeshtrave, opinioneve dhe fakteve, është e pamundur të përcaktosh vërtetësinë e pretendimit se Europa i ka kushtëzuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim Shqipërisë në këmbim pranimit nga kjo e fundi të 600 mijë refugjatëve. Prandaj nuk ia vlen të merresh me saktësinë e lajmit. Ajo me të cilën unë do desha të merresha dhe për ekzistencën e të cilës nuk ka pikë dyshimi është fryma e shëmtuar e racizmit, egërsia anti-njerëzore, shpirtvogëlsia dhe mungesa e plotë e ndjenjës së mikpritjes që po dëshmojnë haptazi politikanë, gazetarë, analistë, dhe përgjithësisht tifozë politikë që shpalosin çdo ditë pikpamjet e tyre pa pikë ndroje në rrjetet sociale e kudo që iu jepet rasti.
Mund të argumentohet që 600 mijë immigrantë janë shumë për një popullsi prej dy milion gjysmë banorësh, për një vend me ekonomi mizerabël, me shifra të frikshme papunësie dhe pa shenja premtuese për të ardhmen. Mund të pretendohet se Shqipëria, me një popullsi relativisht të re, nuk ka nevojë ekonomike për emigrantë, siç kanë shumica e vendeve të Europës Perëndimore. Mund të thuhet, gjithashtu, se përgjegjësinë më të madhe për mbajtjen dhe ndihmën e refugjatëve duhet ta kenë ato vende që e kanë shkaktuar krizën humanitare dhe ekonomike që i ka detyruar refugjatët të braktisin vendet e tyre, vendet që kanë përfituar drejtpërdrejt ekonomikisht nga këto kriza, në të cilat vështirë se mund të bëjë pjesë Shqipëria.
Por këto arsyetime ose anashkalohen ose injorohen. Mbizotërojnë argumenta që duket sikur kanë dalë drejtpërdrejt nga Mein Kampf-i apo nga Bibla, gjykime të bazuar në përbuzjen për racën dhe fenë e të ardhurve, për statusin e tyre dhe për gjoja mundësinë për të qënë terroristë. Ngado dëgjon e lexon mendime të deformuara nga ksenofobia, urrejtja për të huajt, veçanërisht për ata të huaj që ne i mendojmë sikur janë poshtë nesh dhe që kemi mundësi t’i shkelim me këmbë, ose që na kërkojnë ndihmë dhe ne e kemi në dorë të mos ua japim.
Shqipëria sot ka 2 milion e gjysmë banorë dhe jo 3 milion e gjysmë pasi një e treta e popullsisë së saj ka emigruar – është shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Një e treta e popullsisë së vendit janë larguar dhe, në një farë mënyre, janë mikpritur në vende të tjerë të botës – pa ua mohuar të drejtën e emigrimit ngaqë kanë qënë katolikë, ortodoksë, muslimanë, bektashinj, ateistë, komunistë, socialistë, apo fashistë. Pjesa më e madhe e tyre punojnë dhe dërgojnë, në forma dhe mënyra të ndryshme, ndihmesën e tyre në Shqipëri. Shumë biznese sot në Shqipëri janë fryt i ndihmesës së drejtpërdrejtë financiare të emigrantëve, frut i  njohurive të tyre profesionale, përvojave të punës, shkollimit dhe diplomave të fituara në vende të tjera dhe në kurriz të ekonomive të atyre vendeve. Mbi një milion emigrantë shqiptarë i kanë krijuar mundësi atyre që s’kanë emigruar që të kenë më shumë shanse punësimi, më pak konkurrencë, më tepër rast për të ecur. Shkurt, Shqipëria është vend që këto 30 vjetët e fundit ka përfituar nga emigracioni. Jo, jo thjesht ka përfituar -- ka përfituar jashtë mase. Kanë përfituar të gjithë - ata që kanë emigruar dhe ata që kanë ndenjur në Shqipëri, ata që janë kthyer dhe ata që nuk janë kthyer.
Normalisht, një popull që ka përfituar kaq shumë nga emigracioni dhe që mburret nga mëngjesi deri në darkë me traditat e mikpritjes pritej të tregohej pak më zemërgjerë me rastin që i jepet për të ndihmuar njerëz të tjerë nevojtarë, hallexhinj, të detyruar të lenë vendet e tyre nga lufta ose varfëria ekstreme. Por jo shqiptarët. Shqiptarët, me sa duket e kanë harxhuar gjithë arsenalin e mikpritjes së tyre me turistët nga Europa Veriore, që i kanë xhepat plot me Euro. Për refugjatët që kërkojnë strehë pa ofruar para ka vetëm përbuzje, fyerje, neveri, urrejtje.
Normalisht një popull që mburret se ka arritur harmoninë më të përsosur midis komuniteteve fetare nuk duhej të shqetësohej për përkatësinë fetare të atyre që i trokasin në derë. Por jo shqiptarët. Shqiptarët janë të shqetësuar se këta 600 mijë që rrezikojnë t’i hyjnë në shtëpi janë muslimanë dhe kanë për t’i ndërruar kulturën thellësisht “të krishterë” kombit të tyre. Shqiptarët, që po t’i pyesësh se çfarë feje kanë të përgjigjen pa u menduar se janë 70 përqind muslimanë, 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë, ndihen keq se ata që po iu trokasin në derë janë muslimanë. Dhe muslimanët janë terroristë.  Shqiptarët, që s’ka dy javë që kanë marrë vesh që një nga krerët e ISIS është bashkatdhetari i tyre, kanë frikë se mos sirianët do t’iu sjellin ISIS-in në Shqipëri. Shqiptarët janë gati të mirëpresin vetëm anglo-saksonë protestantë ose katolikë me xhepat plot.
Normalisht një popull që është përzjerë historikisht me helenë, romakë, bullgarë, serbë, turq, grekë, Italianë, gotë e fizigotë, keltë, vikingë dhe katalonjas, fenikas, rusë, armenë e persianë nuk duhet ta kishte shumë problem ruajtjen e pastërtisë racore. Po jo shqiptarët. Shqiptarët i kanë mbushur mendjen vetes që vijnë të papërzjerë etnikisht drejtpërdrejt nga Eva dhe Adami, nga perënditë e Olimpit, ose nga faraonët e Egjiptit, dhe se të tjerët, që nuk dihet nga e kanë origjinën, duhen mbajtur sa më larg kufijve. Ata mirëpresin vetëm racë të pastër arjane, nga ajo që kishte ndërmend të krijonte Hitleri.
Nuk di ç’të mendosh më parë kur sheh gjithë atë vrer që derdhet kundër imigrantëve, kundër refugjatëve në mediat dhe rrjetet sociale shqiptare. A thua është faji i pompimit ultranacionalist që iu është lënë në dorë folkloristëve me parrullat stadiumore “Oh sa mirë me ken shqiptar”? Apo është pasojë e edukimit (ose mungesës së tij) që ushqen gënjeshtra dhe budallallëqe mbi prejardhjen super të lashtë atlantiko-pellazgjiko-ilire? Apo ndoshta propagandimi i superioritetit të kombit, mbështetur në origjinën gjoja shqiptare të thuajse gjithë figurave të ndritura të historisë dhe aktualitetit, na ka bërë të ndihemi sikur jemi më të mirë se të tjerët?
Mund të jenë shumë shkaqe. Një gjë mund të konstatohet pa vështirësi – ne e kemi humbur ndjenjën e njerëzillëkut, ndjenjën e shpirtmadhësisë dhe dëshirës për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndjenjën e mikpriptjes dhe të besës. Them ‘e kemi humbur’ sepse as unë vetë nuk heq dorë nga fiksimi që dikur edhe mund ta kemi pasur. Ndoshta jam gabim.

Tuesday, June 5, 2018

Ambigu


Ndërthurje emocionesh në një galeri arti
Entela Konomi ka zgjedhur që galerinë e saj të artit në Montreal ta quajë “Ambigu”. Ambigu është një fjalë frëngjisht që ka kuptimin e përzjerjes, mpleksjes, ndërthurjes së disa gjërave. Për anglishtfolësit, duke datuar nga përdorimi i saj në shtresën e pasur angleze të shekullit të 17të dhe 18të fjala nënkupton një drekë apo darkë jo shumë formale, por gjithsesi të përgatitur mirë. Bashkë me nënshtresën e këndshme të humorit, emri i galerisë përmbledh në mënyrë kuptimplotë edhe thelbin e krijimtarisë artistike të piktores dhe emocioneve që ajo kërkon të përçojë.
E hapur në qendër të Montrealit, në një zonë ku nuk mungon aspak konkurenca me galeri të ngjashme arti, Ambigu paraqet gjithsesi një mikro-botë emocionale që shquhet për origjinalitetin dhe guximin e artistes. Porsa mbyll derën prapa teje ti e harron menjëherë zhurmën e rrugës nga ke ardhur, kafenetë dhe shitoret përreth dhe ndjehesh në një botë ndryshe.
Entela ka rreth dy vjet që është shpërngulur në Montreal dhe është ende në atë periudhë që quhet përshtatje. Por ajo nuk ka humbur aspak kohë - ka gjetur mënyrën se si ndjesitë dhe informacionin e ri ta përcjellë në telajo dhe kjo shprehet më së miri në ambigunë e saj.
Në galeri mbizotërojnë dy lloj punimesh – portretet dhe kompozimet. Por ndërsa portretet dëshmojnë teknikën dhe dashurinë e artistes për subjektet, kompozimet përbëjnë pa dyshim pjesën më interesante dhe më tërheqëse të punëve, si edhe, jo rastësisht, pjesën më të madhe të tyre nga ana numerike.
Interesant është fakti që edhe në kompozime subjekti i pikturave mbeten njerëzit. Por, në dallim nga portretet, ku fytyrat paraqiten realisht me gjithë tiparet e tyre, këtu njerëzve iu mungojnë tiparet e fytyrës dhe të trupit. Ato janë forma të përgjithshme, të cilat e shprehin vetveten jo përmes detajeve, por përmes volumeve, ngjyrave dhe lëvizjes së përgjithshme. Qëllimisht piktorja nuk merret fare me anën e jashtme të paraqitjes. Ajo hyn drejtpërdrejt në thelbin, në shpirtin e njeriut dhe përpiqet ta paraqesë pikërisht këtë thelb. Për Entelën nuk ka rëndësi dukja, rëndësi ka brendësia e shpirtit, tërësia e emocioneve, e vlerave njerëzore, e përvojës jetësore të çdo individi në kompozim. Sado e vështirë që të duket për t’u realizuar kjo, Entela arrin ta përçojë me shumë sukses, dhe këtu mendoj që qëndron vlera e punimeve të saj.
Entela është shumë e vëmendshme ndaj njerëzve, ndaj ndjenjave dhe emocioneve të tyre. Ajo parapëlqen që lëvizjen e saj të përditshme nga shtëpia në zonën urbane të Montrealit për në galeri, në zemër të qytetit, ta bëjë jo me makinë, por me metro dhe me autobuz. “Kjo më jep mundësi të njihem dhe të komunikoj me sa më shumë njerëz,” thotë ajo. I jep mundësi të kuptojë historitë njerëzore, ndjenjat dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në këtë vend ku ka ardhur për të jetuar. I jep mundësi të
Entela Konomi,
Quand le temps passe plus vite, 2017 / When Life Goes Faster, 2017
Huile sur Toile / Oil on canvas 91.4 cm X 152.4 cm 

përmbledhë emocionet e tyre dhe t’i përzjejë ato me emocionet dhe përvojave jetësore të njerëzve të vendit nga vjen. I jep mundësi të krijojë ambigunë e saj, përzjerjen e bukur të ndjenjave të njerëzve që ajo ka njohur gjatë jetës në Shqipëri dhe në Kanada. Pranë grave të moshuara shqiptare që shprehin gëzimin e jetës duke mbajtur në duar tufa lulesh (në kontrast befasues me atë që presim t’i shohim të mbajnë - tufa shkarpash apo degësh drush), do të gjesh një grua vendase që e percepton botën përmes prekjes, ndjen pulsing e jetës duke mbështetur duart mbi një mur. Përkrah njerëzve që rrëshqasin të shkujdesur në një liqen të ngrirë me një natyrë të ftohtë por tërheqëse, do të shohësh shpirtra të munduar që përpiqen të lëvizin drejt qendrave të mëdha por që nuk gjejnë dot atë për të cilën kanë ardhur, që thithen dhe villen rregullisht nga ftohtësia e metropoleve.
Entela Konomi, Le mur, 2017 / The Wall, 2017 
Huile sur Toile / Oil on canvas 91.4 cm X 152.4 cm
Mjaft e efektshme është edhe loja e piktores me volumet. Ndërsa ruan me besnikëri volumet dhe perspektivën e objekteve, ajo eksperimenton me njerëzit, duke i kthyer përmasat dhe ngjyrat e tyre në shprehje të karaktereve. Kur vjen te njerëzit, largësia dhe ruajtja e përpjestimeve s’ka pikë rëndësie. Teknika është mjaft e efektshme dhe ta jep plotësisht emocionin, duke të krijuar mundësinë të hysh në thellësi të shpirtit të njerëzve pa qënë nevoja për të parë tiparet apo shprehjet e fytyrave. Në këtë kuptim unë mendoj që Entela ka shumë guxim në përpjekjen e saj artistike dhe ky guxim shpërblehet me atë që është arritur artistikisht.
Galeria Ambigu është një oaz i freskët i shpirtit të një artisteje shqiptare në zemër të Montrealit. Nëse jetoni në Montreal, nëse jeni atje për një vizitë qoftë edhe të shkurtër, do t’iu rekomandoja që të mos e humbisnit rastin për ta parë. Nuk do të zhgënjeheni.