Ne nuk para ua vemë
veshin njësive matëse sepse ato janë njëlloj kudo që shkojmë. Sistemi metrik i krijuar
në Francë është sot sistemi zyrtar i matjeve për të gjithë vendet e botës, me përjashtim
të Shteteve të Bashkuara, Liberisë dhe Myanmarit (Burmës). Por edhe këto tre vende, kur bëjnë tregëti ndërkombëtare, i përshtaten
sistemit metrik.
Përfytyroni një botë ku sa herë që vizitoni një vend
tjetër jeni të detyruar të përdorni njësi të ndryshme matëse siç bëni me paratë.
Kjo ndodhte rëndom deri në fund të shekullit të 18të, para Revolucionit
Francez, kur njësitë e peshave dhe të gjatësive ndryshonin jo vetëm nga një
popull te tjetri, por edhe brenda të njëjtit komb. Llogaritet se në atë kohë
vetëm në Francë përdoreshin të paktën 250,000 njësi të ndryshme peshe dhe
matjesh.
Por gjithçka ndryshoi
me Revolucionin Francez. Gjatë viteve të turbullta 1789 - 1799 krerët e
revolucionit kërkonin jo vetëm t’i merrnin pushtetin monarkisë dhe kishës, por
edhe ta shndërronin rrenjësisht shoqërinë duke flakur tutje traditat dhe zakonet
e të kaluarës. Për këtë qëllim në 1793 ata paraqitën, ndër shumë të tjera,
Kalendarin Republikan që bazohej te dita me 10 orë, ora me 100 minuta dhe
minuta me 100 sekonda. Kalendari kishte dy synime – të zhdukte ndikimet fetare,
duke e bërë të pamundur ndjekjen e të djelave apo ditëve të shenjta, si edhe të
fuste në përdorim sistemin dhjetor. Koha e bazuar te dhjeta nuk pati sukses, por
sistemi dhjetor i masave, që është baza e metrit dhe kilogramit, vazhdon të
mbizotërojë edhe sot e kësaj dite.
Detyra e përgatitjes
së një sistemi të ri matës iu dha shkencëtarëve dhe mendimtarëve më të shquar të
Iluminizmit, mendjeve të ndritura që ishin vërtet të interesuar të krijonin një
sistem të ri të mbështetur mbi arsyen dhe jo mbi dëshirat e njerëzve me
pushtet. Për këtë u vendos që metri të bazohej krejtësisht në natyrë. Ai do të
ishte një e 10 milionta pjesë e largësisë nga Poli i Veriut në Ekuator.
Meridiani nga Poli i
Veriut në Ekuator që do të përdorej për të përcaktuar gjatësinë e standartit të
ri do të ishte Meridiani i Parisit. Kjo vijë e përfytyruar shkon mespërmes ndërtesës
së Obzervatorit të Parisit në njësinë e 14 administrative dhe është shënuar me
një shirit bronzi që kalon mespërmes dyshemesë prej mermeri të Dhomës së
Meridianit, ose Dhomës Cassini.
Obzervatori i Parisit
nuk është i hapur për vizitorët, por kushdo mund ta ndjekë vijën e meridianit përmes
qytetit nëse arrin të dallojë në tokë një seri disqesh të vegjël bronzi me
emrin ARAGO të gdhendur në kujtim të atronomit francez François Arago. Kjo është
vija që matën dy astronomë francezë në vitin 1792, Jean-Baptiste-Joseph
Delambre i cili u nis në veri, drejt Dunkirkut dhe Pierre Méchain që udhëtoi
drejt jugut për në Barcelona.
Të dy astronomët vunë
në përdorim pajisjet më moderne të kohës dhe procesin matematik të triangulimit
për të matur harkun meridian midis këtyre dy pikave në nivelin e detit dhe për
të llogaritur pastaj largësinë midis Polit të Veriut dhe Ekuatorit. Ata synonin
të takoheshin përsëri në Paris brenda një viti, duke pasur gati një standart
universal matjeje. Në fakt, iu deshën 7 vjet. Shkencëtarët punonin në një nga
periudhat më të turbullta të historisë së Francës, me njerëz që i shikonin
gjithë dyshim dhe i spiunonin te autoritetet, me qeveri që një ditë i merrte me
sy të mirë, dhe të nesërmen i trajtonte si armiq.
Ndërtesa e Panteonit,
të cilën Luigji i XV kishte dashur ta ngrinte si kishë, u kthye në stacionin
gjeodetik të Parisit. Nga kupola e saj Delambre trianguloi të gjitha pikat
rreth qytetit. Sot ndërtesa shërben si mausoleum për heronjtë e Republikës si
Volteri, Rene Descartes dhe Viktor Hygo, por në kohën e Delambresë ajo shërbente
si magazinë për gjithë njësitë e vjetra të peshave dhe masave që dërgoheshin në
Paris nga qytetet e tjerë të Francës.
Pavarësisht përpjekjeve
të shkencëtarëve dhe punës së tyre të palodhur, njerëzit u treguan kokëfortë
dhe nuk donin ta pranonin sistemin e ri. Ata donin të vazhdonin me masat e vjetra. Për shembull, një ell, që përdorej për matjen e copave
ishte e barabartë me gjatësinë e tezgjahut, ndërsa toka e punueshme matej me
ditë pune, domethënë me sipërfaqen e tokës që mund të punonte mesatarisht një fshatar
brenda një dite.
Qeveria franceze
filloi të dërgonte inspektorë nëpër tregjet publike për t’i detyruar njerëzit të
pranonin sistemin e ri, por as kjo nuk pati sukses. Madje edhe Napoleonit i
erdhi në majë të hundës aq sa hoqi dorë nga sistem metrik, megjithëse në kohën
e tij ai vazhdonte të jepej mësim në shkolla. Francës iu deshën gati 100 vjet që
ta vinte në përdorim këtë sistem.
E gjithë kjo përpjekje
u kurorëzua me krijimin e një prej institucioneve më të vjetra ndërkombëtare:
Zyra Ndërkombëtare e Peshave dhe Masave (BIPM). I ngritur që të ruajë
standartet ndërkombëtare BIPM mbron unifikimin e shtatë njësive ndërkombëtare
matëse: metrit, kilogramit, sekondës, amperit, kelvinit, moles dhe kandelës. Në
të ruhet etaloni i shufrës standarte një metërshe prej platinumi që ka qënë përdorur
për të nxjerrë kopjet që iu dërgoheshin kryeqyteteve të ndryshëm të botës.
Në të njëjtën ndërtesë
ruhet edhe pesha origjinale një kilogramëshe, që mbahet brenda tri vazove prej
qelqi në një kasafortë të nëndheshme ku mund të shkohet vetëm duke përdorur tre
çelësa të ndryshme që i mbajnë tre individë të ndryshëm.
Pëkthyer dhe përshtatur
nga artikulli Madhvi Ramani në BBC
http://www.bbc.com/travel/story/20180923-how-france-created-the-metric-system