Monday, July 12, 2021

“Ide rebele”

Kur në 2016 Gareth Southgate u emërua drejtues i ekipit përfaqësues të Anglisë mua nuk më bëri kurrfarë përshtypje. E mbaja mend si lojtar, por pa ndonjë mbresë të veçantë. Ndërkohë ai vinte pas një sërë emërimesh mediokre në krye të një ekipi nga i cili pritej jashtëzakonisht shumë.

Gjëja e parë që i pëlqeva ishte prirja e tij për të zgjedhur lojtarë të rinj, për të mos u ndikuar nga emrat e mëdhej me histori transfertash të shtrenjta. Por ajo çka më bëri ta vlerësoj më shumë ishte filosofia e tij drejtuese, ose më saktë, bashkëdrejtuese.

Dihet mirëfilli se çdo drejtues ekipi ka edhe një ekip të dytë, ekipin e bashkëdrejtuesve – ndihmësin e drejtpërdrejtë dhe një sërë specialistësh këshilltarë. 

Logjikisht pritet që këshilltarët e drejtuesit të një ekipi futbollit të jenë specialistë futbolli. Këtë bëjnë shumica e drejtuesve në çdo fushë. Në psikologji kjo njihet si prirja e njerëzve për të qënë të rrethuar nga të tjerë që mendojnë pak a shumë si ata vetë. Grekët e lashtë e quanin këtë dukuri “homofili’, domethënë ‘të duash të njëjtën gjë‘. Një skuadër futbolli do të drejtohet nga një specialist futbolli, i cili këshillohet me të tjerë specialistë futbolli, apo jo?

Jo në rastin e Gareth Southgate. Ai ndjek një praktikë krejt të ndryshme, në përpjekje për të qënë i hapur ndaj ideve të reja. Pjestarët e ekipit të tij këshillues (që të gjithë vullnetarë pa pagesë) janë Sir Dave Brailsford, trainer ciklizmi, Kolonelja Lucy Giles, komandante kolegji në Akademinë Ushtarake të Sandhurstit, vozitësi olimpik Kath Grainger, Manoj Badale, që është biznesmen teknologjie, një drejtues ekipi rugby, Stuart Lancaster dhe  David Sheepshanks që është ideatori krijues i qendrës sportive kombëtare St. George’s Park.

Nuk është aspak për t’u çuditur që përzgjedhja e këtij grupi u prit me reagime negative në shtypin britanik. Ishin të gjithë të jashtëm në futboll. Por pikërisht te ky fakt Gareth Southgate gjente vlera. Ata të gjithë janë në gjendje të japin rrugëzgjidhje të ndryshme për përgatitjen e lojtarëve, dietën e tyre, të dhënat fizike, forcën mendore dhe morale e shumë të tjera.

“Mua më pëlqen të mësoj nga njerëz që dijnë gjëra që unë vetë nuk i di,” thotë Southgate. “Vetëm kështu mëson.”

Natyrisht, në ekipin e tij Southgate ka edhe trainerë specialistë futbolli. Por edhe ata vijnë nga përvoja krejt të veçanta me lojën. Ata nuk janë rebelë në kuptimin që kërkojnë ta kthejnë përmbys ekipin. Përkundrazi, ata janë rebelë me idetë e reja që sjellin.

1. Ky shkrim është bazuar në shënimet e Matthew Syed, autor i librit “Ide Rebele: Forca e të Menduarit Ndryshe, dhe ish-përfaqësues i Britanisë në pingpong në dy Olimpiada.)

2. Në Kampionatin Europian të këtij viti, krahas Gareth Sauthgate unë veçoj edhe Roberto Mancinin, i pari drejtues italian që vërtetoi se ekipi i vendit të tij mund të fitojë kupën edhe duke luajtur bukur.

3. Nga lojtarët mbështes pa rezerva Marcus Rashford, Bukayo Saka, Jadon Sancho dhe Rahim Sterling.