Wednesday, September 1, 2021

Futboll me Panajot Panon


Vetëm çmenduria e komunizmit mund t’i jepte rastin një kërpaçi si puna ime të luante futboll me nje super yll si Panajot Pano. Por në atë sistem mbretëronte shtresimi i vlerave dhe unë tani kam fatin të ruaj një kujtim të bukur.

Them ‘kërpaçi si puna ime’ pasi nuk kam qënë shquar asnjëherë si futbollist. Domethënë nuk bëja pjesë as në ekipin e shkollës, as në të klasës dhe në lagje, kur ndaheshim në skuadra, mua më binte rradha nga të fundit të zgjidhesha, ose më saktë, të përfundoja në ndonjë anë.

Në verën e vitit 1981 bashkë me vëllanë e madh, një shokun e tij dhe një shokun tim kishim zënë një kabinë te Iliria në Durrës. Besoj se i mbani mend rreshtat e kabinave prej dërrase të Ilirisë. Ngjitur me ne ishin dy vëllezër binjakë nga Tirana, ndërsa përballë, pak djathtas, e kishte kabinën Ai vetë - Panajoti.

Kur e pamë për herë të parë atë mëngjes nuk po u besonim syve. Kishim dalë në atë palo verandë të kabinës për të pirë kafen e mëngjesit – ndoshta edhe për të ngrënë mëngjesin, ose thjesht për të shpëtuar pak nga era e djersës, gazrave, dhe duhanit kur përballë na çfaqjet pamja idilike e familjes së yllit të futbollit shqiptar. Natyrisht, vëmendjen na e tërhoqi fillimisht Rebeka, gruaja e bukur e Panajotit, që po kujdesej që dy fëmijët, djalë e vajzë, të hanin mëngjesin. Ndërkohë Panajoti hynte e dilte duke i shërbyer asaj kafenë. Zotni i vërtetë.

Ne duhet të ishim të fiksuar me sytë andej pa pikë takti, sepse Panajoti e vuri re dhe na përshëndeti. Kur mbaruan mëngjesin erdhi dhe na takoi. Ne i ofruam uzo.

Pse uzo? Sepse uzo kishim me bollëk. Shoku i vëllait tim, Pinia ishte ingjiner kimist dhe duhet të ishte shumë i aftë pasi bënte një uzo të mrekullueshme. Dhe me shumicë. Atë pesëmbëdhjetëditësh kemi bërë kurën e uzos. Jo vetëm kaq, por kishim edhe me çfarë e tërhiqnim Panajotin te kabina jonë. U bëmë miq. Ai nuk pinte shumë, por dukej që i pëlqente të rrinte ‘me çunat’.

Nuk kam qënë ndonjëherë tifoz i Partizanit. Kam patur fatin që fëmijërinë ta kaloj në një shtëpi ku kishim mure të përbashkët me familjen e Arben Çelës dhe s’kisha se si të mos rritesha me zemrën te Tirana. Pavarësisht tifozllëkut, në atë kohë besoj se të gjithë e pranonin si të vërtetë të padiskutueshme që Pano ishte numri një i futbollit shqiptar. Në përfytyrimin tim si fëmijë, Pano qëndronte në një rang me Pelen – Pano qe më i madhi i Shqipërisë, Pele ishte më i madhi i botës. Bëhej fjalë për të mëdhenjtë fare. Tifozllëku nuk hynte në punë.

Kur e njoha unë Panoja duhet të kishte nja pesë-gjashtë vjet që kishte lënë futbollin, ishte në burrë i qeshur, shumë i butë dhe komunikues. Pasditeve dhe darkave rrinte me ne deri vonë. Nuk mbaj mend per çfarë flisnim dhe, aq më pak mbaj mend të kemi folur për futbollin. Turbullt më kujtohet se ata dy binjakët ngjitur tregonin shumë anekdota ‘me spec’ dhe kishin një humor politik që kalonte në kufijtë e të rrezikshmes, aq më tepër po të kihet parasysh se flitet për periudhën më të errët të diktaturës. Panoja qeshte me të madhe.

Futboll luanim në rërë. Mund të kemi luajtur dy ose tre herë me të. Rrinte në mbrojtje, ndoshta në portë dhe dilte rrallë në sulm, ngaqë nuk donte të shiste mend. Por nuk mund të le pa përmendur që në atë fushë ishte një tjetër xhevair – Ledio, djali i Panajotit, që në atë kohë duhet të ishte nja 12 vjeç dhe shumë shpejt do të bëhej edhe ai një yll më vete. Nuk ishte Panajoti, ishte Ledio që kur luanim futboll na vërtiste të gjithë dhe s’e kapnim dot. Panoja qeshte i kënaqur dhe dukshëm krenar.

Shkurt, unë kam luajtur futboll me Panajot Panon. Edhe me Ledio Panon. Diçka për t’u mburrur, apo jo?!