Pjesa e Parë
Kjo është një foto nga qyteti Kaibarien (Caibarien) në provincën e Santa Klarës. Eshtë pjesa e re e qytetit – dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë asnjë nga këto ndërtesa parafabrikate nuk ekzistonte. Ne shqiptarëve na kujtojnë shumë gjëra, edhe ndërtesat, edhe hekurat e dritareve. Për kubanët janë parajsa e ëndërruar. Apartamentet iu jepen si shpërblim vetëm atyre që punojnë për turizmin në hotelet e plazheve aty pranë. Pas pesë vjetë pune merr të drejtën të hysh në apartament. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve qera, apartamenti bëhet i joti. Po t’i krahasosh apartamentet me shtëpitë e tjera të qytetit duken luks i vërtetë.
Vini re fuçitë e mëdha blu në taracat e ndërtesave. Janë
depozita uji, kuptohet. Ujësjellësi i ndërtuar dhjetëvjeçarë më parë, ishte
parashikuar vetëm për pjesën e vjetër të qytetit. Tani popullsia është
dyfishuar, ndërsa sasia e ujit po ajo. Shoqëruesi në autobuz na shpjegoi se në
qytet uji vjen një herë në katër ditë.
Po, shoqëruesit flasin edhe për mungesat, vështirësitë, varfërinë
dhe padrejtësitë. Në dallim nga njëzet vjet më parë kur flisnin me enthusiazëm
vetëm për fitoret e revolucionit dhe për jetën e shkëlyqer në komunizëm, tani
iu është hapur goja. Në fakt, hapja (e gojës) ka ardhur gradualisht. Tashmë
edhe parrullat e shumta në rrugë, ku mbizotërojnë ato për Çe Guevarën, janë
rralluar. Ndoshta drejtuesit e shtetit kuban po heqin dorë nga propaganda
revolucionare. E ç’iu duhet? Ne ruajmë sundimin, juve jepini llapës sa të doni.
Po qe se iu shkon mendja të protestoni, iu shtypim si miza.
Në të katër anët e botës ata që sundojnë po e vrasin mendjen
gjithmonë e më pak për -izma. Tani sundohet pa teori, pa komunizëm, pa fashizëm,
pa…Sundohet kryesisht me gogola, me armiq realë apo imagjinarë: i majti, i djathti,
diktatori, luftënxitësi, terroristi, embargoisti.
Propaganda vazhdon vetëm në lidhje me, ose më saktë, kundër
Amerikës. Për të gjitha, veçanërisht për varfërinë dhe mungesat e ka fajin
Amerika dhe embargoja e saj. Popullit i duhet një përrallë me një armik të madh
që sjell fatkeqsi.
Pjesa e dytë
Dikur vendi mbahej me prodhimin e sheqerit, duhanit dhe
rumit. Amerikanët u munduan t’i sabotojnë duke prodhuar sheqer me shumicë dhe më
lirë, por Kubanët vazhduan të mbanin tregje sheqeri në BRSS dhe Europën Lindore.
Pas 1990tës edhe ky treg u mbyll. Mbetën duhani dhe rumi. Duhanin s’para e ka
qef njeri tani, ndërsa rumi ka shumë konkurrentë. Shpresa e fundit për të
nxjerrë ndonjë pare është turizmi. Bum – Pandemia e Kovidit.
Kjo e fundit duhet t’i ketë trembur keq. Kur mbërritëm në
hotel na ra në sy mirësjellja e pazakontë dhe përkujdesi për të mos lenë
asnjeri të pakënaqur. E para gjë që të shkon në mendje është: Këto dy vjet këta
do ta kenë kuptuar se ç’do të thotë të humbasësh klientët. Po t’i lexosh shënimet
që shkruajnë pushuesit për përvojat e tyre në Kubë këto kohët e fundit, të
bijen në sy lavdërimet për mirësjelljen dhe dashamirësinë e personelit.
Surpriza më e këndëshme – kanë instaluar internetin. Tani
mund të lidhesh edhe nga dhoma, ndërsa përpara pandemisë të nxinte jetën një
kompjuter i ngadalshëm që të merrte paret dhe nuk të jepte mundësi për një orë
të kontrolloje emailin.
Mungon letra, çdo lloj letre me përjashtim të asaj higjenike. Një nga punonjësit na shpjegoi se në fabrikën e letrës ishte prishur një pajisje dhe nuk po e zëvendësonin dot. Nuk i le Amerika ta zëvendësojnë(?!). Mungesa e letrave i detyron që në restorant të shërbejnë me peceta të bardha prej lecke, të cilat duhen larë vazhdimisht. Kjo bën që makinat larëse të jenë të zëna me pecetat dhe jo me peshqirët. Pushuesit e shkretë heqin picirin për të ndërruar peshqirët e plazhit dhe ato të banjës.
Pjesa e tretë
Mungon nafta, benzina. Kuba nuk prodhon naftë. Sa ishte Fideli gjallë, atë e merrnin nga Venezuela. Shavezi ishte mik i ngushtë i Kastros. Madje ka zëra që grushtin e shtetit në Venezuelë e kanë organizuar trimat operativë të Kastros me qëllim që ky të kishte kontroll mbi naftën e Venezuelës.
Por punet duhet të kenë ndryshuar. Nga qyteti Kaibarien ku banojnë
në parafabrikate punonjësit e hoteleve, deri te plazhet është një rrugë dyzetetetë
kilometra. Punonjësit i lëvizin me autobuzë. Por tani që s’ka naftë s’ka as
autobuzë. Shumë punonjës i mbajnë dy-tre ditë rresht në hotel.
Administratorët e hoteleve kanë qënë të detyruar të bëjnë një
lëshim. Punonjësit mund të hanë në restorant. Kjo ka bërë që shumica e kamerierëve
dhe shërbyesve të tjerë të jenë mbi peshë. Dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë të
bënte përshtypje sa elegantë ishin kubanët. Tani të bën përshtypje sa të shëndoshë
janë.
Nuk jam kundër që punonjësit të ushqehen në hotel, por duhet
të bëjnë pak kujdes se nuk është mirë për shëndetin. Vështirë t’i këshilloje të
hanin më shumë zarzavate, pasi zarzavatet mungonin thuajse plotësisht. Me përjashtim
të bizeleve, patateve, orizit, dhe lakrave, nuk gjen gjë tjetër të mbirë në tokë.
Mishi dhe peshku janë me bollëk.
Po ankohem shumë, më duket. Kushdo mund të pyesë: Për çfarë dreqin shkon atje? Më mirë se ta shpjegoj, shikoni fotot.
Pjesa e katërt
Dikur, para Kovidit, në hotelet kubane gjeje turistë nga
gjithë bota, me përjashtim, kuptohet, të amerikanëve. Por hasje shumë edhe nga
Europa. Këtë vit thuajse të gjithë turistët në hotelin tonë janë nga Kanadaja. Kam
hasur vetëm një çift italian, nga Siçilia, si dhe një italian tjetër të cilin e
identifikova nga kapelja me stemë të Alfa-Romeos.
Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin pushues nga Kanadaja?
Do t’i kishte hotelet bosh.
Tani për turistët nga Kanadaja. Familja në të djathtë tonë vjen
nga Kanadaja, por flasin rusisht. Më tutje është një çift që flasin serbisht.
Pas tyre dy familje që flasin gjithashtu rusisht dhe më tutje një familje e
madhe që flasin spanjisht. Të gjithë nga Kanadaja.
Janë edhe një grup i madh, shumë i madh vjetnamezësh, rreth
25-30 vetë. Edhe këta nga Kanadaja.
Edhe ne vijmë nga Kanadaja. Si ne, edhe nja tre familje të
tjera shqiptare, po nga Kanadaja.
Kanadezët e rritur flasin anglisht me aksent të huaj. Fëmijët
flasin anglisht pa aksent. Është edhe një grup kanadezësh nga Montreali që flasin
frëngjisht. Kanadezët e rritur që e flasin anglisht pa aksent nuk para shkojnë
në Karaibe për pushime. Pëlqejnë më shumë ato që i quajnë ‘cottage’, shtëpitë e
pyllit, buzë liqeneve. E vajtura në Kubë apo në Meksikë iu duket aventurë që ia
vlen ta ndërmarrësh vetëm në dimër.
Kë do dërgonte Kanadaja në plazhet e Kubës po të mos kishte
imigrantët?
Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin si pushues imigrantët
e Kanadasë?
Do t’i kishte hotelet bosh, vetëm me dy-tre familje frëngjishtfolëse
nga Kebeku dhe me tre Italianë.
Pjesa e Pestë
Përqëndrimi më i madh i kubanëve në SHBA është në Florida.
Kubanët e Floridas urrejnë Kastron e komunizmin dhe i ushtrojnë presion qeverive
amerikane që të shtrëngojnë sa më shumë embargo ekonomike kundër vendit të
tyre, duke shpresuar që komunistët kubanë do të dorëzohen.
Florida është shtet që voton kryesisht për Republikanët dhe
në këtë anim politik luan një rol të rëndësishëm edhe komuniteti i kubanëve. Në
zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 kur konkurronin Al Gore dhe Xhorxh W. Bushi
Florida për pak kaloi nga ana e demokratëve. Të dyja partitë në SHBA e dijnë se
sa rëndësi ka për zgjedhjet presidenciale komuniteti kuban, prandaj mundohen ta
marrin me të mirë atë. Obama ishte i vetmi që bëri hapa për normalizimin e marrëdhënieve
SHBA-Kubë, duke vendosur edhe marrëdhënie diplomatike dhe liruar bllokadën
ekonomike. Trampi zhbëu gjithçka në kishte bërë Obama, madje edhe e shtrëngoi
ca. Biden nuk ka bërë asnjë hap të zhbërë atë qe bëri Trampi.
Ka gjashtëdhjetë vjet që Amerika i bën embargo ekonomike Kubës sepse ka presionin e kubanëve të Amerikës. Ka gjashtëdhjetë vjet që politika e embargos nuk ka pasur kurrfarë suksesi. Komunistët e Kubës nuk dorëzohen sikur edhe bar të hanë. Ata që hanë bar janë populli kuban, sepse ata që sundojnë në Kubë nuk hanë bar. Me një fjalë, kubanët e Amerikës i bëjnë presion qeverisë amerikane që të shtrengojë embargon ndaj Kubës duke shkaktuar varfërimin e vazhdueshëm të popullit kuban.
Pjesa e Gjashtë
Kubanët mburren se kanë plazhet më të mira në botë. Në fakt kanë plazhe shumë të bukura. Kush shkel në Santa Klara i thonë se plazhi më i mirë i Kubës është padyshim në Kajo Ensenachos. Për Mozën dhe mua Kajo Ensenachos është vendi më i bukur në botë. Deti është kryesisht i qetë, me një sipërfaqe si pasqyrë; rëra është e bardhë dhe pak e ngjeshur, e përsosur edhe për të ecur përgjatë bregut. Përgjithësisht është vend i qetë, me pak pushues, dhe të krijon ndjesinë e një plazhi privat. Natyra përreth është sa e patrazuar, aq edhe e patrazueshme. Kur del shëtitje gjen guacka të mëdha sa një pjepër që në anglisht quhen kang (conch shells), yje deti të mëdhej, peshq dhe gaforre me shumicë, si edhe lloje të ndryshme zogjsh. Në ishull nuk ka asnjë kafshë katërkëmbëshe.
Kur je atje, rrallëherë të shkon mendja se ka gjë tjetër më
të rëndësishme në botë.