“Heshtja përballë padrejtësisë është bashkëpunim me tiranin.” Xhineta Sagan
Janë afërsisht
njëmijë vetë që përbëjnë skenën e fejsbukut tim dhe që Zakerergu m’i faturon si miq. Nuk them se përbëjnë
ndonjë shprehje të saktë të opinionit publik shqiptar, por gjithsesi, komentet
e një pjese të mire të tyre më japin një fare ideje se çfarë i gudulis bashkatdhetarët.
Para një jave,
për shembull, shumë vetë ndiheshin të trishtuar për vdekjen e Milan Kunderës.
Në të katër anët shihje shkrime të pikëlluara, pasazhe librash, citime,
fotografi të shkrimtarit. Disa javë para kësaj thuajse nuk mbeti njeri pa u marrë
me video-skandalin e Gjicit, të cilin disa e shihnin si rast për humor, e të
tjerë si skandal revoltues. Pastaj qarkulloi gjerësisht një video e shkurtër që
e krahasonte Ksamilin me Maldivet e cila, pavarësisht se ishte postuar
fillimisht nga kryeministri, ua ngriti peshë entuziazmin patriotik të gjithëve.
Nuk mbeti pas në këtë lëmë as njoftimi se fshati Lin ka zyrtarisht vendbanimin
më të vjetër në Europë, duke na e çuar lashtësinë dhe autoktoninë me mijëra
vjet përtej pellazgëve.
Me një fjalë, çdo
ngjarje politike, artistike, kulturore, ekonomike, atmosferike gjen pasqyrim në
fejsbuk. Është një reagim i natyrshëm, njerëzor dhe i pritshëm, që mua nuk më
çudit aspak dhe prej nga mësoj shumë. Ajo që më çudit më shumë është mungesa e
reagimit, heshtja.
Javën e kaluar parlamenti shqiptar kaloi një ligj sipas të cilit studentët që mbarojnë universitetin për mjekësi duhet të punojnë pesë vjet përpara se të marrin diplomat. Pak kush u mor me këtë lajm, megjithëse nuk ka veprim më totalitar, më anti-demokratik, më të poshtër që mund të ndërmarrë një qeveri (duke propozuar projektligjin) dhe një parlament (duke e kaluar atë) se sa t’i mohosh pa kurrfarë të drejte dikujt, aq më tepër një grupi njerëzish, marrjen e diplomës.
Kam frikë se në
këtë rast heshtja është miratim, domethënë që përgjithësisht njerëzit e shohin
këtë hap të qeverisë dhe të parlamentit shqiptar si pozitiv dhe të pranueshëm
dhe pajtohen me mendimin se nuk duhen lejuar mjekët e rinj të largohen nga Shqipëria,
sepse po u lanë, atëherë sistemin shëndetësor do ta marrë lumi dhe mjerë ne të
shkretët ku do katandisim. Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë të ndalohen
me ligj të ushtrojnë profesionin e tyre në vend tjetër.
Nëse kjo është e
vërtetë, nëse shumica jonë mendojnë se po iu rrezikohet e ardhmja ngaqë po
largohen mjekët dhe se qeveria bën mirë të ndërhyjë me ligje për t’i mbajtur forcërisht
dhe në mënyrë të paligjshme ata djem e vajza që mbarojnë shkollën e lartë,
atëherë kemi arritur përtej asaj pike kur thuhet se jemi për të qarë hallin.
Qeveria nuk ka të
drejtë t’i mbajë peng diplomën askujt. Diplomat lëshohen nga një institucion
arsimor dhe, pavarësisht se institucioni arsimor, në këtë rast Universiteti i Mjekësisë
Tiranë është publik, ai nuk është pjesë e administratës shtetërore. Në fund të fundit,
si institucion arsimor ai funksionon me paratë e taksapaguesve. Mbajtja e
diplomës mua më duket si një heqje e drejtpërdrejtë e një lirie bazë njerëzore
për ata studentë. Ajo është një masë tipike komuniste. Në Kubë, për shembull,
kushdo që mbaron shkollën e lartë, është i detyruar të punojë dy vjet pa
pagesë, gjoja për të shlyer shpenzimet e edukimit ‘falas’.
Në vend që të
ndalojë me ligj marrjen e diplomave si masë për t’i mbajtur mjekët e rinj e
këdo tjetër në vend, qeveria bën mirë të përmirësojë gjendjen e vendit, ta bëjë
Shqipërinë më tërheqëse, më demokratike, më të drejtë, më pak të korruptuar, më
njerëzore për të gjithë të rinjtë që të qëndrojnë atje me dëshirë dhe të mos
kenë asnjë interes të marrin rrugët e mërgimit.
Sa për mjekët, qeveria
bën mirë të rishikojë mënyrën se si shpërblehen ata për punën që bëjnë, ndoshta
t’iu ngrejë rrogat, t’iu japë mundësi të përmirësojnë statusin e tyre në
përgjithësi.
Sot e kishin radhën
mjekët; nesër do t’i vijë radha një profesioni tjetër. Pasnesër mund të kalohet
te politikat e Shqipërisë komuniste enveriste, ku asnjëri nuk kishte të drejtë
të dilte jashtë. Ndoshta dikujt mund t’i duket e ekzagjeruar, por diktaturat
kështu vendosen, hap pas hapi. Kap një grup, hiqja të drejtat duke siguruar
mbështetjen e indiferentëve dhe atyre që mendojnë se nuk është puna ime, prit
pak kohë dhe përvishu një grupi tjetër. Edi Rama dhe qeveria e tij e ka treguar
se nuk ka pikë skrupulli për ta bërë një gjë të tillë, nëse i jepet rasti. Kur
ne themi “Hë se me mjekët e ka, nuk e ka me ne. Le t’iu bjerë atyre dhe t’i mbajë
këtu se na duhen për të na shërbyer ne,” Rama dëgjon: “Jepi, bjeri, bëj çfarë të
të dojë qejfi, se ne jemi pula që shohim interesin tonë ngushtë dhe nuk e hapim
gojën.”
Unë do të
trishtohesha dhe zhgënjehesha plotësisht nëse në shtator Universiteti Mjekësor
i Tiranës, dhe bashkë me të, i gjithë sistemi i shkollave të larta në Shqipëri
do t’i fillonte mësimet rregullisht. Do të ishte vërtet e hidhur nëse gjithë
studentët, të mbështetur plotësisht nga opinioni publik, nuk hidhen në grevë
për të mbrojtur të drejtat e tyre – të gjithë, jo vetëm ata që preken
drejtpërdrejt nga ky ligj i paligjshëm.