Pyetja e parë: A duhet të konkurrojë Imane Khelif në boksin
për femra?
Pyetja e dytë: A duhet të konkurrojnë me gratë sportistët që
kanë tipare mashkullore?
Përgjigja ime: Këtu ndërlikohet pak puna. Nëse e shtrojmë
këtë pyetje – dhe këto ditët e fundit pas përplasjes së Imane Khelif me Anxhela
Karinin ka shumë “të djathtë” “konservatorë” që kanë ngritur zërin e protestës –
pra, nëse e shtrojmë këtë pyetje, duhet të pranojmë se shkencërisht ka njerëz
që lindin “gabimisht” në një gjini. Domethënë ka njerëz që lindin si meshkuj
por janë femra dhe, e kundërta, njerëz që lindin si femra, por janë si përbërje
hormonesh, meshkuj. Është një dukuri gjenetike që ndodh dhe, ndonëse e rrallë,
është në natyrën e njeriut. Deri para ndeshjes, gjeje me shumicë nga ata që mëshonin
idesë se kjo nuk është natyrale (ose e pa “sanksionuar” nga Zoti); se është një
trill i lëvizjes liberalo-soroiste Woke, që synon shkatërrimin e shoqërisë
njerëzore; se është një nga planet e “iluminatit” për t’i detyruar fëmijët e
shkollave të ndërrojnë sekset.
Pas ndeshjes, krejt papritur, të njëjtët njerëz morën tjetër
drejtim. Ata e pranojnë që Imane Khelif është burrë i lindur si grua dhe se ajo
është pranuar të marrë pjesë në lojrat olimpike si pjesë e konspiracionit
botëror për të shkatërruar femrat, familjen, shoqërinë. Sinqerisht unë jam
shumë i paqartë me këtë lloj arsyetimi, megjithëse më duket se është bërë një
hap i rëndësishëm përpara në pranimin e ekzistencës së njerëzve të lindur në
gjini “të gabuar”.
Përgjigja ime ndaj pyetjes është “jo?” (me pikëpyetje nga
pas). Burrat duhet të konkurojnë me burrat, grate me gratë. Por, duhet
përcaktuar kriteri ndarës – kush do të konsiderohet burrë, dhe kush grua? Këtu
gjërat ndërlikohen pak.
Shkenca ka arritur ta përcaktojë këtë. Në vendet e
zhvilluara shkenca iu vjen në ndihmë njerëzve me gjini të dyshimtë që të
përcaktojnë identitetin e tyre me ndërhyrje kirurgjikale dhe kura hormonale. Aty
ku dominon feja, ose mendimi i ngurtësuar, ndërhyrjet konsiderohen sakreligj,
të papranueshme. Njerëzit me prirje liberale mendojnë se ata që lindin me identitet
gjinor të papërcaktuar qartë, kanë të drejtë të vendosin për trupin dhe
përkatësinë e tyre; ndërsa ata me prirje konservatore dhe, veçanërisht fetare
(të të gjitha feve) janë të bindur që të gjithë janë të detyruar të rrijnë
ashtu siç i ka krijuar Zoti dhe se prirjet për ndërrimin e gjinive janë pjesë e
një konspiracioni ndërkombëtar liberal.
Për rastin në fjalë, IBA (International Boxing Association –
Shoqata Ndërkombëtare e Boksit), shkon me shkencën dhe nuk i pranon sportistët
me tipare gjenetike mashkullore që të marrin pjesë në veprimtaritë e grave. Imane
Khelif nuk lejohet të marrë pjesë në veprimtaritë e IBA-së. Komiteti Olimpik
Ndërkombëtar (IOC) është më tradicional dhe shkon me certifikatën e lindjes –
nëse dikush në lindje është përcaktuar nga mjeku si femër, atëherë konsiderohet
femër dhe mund të marrë pjesë në veprimtaritë e grave. Imane Khelif lejohet të
marrë pjesë në Lojrat Olimpike.
Pra unë them “jo”, burrat nuk duhet të konkurojnë me grate,
por duhet përcaktuar se kush do të quhet burrë dhe kush grua. Këtë përcaktim,
për mendimin tim duhet ta bëjë shkenca, jo njerëzit që flasin qesim.
Megjithatë, kjo pyetje nxjerr edhe një nënpyetje. Nëse
shkenca përcakton se kush është burrë dhe kush grua në shkallë të atyre që
shihen si tregues normalë për gjini të caktuara, atëherë ç’bëhet me treguesit
jo-normalë? Për shembull, sportistë të caktuar kanë tregues gjenetikë të
jashtëzakonshëm të cilët iu japin atyre përparësi ndaj të tjerëve. Majkëll
Felps, për shembull, kishte trup të jashtëzakonshëm dhe fuqi të rralla. A duhej
lejuar ai të konkurronte? Basketbollisti francez Viktor Uembanajama është 2
metra e 24 cm i gjatë. A duhet lejuar ai të luajë me të tjerët që nuk i afrohen
krahut të tij në një sport ku gjatësia është element thelbësor? Basketbollistja
Zhang Ziyu e Kinës është 2 metra e 20 centimetra dhe duket në fushë si një e
rritur që luan me kalamajtë e kopështit. Çdo të bëhet me të? Ka shumë sportistë
që i kanë treguesat fizikë të jashtëzakonshëm. Mos duhet që organizmat
ndërkombëtare të vënë kufizime për ta dhe, nëqoftëse po, ç’kuptim do të kishte
konkurrenca sportive?
Gjërat janë disi më të ndërlikuara nga sa duken në plan të parë,
prandaj nuk është mirë të nxitohemi dhe të reagojmë me përfundime sapo shohim
diçka që në një fare mënyre na përputhet ose bije ndesh me perceptimet tona të
mëparshme.
Pyetja e tretë. Megjithëse përgjigjen time e kam dhënë më
sipër, thjesht doja ta shtroja si pyetje pasi ka rëndësi: A duhen lejuar
njerëzit të ndërrojnë gjini? A do të
donit që Imane Khelif të kishte kryer operacion gjenetik dhe të identifikohej
plotësisht si burrë, apo preferoni që ai/ajo të rrijë ashtu siç është?
Shënim: Përgjigjia ime për këtë pyetje është: këtë duhet ta
vendosë vetëm Imane Khelif, askush tjetër. Përgjigjen tuaj mund ta jepni në
komente. Gjithashtu në komente mund të përgjigjeni edhe për një pyetje tjetër
që më lindi kur po shkruaja fjalinë e fundit të këtij shkrimi: a duhet t’i drejtohemi
Imane Khelif me ai apo me ajo? A mund ta përcaktoni përemrin?
“Asgjë nuk duket ashtu siç është; asgjë nuk është ashtu siç
duket” – Arben Kallamata “Hijet e Muzgut”.