Nuk jam nga ata njerëzit delikatë që preken lehtë me fjalë, veçanërisht kur flitet për moshën. Sinqerisht s’më rëndet fare t’i pranoj vitet që kam në kurriz, aq sa shpesh herë, edhe pa qenë nevoja, i referohem vetes si plak. Kjo edhe ngaqë gjithmonë kam qenë i mendimit se pleqëria është alternativa më e mirë e mundshme.
Duke qenë se çdo njeri që ka lindur edhe do të vdesë, logjikisht i bije më mirë plakesh se sa të mos plakesh, sepse të mos plakesh do të thotë të vdesësh i ri. Për më tepër që mosha e vjetër vjen me disa përparësi, ndër të cilat edhe përshtypja e përgjithshme (ndonëse shumë e gabuar) se njerëzit e moshuar janë më të mençur. Megjthatë, kjo është thjesht çështje opinioni. Unë kështu mendoj dhe e quaj veten me fat për çdo ditë që arrij të thith ajër të pastër, të shoh dritën e djellit dhe, mbi të gjitha, të shijoj praninë e njerëzve të dashur rreth meje.Me fat edhe që kapa moshën e pensionit dhe tani po përpiqem të marr atë që shoqëria ka për detyrë të ma kthejë për kontributin që kam dhënë duke punuar dhe duke lënë mënjanë një pjesë të pagës për pension. Duke qenë se kam kontribuar me punë dhe me para në dy shoqëri (shqiptare dhe kanadeze), aplikova njëkohësisht për pension në të dy vendet. Por ndërsa procesi për të marrë në Kanada pensionet që më takojnë ishte i thjeshtë, i shpejtë (online) dhe pa asnjë ndërlikim – nuk pata nevojë të bisedoj me asnjë nëpunës administrate dhe pagesat filluan të derdhen në llogarinë bankare që dhjetorin e kaluar, sapo mbusha moshën), procesi në Shqipëri nuk ka mbaruar ende dhe s’i dihet sa do shkojë.
Nuk kam ndërmend t’i qahem njeriu për këtë, sepse të gjithë e dijnë si shkojnë punët administrative atje. Desha vetëm të merrem vetëm me një incident të vogël që ka të bëjë me taktin, njerëzillëkun, mirësjelljen.
Pas shumë përpjekjesh dhe ndërhyrjesh arrita të nxjerr miratimin për marrjen e pensionit. Ky miratim u lëshua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në doli në e-Albania me titullin “Kartelë e Pleqërisë”.
Më shqetëson titulli “Kartela e Pleqërisë”, jo për vete po për të gjithë ata që arrijnë moshën e bukur të pensionit dhe që shteti i tyre ua pështyn në fytyrë, pa u menduar fare se si tingëllon.
Emërtimi “Kartela e Pleqërisë” është fyes dhe i pasaktë. Kartela në fjalë është thjesht një dokument që të njeh të drejtën për të marrë pensionin, jo kartelë mjekësore që përcakton se i përket kësaj apo asaj moshe. Askush nuk besoj se i ka kërkuar shtetit shqiptar të përcaktojë zyrtarisht se cilit emërtim moshor i përket. Askush nuk harxhon kohën e vet online dhe nëpër zyra shtetërore për të marrë vërtetimin idiot se është plak. Qytetarët bëjnë kërkesë për të marrë pension sepse iu duhen për të jetuar paratë që shteti ua ka mbajtur gjithë jetën nga rroga. Shteti duhet t’i japë atë për të cilën bëjnë kërkesë dhe atë që iu takon. Shteti duhet t’iu jetë qytetarëve mirënjohës për kontributin e tyre dhe t’i falenderojë, t’i nderojë dhe respektojë, jo t’i fyejë ata kur dalin në pension.
Fare mirë dokumenti mund të quhej “çertificate pensioni”, ose diçka e tillë. Mund të gjendej çdo lloj formulimi tjetër për të shmangur atë fjalën aq shumë të shmangshme, të panevojshme dhe të rëndë për shumë njerëz – pleqërie.
Në vendet e qytetëruara fjala “plak” ka ndonja tridhjetë vjet që është hequr nga qarkullimi, të paktën në komunikimin zyrtar. Përdoren fjalë të tjera, më të buta, për të mos i bërë qytetarët të ndihen keq. Thonë se Shqipëria është pesëdhjetë mbrapa qytetërimit. Dhe nja njëzetë të tjera anash.